“Makiavelizmi”

“Të gjithë të vlerësojnë për atë që dukesh. Pak e kuptojnë se çfarë jeni”.

Shkrimtari, historiani, burrështeti dhe filozofi italian, është një nga personazhet themelore të Rilindjes.

Ashtu si Leonardo da Vinçi, Makiaveli konsiderohet shembull tipik i përfaqësuesit rilindës. Jetoi në kapërcyellin e shekujve XV dhe XVI, Makiaveli ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj politik të të gjitha kohërave. Atij i detyrohemi për perceptimin e ndarjes së politikës nga morali dhe feja. Parimi i tij kryesor ishte, që kushdo që mban pushtetin, në formën e një republike apo principate, duhet të përdorë të gjitha mjetet për të garantuar mirëqenien dhe integritetin e shtetit. Koncept që është zvogëluar në thënien e famshme: “Qëllimi justifikon mjetet” (edhe pse asnjëherë e shqiptuar nga Makiaveli). Si rrjedhojë, politika ka një detyrë shumë të lartë, por tërësisht tokësore: t’i japë njerëzimit institucione të afta që t’u garantojë atyre një rend të mirë civil.

Makiaveli, autori i kryeveprës “Princi”, është një gjuhë e shpejtë dhe virtuoze, si vetëtima e natës apo reflektimi verbues i shpatës në diell; një përdorim i paparë i të folurit fiorentin që ujit gjithë italishten moderne: gjuha është e saktë, e qartë, e mprehtë. Tek ai gjejmë njëherazi brevitat e latinëve thyer me leximin e Tacitit dhe Tit Livit; shpirti praktik i burrështetasit, i cili s’ka kohë të humbasë në filozofitë e pafundme; dëshira e zjarrtë për t’u ngjitur sa më pranë realitetit – nuk është rastësi që Makiaveli parapëlqen të prekurit e panoramës, të cilën e konsideron shumë të largët. Jean Giono me të drejtë thekson se Makiaveli është një nga teoricienët e rrallë politikë (në mos i vetmi), për të cilin klima dhe stinët, peizazhet dhe ugaret mbartin një rëndësi thelbësore. Makiaveli shprehet: “Nata, shiu, balta, moçali, era, korija, ura, kodra, dielli, rrafshina”; sikur fytyrën e vërtetë të vendit ta sodiste me fragmente, përmes historisë dhe politikës.

Mbetet fakt që Makiavelin e shtyu halli të bëhej “shkrimtar politik”, po njëherazi edhe për t’u marrë me diçka në humbëtirën e internimit dhe fushatës së tij (ishte Sekretar i Kancelarisë në Republikën Fiorentine dhe e gjeti veten të përjashtuar nga çështjet në kohën e restaurimit Medicis), por edhe për t’u rikthyer në favor të të fuqishmëve të momentit. Kështu, të shkruarit u përjetua nga fiorentini si një parantezë dhe një kthesë. Ironi e historisë: do të shkruajë deri në fund të jetës së tij dhe pikërisht kthesa e detyruar do ta shndërrojë në një shkrimtar të pavdekshëm.

Makiavelizmi

Ndikimi i ushtruar nga mendimi politik i Makiavelit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe vazhdon të jetojë në botën bashkëkohore. Nga njëra anë, konsiderohet mik republikan i lirisë, nga ana tjetër, një armik i betuar i parimeve të shëndosha të moralit dhe fesë. Nga kjo tendencë e dytë vërshuan rrymat e kritikës së mendimit të tij të reduktuar në makiavelizëm, për të cilën qëllimi justifikon mjetet. Sot makiavelizmi është sinonimi i politikës së forcës, të paskrupullt e të pamoralshme, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimeve të synimeve të tij. Qe filozofi i parë që hartoi teorinë e racionalizimit praktik, duke i kthyer shpinën mendimit mesjetar. Në një kohë kur mendimi mesjetar i linte fare pak hapësirë lirisë së vendimit të individit, madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë si individ, për atë që është më e mirë dhe e drejtë për të.

De Sanctis, studiuesi që e ka komentuar më së miri, thoshte: “Ai na godet befasisht dhe na përhumb në mendime”. Makiaveli nuk ka kohë të hapërdahet në të mirat dhe të këqijat e regjimeve të ndryshme ideale, siç bën çdo filozofi politike që nga Aristoteli; ai heq dorë nga qëllimi normativ i mjeshtërve të skolastikës, duke parapëlqyer të analizojë dhe të vlerësojë ekzistuesen pa iu referuar botës së prapavijës. Refuzimi i çdo teorie të drejtësisë, të çdo vlerësimi moral, dëshira për të përqafuar realitetin, duke e përshkruar me përpikërinë më të mirë të mundshme, pikërisht atje e gjejmë tharmin e shkencës së re politike. Shkenca politike makiaveliane, ashtu si shkencat shoqërore disa shekuj më vonë, nis nga realja dhe jo nga parimet. Natyrisht, për Makiavelin, mbërritja tek vërtetësia efektive e çështjes nuk do të thotë që të hedhim poshtë mësimet e historisë në favor të të vetmit aktualitet. Përkundrazi, pa orvatjen e funksionimit të pikëpamjes, tabloja e të tashmes do të përngjante me natyrat e vdekura që të kujtojnë frutat e fishkura. Vetë Makiaveli thotë: “Mirëkuptimi i asaj që luhet këtu dhe tani nënkupton dy aktivitete të pandashme dhe paralele, domethënë “përvoja e gjatë e çështjeve moderne dhe leximi i vazhdueshëm i çështjeve antike”.

Një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore

Në fakt, çfarë vërejmë nëse i kushtojmë rëndësinë e duhur cose umane (çështjeve njerëzore)? Që shoqëria nuk është një unitet abstrakt dhe me taban të përsosur, por, përkundrazi, një trillim problematik, një varg ndjenjash shoqërore që Makiaveli i quan umori (gjendje shpirtërore). Këto umori janë të shumëfishta, ato ndryshojnë nga një moment historik në tjetrin; ka emocione vetjake dhe emocione kolektive dhe shoqëria është një gërshetim i ndërlikuar dhe i pakalueshëm i emocioneve individuale dhe kolektive. Në rendin e afekteve shoqërore, të paktën dy prej tyre i hasim vazhdimisht, si në përvojën e çështjeve moderne, po aq edhe në leximin e çështjeve antike: umori të papajtueshëm të Fuqive të Mëdha dhe të Popullit. Në njëfarë mënyre një fakt social i plotë. Do ishte e gënjeshtërt nëse hamendësojmë se një konflikt i tillë mund të zgjidhet në unitetin paqësor të një shoqërie të pajtuar. Përkundrazi, duhet ta gjallërojmë.

Ç’të themi? Afektet nuk mund të shuhen, por mund të konvertohen në energji pozitive shoqërore, qoftë nga zotësia dhe virtyti i princit që i sundon, qoftë nga cilësia e institucioneve dhe ligjeve që i rrethojnë. Prandaj, një “shoqëri e mirë” nuk është një kolektiv njerëzor i njëzëshëm, qeverisur sipas parimeve mbinjerëzore, por thjesht një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore. Pikërisht këtu ndahet me më shumë vendosmëri shkenca e re politike nga ajo e vjetra. Dhe nëse ekziston ndonjë referencë e jashtme ndaj politikës, ajo nuk duhet kërkuar në një shoqëri prapavije dosido, por në fisnikërinë e njeriut. Për të kuptuar politikën, duhet të kuptojmë njeriun, pasionet e tij, “ligësinë e tij”, do të thoshte Makiaveli – term që nga pena e tij, nuk tingëllon aspak si gjykim moral, gabimet e tij… sikundër entomologu vëren me qetësi, sjelljen e fluturave dhe vemjeve. / Konica.al / KultPlus.com

Makiaveli: Aty ku ka vullnet të madh, nuk mund të ketë vështirësi të mëdha

Nikolo Makiaveli ishte një politikan, diplomat, filozof, historian dhe poet nga Firenca, shkruan KultPlus.

Së bashku me Leonardo da Vinçin mendohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Ky përcaktim – sipas shumë njerëzve – veçorizon në mënyrë më të kryer qoftë njeriun ashtu edhe letrarin dhe jo emërtimin makiavelizëm, që ka hyrë për tjetër gjë në gjuhën e tanishme për të treguar një mençuri dhe një mprehtësi të mendimit kurdoherë të hollë e kulmor.

Pas një kohe studimesh të tendosura, në vitin 1498 hyri në jetën politike si sekretar i republikës . Është autori i veprës së famshme Il Principe (“Princi”).

Gjatë viteve të jetës së tij politike (1498 – 1512) pati mundësi të njihte ambasadorë, politikanë, princa dhe të studiojë me themel zhvillimin e ngjarjeve.

Më poshtë disa thënie të tij:

“Ku është njeriu, aty dyshohet më tepër”.
“Të qeverisësh do të thotë të bësh të besojnë”. (“Princi”)
“Qëllimi arësyeton mjetin”
“Nëse dëshiron ta mundësh armikun,sajo vdekjen tënde”. /KultPlus.com

Makiaveli, libri udhëzues për politikanët e paskrupullt

Nikolo Makiaveli ishte politikan, diplomat, shkrimtar, i njohur për Princin, libër udhëzues për politikanë të paskrupullt, dinakë e të pabesë.

Së bashku me Leonardo da Vinçin cilësohet si një shembull tipik i njeriut të rilindjes. Nikola Makiaveli në gjithëkohje do të ndërmendet si mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizmit praktik.

Nikolo lindi në Firence më 3 maj 1469. Ai ishte djali i një juristi. Për rininë dhe formimin e tij dihen shumë pak gjëra. Por është e qartë se ishte familjarizuar me poetët kryesorë, filozofët dhe historianët grekë dhe latinë. Zotërimi i shkencave politike dhe njohja e thellë e intrigave të kohës së vet, të dukshme në veprën e tij, të shtyjnë të hamendësosh se Makiaveli u përzie që shumë i ri në jetën politike të qytetit.

Ndryshe nga Platoni e shumë të tjerë pas tij, të cilët synonin të tregojnë, jo ç’është shteti, por çfarë duhet të jetë shteti (“shteti ideal”) Makiaveli politikën dhe shtetin i trajton, jo si çështje etike e morale, por si fakte dhe dukuri objektive shoqërore e historike, studimi i të cilëve duhet t’i ndihmojë pushtetmbajtësit “sundimtarit” se si duhet ta krijojë dhe si duhet ta mbrojë e ruaj sa më mirë dhe sa më gjatë rendin ekzsistues.

Ndryshe nga Arsitoteli, në veprat e të cilit politika dhe etika janë të lidhura në mënyrë të pashkoqitshme, kurse njeriu trajtohet si një qenie e mirë dhe e arsyeshme, si një “qenie politike” (zoon politikon), Makiaveli ishte i mendimit se njeriu është një qenie me përplot dobësi e të meta; i pabesë, mashtrues, i pasigurt, gënjeshtar, lakmues dhe një egërsirë. Ishte ky një nënçmim i rëndë, ndoshta më i rëndi që ndokush ia ka bërë ndonjëherë njeriut.

Njëra ndër idetë politike të Makiavelit është se prishësia e njerëzve është rrjedhojë e pabarazisë midis tyre. Për të qeverisur me njerëzit e këtillë dhe për ta mbrojtur shtetin nga këta dhe të tjerët jashtë e brenda shtetit është i lejueshëm çdo mjet: gënjeshtra, mashtrimi, thyerja e besës, premtimi i rrejshëm, dhuna, ryshfeti etj. Sipas Makiavellit në politikë nuk ka moral; gjëja kryesore dhe më e “moralshme” është suksesi dhe rezultati, përkatësisht arritja e qëllimit.

“Njeriu i mençur kurrë nuk do ta gjykojë veprimin, i cili i shkel normat zakonore me qëllim të themelimit të monarkisë ose të republikës. Nëse faktet e akuzojnë ligjdhënësin apo shtetarin, atë e arsyeton rezultati. Arsyetimi është vlerëplotë nëse rezultati është i mirë”. Qëllimi e arsyeton mjetin.

Këto mendime të Makiavelit qëndrojnë në themel të mbretërive absolute, që u vendosën nga vitet 1600 në shumë vende evropiane. Edhe sot i referohen atij, jo më pak kur bie fjala për diktaturat e qindvjeçarit të fundit, që nga Stalini dhe Hitleri, deri tek diktatorët e fundit ushtarakë të ish-kolonive. Madje edhe Hitleri çdo natë para se të flinte e lexonte librin e Makiavellit “Princi” gjysmë ore dhe kur flinte librin e tij e vendoste ndër kokë. Ky libër edhe pse bëri bujë të madhe dhe influencoi në shumë zhvillime politike dhe pretendentë për lidership, skandalizoi shumë njerëz dhe u kritikua tej mase.

“Makiavelizmi” është sot sinonim i një politike force, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij.

Vitet e fundit të jetës, Makiaveli i kaloi i vetmuar në një fshat të vogël larg qytetit; vdiq më 1527, u varros në kishën Santa Croce, Firence, ku ironikisht i ishte ndaluar hyrja sa ishte gjallë.

Disa aforizma të famshme të Nikolo Makiavelit janë:
– Politika nuk ka lidhje me moralin.
– Një sundimtar i mençur nuk duhet ta mbajë besën kurrë nëse duke bërë kështu do të jetë kundër interesave të tij.
– Përfitimet duhet të jepen gradualisht, dhe në këtë mënyrë ato do të shijohen më mirë.
– Ai që dëshiron të jetë i bindur duhet të dijë se si të komandojë.
– Është kënaqësi e dyfishtë të mashtrosh mashtruesin.
– Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan.
– Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt.
– Asgjë e madhe nuk është arritur ndonjëherë pa rrezik.
– Lufta nuk shmanget; ajo mundet vetëm të shtyhet, në avantazh të të tjerëve.
– Premtimi i dhënë ishte një domosdoshmëri e të kaluarës; premtimi i pambajtur është një domosdoshmëri e të tashmes.
– Nëse një njeri duhet ta lëndosh, duhet që ta bësh aq fort, saqë të mos ia kesh frikën hakmarrjes së tij.
– Metoda e parë për të vlerësuar inteligjencën e një sundimtari, është të shohësh ata që i rrinë rreth e rrotull.
– Qëllimi justifikon mjetin. /KultPlus.com

“Njerëzit ose duhet të përkëdhelen ose të zhduken, sepse hakmerren për fyerje të vogla”

“Kështu ndodh gjithmonë: posa ndonjë i huaj i fuqishëm hyn në një krahinë, të gjithë ata që janë aty më të dobët bëhen me të, nga smira që kanë kundër atij i cili, si më u fuqishëm, është mbi ta; kështu që pushtuesit nuk i lypset mund i madh t’i bëjë për vete të dobëtit, sepse të gjithë së bashku menjëherë bëjnë një tërësi me pushtetin që ai e ka vendosur aty.”

“E ai që bëhet zotërues i një qyteti të mësuar të jetojë i lirë dhe nuk e asgjëson, le ta dijë se qyteti do ta asgjësojë atë; sepse, duke ngritur krye, qyteti gjithmonë ka si arsyetim dëshirën për liri dhe për rregullimin e vjetër, të cilat kurrë nuk do ti qesë në harresë as koha e as bamirësia.”

“Njerëzit ose duhet të përkëdhelen ose të zhduken, sepse hakmerren për fyerje të vogla, kurse për të mëdhatë nuk munden; kështu; dhunën duhet ta bësh në mënyrë që të mos kesh frikë nga hakmarrja.”

Niccolo Machiavelli, “Sundimtari”

KultPlus.com

Makiaveli: Pse njerëzit e mirë e të drejtë nuk “çajnë” përpara në jetë

Makiavelli ishte një mendues politik fiorentin i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me këshilla të dobishme për njerëzit e mirë të cilët nuk shkojnë shumë larg. Mendimet e tij sillen rreth vëzhgimi qëndror të parehatshëm: atë të cilin të këqinjtë priren ta fitojnë.

Më poshtë mund t’i lexoni disa thënie që kanë për bazë mendimet e Makiavellit rreth të keqes që rrjedh nga njerëzimi, shkruan KultPlus

-Dhe ata e arrijnë këtë sepse kanë një avantazh të madh mbi të mirën: ata janë të gatshëm të veprojnë me zgjuarsinë dhe dinakërinë më të errët për të çuar më tej çështjen e tyre.

-Ata do të jenë të gatshëm të plotësojnë gënjeshtrën, të ndryshojnë faktet, kërcënojnë apo edhe të bëhen të dhunshëm.

-Ata gjithashtu – kur e kërkon situata – e dinë se si të mështrojnë në mënyrë joshëse, të përdorin fjalë me sharm dhe të ëmbla, të verbojnë dhe shpërqëndrojnë. Dhe në këtë mënyrë, ata zotërojnë botën.

-Në mënyrë rutinore supozohet se një pjesë e madhe e asaj çfarë do të thotë të jesh një njeri i mirë është të sillesh mirë. Një njeri nuk ka vetëm qëllime të mira, një njëri është i angazhuar ndaj veprave të mira. Kështu, nëse dikush do një botë më serioze, ai ka nevojë të fitojë njerëz nëpërmjet argumenteve të vërteta.

-Nëse dikush do një botë më të drejtë, ai duhet të përpiqet të bindë dhe të përpiqet me butësi që t’i bindë agjentët e padrejtësisë që të dorëzohen vullnetarisht, jo nëpërmjetm frikësimit. Dhe nëse dikush do që njerëzit të jenë të sjellshëm, ai duhet të jetë i sjellshëm me armiqtë e tij, jo mizor.

-Ata duhet të dinë se si të trembin dhe të frikësojnë, të ngatërrojnë dhe të detyrojnë dhe të mashtrojnë. Politikani i mirë duhet të mësojë nga demagogu; sipërmarrësi më i sinqertë nga mashtruesit.

-Ne kemi nevojë të marrim mësime nga një burim i papritur: ata që ne i përbuzim më shumë. Ata kanë më të shumtën për të na mësuar mbi mënyrën se si të sjellim realitetin që dëshirojmë – por që po luftojmë. Kemi nevojë për armë çeliku të ngjashëm me ato të tyre.

-Së fundmi, ne duhet të kujdesemi më shumë për të qënët efektivë sesa thjesht të synojmë fisnikërinë. Nuk mjafton të ëndërrojmë gjëra të mira: masa e vërtetë është ajo që arrijmë. Çështja është të ndryshojmë botën për mirë, të mos banojmë në ngushëllimin e rehatisë së qëllimeve të mira dhe një zemre të ngrohtë./shkollaesuksesit/ KultPlus.com