Piktori dhe intelektuali kontrovers, Maks Velo, në një intervistë për të përditshmen Mapo kishte shpjeguar mes të tjerave se përse i ndan gegët nga veriorët dhe përse nuk i do këta të fundit.
Ja argumentet që rendit ai për shqiptarët e veriut, ku logjikisht futet edhe Kosova: “Le të vijmë te Fushë-Kruja, a e pe si stafi sigurues i presidentit Bush i hoqi orën nga dora, nga frika se mos ia vidhnin fushëkrujasit? Laçi? Janë rrezuar ose dëmtuar 36 shtylla të tensionit të lartë, si është e mundur? Vrasjet, edhe ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit të kaluar”?
“Bëj një listë sa kriminelë ka Laçi, Fushëkuqja, Lezha, Shëngjini, Rrësheni, Bajram Curri etj., etj. Shkodra kishte 10 vrasje në 6-mujorin e parë, asnjë në Korçë. Kriminelë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Sa nga Veriu janë në burgjet shqiptare dhe të huaja? Veriu është bërë tmerri i Evropës. Dukagjini kishte mbjellë 115.000 rrënjë kanabis, gjuajti edhe policinë dhe dëmtoi helikopterin. Kukësi nuk paguan energjinë elektrike, e paguajmë ne për ta.
Në Lurë kanë prerë gjithë pyllin. Tropoja ka mbi 150 vrasje, kanë vjedhur edhe një bankë në Angli. Vumë një verior, Berishën, dhe na shkatërroi me themel.
Dy janë treguesit kryesorë. Krimi dhe dëshira për punë. Ky bën edhe bilancin”.
Ai thotë se është antimysliman “prej 500 vitesh”.
“Kam qenë luftëtar krahas Skënderbeut dhe jam vrarë nga hordhitë osmane. Islami nuk ka ardhur si fe apostolike, paqësore në tokat e Arbërisë. Islami është fe që është përhapur me dhunë. Islamin e sollën Hordhitë osmane. E shënova me H të madhe se ato ishin hordhi të padëgjuara… Osmanët për 500 vjet vetëm na shkatërruan dhe shkretuan. Prandaj, jemi sot kështu që nuk po e marrim dot veten. Islami edhe sot është e vetmja fe e dhunës. Nga Afganistani në Libi. Gjithë ajo hapësirë nuk gjen dot paqe. Dhe po tmerron botën. Xhihadistët kosovarë na kanë poshtëruar si asnjë tjetër me Skënderbeun monstër. Këtë nuk ua fal dot kurrë. Kanë 500 vjet që e urrejnë Heroin tonë. Por, nuk do të ngrihen kurrë dot mbi të. Nuk do të ndajnë kurrë dot prej tij. Sepse ai është garancia që na bashkon me Evropën, me krishterimin. Prandaj, ata duan ta presin këtë lidhje. Ata urrejnë dhe fyejnë Nënë Terezën, që është shenjtorja jonë, filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani. Ata duan shkatërrimin e çdo trashëgimie të krishtere. Po mos ishin ata, shqipja nuk do të ishte një nga pesë gjuhët (e vetmja gjuhë e një populli të vogël) në përkthimin e deklaratës për formimin e Kalifatit. Nuk ka fyerje më të madhe për ne dhe për shqipen. Ata pretendojnë se Shqipëria është pjesë e Kalifatit”, ka thënë Velo.
Kjo intervistë është publikuar në Mapo, në vitin 2014 kur edhe e ka dhënë këtë mendim artisti shqiptarë për veriorët dhe kosovarët/ KultPlus.com