‘Lumturia’- Maksim Gorki

Një herë lumturinë e pata fare pranë, mend e preka me dorë. E gjitha kjo ndodhi gjatë një shëtitjeje, një natë të nxehtë vere. Ne, një shoqëri e madhe të rinjsh, u mblodhëm në lëndinat përtej Vollgës, tek gjuetarët e blinit.

Hëngrëm supë që na e përgatitën peshkatarët, pimë vodkë e birrë përreth zjarrit, diskutuam si ta ndërtonim sa më shpejt e më mirë këtë botë, pastaj, si u lodhëm paq, u shpërndamë nëpër lëndinën e korrur, secili në qejf të vet. U largova nga zjarri me një vazjë, e cila më dukej vërtet e mençur dhe e ndjeshme. Kishte sy të qeshur e paksa të zinj, në çdo fjalë që thoshte tregohej çiltërsia. Kjo vajzë të gjithë njerëzit i shihte me përkëdheli.

Ecnim të heshtur, krah njëri-tjetrit. Nën këmbë thyheshin duke kërcitur kërcejt e barit të prerë me kosë. Nga kupa e kristaltë e qiellit, e përmbysur mbi tokë, derdhej vlaga dehëse e dritës së hënës. Duke psherëtirë thellë, vajza filloi:
– Sa bukur! Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët, si piramida. Dhe vapë… Pastaj më ftoi të uleshim rrëzë një mullari që lëshonte një hije të rrumbullakët e të plotë, sikur të ishte ditë. Këndonin gjinkallat, që larg dikush pyeste trishtueshëm:

Eh, përse më tradhtove?

Plot gëzim zura t’i rrëfej vajzës për gjithçka dija e nuk dija në këtë jetë, kur – papritur ajo bërtiti me një zë të shuar e ra me shpinë në tokë. Ishte, me sa duket, e para herë që shihja një njeri t’i binin të fikët dhe për një çast u hutova. Doja të bërtisja, të thërrisja për ndihmë, por shpejt më erdhi ndër mend se ç’bënin në këto raste heronjtë e edukuar të romaneve që kisha lexuar, ia zbërtheva rripin e fundit, bluzën, shiritat e korsës. Kur pashë gjinjtë e saj, si dy kupa të vogla argjendi të lara me dritën e plotë të hënës, e të rrëzuara në anën e zemrës, më pushtoi një dëshirë e zjarrtë ta puthja.

Por, si e ndrydha këtë ndjenjë u sula me vrap drejt lumit që të merrja ujë, sepse – siç shkruhej në libra – heronjtë në të tilla raste kurdoherë vraponin për ujë, po të mos kishte ndonjë përrua në vendin e katastrofës, të përgatitur që më parë me hamendjen e autorit. Por, kur u ktheva, gjithnjë duke vrapuar si një kalë i harbuar, me kapelen e mbushur plot me ujë, e gjej të sëmurën mbështetur te mulliri.
-S’është nevoja, – tha e lodhur fare qetësisht, duke shtyrë me dorë kapelën e bërë qull… Dhe u largua prej meje drejt zjarrit, ku dy studentë përsërisnin po atë këngë të mërzitshme:

Ah, përse më tradhtove?

– Unë, s’të bëra ndonjë të keqe? – doja të sigurohesha, i turbulluar, siç isha nga kjo heshtje e vajzës. Ajo u përgjigj shkurt:
– Jo. Ju nuk jeni shumë i shkathët. Megjithatë, kuptohet, ju falenderoj. Por m’u duk se nuk më falenderoi sinqerisht.

Ne nuk takoheshim shpesh, por, pas këtij rasti, takimet tona u bënë më të rralla. S’vonoi shumë dhe ajo humbi fare nga qyteti. Vetëm pas nja katër vjetësh u pamë në një anije. Qe nisur nga një fshat i Vollgës, ku banonte në një vilë, e po shkonte në qytet tek i shoqi. Ishte shtatzënë, e megjithatë, rrobat i rrinin për bukuri kurse në qafë i varej zinxhiri i gjatë prej floriri i orës dhe një lule e madhe si medalje. Ishte bërë shumë e mirë, vërtet.
-Ja, – tha ajo kur po kujtonim miqësisht të kaluarën – ja ku jam, e martuar dhe gjithçka… Ishte mbrëmje. Në lumë digjej perëndimi i diellit. Gjurma shkumore që linte anija nga pas, në largësinë e kaltër të veriut, dukej si një shirit i gjerë dantelle të kuqe.

 – Kam dy fëmijë, pres të tretin, – foli krenare, si një mjeshtër që e pëlqen zanatin e vet. Në prehër mbante një qese letre me portokalle.
– A t’ua them? – pyeti pastaj duke qeshur ëmbël me ata sytë paksa të zinj. – Në qoftë se atëhere tek mullari – e mbani mend – ju do të kishit qenë më i guximshëm… do t’më kishit puthur… tani do të isha gruaja juaj… Se unë ju pëlqeja, apo jo? Kurse ju, drejt e tek uji… Eh, ju! I shpjegova se kisha vepruar ashtu siç tregohej në librat që ishin aq të shenjtë për mua në atë kohë; dhe vetëm atëhere mund ta puthje, kur ajo, si të hapte sytë, të thërriste e habitur- Oh, po ku jam kështu? Ajo qeshi një grimë, pastaj foli mendueshëm: -Ja, këtu është e keqja jonë, se ne duam të jetojmë si nëpër libra… Por jeta është më e gjerë… më e mençur se librat, zoti im… Jeta s’është aspak si në libra… Po… Nxori nga qesja një portokall, e vështroi me kujdes e, duke e mvrejtur, tha: – I poshtri, e ka futur të kalbur…

Pa delikatesë e flaku në lumë; unë e ndoqa me sy kur ai, duke u rrotulluar, humbi në shkumën e kuqe. – Hë, po tani? Akoma jetoni si nëpër libra? Ë? Unë heshtja duke shikuar rërën e bregut, të ringjyrosur nga flaka e perëndimit dhe më tej, hapësirat e lëndinave që kishin marrë një nuancë të florinjtë. Varkat e përmbysura dergjeshin mbi rërë si peshq të mëdhenj, të vrarë. Shelgjet lëshonin një hije të trishtueshme. Në hapësirat e largëta të lëndinave, dukeshin mullarët e barit e, mua m’u kujtua krahasimi i saj: “Tamam shkretëtirë afrikane, kurse mullarët si piramida…” Duke qëruar portokallin tjetër, gruaja më përsëriti me tonin e një të madhi e sikur t’më ndëshkonte: – Po, do të isha gruaja juaj…
-Ju falenderoj, – i thashë, – ju falenderoj.

Dhe e falenderova sinqerisht./KultPlus.com