Malala Yousafzai konkurron në çmimet Oscar

Fituesja e çmimit Nobel për paqe ka realizuar dokumentarin “I huaji në portë”.

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, po konkurron në ngjarjen më të madhe kinematografike, atë të Oscar. Aktivistja është producente ekzekutiv e filmit dokumentar të shkurtër “I huaji në portë”.

Filmi tregon historinë e një burri të quajtur Richard “Mac” McKinney, i cili vendos të bombardojë një xhami lokale në Indiana. Por kur ai mbërrin në xhami për të mbledhur më shumë informacion për planin e tij, ai takon refugjatët afganë dhe një afrikano-amerikan të konvertuar që e mirëpresin. Ai takohet me anëtarët e familjes Bahrami të cilët janë bashkëthemeluesit e xhamisë dhe ndryshon pikëpamje për kulturën muslimane duke pësuar një transformim. Marinsi amerikan heq dorë nga akti terrorist dhe konvertohet më pas në fenë islame.

“Doja të përhapja mesazhin sepse është kaq e rëndësishme që ne flasim për marrëdhëniet për rëndësinë e vlerave tona, duke përfshirë dhembshurinë dhe mirësinë ndaj të tjerëve dhe roli i Bibit në këtë histori është kaq i rëndësishëm. Ajo na tregon për fuqinë e vlerave tona dhe po kështu është edhe gatishmëria e Mac për të dëgjuar, për t’i dhënë vetes një shans për të ndryshuar jetën e tij.”

Ajo tha se vendosi të bëhej producente ekzekutive e filmit për të përhapur mesazhin e harmonisë dhe faljes.

“Kur mendoj për rolin e Bibit, më kujton babain tim. Ai u pyet për islamofobinë dhe pse muslimanët portretizohen negativisht dhe përgjigja e tij ishte se në vend që të njohësh një mysliman përmes asaj që shikon në ekranin tënd televiziv, duhet të shkosh dhe të trokasës. në derën e fqinjit tënd, të flasësh, të kalosh kohë me ta,  të darkosh apo edhe të bisedosh dhe kjo vlen për të gjithë dhe kështu bëri Bibi. Ajo e ftoi Mac. I tha hajde të flasim, le të kalojmë pak kohë së bashku. Aty do të kuptoni se keni shumë më tepër të përbashkëta, keni të njëjtat vlera, keni të njëjtën dhembshuri dhe kjo ndryshon gjithçka.”

Në vitin 2012 kur ishte 15 vjeç ajo u qëllua në kokë nga një anëtar i talebanëve dhe u dërgua në Angli për të marrë trajtim mjekësor. Në vitin 2014, ajo fitoi çmimin Nobel për Paqen në moshën 17-vjeçare duke u bërë laureatja më e re e këtij çmimi. / Klan News / KultPlus.com

Malala Yousafzai: Do doja që çdo vajzë të ishte krenare për veten dhe për gjithçka që ka arritur në jetën e saj

Malala Yousafzai, fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe aktiviste e arsimimit, disa muaj më parë kishte falenderuar vajzat dhe gratë në mbarë botën për atë çka bëjnë ditë pas dite. 

“Do doja që çdo vajzë dhe grua të ishte krenare për veten, krenare për gjithçka ka arritur në jetën e saj. Ajo ka bërë më të mirën e saj. Dhe duhet të marrë një moment pauze dhe të vlerësojë gjithçka, pavarësisht pandemisë, ajo po përpiqet të bëjë më të mirën për të drejtuar shtëpinë, për të qenë një prind i mirë dhe të punojë, të menaxhojë gjithë këto detyra çdo ditë. Por, po ashtu duhet të kujdeset edhe për veten.

Të bëjë pak pushim. Ta shijojë. Kapni momentin, shijojeni. Dhe le të jemi mirënjohëse për të gjitha vajzat dhe gratë, pavarësisht emrit të tyre, t’i falenderojmë për gjithçka kanë bërë për të drejtat e grave dhe barazinë”, u shpreh Malala.

Nisur si një mundësi për të nxitur reagime dhe thirrjet për mundësi të barabarta dhe për të promovuar vajzat, Malala bën apel për të zgjedhur sfidën.

Yousafzai u diplomua korrikun e shkuar në Universitetin e Oksfordit, por me universitetet në Britani që janë mbyllur prej muajsh për shkak të pandemisë koronavirus, Malala e festoi diplomimin me familjen e saj, në një festë të vogël.

 “Gjatë pandemisë unë u diplomova, ndaj jam një ndër të diplomuarat e 2020-s dhe kam qenë në shtëpi nga fillimi i pandemisë deri tani. Kam jetuar me familjen time, prindërit dhe dy vëllezërit. Ndonjëherë bëhet e mërzitshme, por unë po përpiqem me më të mirën time ta situatën. Por, ata janë vëllezërit e mi, pavarësisht se si janë dhe unë i dua shumë. Kam kaluar edhe kohë me miqtë e mi përmes bisedave në Zoom dhe përmes Facetime. Nuk i kam takuar asnjë prej tyre “live” për një kohë shumë të gjatë. Dhe kjo po i ndodh çdokujt. Është pandemia dhe ne duhet të kuptojmë se është shumë e rëndësishme që të jemi të sigurtë dhe të shpëtojmë edhe të tjerët kështu. Por, unë shpresoj që pandemia të përfundojë sa më shpejt, të gjithë të vaksinohemi dhe secili prej nesh të jetë i sigurtë”.

Në moshën 17-vjeçare, në vitin 2014, Malala u bë e para femër në këtë moshë që u nderua me çmimin Nobel për Paqe, për mbrojtjen dhe avokaturën që i bëri arsimimit të vajzave.

Përmes Fondacionit të saj të quajtur Malala, e cila mbron arsimimin e vajzave në vendet në zhvillim, ajo është shndërruar po ashtu në një simbol global, në mbështetje të femrave, kryesisht atyre të shtypura e të pamundura. 

“Sapo nisi pandemia, gjëja e parë që Fondacioni Malala bëri ishte kërkimi për impaktin e pandemisë në edukimin e vajzave dhe kërkimet tona treguan se mbi 20 milionë vajza, në mbarë botën, rrezikojnë të humbasin mundësinë për edukim e arsimim sepse po jetojmë këtë krizë shëndetësore, por edhe krizën ekonomike që e shoqëron atë. Dhe me këtë krizë ekonomike, kryesisht në familjet me të ardhura të ulëta, shumica e këtyre vajzave janë të detyruara të martohen në moshë të re sepse duan të ulin shpenzimet për kujdesin e tyre në familje ose përfshihen në moshë shumë të re në tregun e punës, në mënyrë që të fitojnë para’ e të ndihmojnë familjet. Kjo është arsyeja përse është kaq e vështirë për këto vajza që të rikthehen në shkolla.

Ne kemi parë më përpara se si kriza të ngjashme, si Ebola apo shumë të tjera, kanë vënë në rrezik të ardhmen e këtyre vajzave njësoj siç po bën pandemia. Kjo është arsyeja përse Fondacioni Malala lindi, si një projekt në mbështetje të edukimit dhe arsimimit të vajzave. Për momentin, sido që të vijë pranë këtyre vajzave ky projekt, përmes radios apo televizioneve kombëtare, apo përmes aplikacioneve në celular, ne duam që vajzat të jenë të angazhuara në mësim, nuk duam që ato të humbasin asnjë moment. Duhet të bëjmë më shumë dhe duhet të sigurojmë kthimin e tyre në shkolla, sapo gjërat t’i rikthehen normalitetit”, u shpreh Malala.

Malala Yousafzai flet për kompaninë e saj prodhuese, Extracurricular dhe partneritetin me Apple Tv. Programi që është ideuar dhe drejtuar nga vetë Malala përfshin drama, komedi, dokumentarë, filma me animacion dhe seriale për fëmijë.

“Shpresoj që përmes programit tim, përmbajtjes së asaj që unë prodhoj, të mund t’i lidh njerëzit. Ne kemi krijuar këtë mundësi ndërlidhëse dhe njerëzit mund të na bashkohen nga kudo ku janë, kemi shumë gjëra të përbashkëta”.

Malala, sot 23 vjeç, i mbijetoi sulmit me armë të talebanëve në vitin 2012, moment prej të cilit nisi fushatën e saj për arsimimin e vajzave. Kur ishte vetëm 11 vjeç, ajo nisi një blog, në të cilin dënonte sulmet e talebanëve dhe nisi të shkruajë për të drejtat e vajzave.

Në këtë moment, një i armatosur mbërriti në shkollën e saj, duke e kërkuar. Ai hapi zjarr ndaj saj dhe dy shoqeve të saj të klasës, mbi autobus, rrugës për në shtëpi.

Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Pakistanit dhe në terapi intensive u dërgua në Angli, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve. Pas rimëkëmbjes, Malala nisi shkollën, pikërisht në Angli, përpara se të siguronte një vend në Oksford. 

“Unë besoj në rrëfimin e historisë sepse kjo ka qenë edhe pjesë e jetës sime, kjo ka qenë historia që më ka frymëzuar, që t’i tregoj njerëzve në mbarë botën se vajzat kanë nevojë për arsimim. Kemi dëgjuar të gjithë për konflikte e luftëra, i kemi parë në televizione, por ndonjëherë nuk e dimë se çfarë ndodh me vetë individin, me një vajzë të re, që do vetëm të shkojë në shkollë”, thotë Malala.

“Na lejoni t’i zgjedhim vetë librat dhe lapsat. Ato janë armët tona më të forta. Një fëmijë, një mësues, një libër dhe një laps mund të ndryshojë botën. Edukimi është zgjidhja jonë e vetme. Arsimimi, i pari”, përfundon Malala mesazhin e saj. / KultPlus.com

Malala, ylli i ri i kopertinës së ‘Vogue’

Malala Yousafzai, aktivistja pakistaneze e cila u qëllua nga talebanët pasi bëri fushatë për arsimimin e vajzave, është ylli i ri i kopertinës së Vogue.

23-vjeçarja që ka fituar një çmim Nobel për paqen kur ishte vetëm 17-vjeç ka rrëfyer detaje nga jeta e saj, diplomimi në Oksford, besimi dhe partneriteti i ri me AppleTV +, transmeton KultPlus.

Yousafzai foli gjithashtu për miqësitë e saj me aktiviste të tjera të reja, si Greta Thunberg dhe Emma Gonzalez. 

“Unë e di fuqinë që një vajzë e re mbart në zemrën e saj”, citohet të ketë thënë ajo.

Numri i muajit korrik përfshin dhe fjalë nga disa prej admiruesve të Yousafzai, përfshirë ish-Zonjën e Parë Michelle Obama, e cila e quajti atë “me të vërtetë të jashtëzakonshme” dhe CEO i Apple Tim Cook.

Xhiruar nga fotografi Nick Knight, kopertina tregon aktivisten e veshur me një veshje të kuqe dhe një shami, të cilën ajo e cilësoi si simbol kulturor. / KultPlus.com

Malala Yousafzai nënshkruan me Apple TV+ për të prodhuar drama dhe dokumentare

Nobelistja e paqes, Malala Yousafzai, ka nisur një bashkëpunim me kompaninë amerikane Apple TV+, për të prodhuar drama dhe dokumentare, me fokus te gratë dhe fëmijët, përcjellë KultPlus.

Aktivistja palestineze për të drejtat e grave dhe vajzave, i mbijetoi një sulmi të talibanëve për ta vrarë.

Apple TV+ në një deklaratë për mediat njoftoi se Malala ka nënshkruar një marrëveshje disavjeçare që “bazohet në aftësitë e saj për të frymëzuar njerëz në të gjithë botën”.

Programet e saj do të përfshijnë animacione dhe seriale për fëmijë.

“Shpresoj që përmes meje, shumë të rinj dhe vajza do t’i shikojnë këto programe dhe do të frymëzohen”, tha Malala për agjencinë e lajmeve Reuters. 23 vjeçarja shtoi se është “mirënjohëse për mundësinë” që i është dhënë “për të mbështetur gratë, të rinjtë, shkrimtarë dhe artistë”.

Në vitin 2012, Malala, 15 vjeçe, u qëllua në kokë nga talibanët, për shkak të fushatës së saj në mbështetje të shkollimit të vajzave.

Ajo u trajtua në Mbretërinë e Bashkuar, ku edhe jeton aktualisht. Malala është fituesja më e re në moshë e Çmimit Nobel për Paqe.

Ajo ishte vetëm 17-vjeçe kur u laureua në mesin e tre finalistëve në 2014, dhe mes tyre ishte edhe Papa Françesku. / KultPlus.com