Ngjarja High Scardus Ultra Trail-Running kthehet në malet e Sharrit më 2 shtator



Përjetoni aventurën e pakrahasueshme të vrapimit të shtigjeve në malet e Sharrit, në malet mahnitëse rreth Prizrenit dhe shtigjet ndërkufitare nga Bregu i Diellit, Tetovë (Maqedoni të Veriut) deri në Prizren (Kosovë). Ngjarja ka 3 gara (22km, 52km, 70km) dhe është e vetme që është e certifikuar nga UTMB Index dhe ITRA në Kosovë.

Lidhni dhe shtrëngoni mirë patikat dhe përgatituni për një sfidë malore pasi që edicioni i dytë i ngjarjes së vrapimit në shtigje High Scardus Ultra (HSU) kthehet më 2 shtator 2023. Kjo ngjarje emocionuese premton të testojë aftësitë e vrapuesve të të gjitha kategorive, duke ofruar 3 gara të përshtatshme për të gjithë nivelet e vrapuesve/eve.

High Scardus Ultra ka filluar të marr epitetin si një ngjarje kryesore e vrapimit malor dhe edicioni i këtij viti pritet të tërheqë vrapues të shumtë vendor, por sidomos ndërkombëtar. Me sfondin e maleve piktoreske të Sharrit, pjesëmarrësit do të nisin një udhëtim që do të testojë aftësitë e tyre fizike dhe mendore, duke i dërguar ata/ato në terrene të thepisura, të rrethuara nga bukuritë mahnitëse natyrore, liqene akullnajore dhe majat epike.

High Scardus Ultra, edhe këtë vit, vjen me tri gara të veçanta për çdo nivel të vrapuesve:

1. Bear Trail (22 km me 1,200 m ngjitje): Një pikënisje e përsosur për ata që janë të rinj në vrapimin në shtigje ose që kërkojnë një sfidë më të shkurtër por gjallëruese.

2. Eagle Trail (52 km me 2,900 m ngjitje): E projektuar për vrapues mesatar, kjo kategori paraqet një përzierje të ekuilibruar të distancës dhe lartësisë, duke premtuar një sfidë të kënaqshme.

3. High Scardus Ultra (70 km me afro 4,200 m ngjitje): Pika kryesore e ngjarjes, kjo garë ndërkufitare nga Bregu i Diellit, Tetovë, Maqedonia e Veriut deri në Prizren, Kosovë është një provë e vërtetë e forcës dhe elasticitetit. Pjesëmarrësit do të përshkojnë një gamë të larmishme peizazhesh, nga pyjet e harlisur deri tek ngjitjet sfiduese, të gjitha duke festuar frymën e unitetit midis dy vendeve.

Drejtoresha e garës Uta Ibrahimi  – alpinistja e njohur kosovare aktualisht në ekspeditë për t’i ngjitur të 14 majat më të larta në botë (ka ngjitur 11 nga 14) – shprehu entuziazmin e saj për ngjarjen, duke thënë: “Përgatitjet për High Scardus Ultra po shkojnë jashtëzakonisht mirë. Jemi të emocionuar kur shohim një pjesëmarrje mbresëlënëse të vrapuesve të elitës ndërkombëtare, ku secili/a do të sjellë pasionin e vet unik në këtë vrapim të veçantë malor. Ekipi ynë i përkushtuar është duke punuar çdo ditë për të siguruar që çdo detaj të jetë në rregull. Ne jemi duke punuar me sponsorët tanë – Red Bull, Black Yak, PPSE dhe më shumë dhe partnerët tjerë si Klubi Alpin “Sharri” nga Prizreni, Shërbimi i Kërkimit dhe Shpëtimit Malor i Kosovës, Policia e Kosovës, Komuna e Prizrenit  – për të mirëpritur pjesëmarrësit për një eksperiencë të paharrueshme.

High Scardus Ultra gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit, miqësisë dhe unitetit ndërkufitar. Ngjarja inkurajon pjesëmarrësit të lidhen me vrapuesit e tjerë dhe të krijojnë kujtime të qëndrueshme që i tejkalojnë kufijtë gjeografikë.

Regjistrimi për High Scardus Ultra është i hapur deri më 21 gusht 2023 dhe entuziastë nga të gjitha anët e globit janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Pavarësisht nëse jeni një vrapues me përvojë që kërkon një sfidë të re ose një fillestar i etur për t’u zhytur në botën e vrapimit në shtigje, High Scardus Ultra premton një përvojë të paharrueshme.

Ngjarja organizohet nga Fondacioni Utalaya dhe organizata TREX nga Maqedonia Veriore – të cilët tashmë organizojnë garat më prestigjioze të vrapimit në shtigje në vendin e tyre të respektuar.

Për më shumë informacion, detaje të regjistrimit dhe specifikat e garës, ju lutemi vizitoni faqen zyrtare të internetit High Scardus Ultra: www.highscardusultra.com / KultPlus.com

Malet e Sharrit, priten të shndërrohen në një park kombëtar

Pas dekadash të shfrytëzuara nga druvarët, një zonë e gjerë, ndërkufitare me bukuri që të lë pa frymë në Ballkan me qendër në Malin Sharr mund të bëhet një park kombëtar, një nga më të mëdhenjtë në Evropë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të kalojë së shpejti një projekt-ligj që i jep Malit Sharr atë status. Sipërfaqja prej mbi 240,000 hektarë që shtrihet përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është një thesar i bukurisë natyrore dhe jetës së egër të larmishme dhe unike.

Mali Sharr ka 37 liqene akullnajore, 25 prej të cilave në Maqedoninë e Veriut dhe pjesa tjetër në Kosovë, të cilat shkëlqen në shpatet e malit si një mori sysh të gjelbër-gri që skanojnë qiellin.

Veçanërisht mbresëlënëse është biodiversiteti i rajonit, i cili numëron 200 specie bimësh endemike, 167 lloje fluturash, 12 amfibësh, 18 zvarranikësh, 130 zogjsh dhe 45 gjitarë. Kjo është pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të specieve gjitare në Maqedoninë e Veriut.

Por idili në Brezin e Gjelbër të Ballkanit është rrezikuar për vite me rradhë.

Dekadat e prerjeve ilegale të pyjeve kanë lënë peizazhe të dëmtuara nga erozioni, veçanërisht në shpatet e ulëta të malit Sharr, të cilat vendasit i kanë përdorur për bujqësi falas, gjueti, karburant dhe lëndë drusore.

Gjatë dy dekadave të fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur rreth 40,000 hektarë pyll nga prerjet e paligjshme, thonë autoritetet.

Anela Stavrevska-Panajotova, një eksperte e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, thotë se vendi po dëshmon “një mundësi historike, pas 60 vjetësh, për të pasur një park të ri kombëtar, i cili është pjesa që mungon për zonat e mbrojtura në Ballkan”.

“Së bashku me zonat e tjera të mbrojtura në vendet e tjera fqinje, ne do të kemi zonën më të madhe të mbrojtur ndërkufitare në të gjithë Evropën. Dhe ne jemi shumë krenarë për këtë!” tha ajo.

Që nga viti 1994, autoritetet janë përpjekur të mbrojnë mbi 62,000 hektarë të Malit Sharr në Maqedoninë e Veriut nga shkatërrimet e mëtejshme. Parku do të ndahet në katër zona./ KultPlus.com

Bjeshkët e Namuna dhe malet e Sharrit në destinacionet e Euronews

Europa ka një sërë destinacionesh që ofrojnë vende e kultura të ndryshme. Disa prej tyre janë lehtësisht të aksesueshme e të tjera më të vështira.

Mes tyre shkruan Euronews janë dhe Bjeshkët e Namuna dhe malet e Sharrit.

Si pjesa më e lartë e të gjithë Alpeve Dinarike, i cili bën zig-zag nëpër gadishullin e Ballkanit Perëndimor, “”Bjeshkët e Nemuna” ofrojnë maja të thepisura për ski si Maja e Rosit ose Maja Jezerca me pamje që të lë pa frymë të veriut të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Euronews sugjeron Thethin dhe Valbonën ku mund të qëndroni në bujtinat e dimrit dhe familjet pritëse dhe pse nuk ofron mundësi për ski, “por ju ngroheni me rakinë e shtëpisë- një pije alkoolike tradicionale”.

Edhe Malet e Sharrit janë një destinacion që sugjerohen nga media prestigjioze, që janë në kufi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në to ka më shumë vendpushime ku mund të bëhet dhe ski, ndërkohë që përmendet Brezovica dhe Prevalla në Kosovë dhe Popova Sapka në Maqedoninë e Veriut./ KultPlus.com