Një grup të rinjsh të apasionuar pas ecjes sportive dhe ngjitjeve malore, kanë zgjedhur si destinacionin e këtij fillimviti malin e Thatë në Pogradec.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar dhe disa foto nga ngjitja e të rinjve në malin e Thatë, i cili ofron një pamje mahnitëse i mbuluar nga dëbora.“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje nga maja e malit të Thatë në Pogradec, ju uroj një ditë mbarë”, shprehet Rama.
Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.
Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit.
Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike.
Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287 m mbi nivelin e detit.
Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet. / KultPlus.com