Rreth 30 turistë nga Polonia kanë zgjedhur të eksplorojnë Parkun Kombëtar “Mali i Tomorit”.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve polakë në monumentin e natyrës, Kanioni i Gradecit.
“Një veçanti në këtë monument është se pranë tij mund të vizitoni edhe Shpellën e Shahinovës, monument natyre. Ju mund ta vizitoni Kanionin e Gradecit duke ndjekur rrugën automobilistike rurale Çorovodë-Gradec”, thekson AKZM e cila fton të pasionuarit pas natyrës ta vizitojnë këtë park.
Kanionet e Gradecit ndodhen në verilindje të qytetit të Çorovodës, 250 m mbi nivelin e detit. Ky kanion ka qenë një kalim nëntokësor karstik i lumit të Çorovodës, që me kohë, si pasojë e shembjes së tavanit doli në sipërfaqe. Vlerat e këtij monumenti janë shkencore, kulturore, ekologjike dhe turistike të rëndësisë vendore. Në disa sektorë, më pak të thellë të kanionit, mund të ushtrohen veprime praktike për të rinjtë që duan të mësojnë ngjitjet alpinistike.
Për ata që dëshirojnë sportin e aventurës skajore, do të ishte ideale zbritja apo ngjitja me litarë në muret vertikale të këtij kanioni./atsh/KultPlus.com
Parku kombëtar i Tomorit fton në këto ditë pranvere të apasionuarit pas natyrës ta vizitojnë atë.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura në Berat ndau pamje nga ky park, i cili vitet e fundit është një më të vizituarit si nga vizitorë të huaj, edhe ata vendas.
“Dëborë, lule, gjurmë kafshësh. Një përzierje e dimrit që po ikën dhe e pranverës që po fillon të lulëzojë, e gjumit dimëror me lëvizjen aktive të kafshëve që duan të përfitojnë nga ardhja e pranverës. Një larmi pamjesh dhe situatash në zonën e Dardhës në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit, fotografuar gjatë monitorimit të rojeve mjedisore”, thekson ADZM Berat.
ADZM Berat fton të apasionuarit pas natyrës të vizitojnë këtë park dhe të fotografojnë bukuritë e tij.
Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e parkut kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë, apo aventurierë të rafting në kanionet e Osumit.
Nën këmbët e Tomorit, rrjedh lumi Osum, që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij, tepër të vizituara sidomos gjatë stinës së verës.
Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës. / atsh / KultPlus.com
Turistë polakë iu ngjitën malit të Tomorrit në një guidë të gjatë turistike me ndihmën e operatorëve turistikë lokalë të Beratit.
Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e cila njofton se grupi i turistëve polakë zhvilloi një guidë turistike në malin e Tomorrit, ndërsa gjithnjë e më shumë po rritet interesi i vizitorëve të huaj për këtë mrekulli natyrore.
“Një grup turistësh polakë, që në guidën e operatorëve turistikë lokalë, do të përshkojnë shtegun Çezma e Tarikos- Ujëvara e Sotirës”, thuhet në njoftim.
Mali i Tomorrit është një atraksion turistik i çdo stine, por vjeshta josh si me magji turistë nga i gjithë vendi dhe kryesisht të huaj, të apasionuar të guidave dhe shtegtimit në male.
Shtegun Çezma e Tarikos- Ujëvara e Sotirës është një itinerar magjik, mes grykave dhe maleve e peizazhe mahnitëse, me bimësi e shumëllojshme.
Ndërsa, Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorrit dhe ofron një pamje spektakolare të rrëshqitjes së ujit në një grykë të çarë të malit, rrethuar nga bimësia dhe peizazhi në sfond mahnitës.
Ajo ndodhet 2 orë larg zonave të banuara e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që bien nga lartësi që shkojnë nga 20-150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë.
Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit. / KultPlus.com
Parku Kombëtar Mali i Tomorit, 20-30 km në lindje të qytetit të Beratit, me një sipërfaqe rreth 4000 ha, mbetet ndër destinacionet më të frekuentuara nga vizitorë vendas dhe të huaj për kampingje, pelegrinazhe, tracking etj.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat bën të ditur se turistë të shumtë nga Çekia, Holanda, Kroacia Sllovakia, Gjermania deri edhe nga vendet e Lindjes së largët, kryesisht Japonia e zgjedhin Malin e Tomorit mes destinacioneve të tyre.
Së fundmi një grup motoristash nga Çekia vizituan Parkun Kombëtar Mali i Tomorit.
Bukuritë e rralla që ofron peizazhi, majat e larta, honet, lugina dhe gjelbërimi i pamasë që e bën Malin e Tomorit një nga destinacionet unike të turizmit malor, u vizitua dhe nga një çift marokenësh dhe turistë gjermanë.
Po gjatë këtyre ditëve të nxehta edhe një grup me turistë nga Danimarka, të shoqëruara nga operatorët turistikë lokale vizituan këtë park kombëtar me majën më të lartë 2416 metra.
Ndërkaq rruga drejt Malit të Tomorit po merr formë dita-ditës, për të shkurtuar kohën e lehtësuar udhëtimin e vizitorëve të panumërt të Majës së Shenjtë, por edhe për t’i hapur një perspektivë të re turizmit të kësaj zone. /atsh/ KultPlus.com
Mali i Tomorrit, një nga bukuritë e rralla të natyrës, me Majën e Shenjtë që zotëron pamje nga të gjitha pikat e horizontit, është një nga vendet më të vizituara në Shqipëri, në mënyrë të veçantë nga besimtarët bektashinj në pelegrinazhin e tyre të përvitshëm.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga Maja e Shenjtë e Tomorrit mbuluar nga bora ku udhëtimi drejt këtij destinacioni do të bëhet më i lehtë dhe më i shpejtë pas përfundimit të rrugës së re që po bëhet realitet pas dhjetra vitesh premtime.
“MIRËMËNGJES , dhe me këtë peizazh përrallor nga Maja e Shenjtë e Tomorrit, ju uroj një të dielë të qetë “, shprehet Rama, krahas fotos ku petku i borës ka mbuluar Tyrben e Abaz Aliut, në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit.
Përfundimi I rrugës që deri më tani ka bërë të mundur shkurtimin e 7 kilometrave të para, do të ju shërbejë jo vetëm besimtarëve bektashinj, që rrinin rrugëve me orë të tëra për të shkuar deri tek Maja e Shenjtë, por edhe zhvillimit të turizmit në gjithë qarkun e Qarkun e Beratit. Krahas investimit në rrugën drejt Malit të Tomorrrit, po rehabilitohet edhe I gjithë sheshi pranë Teqesë në mal për të krijuar një ambient të përshtatshëm për komunitetin bektashi.
Tyrbja e Abaz Aliut, konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fund gushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme. / atsh/ KultPlus.com
Vendndodhja e tempullit të lashtë të Dodonës është një argument që shpesh i ka çuar studiuesit në debate. Në vitet tridhjetë, Perikli Ikonomi, me librin “Tomori dhe Dodona pellazgjike”, përpiqej të tregonte se vendndodhja e tij është në Shqipëri.
Legjenda thotë se shumë kohë më parë, nga Egjipti u nisën dy zogj. Njëri prej tyre ndaloi në Libi, ku u ndërtua tempulli i Ammon Zeusit dhe tjetri ndali në Dodonë. Aty u ndërtua tempulli tjetër, ku ndodhej orakulli më i famshëm i antikitetit, ai i Dodonës, pasardhës i të cilit do të ishte orakulli i Delfit.
E nëse tempulli i Ammon Zeusit dihet që është në Libi, çështja e vendndodhjes së tempullit të Dodonës është më e komplikuar. Një pjesë e mirë e studiuesve mbrojnë tezën se tempulli i lashtë i Dodonës ndodhet në tokat e sotme greke, në këmbët e malit të Tammaros, rreth 18 km larg Janinës. Ka edhe një tjetër grup më të vogël, pjesë e të cilit është studiuesi Perikli Ikonomi (1882-1977), që nuk mendon kështu. Në vitin 1934, ky studiues nis të shkruajë “Tomori dhe Dodona pellazgjike”, një studim nëpërmjet të cilit përpiqet të vërtetojë se tempulli i Dodonës është në malin e Tomorit.
Për herë të parë ai e botoi me shpenzimet e veta këtë libër më 1936-ën, në një numër të vogël kopjesh. Një prej tyre e kishin familjarët dhe tjetrën Muzeu Historik Kombëtar. Pas gati 8 vitesh, studimi u ribotua. Për të vërtetuar tezën e tij për vendndodhjen e tempullit të Dodonës u mbështet në disa burime: etimologjinë e fjalës Tomor, vendndodhjen e përshkruar nga autorë të antikitetit dhe ndërtimit gjeografik të ngjashëm të këtyre dy vendeve, si dhe gojëdhënave të banorëve përreth malit të Tomorit. Që në faqen e parë të librit tregon arsyen se përse po merr përsipër një punë të tillë, kur thotë se po e shtron këtë çështje për të treguar vendndodhjen e vërtetë të tempullit origjinal të Dodonës. Ikonomi shkruan se ka një grup studiuesish shqiptarë, të cilët i mëshojnë idesë se Dodona e Epirit Jugor (mali Tammaros, në Janinë) është vetëm një kopje e vonshme e origjinalit, i cili duhet të ndodhet në malin Tomor në Toskëri. Për të është i rëndësishëm fakti që të dy malet kanë emra të ngjashëm (Tammaros dhe Tomor). Në këtë pikë ai nxjerr prejardhjen e fjalës Tomor.
Ai shkruan se mali i Tomorit, konsiderohet si banesa e Perëndisë së pellazgëve, domethënë e shqiptarëve të vjetër. Veç kësaj, Tomorin e quajnë mal i të-mirit, prandaj priftërinjtë e orakullit të Dodonës quheshin Tomurë, të mirë. “Në të folurën popullore të shqiptareve, çdo vend i shenjtë quhej dhe vazhdon të quhet më së shumti edhe sot vend i mirë. Pra, në këtë togfjalësh, mbiemri “i mirë” përdoret në kuptimin “i shenjtë”, rrjedhimisht, mali i Tomorit do të thotë mali i Zotit”, shpjegon ai. Me tej argumenton se priftërinjtë ose fatthënësit (parashikuesit e ngjarjeve) e Dodonës quheshin Tomuri dhe parashikimet (fatthënat) e tyre quheshin Tomure. “Tomar ose Tmar quhej mali pranë ose mbi të cilin ndodhej tempulli i Dodonës, i njohur ndryshe si faltorja e famshme pellazgëve, shkruan Ikonomi. Por kjo analizë nuk i mjafton për të vërtetuar tezën e tij, kështu që merr në shqyrtim edhe gjithë dëshmitë e mundshme historike. Një kapitull më vete u kushtohet përshkrimeve të autorëve të antikitetit si Herodoti, Hesiodit Pliniusi, Pindari, Plutarku, Straboni etj., shënime të cilat e largojnë Dodonën nga Janina dhe e sjellin në veri të Toskërisë.
Një nga shënimet që Ikonomi citon është ai i Stragjiritit: “Në faqen 28 të shënimeve ku bën fjalë për Dodonën, ai e përmend si të pacaktuar vendndodhjen e malit Tomor. Ai pohon se të tjerë e vendosin këtë mal më lart e më tej nga veriu i malit të Pindit. Gjithashtu, thotë se molosët kanë qenë më të përmendurit e më të famshëm nga haonët, se ata kishin dhe tempullin famëmadh të Dodonës në krahinën e tyre”. Duke përmendur shënimet e këtyre autorëve dhe gjeografëve, të cilat japin detaje të ndryshme për tempullin e Dodonës, Ikonomi arrin të ndërtojë një panoramë të vendndodhjes së këtij tempulli. Por punën nuk e lë me kaq. Pasi përfundon me përshkimet e këtyre autorëve, në kapitullin e fundit ai jep kallëzime e gojëdhëna për malin e Tomorit dhe rrethinat e tij.
Kështu, njëra prej tyre thotë se në Tomor rrinin tri motrat e Dhodhonit, tek të cilat vinin mbretërit e vjetër për t’i pyetur për fatin e tyre dhe të mbretërisë. Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, në kulmin e malit të Tomorit ndodhet e skalitur mbi një shkëmb një plakë që ruan një dhi dhe një kec. Gojëdhënë që sipas Ikonomit mund të ketë lidhje me dhinë Amalthia, që sipas mitologjisë, ushqeu Zeusin kur e ëma e tij, Rea, e fshehu për ta ruajtur nga i ati, Shtuni (Saturni), që hante fëmijët e tij. Mes Ikonomit dhe malit të Tomorit ekzistonte një lidhje më e veçantë se ajo mes një studiuesi dhe një subjekti.
Dy fjalë mbi Perikli Ikonomin
I lindur në fshatin Vokopolë të Beratit, ai e njihte ndoshta më mirë se çdo studiues tjetër këtë vend dhe legjendat që e rrethonin, shumë prej të cilave lidhen me shenjtërinë e këtij mali. Dhe jo rastësisht e ka përshirë shenjtërinë në libër. Perikli Ikonomi vinte nga një familje që për 17 breza me radhë kishte nxjerr priftërinj. I fundit prej tyre ishte babai i Perikliut, Papa Pavli. Por ai nuk do të ndiqte këtë rrugë. Mësimet e para do t’i merrte në Berat, nga rilindësi Babë Dudë Karbunara (1842-1917). Më pas vazhdoi shkollën e Korfuzit, ku u njoh me Ismail Qemalin, i cili i zgjon ndjenjën e atdhetarisë dhe të çështjes kombëtare. Më pas studion dhe formohet si specialist i psikologjisë në njërën prej shkollave më të rëndësishme të kohës në Ballkan, në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Pas kthimit në Shqipëri, më 1916-ën, jep mësim fillimisht në shkollat e Beratit dhe më pas në një sërë shkollash në të gjithë Shqipërinë. Krahas mësimdhënies shkruan dhe boton me shpenzimet e tij librat didaktikë: “Atdheshkronja praktike”, 1926; “Atdheshkronja e plotë për të tretën dhe të katërtën klasë të shkollave fillore dhe plotore të Shqipërisë”, 1932; “Mineralogjia dhe mësime kimike”, 1933. Ai bëhet kështu një nga themeluesit e parë të arsimit shqiptar, kontribut për të cilin, më 1956-ën u vlerësua me titullin “Mësues i Merituar”. Vdes në maj të 1977-ës./YllkaLezo/ KultPlus.com
Arrestohet 55 vjeçari nga Skrapari, pasi nxirrte pllaka guri dekorative nga Mali i Tomorit që tashmë prej muajsh është shpallur ”Park Kombëtar” apo zonë e mbrojtur.
Vijon kontrolli për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme që shkakton dëmtime në zonën e mbrojtur te malit te Tomorit.
Ushtronte aktivitetin e nxjerrjes së pllakave dekorative në mënyrë të kundërligjshme, arrestohet 1 shtetas për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Procedohet penalisht edhe transportuesi i pllakave dekorative, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të nxjerrjes së pllakave të gurit në malin e Tomorit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: •B. L., 55 vjeç, banues në Skrapar. Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi P. M., 40 vjeç, banues në fshatin Çërrave, Pogradec.
Arrestimi i shtetasit B. L. u bë pasi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr pllaka guri dekorative, në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Ky shtetas, materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme, ia ka shitur shtetasit P. M., i cili u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin tip kamion, 9 m3 pllaka dekorative pa dokumentacionin përkatës.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme. / KultPlus.com
Parku Kombëtarë i Malit të Tomorit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit.
Këto ditë të ngrohta të shtatorit, Mali i Tomorrit po vizitohet nga të apasionuarit e natyrës, turistë vendas dhe të huaj.
Gjatë fundjavës një grup vizitorësh nga qytete të ndryshëm të vendit kanë shijuar kulinarin dhe peizazhet e mrekullueshme që ky vend ofron.
“Një grup vizitorësh nga qytete të ndryshëm të vendit, në një fundjavë të bukur në Malin e Tomorrit. Duke bujtur pranë Bujtina në Rroshnik, pas shijimit të gatimeve tradicionale dhe verës, përshkuan edhe shtegun Zalli i Dardhës- Qafa e Skurrës- Kalaja e Tomorit, në Malin e Tomorit”, bën të ditur Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat.
Fillimi i vjeshtës e bënë Tomorrin një vend atraktiv për turistë, sepse jo vetëm bukuritë natyrore, pamjet madhështore, shtigjet malore, uji i ftohtë, por dhe shtimi i ngjyrave të vjeshtës e bënë këtë vend një parajsë turistike. /atsh/ KultPlus.com
Mali i Tomorit, me një lartësi 2416 metra mbi nivelin e detit është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.
Mali i Tomorit shtrihet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në një largësi rreth 20-25 km dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.
Kryeministri Edi Rama ka sjellë mbrëmjen e sotme pamje nga mali i Tomorit, që shtrihet në një sipërfaqe prej 4 000 ha dhe kufizohet nga lindja me kufirin verior të Tomorit dhe nga perëndimi me rrugën automobilistike Berat-Skrapar. Në të ndodhet edhe pika më e lartë 2415,7 metra mbi nivelin e detit e cila quhet Çuka Partizane.
Kryeministri Rama, në kuadër të rubrikës “Beautiful Albania” ka publikuar foto piktoreske nga Mali i Tomorit, si ftesë për turistët e huaj dhe vizitorët vendas.
Të katër stinët janë shumë të bukura në këtë park, por veçanërisht dimri me dëborë. Faqja perëndimore e malit është pjesa më e pyllëzuar. Tipike të tij janë pyjet e ahut, të cilët takohen kryesisht në lartësitë 1000-1200 m mbi nivelin e detit dhe pyjet e rrobullit në lartësitë mbi 1600 m. Parku karakterizohet nga një larmishmëri e lartë kafshësh të egra, ku në disa pjesë të pyllit takohet shpesh ariu i murrmë, në afërsi të fshatrave takohen ujku, dhelpra, kunadhja dhe baldosa, ndërsa në rrethinat e pyllit dhe afër tokave bujqësore derri i egër, lepuri i egër etj.
Për të arritur në malin e Tomorit shfrytëzohen 2 rrugë: rruga e shkurtër Pronovik – Mali i Tomorit me gjatësi 10 km dhe aksi tjetër Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorit me gjatësi 25 km. Në lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit, gjenden Tyrbja e Abaz Aliut, i cili konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fundgushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të festës, ai vizitohet edhe nga shumë njerëz të besimeve të ndryshme.
Gjithashtu, nga të apasionuarit e natyrës organizohen gjatë vitit në malin e Tomorit hiking, ski, dhe shumë sporte të tjerë. /atsh/ KultPlus.com
Vizitorët e sotëm që janë bërë kureshtarë të shohin nga afër Malin e Tomorrit, apo siç njihet ‘mali enigmatik’, kanë ardhur nga Bjellorusia.
“Informacionin për turizmin shqiptar e kemi marrë nëpërmjet internetit, faqes zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe postimeve periodike të bërë nga ATSH”, shprehen vizitorët.
Ata vijnë nga një vend ku malet pothuajse nuk ekzistojnë. Një vend i ftohtë, në një sipërfaqe pothuajse të sheshtë, ata janë kureshtarë të shikojnë dhe të ngjisin male të thepisur.
Të shoqëruar nga miq të tyre shqiptarë dhe nga udhërrëfyes të Administratës së Parkut Kombëtar të Tomorrit, ata panë nga afër magjinë dhe emocionin që të shkakton prania e një masivi të tillë shkëmbor.
Në Shtëpinë e Pritjes së Vizitorëve që ndodhet në fshatin Dardhë, ata u njohën nga specialistët me florën dhe faunën vendase, me traditat dhe zakonet si dhe me rrëfenjat enigmatike rreth malit.
Të shoqëruar nga udhërrëfyes ata u drejtuan drejt shpateve të thepisura të Tomorrit./ATA/ KultPlus.com