Rritet interesi i vizitorëve të huaj për mrekullinë natyrore, malin e Tomorrit

Turistë polakë iu ngjitën malit të Tomorrit në një guidë të gjatë turistike me ndihmën e operatorëve turistikë lokalë të Beratit.

Lajmi bëhet i ditur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura e cila njofton se grupi i turistëve polakë zhvilloi një guidë turistike në malin e Tomorrit, ndërsa gjithnjë e më shumë po rritet interesi i vizitorëve të huaj për këtë mrekulli natyrore.

“Një grup turistësh polakë, që në guidën e operatorëve turistikë lokalë, do të përshkojnë shtegun Çezma e Tarikos- Ujëvara e Sotirës”, thuhet në njoftim.

Mali i Tomorrit është një atraksion turistik i çdo stine, por vjeshta josh si me magji turistë nga i gjithë vendi dhe kryesisht të huaj, të apasionuar të guidave dhe shtegtimit në male.

Shtegun Çezma e Tarikos- Ujëvara e Sotirës është një itinerar magjik, mes grykave dhe maleve e peizazhe mahnitëse, me bimësi e shumëllojshme.

Ndërsa, Ujëvara e Sotirës ndodhet rrëzë malit të Tomorrit dhe ofron një pamje spektakolare të rrëshqitjes së ujit në një grykë të çarë të malit, rrethuar nga bimësia dhe peizazhi në sfond mahnitës.

Ajo ndodhet 2 orë larg zonave të banuara e për pasojë natyra është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Sotira është unike në llojin e saj dhe ajo që e bën të veçantë është mënyra e daljes së ujit nga lartësi të ndryshme. Janë tre burime ujore që bien nga lartësi që shkojnë nga 20-150 metra të shkëmbinjve gëlqerorë.

Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit mbetet një nga destinacionet e preferuara turistike nga turistë vendas dhe të huaj në çdo stinë të vitit. / KultPlus.com

Turistë francezë dhe italianë vizitojnë Parkun Kombëtar të Tomorrit

Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion mjaft të pëlqyer nga turistët e huaj, të cilët këtë sezon veror po eksplorojnë përveçse turizmit detar edhe atë kulturor e historik.

Eksplorimi dhe turizmi i aventurës në vitet e fundit në Shqipëri po kthehet në një atraksion mjaft interesant për vizitorët e huaj, kjo dhe për shkak të terrenit mahnitës dhe të shumëllojshëm që ofron vendi ynë.

Mali i Tomorrit ka mahnitur së fundmi turistë francezë dhe italianë të cilët po shijojnë bukurinë, freskinë dhe mikpritjen e banorëve të kësaj zone.

Gjithashtu vizitorët e huaj tashmë po konsolidohen edhe me struktura shoqëruese. Banorë të zonës çdo ditë e më shumë po mësojnë si t’i presin dhe t’i shoqërojnë në zonat më të pëlqyeshme për turistët e huaj, apo vendas.

Shoqëritë turistike gjithashtu kanë njerëzit e tyre të përgatitur në zonë për të bërë guidën.