Mbrëmë dhe sonte, qyteti antik i Malit të Zi është transformuar në një skenë të magjishme ndriçimi, ndërsa mbahet festivali i dritave që ka tërhequr artistë të njohur nga mbarë bota.
Ky event unik, i cili ndriçon rrugët dhe ndërtesat e qytetit me piktura dhe instalime të jashtëzakonshme, ka krijuar një atmosferë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Sonte është nata e veçantë për Ramë Dardaninë, artistin që përfaqëson popullin shqiptar dhe Kosovën. Me një ndjenjë të thellë krenarie, Ramë Dardania shpalos veprat e tij që reflektojnë pasurinë e artit të Kosovës. Pjesëmarrja e tij në këtë festival është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur kultura të ndryshme dhe për të krijuar ura mirëkuptimi.
Ramë Dardania u shpreh se është jashtëzakonisht i lumtur për këtë mundësi dhe e konsideron një nder të madh që është përzgjedhur të marrë pjesë në një ngjarje kaq prestigjioze. “Ndjej një krenari të jashtëzakonshme që përfaqësoj artin dhe kulturën shqiptare në këtë festival ndërkombëtar. Ky është një moment historik për mua dhe për të gjithë artistët shqiptarë,” tha ai.
Festivali i dritave në qytetin Kotor të Malit të Zi vazhdon të mahnitë vizitorët me spektaklin e tij të ndriçimit dhe kreativitetit, duke krijuar një mbrëmje të mbushur me magji dhe emocion. Sonte, të gjithë sytë janë drejt Ramë Dardanisë, i cili me veprat e tij do të ndriçojë jo vetëm qytetin, por edhe zemrat e të pranishmëve./ KultPlus.com
Ilirjana Gjoni dhe Milica Laloseviq ishin protagonistet e koncetit të tetë në “Chopin Piano Fest”, të cilat njëkohësisht janë edhe artistet e para që e prezantuan shtetin e Malit të Zi në historinë e Festivalit më të madh të muzikës klasike në vend, shkruan KultPlus.
Ngjarja si zakonisht u zhvillua në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Me këngë popullore malazeze u hap programi i natës së mbrëmshme nga pianistja Ilirjana Gjoni, e cila është fituese e shumëfishtë në garat kombëtare në Mal të Zi, si dhe sopranoja Milica Laloseviq, po ashtu e shpallur fituese në festivale të ndryshme.
Në nderim të vet Festivalit pianistja Gjoni kishte përzgjedhur edhe veprën e F. Chopin “ Nocuturne op.27 nr 2, D- dur”, “Ballade nr.1, op 23, g-mol” duke dhuruar tinguj aq të bukur në sallë, ku ndër personalitete të tjera të pranishëm që me shumë kënaqësi e ndoqën ngjarjen ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe tenori me famë botërore Ramë Lahaj.
Ngjarjen po ashtu e shijoi shumë edhe publiku që edhe kësaj radhe ishte i shumtë në numër, përderisa pikën kulmore të koncertit e shënoi vepra “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, duke dhuruar tinguj që në veshin e audiencës identifikoheshin si shqip.
Veprat tjera me të cilat u zhvillua programi ishin: “Balada e ullirit” nga S. Gaceviq, Poljem se vija”, “Bulbul mi poje”, “Duso, Mare”, “Vrani se konji igraju”. “O mio baabbino caro”, “Lauretta- Gianni Schicchi” nga G.Puccini, “Gypsy melodies: Op 55: 4. Andante con moto” nga A. Dvorak, “ Non ti scordar di me” nga E. De Curtis, “ Suite bergamasque- Prelude, Menuet, Claire de Lune, Passepied nga C. Debussy.
Krej në fund të koncertit pianistja Gjoni të jashtëzakonshëm e quajti interpretimin e natës së mbrëmshme, i cili e kishte rikthyer në Kosovë pas 15 vitesh.
“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem në Prishtinë përsëri pas një periudhe 15 vjeçare, që kur jam shkëputur nga studimet në Gjermani dhe Belgjikë. Unë si ulqinake normalisht në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time. Ishte kënaqësi e veçantë të luaj si pianiste soliste. Edhe me sopranon Lalosheviq kemi luajtur një program të larmishëm, ku për mua ishte një mundësi interesante që të njihesha me repertorin me motive malazeze sepse nuk e kam luajtur më parë. Shumë faleminderit të gjithë organizatorëve, jemi ndjerë me të vërtetë shumë mirë dhe jemi kënaqur sonte”, ka thënë Gjoni.
Pianistja Gjoni më tej komentoi edhe veprën “ Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, të cilën para pak kohe kishte pasur rastin ta luajtur në Bruksel.
“Veprën e “Skënderbeut” nga Çesk Zadeja e kam luajur para pak ditësh në Bruksel, në Ditën e Evropës, më 9 maj. Kam pasur nderin të përfaqësoj kompozitorët e Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime ishte që “Skënderbeun” ta vendosja te institucionet Evropiane. Vepra u përcoll vërtetë shumë mirë, mos të them që publiku duke qenë se kam luajtur vepra nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e ndiente një lidhje më të veçantë me Çesk Zadenë”, ka thënë më tej pianistja Gjoni.
Kurse sopranoja Milica Laloseviq ka thënë koncertin në “Chopin Piano Fest” do ta kujtoj si një përvojë mjaft të bukur.
“Kemi kaluar shumë mirë këtu , do ta kujtoj si përvojë të bukur. Kemi prezantuar katër këngë të bukura nga Mali i Zi. Mendoj se këto këngë e prezantojnë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të mendimit. Janë shumë të shkurtra por mendoj se audienca i ka shijuar dhe e kanë kuptuar. Pjesa tjetër e koncertit ka përfshirë repertorin e famshëm italian” është shprehur sopranoja duke komentuar edhe bashkëpunimin me pianisten Gjoni.
“Kjo është hera e parë që vij në Prishinë dhe në festival. Iliriana më ka ftuar të jem pjesë e këtij festivali me të. E njoh tash e disa vite. U takuam në një festival në Herceg Novi në Mal të Zi. Vazhduam bashkëpunimin dhe shpresoj se do të interpretojmë prapë së bashku” është shprehur ajo.
Ndërsa organizatorja e Festivalit, Besa Luzha interpretimin e dy artisteve nga Mali i Zi e quajti të jashtëzakonshëm.
“Ilirjana luajti jashtëzakonisht bukur si pianiste, kishte një dinamikë, një mendim muzikor të përmbledhur shumë bukur. Gjithashtu edhe sopranoja kishte një ngjyrë shumë të bukur të zërit, një impostim jashtëzakonisht natyral, një vokal të shtrirë të bukur dhe të butë në veprat që interpretoi, dhe gjithë kjo dha një emocion jashtëzakonisht të bukur në mbrëmjen e tetë të “Chopin””, u shpreh organizatorja Luzha.
Oraganizatorja Luzha u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin me ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, që në krye pati përfaqësuesin Bernard Çobaj, falë të cilit bashkëpunim u mundësua një paraqitje e tillë.
“Ishte një rastësi që java kulturore malazeze të përkonte me “Chopin…”, kështu përfaqësuesi i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj shprehu dëshirën që ne ta kurorëzojmë këtë javë me një koncert të përbashkët, duke kombinuar një program shumë të bukur nga dy artiste nga Mali i Zi. Kishte një potpuri këngësh malazeze, variacione nga Çesk Zadeja për “Skënderbeun”, një simbolikë me folklorin e dy popujve që jetojnë në Malin e Zi. Koncerti gjithashtu u përcoll edhe me një program mjaft të bukur nga Puccini, Dvorak, Curtis, Gaceviq. Dhe, krejt në fund Ilirjana na shpërbleu me baladën e Chopen për nder të Festivalit” ka përfunduar organizatorja Besa Luzha.
Koncerti i radhës mbahet nga Kuarteti Kroat i Kitarës, në përbërje me Petrit Çekun, Zoran Dukiq, Maroje Briqiq dhe Tvrtko Sariq, më 29 maj, në ora 20:00 në Ambiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare/ KultPlus.com
Filmi artistik “Sirin”, sipas skenarit të Klaudija Botino dhe Senad Šahmanović, me regji të Senad Šahmanović, kompania e produksionit “Cut-Up” d.o.o. nga Podgorica, është filmi kandidat i Malit të Zi për Oscar-in e 96-të të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit në kategorinë e Çmimit Ndërkombëtar të Filmit në vitin 2023.
Vendimi është marrë njëzëri nga Komisioni Përzgjedhës i Ministrisë së Kulturës dhe Medias, i përbërë nga: Sehad Çekiq, producent – kryetar dhe anëtarë: Relja Erakoviq, drejtor i fotografisë, Gojko Berkuljan dhe Vuk Markoviq, regjisorë, Vesna Vujosheviq Laboviq dhe Julija Milaçiq. Petrović Njegoš, aktore dhe Biljana Vušovic, producente.
Nominimi për Oskar vjen pas një procesi të rreptë të seleksionit, ku filmi “Sirin” u dallua për narrativën e tij të fuqishme dhe performancën e jashtëzakonshme të aktorëve.
Rikujtojmë se një rol të rëndësishëm në këtë film e luan aktorja kosovare Maylinda Kosumovic.
Filmi “Sirin” këtë javë do të ketë premierën e tij edhe në Kosovë në festivali PriFest ku është edhe pjesë në programin kryesor garues të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik.
Co-producent i këtij filmi është edhe Buka Production nga Kosova. / KultPlus.com
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, tha se përkundër ndryshimeve politika që kanë ndodhur së fundi në vendin e tij, Mali i Zi nuk do të ndryshojë qëndrimin zyrtar karshi Kosovës.
“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa ndryshime politike, por ato nuk do të ndërrojnë kurrfarë politike ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogarit në Malin e Zi për aktivitetet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në të ardhmen. Ne jemi më së të gatshëm të përkrahim me atë sa janë mundësitë tonë”, siguroi Abazoviq.
Kjo deklaratë e tij vjen pas zgjedhjes së Jakov Milatoviq president i ri i Malit të Zi, e për të cilin u raportua se mbështet politika pro ruse.
Abazoviq tha se është më se i bindur që Kosova dhe Mali i Zi janë shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet.
“Fokusi jonë edhe sot në takime ka qenë në atë që ishte standardi jetësor për popullin edhe të Kosovës edhe të Malit të Zi. Mendoj se jemi në një rrugë të duhur që të zhvillojmë disa projekte që unë i kisha quajtur për Malin e Zi historike e që kanë të bëjnë me infrastrukturën”.
Abazoviq tha se në takimin me Kurtin u fol për mundësitë e krijimit të një qasje më të lehtë për qytetarët e vendeve fqinje.
“Atë që ishte ideja jonë është që të krijojmë qasje shumë të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse e krijojmë një akses më të lehtë atëherë edhe shkëmbimi i mallrave dhe popullit, bizneseve ka me qenë shumë më intensiv dhe kjo do të krijojë edhe në të ardhmen që të krijojmë atmosferë të mirë rajonale ku dy shtetet duhet t’i japin shembull”.
Abazoviq tha se të ardhmen e sheh në BE edhe për Malin e Zi edhe për Kosovën.
“Duhet të kryejmë shumë detyra që derisa dy shtetet të bëhen anëtare”.
Në fund, Abazoviq e ftoi kryeministrin Kurti në Podgoricë. / Express / KultPlus.com
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi priti në një takim homologun e Malit të Zi, Miomir Vojinović.
Gjatë takimit Kushi dhe Vojinović diskutuan rreth forcimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit.
“Në takim diskutuam edhe për mundësinë e përdorimit të Abetares së Përbashkët Unike për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi”, tha Kushi në një postim në rrjetet sociale..
Ministri i Malit të Zi, Vojinović u shpreh se është i gatshëm të bashkëpunojë për lehtësimin e procedurave, në mënyrë që ky projekt të zbatohet edhe atje sa më shpejt. / atsh / KultPlus.com
Në Tuz të Malit të Zi është zhvilluar festivali mbarëkombëtar i folklorit “Rapsha 2022”.
Ky ishte edicioni VI i festivalit, i cili organizohet çdo 4 vjet. Të 3 netët e festivalit “Rapsha 2022” janë zhvilluar në ambient të hapur, në Vitojë.
Në këtë festival morën pjesë 24 shoqata e ansamble artistike nga të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarë. Shqipëria u përfaqësua me ansamblet folklorike nga Vlora, Elbasani, Berati, Tirana, Kelmendi, Laçi, Kukësi e Fieri.
Organizatorët e “Rapsha 2022” thonë se qëllimi i këtij eventi është ruajtja, kultivimi dhe trashëgimia e folklorit shqiptar.
Festivali i organizuar në Tuz, ka karakter garues dhe pjesëmarrësit vlerësohen nga një juri profesionale, për performancën e tyre e cila zgjat 15 minuta. Juria përbëhej nga prof. dr. Afërdita Onuzi (kryetare), dr. Bashkim Lajçi, prof. Dilaver Kryeziu, dr. Bekim Ramadani dhe Esat Ruka, të cilët u shprehën se nuk e kishin të lehtë përzgjedhjen e grupeve më të mira pjesëmarrëse.
Vendin e parë e fitoi ansambli “Çeta e profetëve” Krumë, Has, Kukës. Vendin e dytë, ansambli folklorik “Çipini” nga Vlora dhe vendin e tretë shoqëria kulturore artistike “Jahi Hasani” nga Gostivari. Ndërsa çmimin special të jurisë profesioniste e mori shoqëria kulturore artistike “Malësori”.
Përpara se të ngjiteshin në skenë, ansamblet pjesëmarrëse parakaluan në qendër të Tuzit, me veshjet e tyre folklorike shumëngjyrëshe. Edicioni i gjashtë i këtij festivali i solli gjallëri jo vetëm Vitojës, por krejt Malësisë, e sidomos qendrës së Tuzit. / KultPlus.com
Mediat malazeze raportojnë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se çmimet nëpër plazhe janë sikurse në Côte d’Azur” – (riviera e famshme franceze), përkatësisht bregdeti mesdhetar i Francës juglindore që përfshin vendpushimet e famshme magjepsëse të plazhit si Saint-Tropez dhe Cannes, dhe Monakon.
Por, Abazoviq gjithashtu ka thënë se të hyrat janë në nivel të kënaqshëm.
“Parametrat janë të tillë që të hyrat totale të realizuara janë në nivel të kënaqshëm”, citohet të ketë thënë ai në seancën e qeverisë. Nëse dikush mendon se është e mundur të përsëritet sezoni i vitit të kaluar kur ishte një kulm i jashtëzakonshëm, sepse ishim i vetmi vend i hapur për 45 ditë, do të jetë e vështirë ta realizojmë. Duhet të përshtatemi me trendet e reja. Çmimet në bregdet janë si në Cote d’Azur, Mali i Zi nuk e ka parë kurrë këtë më parë”, ka thënë Abazoviq, përcjell Vijesti.me.
Ndërkaq, ai ka theksuar se është i kënaqur që shumë turistë zgjedhin qetësinë, natyrën pa turma dhe udhëtimet në plazhe, vende ku ajri është i pastër dhe temperaturat nuk janë aq të larta sa buzë detit.
I pari i Malit të Zi shpreson që të vijnë edhe më shumë turistë, duke qenë realistë dhe të ndershëm.
“Duhet të dimë që çmimi i ujit në bregdet është deri në katër euro dhe para një viti e gjysmë ishte 1.5 euro, disa shtëpi të vogla në ‘Ada Bojana’ jepeshin me qira 50 euro, tani 250 euro – vetëm duhet të jemi realistë dhe të ndershëm”, ka paralajmëruar Abazoviq. /KultPlus.com
Një foto e ministrit të Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj, ku përveç flamurit malazez, është edhe flamuri shqiptar, ka sjellë reagime të shumta në shtetin fqinj.
Qendra për Edukim Qytetar dhe grupime te tjera pro serbe e quajnë skandaloze foton e ministrit nga Tuzi.
“Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, edhe pse vjen nga partia e pakicës kombëtare, duhet ta dijë se si anëtar i Qeverisë së Malit të Zi, e sidomos kur vepron si ministër, ka obligim të përfaqësojë interesat e shtetit te Malit të Zi dhe të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht përkatësisë kombëtare apo të ndonjë përkatësie tjetër”, thuhet në reagimin e Qendrës për Edukim Qytetar (QQQ).
“Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare parashikon ndalimin e shfaqjes së simboleve të vendeve të tjera, ndër të tjera, në objektet qeveritare”, thuhet në llogarinë e OQQ-së në Twitter.
Pas këtyre reagimeve në mediat malazeze dhe në opinionin publik, vetë Dukaj ka sqaruar foton:
“Për shkak të vëmendjes së paprecedentë mediatike dhe sulmeve të ndryshme të pabaza, për hir të publikut, jam i detyruar të theksoj si në vijim: Si shqiptar etnik, në Komunën e Tuzit kam shfrytëzuar të drejtën e vendosjes së flamurit shqiptar përveç flamurit të Malit të Zi, sepse kjo është në përputhje me rregulloret e shtetit tonë; Fotoja ime, në të cilën përveç flamurit të Malit të Zi shihet edhe flamuri i popullit shqiptar në Mal të Zi, nuk vjen nga Ministria e Administratës Publike, sepse kjo nuk do të ishte në përputhje me rregulloret e shtetit tonë; Më vjen keq që mediat dhe hapësira publike e Malit të Zi është ende një terren provash për informacione të paverifikuara, sensacionale dhe spekulime të llojeve të ndryshme. Unë vazhdoj punën time në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe në partneritet me aleatët tanë evropianë dhe euroatlantikë”. /TCH / KultPlus.com
Gjatë një paraqitje në televizionin publik serb RTS, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq është përballur me një pyetje provokative nga gazetari serb i këtij televizioni.
Gjatë intervistës, gazetari ka ironizuar me Abazoviqin duke e pyetur se a vazhdojnë ende malazezët të thonë: “Ne dhe rusët 200 milionë?”
“Që kur di për veten, malazezët thonë: “Ne dhe rusët 200 milionë”. Si është situata numerike këto ditë?”, e ka pyetur gazetari serb Abazoviqin.
Kryeministri Abazoviq është përgjigjur në mënyrë epike duke thënë se tani në Mal të Zi ka ndryshuar situata dhe populli thotë: “Ne dhe Bashkimi Evropian 501 milionë”.
“Situata numerike këto ditë është se malazezët tani thonë: “Ne dhe Bashkimi Evropian 501 milionë”
“Nuk e di si dëshironi të deklarohem, por malazezët kohë e fundit tani thonë: “Ne dhe Bashkimin Evropian 501 milionë. Nuk është keq, nuk është aspak”, ka thënë tutje Abazoviq.
Abazoviq së fundmi ka qëndruar për vizitë zyrtare dyditore në Beograd. /Reporteri/ KultPlus.com
Gazeta britanike, The Guardian, ka listuar 40 vendet më të bukura për të bërë plazhë në Evropë, ku futet edhe Shqipëria e Mali i Zi.
Në listën e gazetës prestigjioze, e fundit është radhitur Shqipëria, plazhi më i bukur i të cilës konsiderohet “Porto Palermo”, që ndodhet në fshatin Qeparo të Vlorës.
“Qeparo është një fshat magjik që ofron kombinime spektakolare ngjyrash: bluja e detit, jeshilja e kodrave dhe e bardha e formacioneve shkëmbore gëlqerore që dalin nga shpatet dramatike të maleve përreth. Ka shumë plazhe të fshehura, por edhe ai kryesor, i quajtur Porto Palermo, është bukur i pazhvilluar dhe i përsosur për t’u çlodhur në guralecë ose për të eksploruar gadishullin shkëmbor aty pranë, ku në krye ka një kështjellë 200-vjeçare. Një shëtitje e shkurtër larg bregdetit, hoteli Stone Beach (apartamente në studio nga 70 €) ka dhoma me pamje nga jugu mbi detin Jon”, shkruan The Guradian.
Ndërsa plazhin më të bukur në Mal të Zi, e përditshmja britanike e ka vlerësuar atë të “Drobni Pijesak”, që ndodhet afër Budvës.
“Riviera Budva e Malit të Zi është një nga “honeypots” më të mëdha të vendit dhe mund të jetë e vështirë t’i shpëtosh turmave. Por në Drobni Pijesak, pak më në jug, ka ujëra smeraldi të rrethuar nga male të pyllëzuara, shezllone me qira dhe dy restorantet e plazhit që ofrojnë ushqime të mëdha malazeze të pjekura në skarë. Hotel Riva (dyfish nga 77 € B&B) në Petrovac aty pranë ka pamje nga plazhi i qytetit dhe është një shëtitje e shkurtër nga plazhi popullor Lucice. Ia vlen të përmirësohet në një dhomë me pamje nga deti. Ekziston edhe një shteg që shkon nga Petrovac në plazh në Perazica Do”, shkruan kjo gazetë.
Pesë plazhet më të bukura sipas The Guardian janë ndodhen në Greqi: Fteri, Elafonisi, Sarakiniko, Plaka dhe Karavostasi.
Lista e plotë e 40 plazheve më të bukura që ndodhen në kontintentin e Evropës. /KultPlus.com
Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.
Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviqin për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha.
Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.
U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet. U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve.
U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti. / KultPlus.com
Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović dhe Presidentja Vjosa Osmani sot ishin të pranishëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e shënimit të Ditëve të komunitetit malazez në Kosovë.
“Faleminderit që i jeni bashkangjitur këtij aktiviteti përmes të cilin po shënojmë përmes artit dhe muzikës që do të nderojmë ditët e komunitetit malazez në Kosovë. Si një pjesë integrale e saj dhe një vlerë e çmueshme për demokracinë dhe shtetësinë tonë. Jemi të nderuar se kemi zotin president Gjukanoviq, jemi të gëzuar se këtë vizitë po e përmbyllim me frymën e promovimit të vlerave e të artit e të kulturës”, tha ajo.
Osmani iu ka premtuar përfaqësuesëve të komunitetit malazez se do të bahskëpunojë me ta.
“Sot, kemi në mesin tonë disa prej përfaqësuesve të komunitetit malazez dhe dua t’i them faleminderit, jam e vetëdijshme se edhe ju ballafaqoheni me sfida dhe jo çdo herë janë të lehta. Ju konfirmoj se do të bashkëpunojmë e të komunikojmë me ju”.
Tutje Osmani ka falënderuar delegacionet nga Kosova dhe Mali i Zi.
“Jam e sigurt se në muajt e vitet në vijim bashkëpunimi ynë me vendet e komunitetin malazez do të shtohet. Në fund dua të faleminderit delegacionet nga Kosova e Mali i Zi, Policinë e Kosovës, kabinetin tim e të gjithë ata që kanë shërbyer në mbarëvajtjen e vizitës”.
“Është nder u madh për mua që brenda vizitës 2 ditore të suksesshme sonte bashkë me presidenten Osmani të bëhem pjesë e këtij manifestimi solemn pe shënimin e ditëve të komunitetit malazez në Kosovë. Ne, sot jemi këtu që të flasim për kontributet e shumta të komunitetit malazez në Mal të Zi. Në periudhën e intensifikimit të marrëdhënieve të vendeve tona. Nuk mund të mos ta vërejmë inercionin e Ballkanit Perëndimor. Komuniteti malazez nga viti 81 ka pas pak mbi 21 mijë malazez, ku malazezet me arsye kanë qenë anëtar konstruktiv i territorit të Kosovës”, ka thënë presidenti i Malit të Zi.
“Marrëdhëniet cilësore do të qojnë deri të zgjidhja e statusit të malazezeve në Kosovë. Kjo është edhe rasti që të kujtojmë me krenari që në stuhinë e luftës mali i zi ka treguar aftësi që të ruaj paqen. Ne kemi vendosur për një sistem vlerash evropiane dhe kemi shkuar me vendosmëri në rrugën e integrimeve evropiane”, tha ai.
“Mali i Zi është një fqinj i përgjegjshëm i Kosovë, si dhe të kontribuojnë në perspektivën evropiane dhe euroatlantike, shfrytëzoj rastin që e ardhmja e Kosovës e fëmijëve të tyre të jetë e lidhur përjetësisht me vlerat evropiane”.
Presidenti i Malit të Zi ka theksuar se dëshiron që fëmijët e Kosovës të rriten në një vend që është i lidhur me vlerat evropiane./InLajmi/ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Mal të Zi, përcjellë KultPlus.
Në komunën e Tuzit ai u takua me Kryetarin e Komunës, Nik Gjeloshaj. Bashkë diskutuan për fillimin dhe angazhimin për bashkëpunim në kulturë, rini e sport. Ndër të tjera për ndërlidhjen mes organizatave kulturore dhe organizimin e një turneu mbarëkombëtar sportiv.
Gjatë qëndrimit aty gjithashtu panë shtëpinë muze të Dedë Gjo’ Lulit në Bardhaj të Malësisë së Madhe, ku u pritën nga aktivistë e banorë të zonë gjithashtu u takua me shoqatat kulturore të shqiptarëve.
Vizitën e vazhdoi në Ulqin ku u prit nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika.
Delegacioni i Kosovës, së bashku me kryetarin Nika kanë vizituar Kalanë e Ulqinit dhe Muzeun si dhe janë takuar me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në Ulqin, për të dëgjuar nga vet komuniteti mbi idetë konkrete se si të thellohet bashkëpunimi mes MKRS-së dhe shqiptarëve në Mal të Zi. / KultPlus.com
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i ka dërguar propozim Kuvendit të Malit të Zi që Dritan Abazoviçit t’i jepet mandatari për formimin e qeverisë. Lajmi është bërë me dije nga vetë Gjukanoviç përmes një postimi në rrjetet sociale. Mali i Zi do të ketë kështu kryeministër shqiptar.
Gjukanoviç dhe Abazoviç janë takuar më herët gjatë ditës së sotme, mëson “Vijesti”, kur presidenti i Malit të Zi ka njoftuar zëvendëskryeministrin se i ka përfunduar konsultimet dhe se ka ndërmend ta japë mandatin.
Gjukanoviç tha se përfaqësuesit e GP URA dhe partnerët e tyre politikë e kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së 43-të në Kuvend dhe se për këtë arsye ka marrë vendim që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë Abazoviçit.
“I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres Parlamentin malazez së shpejti të mbahet seanca dhe të vendoset për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozim të kryeministrit”, ka përfunduar Gjukanoviç.
Kështu, Dritan Abazoviç merr kështu mandatin për formimin e qeverisë së pakicave me mbështetjen e partisë së Gjukanoviç. Sipas marrëveshjes në parim, qeveria e pakicës do të ketë 18 dikastere. Kujtojmë se më 4 shkurt Kuvendi rrëzoi qeverinë e Zdravko Krivokapiç. / KultPlus.com
Skitarja kosovare, Kiana Kryeziu, ka arritur që të fitojë medaljen e argjendtë në garën ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), që po mbahet në Kollashin të Malit të Zi, shkruan KultPlus.
Përfaqësuesja e Kosovës ishte e udhëheqhur nga selektori Agim Pupovci, i cili po arrinë rezultate të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, garave të FIS, e cila është prova më e mirë për punën kualitative dhe angazhimin e të gjithë stafit të federatës, duke u nisur nga garuesit, trajnerët dhe Bordi i FSK-së!
Në garën e sotme ku po marrin pjesë 18 vende të ndryshme, Kiana u radhit e 2-ta në disiplinën e Sllallomit (SL) dhe të cilës i duhen edhe 3 rezultate për të e kompletuar normën Olimpike.
Me këto suksese, rruga drejt Pekin 2022 po bëhet gjithnjë e më e sigurtë për përfaqësuesen e Kosovës! /KultPlus.com
Bashkimi i parë civil homoseksual në Malin e Zi u regjistrua zyrtarisht dje.
”Ministrja e Administratës Publike, Çështjeve Digjitale dhe Medias, Tamara Srzhentiç bëri të ditur njoftimin përmes një statusi në Twitter duke konfirmuar regjistrimin”, njoftoi televizioni shtetëror malazez, transmeton KultPlus.
“Sot është një ditë krenare për komunitetin LGBTIQ nën flamurin e Malit të Zi dhe unë jam krenare që bashkimi i parë civil midis njerëzve të së njëjtës gjini është realizuar në vendin tonë”, theksoi Srzhentiç.
“Unë jam e lumtur që ligji për sindikatat civile ka filluar të zbatohet zyrtarisht dhe ju uroj partnerëve fat dhe dashuri në jetën e tyre”, shkroi ajo. Ministrja nuk ndau detaje për çiftin.
Ligji që e bën martesën të ligjshme të së njëjtës gjini u miratua nga parlamenti malazez në korrik 2020. Ai u përball me kundërshtim masiv nga Kisha Ortodokse Serbe. Çiftet e së njëjtës gjini janë ende të ndaluar të birësojnë fëmijë në vend.
Presidenti Milo Gjukanoviç dhe kryeministri Zdravko Krivokapiç po përpiqen të mbajnë Malin e Zi në një kurs properëndimor. / KultPlus.com
Në bregdetin e Malit të Zi, si në Budva, Ulqin, Tivar dhe Tivat gjenden disa prona që i përkasin Kosovës që nga koha e ish- Jugosllavisë. Këto prona aktualisht janë të uzurpuara, të privatizuara apo të tjetërsuara nga ndërmarrjet e ndryshme në Mal të Zi.
Ndërkohë Kosova ka ushtruar një padi për kthimin e të drejtës së pronës, të cilin veprim e mbështesin si analistët ashtu edhe disa përfaqësuesë politikë në Mal të Zi.
Në bregdetin e Malit të Zi gjenden disa prona që i përkasin Kosovës që nga koha e ish-Jugosllavisë, por të cilat aktualisht janë uzurpuar, privatizuar apo janë tjetërsuar nga ndërmarrje të ndryshme në vend.
Këto prona gjenden në qytetet më të njohura bregdetare, si në Budva, Ulqin, Tivar, Tivat etj., dhe paraqesin vendet më të bukura për zhvillimin e turizmit në Mal të Zi.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës, kohë më parë, ka ushtruar një padi për kthimin e së drejtës së pronësisë, të cilin veprim e mbështesin si analistë ashtu edhe disa përfaqësuesë politikë në Mal të Zi.
Ish nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi dhe deputeti aktual, Genci Nimanbegu në vazhdimësi ka kërkuar që të respektohet e drejta e pronës.
“Këto prona janë atraktive, posaçërisht prona e Kamenovës, në komunën e Budvës. Ajo është ndër pushimoret më atraktive dhe një gji bregdetar shumë i bukur për investime. Këtu duhet të bëhet çmos që e drejta e pronës të realizohet. Unë kamë pasur kontakte dhe takime me ambasadorët e Kosovës në Mal të Zi dhe me politikanët e Kosovës, të cilëve u kamë shprehë shqetësimin tonë dhe mendimin se këto pronësia e tyre duhet të zgjidhet. Sidoqoftë i mbetet shtetit të Kosovës të merret me këtë çështje dhe tu kthehet ato që mendojnë se janë të tyre”, tha zoti Nimanbegu.
Analisti Hajrullah Hajdari vlerëson se kërkesa e kthimit të pronës është legjitime dhe se në këtë kuadër vlen të kërkohet edhe ndërhyrja në gjykatat ndërkombëtare.
“Mendoj se kërkesa është legjitime dhe kanë të drejtë pasi prona konsiderohet si e shenjtë pa marrë parasysh rrethanat politike dhe ekonomike sepse pronarit duhet ti kthehet toka në posedim. Çdo veprim tjetër është juridik është shkelje ose veprim i politizuar. Në këtë rast mendoj se Kosova duhet të ketë fuqinë dhe do të shkojë së paku deri në Gjykatën e Strasburgut, e cila padyshim do të gjykojë në favor të Kosovës”, tha analisti Hajdari.
Ndërkaq, Zv/Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq fajësoi sistemin gjyqësor dhe prokurorinë e vendit për neglizhencë në zgjidhjen e problemeve pronësore.
“Në Mal të Zi, ndoshta edhe në Kosovë, kemi shumë probleme me sistemin gjyqësor dhe me sistemin e prokurorisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me këtë rast, por me të gjitha rastet ekzistuese, ku me dekada nuk fitojnë ndonjë epilog të dëshiruar. Shpresojmë që edhe ky rast do të përfundojë, pasi kjo nuk mvaret nga qeveria, pasi dihet që sistemi i gjyqeve funksionon në mënyrë të pavarur. Sidoqoftë, duhet të bëhet një trysni pozitive që kjo lëndë por edhe të tjerat të përmbyllen”, tha zoti Abazoviq.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka evidentuar 35 prona që ndodhen në Mal të Zi. Përveç pronave në bregdetin malazez, pronat tjera janë objekte dhe zyra nëpër disa qytete të vendit./VoA / KultPlus.com
Një pronë në bregdetin Adriatik, me mbi 4.5 mijë metra katrorë, është bërë mollë sherri ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi.
Autoritetet malazeze thonë se Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka paditur Malin e Zi, Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf beach properties d.o.o.” nga Podgorica, duke kërkuar kthimin e së drejtës së pronësisë në mbi 4.5 mijë metra katrorë tokë në qytezën Rafailloviq, pranë Budvës.
Bëhet fjalë për parcela në shëtitoren përgjatë plazhit të Beçiqit, ku dikur ndodhej një vend-pushimore për fëmijët.
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova synon kthimin e pronës të blerë gjashtë dekada më parë.
“Duke u gjendur para këtyre rrethanave, konform legjislacionit të Malit të Zi, ne kemi ushtruar një padi për vërtetim pronësie dhe masë sigurie për atë pronë, për shkak se Kosova tash e sa vite nuk është duke e shfrytëzuar, mbase juridikisht është pronë e Kosovës, që e dëshmojnë edhe dokumentet kadastrale atje”, thotë Istrefi.
Istrefi, i cili ka për detyrë të mbrojë interesin e Kosovës kur ka konteste brenda dhe jashtë shtetit, thotë se nuk ka asnjë problem politik ndërmjet shteteve dhe se kjo është vetëm një procedurë civile.
“Kosova në asnjë formë, e aq më pak Ministria e Drejtësisë apo Avokatura e Shtetit, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim ndaj shtetit të Malit të Zi, për ndonjë procedurë apo veprim qeveritar që mund të ketë ndikime të dy shtetet. Kjo është krejt e kundërta e asaj, për shkak se kjo është një procedurë civile”, thotë Istrefi.
Pllamenac: Kemi kërkuar që padia të hidhet poshtë
Sekretari i Sekretariatit për Mbrojtjen e Pronës në Komunën e Budvës, Nikolla Pllamenac, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes padisë, kërkohet të përcaktohet se Kosova është pronare e asaj prone.
“Si provë, ata kanë propozuar një marrëveshje për shitblerje nga vitet 1960 në Kotor, me të cilën [prona] është blerë nga Këshilli për Çështjet Sociale, Politike dhe Komunale i ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, thotë Pllamenac.
Në Gjykatën Themelore në Kotor, thonë se Padia e Republikës së Kosovës, e bërë nga Ministria e Drejtësisë, Zyra e Avokatit të Përgjithshëm, është ngritur në Gjykatën Themelore në Kotor në fillim të nëntorit të vitit 2020, ndërsa palët janë dërguar në takimin e parë me ndërmjetësuesin në fund të prillit.
“Më 4 qershor, Qendra për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve i ka kthyer gjykatës dosjet e lëndës, pasi ndërmjetësimi ka dështuar. Në periudhën e ardhshme, gjykata do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ligjin”, ka thënë zëdhënësi i gjykatës, Spiro Paviqeviq.
Komuna e Budvës thotë se procesi gjyqësor është në fazën fillestare.
“Rasti është fare në fillim. Është ajo koha kur ngrihet padia, pastaj palët e paditura i përgjigjen padisë dhe gjykata vendos nëse do të hyjë ose jo në procedurë për vendimmarrje. Ne në fillim kemi kërkuar që padia të hidhet poshtë. Nëse vjen deri te kjo, atëherë thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Nëse vazhdon, atëherë fillon procedura gjyqësore, seancat dëgjimore, ekspertizat e çka mos”, thotë Pllamenac.
Sipas të dhënave të AKP-së, prona të kombinatit metalurgjik “Trepça” gjenden edhe në territorin e Serbisë.
Ish-pushimorja e fëmijëve në parcelën e diskutueshme është quajtur më herët “Ganimete Tërbeshi”, ndërsa më pas “Lahor” – sipas ndërmarrjes me të njëjtin emër, selia e së cilës, pas vitit 1999, është zhvendosur nga Prishtina në Mal të Zi.
Më pas, ndërmarrja është privatizuar dhe shitur, ndërsa ndërtesa e pushimores është shembur.
Tani, në këtë vend është duke u ndërtuar një ndërtesë shumëkatëshe, ndërsa pronar i saj është firma “Sunraf beach properties d.o.o.”, e cila pronën e paluajtshme e ka blerë në vitin 2017, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati i firmës, Millan Vujosheviq.
“Pasuria e paluajtshme është blerë të një oferte publike, gjatë procesit të shitjes së aseteve të ‘Nivel Invest’ – në falimentim, dhe oferta e ‘Sunraf beach properties’ është vlerësuar si më e pranueshme, në përputhje me dispozitat e Ligjit të falimentimit”, thotë Vujosheviq.
Sipas tij, ndërmarrja blerëse u ka besuar të dhënave zyrtare shtetërore dhe ligjërisht ka blerë pasuritë e paluajtshme, me pëlqimin e shtetit, përkatësisht të Gjykatës Komerciale.
“Andaj, është e qartë se në këtë proces gjyqësor, ‘Sunraf beach properties’ nuk mund të ketë asnjë pasojë, kur bëhet fjalë për pronësinë e fituar”, beson Vujosheviq.
Si e paditur, Komuna e Budvës ka kërkuar nga gjykata që ta hedhë poshtë padinë e Kosovës si të parregullt, sepse, siç thotë Pllamenac, provat e bashkëngjitura nuk mund të çojnë në një konstatim, në lidhje me ligjshmërinë e paditësit sa i përket parcelave të diskutueshme.
“Në padinë e tyre, ata i janë referuar Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ne jemi thirrur në atë rezolutë, në UNMIK dhe në Rregulloren për kompetencat e administratës së përkohshme në Kosovë, në qershor të vitit 1999. Sipas mendimit tonë, këto rregullore nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, sidomos në rrethanat kur lënda ka të bëjë me disa përvetësime ose me ushtrimin e së drejtës në patundshmëri. Në këto raste, çështja drejtohet nga ligji i vendit ku ndodhet”, thotë Pllamenac.
Padia e Kosovës është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesja e shtetit të Malit të Zi që merret me mbrojtjen e të drejtave të pronës, Bojana Qiroviq.
Ajo është e mendimit se nuk duhet komentuar procedurat që janë në zhvillim dhe as provat që do të jenë subjekt i vlerësimit të lirë të gjykatës.
AKP thotë se Kosova ka 35 prona në Mal të Zi
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thonë për Radion Evropa e Lirë se “Sunraf beach properties“, nuk është aset shoqëror me të cilin administron Agjencia Kosovare e Privatizimit.
“AKP ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin ndërmarrjeve shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish-Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit, shumica janë lokale dhe zyra”, thuhet në përgjigje.
Sipas AKP-së, 35 prona ndodhen në Mal të Zi, derisa në Serbi janë 99.
Aty thuhet se “me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP-ja pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera, AKP-ja zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore në emër të ndërmarrjeve shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave”.
Hasani: Kosova nuk mund të kërkojë prona në Mal të Zi
Profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Kosova nuk mund të kërkojë pronë në Mal të Zi, sepse nuk ka bazë ligjore për këtë.
“Unë nuk mund të besoj se dikush në Kosovë mund të këshillojë Ministrinë tonë të Drejtësisë që të nisë diçka të tillë”, thotë Hasani për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk ka kurrfarë baze për një gjë të tillë, sepse kjo nuk është një marrëdhënie privato-juridike. Qeveria e Kosovës, e as shteti i Kosovës, i cili është shpallur më 17 shkurt, 2008, nuk janë pasardhës privatë të së ashtuquajturës SAP Kosova [Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe Metohisë]. Për të qenë edhe më i sinqertë, kjo që ka ndodhur është turp, sepse Kosova ka avokatë normalë që i dinë gjërat më themelore juridike”, thotë Hasani.
Sipas tij, çështja e trashëgimisë së ish-Jugosllavisë ka përfunduar në vitin 2001 me Marrëveshjen e Vjenës, kur Serbia ka trashëguar prona në emër të Kosovës dhe Vojvodinës.
“Kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë në vitin 2006, pasuria e paluajtshme që i përkiste ish-Jugosllavisë dhe ishte e vendosur në Mal të Zi, me Marrëveshjen e Vjenës të vitit 2001, i përket Malit të Zi. Nuk ka asgjë të diskutueshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare”, thotë Hasani. / Gazeta express / KultPlus.com
Ka nisur rrugëtimin “Triptoalbania.al“, platforma e vetme online në trevat Shqiptare, e cila do të jetë udhërrëfyesi dhe pika juaj e refermit mbi çdo informacion turistik në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në të gjitha trevat shqipëfolëse.
Në prezantimin e kësaj platforme, morën pjesë akterë të rëndësishëm të këtij sektori, ndër to edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Ambasadori në detyrë i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani si dhe operatorë të suksesshëm turistik.
Në fjalën e tij Ministri Klosi, shprehu vlerësim të lartë për krijimin e kësaj platforme, duke bërë thirrje që të pushojmë shqip, për të shfrytëzuar të gjithë potencialin turistik që kemi në trojet shqiptare.
“Duhet të shoqërohemi që të vizitojmë detin, por duhet të vizitojmë edhe bukuritë e bjeshkëve. Të vizitojmë bukuritë e Durresit e të Vlorës, por operatorët turistikë duhet të shikojnë edhe Prizrenin dhe Prishtinën si një opsion, sepse lidhja është më e thjeshtë. Mundësitë i kemi shumë më të kollajshme dhe mundësitë i kemi shumë më të mëdha qe të bëjmë një turizëm mbarë shqiptar”.
Ndër të tjera, Klosi tha se pasuria turistike shqiptare duhet të vitalizohet.
“Kjo është pasuri e madhe kombëtare. Kemi turizëm në të dy anët e bjeshkëve dhe kjo besoj është në përgjegjesinë tonë, administratorëve publik të flasim dhe të promovojmë turizmin shqiptar“.
Gjithashtu ministri Klosi ka thënë se kemi pasur nevojë për produkte si projekti i “Triptoalbania.al”.
Sipas tij, projekte si ky nxitin qytetarët të pushojnë shqip, të pushojnë në Prishtinë, Durres, Vlorë, Prizren, Pejë etj, kudo ku kanë mundësi të kontribuojnë, pasi ata janë vërtet heronj të kësaj beteje ekonomike, ka thënë ai.
Nga ana tjetër Qemal Minxhozi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, shprehu mirënjohje për krijuesin e kësaj platforme.
“Unë kam shumë bindje se në ballë të turizmit të Shqipërisë do të qëndrojë Kosova. Uroj që në Shqipëri të bëhet edhe më tepër një jehonë sa më e madhe edhe për turzmin malor të Kosovës jashtë mase i lakueshëm”.
Nait Hasani, Ambasador në detyrë i Kosovës në Shqipëri ka përgëzuar për platformën “Triptoalbania.al”, duke shpresuar që turizmi në të dy vendet shqipëfolëse të rritet, pasi të dy vendet i kanë potencialet e veta turistike.
“Kosova e ka malin, Shqipëria e ka detin, prandaj që të dy vendet ofrojnë shumë për vizitorët dhe pushuesit në çfarë do stine të vitit“.
Ndërsa Azem Bujupi, Drejtori Ekzekutiv dhe ideator i “Triptoalbania.al”, ka treguar rreth idesë së tij për krijimin e platformës.
“Arsyeja e krijimit të kësaj platforme është shumë e thjeshtë. Fillimisht ne duhet të prezantojmë veten se kush jemi ne, për ata që duan të na vizitojnë. Duhet të prezantojmë tokën, traditën, mikpritjen, veshjen dhe gjithçka tjetër që neve na bën të jemi ata që jemi krenarë. Pjesa e parë e kësaj është “Know me” të njihemi dhe pjesa tjetër “Taste me” më provo, më testo. Është komplet prezantimi i vijës bregdetare malore, Mal i Zi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë.
Bujupi më tej ka treguar se “Triptoalbania.al“, ka arritur në regjistrimin e materialeve mbi 4 mijë orë në Shqipëri, kurse në Kosovë 2mijë orë sa i përket prezantimit të turizmit bregdetar dhe atij malor.
Sipas statistikave gjatë hulumtimit Bujupi u shpreh se hyrjet e turizmit malor në vijën e Austrisë dhe Zvicrës, janë më shumë se vija bregdetare dhe se shtetet për rreth.
“Në infrastrukturën e Kosovës, duhet të ndërhyet në një zonë të tillë dhe një ofertë të tillë siç e ka Kosova është e papërjashtueshme që të shijohet nga çdo kush, si i Republikës së Shqipërisë dhe të tjerëve që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën“.
Në përfundim u bë edhe prezantimi komplet i platformës, se ku mund ta gjeni dhe si të njiheni me vendet më atraktive të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të zi, duke u njohur me historinë e tyre, traditat, zakonet, gastronominë etj. / KultPlus.com
Rindërtimin e shkollës së vetme shqipe në Mal të Zi, “Dacaj” në Rozhajë e ka marrë përsipër Republika e Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Gent Cakaj.
“Përderisa një pjesë të shpenzimeve për rindërtimin e kësaj shkolle i ka dhënë Republika e Kosovës, pjesën e mbetur për rindërtim, rregullim e mbështetje të nxënësëve do ta mbulojë plotësisht Republika e Shqipërisë”, ka shkruar Cakaj.
Ministri tutje ka thënë përtej rindërtimit të objektit, do të kujdesen edhe për materialet e nevojshme arsimore për nxënësit shqiptarë.
Kjo është shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi dhe shkolla e vetme fillore në Rozhajë. / KultPlus.com
Iniciativa e Ministrisë së Jashtme në Shqipëri për libraritë dhe bibliotekat shqip në Mal të Zi po vazhdon, shkruan KultPlus.
Ministri Gent Cakaj ka bërë të ditur se kanë mbeshtetur ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në Tuz.
“Pas mbështetjes financiare për ngritjen e librarisë së parë me literaturë në gjuhën shqipe në Ulqin, kemi vendosur të japim mbështetje financiare për ripërtëritjen e bibliotekave të dy shkollave në qytetin e Tuzit”, ka shkruar Cakaj.
Përveç premtimeve për mbështetjen e mëtutjeshme të shqiptarëve të Malit të Zi, ministri ka thënë se do të hapet së shpejti edhe Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin. / KultPlus.com
Mali i Zi nuk do të marrë pjesë në festivalin evropian të muzikës, i njohur më mirë si Eurosong.
Portali kushtuar kësaj ngjarjeje, ESC Today, raporton se është konfirmuar se nuk do të ketë përfaqësues nga Mali i Zi në garën e ardhshme të ngjarjes muzikore, e cila do të mbahet vitin e ardhshëm në qytetin holandez të Roterdamit.
Gara e famshme duhej të mbahej këtë vit, por si shumë ngjarje dhe festivale të tjera të ngjashme, ai u shty për një tjetër për shkak të pandemisë globale të koronavirusit.
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë arsyetim nga pala e Malit të Zi, por raportohet se malazezët janë të zhgënjyer me rezultatet e pjesëmarrësve të gjertanishëm dhe kjo ka shtyrë që të mos garojnë.
Pos fqinjëve tanë, edhe pesë shtete të tjera e kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në festival, duke përfshirë Bosnja dhe Hercegovinën, Andorrën, Luksemburgun, Sllovakinë dhe Monakon.
Netët gjysmëfinale të Eurovision do të mbahen më 18 dhe 20 maj, ndërsa finalet janë planifikuar për 22 maj në Ahoja Arena në Roterdam të Holandës. / KultPlus.com
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka vendosur të përdorë flamurin kombëtar shqiptar si simbolin e tyre në Mal të Zi.
Qeveria malazeze dha pëlqimin e saj rreth përdorimit të flamujve, himneve dhe ditëve të festave kombëtare të komuniteteve, përcjellë KultPlus.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka vendosur të përdorë flamurin kombëtar shqiptar – shqiponjën e zezë dykrenare me sfond të kuq.
Si stemë – shqiponjën e zezë dykrenare mbi të cilën është përkrenarja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut si dhe himnin “Rreth flamurit të përbashkuar”.
Gjithashtu është raportuar se 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar – është caktuar si Dita e Festës Kombëtare të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Ndryshe, Këshilli Kombëtar Kroat në Mal të Zi do të përdorë flamurin dhe stemën e Republikës së Kroacisë gjersa Këshilli i Romëve në Mal të Zi, ka vendosur të përdorë flamurin kaltër e gjelbër të miratuar në vitin 1971. / KultPlus.com