Maqedonia dhe Mali i Zi tërhiqen nga Eurovisioni, shkak kriza financiare dhe energjetike

Kriza financiare dhe energjetike i ka goditur dy shtetet nga Ballkani të cilat janë tërhequr nga festivali evropian i këngës “Eurovision Song Contest”, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Liverpool të Britanisë së Madhe.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në Eurovision 2023, shkak është tarifa e lartë për pjesëmarrje në festivalin evropian, që për vitin e ardhshëm është rritur, raporton Zeri.info.

“Një vendim i tillë është në interesin më të mirë të qytetarëve, duke pasur parasysh rritjen e kostove për shkak të krizës energjetike, të cilat zënë një pjesë të madhe të buxhetit të Shërbimit Publik, si dhe rritjen e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrjen në Eurovizion. 2023, që deri vitin e kaluar ishte 39,143.00 euro, ndërsa viti i ardhshëm pritet të jetë më i lartë. Ky vendim do të mundësojë kursimin e mjeteve që duhet të ndahen për qëndrimin e delegacionit maqedonas në Liverpool, ku po mbahet Eurovision 2023”, ka njoftuar MRT-ja, televizioni publik i Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, MRT-ja thotë se do të transmetojë ngjarjen, dy mbrëmjet gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Tutje televizioni maqedonas shpreson se situata do të stabilizohet, pas së cilës vendi do të kthehet sërish me pjesëmarrje në Eurovizion në vitin 2024.

Po ashtu për arsye të njëjta, largimin nga Eurovisioni i vitit të ardhshëm e ka konfirmuar edhe televizioni publik i Malit të Zi.

Në një deklaratë, transmetuesi kombëtar iu referua kostove që lidhen me pjesëmarrjen në konkurs si arsyeja kryesore e tërheqjes. Këto kosto përfshijnë tarifën e pjesëmarrjes dhe të udhëtimit në qytetin pritës, që është Liverpool në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2023.

“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifës së pjesëmarrjes, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe – u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm që burimet ekzistuese t’i drejtojmë në financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara dhe reformat organizative dhe programore, të cilat sjellin ndërhyrje të konsiderueshme investimesh në pajisje dhe ambiente”, thuhet në deklaratën e televizionit publik malazez RTCG, transmeton Zeri.info.

Deri më tani 33 shtete, duke përfshirë Shqipërinë, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovisionin e vitit të ardhshëm. / KultPlus.com