Nexhmije Pagarusha jetësohet në skulpturë, e para që i dedikohet një artisteje në Kosovë

Jeta Zymberi

Një ngjarje emocionuese që do të ndodhë së shpejti do të ndryshojë pamjen e vendlindjes së saj. Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Bilbili i Kosovës” do të jetësohet në një skulpturë të veçantë në vendlindjen e saj, në fshatin Pagarushë në Malishevë, shkruan KultPlus.

Kjo skulpturë është një frymëzim i artistit të njohur Agon Qosja dhe me aq sa kemi parë nga fotografitë e publikuara nga vetë skulptori, ajo do të jetë një pamje që na kujton kontributin e madh të Nexhmije Pagarushës në muzikën shqiptare.

Nexhmije Pagarusha është një ikonë e muzikës shqiptare, e njohur për zërin e saj të veçantë dhe interpretimet e mrekullueshme në muzikën popullore dhe opera. Kryevepra e saj konsiderohet ”Baresha”, por pa lënë anash edhe këngët si: ”Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, “Dallëndyshe”, këngë këto që publiku vazhdon t’i dëgjojë me shumë nostalgji.

Kjo skulpturë dedikuar Nexhmije Pagarushës, padyshim do të jetë një ndër veprat më të rëndësishme artistike në Kosovë, veçanërisht në fushën e muzikës. Ky është një hap i madh në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare, veçanërisht në një vend ku skulpturat kryesisht janë të dedikuara ndaj burrave të shquar të historisë së Kosovës.

Agon Qosja, skulptori i talentuar i kësaj vepre arti, ka punuar me pasion dhe përkushtim për të krijuar një skulpturë që reflektonë fuqinë dhe pasionin e Nexhmijes për muzikën dhe që përmes saj të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë.

Në vendin e saj të lindjes, kjo skulpturë padyshim që do të bëhet një pikë referimi për turistët dhe për vendasit që do të kenë kënaqësinë të shohin këtë pamje të mrekullueshme të një artisteje të madhe.

Njëkohësisht, kjo është një ndër veprat e rralla që i dedikohet kontributit të një gruaje në Kosovë dhe ndoshta një shembull i mirë për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontributit të grave në artin dhe kulturën shqiptare.

Kjo dhuratë e bukur për kulturën shqiptare do të përurohet më datë 21 Tetor në Pagarushë, Malishevë. / KultPlus.com

Çeku nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e stadiumit në Hogosht, dhe rinovimin e stadiumit të Malishevës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku, ka nënshkruar marrëveshje për ndërtim dhe rinovim të stadiumeve në Hogosht dhe Malishevë, shkruan KultPlus.

Këto marrëveshje sipas ministrit Çeku janë nënshkruar pasi arritja e rezultateve të dëshiruara në sport, shkon krahas me përmirësimin e infrastrukturës sportive.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit në facebook:

Angazhim maksimal për sportin

Arritja e rezultateve të dëshiruara në sport shkon krahas me përmirësimin e infrastrukturës sportive. Për pëmbushjen e këtij synimi, dje janë nënshkruar dy marrëveshje.

Në mes të ministrit Hajrullah Çeku dhe Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, u nënshkrua marrëveshja përmes të cilës MKRS mbështetë ndërtimin e stadiumit në fshatin Hogosht, projekt i cili parashihet të përfundoj në vitin 2025.

Marrëveshja e dytë iebashkëpunimit u lidh me Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ku parashihet mbështetje financiare për punime në stadiumin e qytetit “Liman Gegaj”, investim që do të bëhet gjatë vitit 2023 dhe 2024./KultPlus.com

Përfundojnë punimet për restaurimin e hambarit të familjes Jonuzaj në fshatin Senik të Komunës së Malishevës

Ndërtimi i këtij hambari është realizuar në vitet 30-ta, të shekullit të kaluar. Marrë për bazë faktin se hambari i familjes Jonuzaj, është ndër ata të cilët kanë ngelur në të trevën e Llapushës, është i veçantë në radhë të parë për vjetërsinë, funksionin, punën karakteristike gdhendur në dru, por edhe gjendjen e mirë që ka, si rezultat i kujdesit të vazhdueshëm të familjes.

Përndryshe, sipas familjarëve të familjes Jonuzaj, hambari nuk është përdorur që një kohë të gjatë për funksionin se për çfarë ishte dedikuar në kohën e ndërtimit, por ai megjithatë mbetet vlerë e shtuar e paraqitjes së mënyrës së jetesës si dhe simbol i begatisë në familjet fshatare të vendit tonë.

 Samir Hoxha, drejtor në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren thotë se bazuar në përkushtimet e këtij institucioni për identifikimin, dokumentimin dhe inventarizimin e trashëgimisë kulturore për rajonin, respektivisht, territorin e komunës së Prizrenit, janë evidentuar shumë objekte me vlerë, që janë dëshmi se kjo anë është e pasur edhe me këtë lloj trashëgimie.

Andaj QRTK në Prizren, në kuadër të përmbushjes së detyrave të punës, bënë përzgjedhjen e gjetjeve dhe objekteve, nga inventari i trashëgimisë kulturore të cilat më pas u propozohen organeve përgjegjëse për t’u dhënë status të mbrojtjes së përkohshme në kuadër të Listës së trashëgimisë kulturore, por edhe harton dhe zbaton projekte për restaurim dhe konzervim, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha./indeksonline/ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi vizitoi Malishevën, zotohet për përkrahje të madhe të projekteve në këtë komunë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me zv-ministren Vladete Bajrami dhe përfaqësues të MKRS-së vizituan sot Komunën e Malishevës. Ministrja dhe delegacioni i MKRS-së u mirëpritën nga Kryetari i Komunës Ragip Begaj i cili e falënderoi Ministren Dumoshi veçanërisht dhe përfaqësuesit e tjerë të MKRS-së për vizitën që po i bëjnë kësaj komune.

Gjatë takimit u bisedua për projektet të cilat priten të finalizohen në këtë komunë dhe bashkëpunimin e Komunës së Malishevës me MKRS-së në fusha të ndryshme veçanërisht në trashëgimi kulturore e sport.

Ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që po e vizion Malishevën dhe e siguroi Kryetarin Begaj se mbështetja për këtë komunë do të jetë më e madhe se që ka qenë në të kaluarën.

“Konsideroj se qytetarët e Malishevës kanë nevojë të madhe për hapësira sportive dhe kulturore prandaj si Ministri do të bëjmë gjithçka brenda kapaciteteve tona ekzistuese që ta ndihmojmë komunën të shtyjë përpara projekte që janë në dobi të qytetarëve” – u shpreh Ministrja Dumoshi.

Ndër të tjera Ministrja falënderoi edhe deputetët Fetah Rudi e Arbresha Krasniqi, të cilët iu bashkëngjitën kësaj vizite.

Kryetari Begaj theksoi që e gëzon vizita e Ministres Dumoshi dhe theksoi që komuna që ai udhëheqë ka shumë nevojë për mbështetje.

“Malishevës i duhet përkrahje shumëfish me madhe institucionale se në të shkuarën, për arsye se ka qenë komunë e cila nuk ka pasur asgjë të trashëguar nga e kaluara. Ne kemi pasur vazhdimisht përkrahje dhe jam shumë i bindur që ministrja do t’i ketë parasysh të gjitha ato projekte të cilat i kontribuojnë kësaj komune dhe këtij komuniteti”, deklaroi pas takimit Begaj.

Pas takimit në komunë, Ministrja Dumoshi, Kryetari Begaj dhe përfaqësuesit e tjerë bashkërisht vizituan edhe stadiumin e qytetit të Malishevës.

Nga aty Ministrja Dumoshi bëri thirrje që kuvendi komunal i kësaj komune të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me MKRS-në ardhmen, në mënyrë që bashkërisht t’i shtyjnë përpara projektet e MKRS-së në këtë komunë.

Të gjitha Komunat pa dallim do të përkrahen nga MKRS dhe do të jenë në fokus të prioriteteve të ministrisë. / KultPlus.com

Së shpejti fillon rikonstruimi i Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar projektin për rikonstruimin e Mullirit të epërm të fshatit Shkozë të Malishevës. Zbatimi i këtij projekti do filloj së shpejti dhe konsiderohet se do të jetë tepër i dobishën në aspektin kulturor, ekonomik, turistik, arsimor, historik dhe tradicional të kësaj treve.

Mulliri i Mehmet Alisë apo i njohur ndryshe edhe si mulliri i sipërm i Shkozës është i ndërtuar në Luginën e Pagarushës, në afërsi të vend bashkimit të përroit të Janqistit dhe atij të fshatit Marali, në trekëndëshin mes fshatrave Marali-Goriq-Janqist, në tokat e fshatit Shkozë.

Sipas banorëve të fshatit Shkozë mulliri u ndërtua nga i pari i fshatit Shkozë Mehmet Alia me djemtë dhe nipat e tij, diku në fund të shekullit XVII. Tek banorët e fshatit Shkozë ende ruhet një gojëdhënë rreth ndërtimit të këtij mulliri. Territori i fshatit Shkozë përreth, e ka vetëm një përrua që furnizohet nga Krekëza dhe Vrella dhe që e pakëson shumë ujin gjatë verës. Bluarja e drithit kishte qenë një problem shumë i madh, për familjen e madhe të Mehmet Alisë. Thuhet se ai me djemtë e nipa, zbresin në luginën mes fshatit Janqist, Marali dhe Goriq, ku bashkohen përrenjtë e fshatit Marali dhe Janqist dhe e ndërtuan një mulli të bukur.

Për ta rritur rendimentin e bluarjes u hapën kanale të cilat sillnin ujërat e dy përrenjve nga pjesa e sipërme e mullirit dhe guri i mullirit sillej kur bashkoheshin ujërat e dy përrenjve që lëshoheshin me rrëmbim nga sipër mullirit.

Sipas të dhënave nga fshatarët mulliri bluante një shekë farë për një orë dhe u përdor nga banorët e Shkozës për bluarje deri në fillim të viteve tetëdhjeta, kur edhe u la pas dore. Mulliri megjithëse i shkatërruar gati tërësisht edhe sot e kësaj dite i ka themelet edhe mund të dallohet përskaj rrugës Marali-Goriq.

Ky projekt do të mbikqyret nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Restaurohet xhamia e vjetër e fshatit Shkozë të Malishevës

Kanë përfunduar punimet restauruese, konzervuese në mejtepin dhe xhaminë e vjetër të fshatit Shkozë të Malishevës. Këto punime janë drejtuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programeve për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore të mbështetura financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Xhamia dhe mejtepi i vjetër i fshatit Shkozë është ndërtuar në vitin 1916 ku sipas të dhënave gojore nga të moshuarit e këtij fshati kjo xhami së bashku me mejtepin (shkollën) ishte ndërtuar me kontributin e fshatarëve rreth mbi njëqind vite më parë.

Në këtë xhami shkollë, përveç mësimeve fetare hoxhallarët patriot qysh gjatë ish Jugosllavisë mbretërore, fshehtas u kishin mësuar fëmijëve shkrim-leximin në gjuhën shqipe, përmes librave shqip që i kishin siguruar në fshehtësi nga konsulli i Shqipërisë së atëhershme në Shkup.

Objekti i xhamisë dhe mejtepit nga janari i vitit 1999, përveç si objekt i kultit u shfrytëzua edhe nga kompania e UÇK-së e fshatit Shkozë, si vendkomandë dhe vendstrehim i pjesëtarëve të saj. Forcat serbe pasi thyen pozicionet e UÇK-së në mars të vitit 1999 e dogjën dhe e shkatërruan tërësisht këtë objekt.

Po ashtu sipas të dhënave të banorëve të këtij fshati në këtë xhami shërbyen shumë personalitete të njohura të fshatit Shkozë, si hoxha i parë i fshatit Mulla Bajram Bytyçi, njëherësh edhe pleqnar dhe veprimtar i njohur i viteve 1900-1913, më pas shërbeu Hafës Islam Bytyçi një hoxhë dhe intelektual i ri atdhetar, poet dhe pjesëtar i organizatës së fshehtë atdhetare ,,Drita” që veproi gjatë viteve 1930-1939. Gjithashtu në këtë objekt fetar shërbeu edhe Mulla Adem Bytyçi, një hoxhë patriot i cili ishte udhëheqës i burrave të Shkozës dhe më gjerë në luftërat për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë etnike në Kollashin gjatë viteve 1942-44.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha ka theksuar se “themelet e rrënojave të xhamisë së fshatit Shkozë, tashmë të restauruara, janë me rëndësi historike, por edhe e vaçant për ariktekturën lokale, ngase është ndërtesa e vetme arkitekturore publike që ka pasur fshati Shkozë” “Veç tjerash aty janë shkolluar gjenerata të tëra me njohuri fillestare, pra, kjo ndërtesë ka ushqyer nevojën shpirtërore dhe arsimore të komunitetit dhe si e tillë ruajtja dhe prezantimi i këtij monumenti ishte i nevojshëm pasi që ajo paraqet burimin e dijes, dhe në të njëjtën kohë dëshmon edhe për pasojat shkatrrimtare të luftës së fundit në trashëgiminë kulturore” theksoi Hoxha.

Vlen të theksohet se pas restaurimit dhe konzervimit të themeleve të këtij aseti të trashëgimisë kultutore nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, banorët e këtij fshati kanë shprehur gadishmërinë e tyre për tu kujdesur për këtë monument, duke mos kursyer edhe mbështetjen finaciare për rregullimin e amientit rreth saj si dhe infrastrukturës përcjellëse. /KultPlus.com

Malisheva ndezi qirinj në shenjë nderimi për Nexhmije Pagarushën

Në shenjë nderimi për bilbilin e muzikës dhe kulturës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, sonte në Malishevë, pranë muzeut të qytetit, qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj.

Komuna e Malishevës, përmes një njoftimi për media, tha se ceremonia e ndezjes së qirinjve është shoqëruar me këngët e Bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, të kënduara ndër vite.

Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë të Nexhmije Pagarushës, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të subjekteve politike që janë të përfaqësuar në Kuvendin e Komunës, si dhe qytetarë të tjerë, të të gjitha moshave.

Kujtojmë se Nexhmije Pagarusha, bilbili i Kosovës, ka vdekur dje në moshën 86 vjeçare.

Nexhmija u lind më 7 maj 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. /KultPlus.com

Era e fuqishme hoqi kulmin e muzeut në Malishevë

Si pasojë e erërave të fuqishme në territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar disa dëme, sidomos në kulme. Më së keqi e ka pësuar muzeu i qytetit, ku rreth orës 10:10, era e fortë e hequr komplet kulmin e ndërtesës, njofton kumtesa komunale.

Për fat, nuk ka të lënduar, edhe pse në atë moment ka pasur kalimtarë të rastit përreth muzeut.

Të gjitha ekipet e sigurisë dhe të emergjencave, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me eliminimin e këtij dëmi dhe krijimin e sigurisë për qytetarë. Dëmi është i konsiderueshëm. Masa të menjëhershme ka marrë edhe komuna.

Dëme më të vogla mund të shihen edhe në kulmet e ndërtesave tjera në qytet./ KultPlus.com