Gruaja e vetme lahutare e Malësisë mahnit Festivalin e Gjirokastrës: Po pakësohemi, po shkojmë drejt zhdukjes

Lumturije Nonaj ka gjithë jetën e saj që luan në lahutë. Familja e saj është një familje lahutarësh dhe së bashku me vëllezërit Lumturija ka qenë pjesë e shumë festivaleve nder vite. Që e vogël ka shoqëruar në skenë xhaxhain, mjeshtrin lahutar Gjok Nonaj, i ndarë nga jeta 5 vite më parë.

Dalja e fundit e tij në skenë ka qenë në edicionin e fundit të këtij festivali, në vitin 2015, kur ai ishte 107 vjeç dhe ishte folkloristi më i moshuar i Festivalit. Një kujtim nga skena me axhën e ka gjithmonë ne lahutë. Sot Lumturija është e vetmja grua lahutarë ne gjithë veriun, por ndërsa nuk mungojnë përpjekjet për autenticitetin e lahutës dhe ruajtjen e saj si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, numri i lahutarëve ne Malësinë e Madhe numërohet me gishtat e një dore. Lumturija jo pak e trishtuar thotë se nuk ka me shume se 5 lahutarë, dhe kjo sipas saj, për shkak se të rinjtë nuk kanë interes për të mësuar lahutën. Fëmijët e saj, dhe nipërit janë ne emigrim dhe kane interes për futbollin dhe botën e teknologjisë.

Lahuta përfaqëson mjetin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian. Dikur, shtëpia pa lahutë quhej “shtëpia e lanun”. Ishte turp për malësorin të mos e kish një pushkë e një lahutë. Kulti i lahutës në familjen shqiptare është i përhapur, ashtu siç ekziston një respekt shenjtërues për këngët e kreshnikëve. Lahutarët i këndojnë këto këngë në dasma, në gazmende, në festa dhe në raste të tjera, si dhe në mbrëmje, kryesisht gjatë stinës së dimrit./ballkanweb/KultPlus.com