Syri i Sheganit, pikturë natyrore ekoturistike

Syri i Sheganit, pjesë e zonave të mbrojtura, xhevahir i Malësisë së Madhe buzë liqenit të Shkodrës është një prej atraksioneve të kësaj zone që tërheq turistë si një ekosistem natyror i mahnitshëm.

Me pamjen e mrekullueshme që të ofron burimi karstik i Syrit të Sheganit në Malësi të Madhe, aty ku uji i kaltër pikon duke lagur fillimisht qerpikët rreth syrit, pastaj rrjedh në faqet e këtij bregliqeni, zona promovohet si pjesë e itinerarit të atraksioneve të qarkut Shkodër.

Syri i Sheganit është një burim i madh që gjendet në afërsi të fshatit Rrogom, të komunës Bajzë në rrethin e Malësisë së Madhe, pranë buzës lindore të Shkodrës, në lartësinë rreth 6 metra mbi nivelin e detit.

Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit. Uji i burimit të Sheganit del nga një oxhak karstik me thellësi rreth 22–28 m dhe gjerësi 3–5 m, është ujë të pastër dhe i ftohtë, që vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë. Eksplorimet e tanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që përshkojnë ujërat e këtij burimi.

Më pas është një shpellë e shembur që pengon eksplorimin. Në ujërat e tyre ka peshq e gjallesa të tjera. Burimet krijojnë një mjedis shumë tërheqës me vlera shkencore (hidrologjike, speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike, estetike e turistike. Vizitohet sipas itinerarit qyteti i Shkodrës-Koplik-Ivanaj-Gashaj-Shegan.

Syri i Sheganit është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve kryesisht të huaj./atsh/KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=183475637831368

Syri i Gjonit në Malësinë e Madhe, destinacion ekoturistik

Syri i Gjonit në Malësinë e Madhe është një tjetër atraksion mjaft i veçantë turistik dhe atraktiv.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka publikuar në rrjetet sociale foto nga ky atraksion, i cili është pjesë e zonave të mbrojtura si Monument Natyre.

“Syri i Gjonit me pamjen e paqtë dhe mundësitë edhe më të mëdha për t’iu shtuar listës së destinacioneve ekoturistike”, shkruan Kumbaro.

Në këtë destinacion syri pushon qetësisht, mbi ujin, mbi barin e njomë, mbi natyrën e mrekullueshme. Uji vjen nga bjeshkët dhe grumbullohet në këtë sy.

Pamja që të ofron ky destinacion është një mrekulli e natyrës, ku ngjyrat e ndezura të së kaltrës së ujit ndërthuren me ato të gjelbrat e fushave përreth. Për turistët e natyrës ky është destinacioni ideal në këto ditë të para të pranverës./ atsh / KultPlus.com

Rexhep Qosja, Nikolla Spathari dhe Rudi Vata “Qytetarë Nderi’ nga Bashkia Malësi e Madhe

Me iniciativën e kryetarit të bashkisë Tonin Marinaj, këshilli i bashkisë Malësi e Madhe ka miratuar me shumicë votash nismën për të shpallur qytetar nderi disa nga figurat që kanë kontribuar në fushat e tyre përkatëse.

Rexhep Qosja lindur në Vuthaj të Kelmendit me motivacionin: “Për vlerat e larta në fushën e studimeve gjuhësore, krijimtarisë letrare dhe etno-kulturore shqiptare në përgjithësi dhe për kontributin e tij atdhetar në themelimin e Kosovës së pavarur në veçanti”.

Nikolla Spathari lindur në fshatin Goraj-Budishë Kastrat me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme në fushën e krijimtarisë letrare dhe etno-kulturore, me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe e më gjërë”.

Rudi Vata lindur në Shkodër me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme në fushën e futbollit e me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe e më gjerë”. Bashkia Malësi e Madhe kohët e fundit ka shpërndarë disa tituj nderi personaliteteve të shquara, të cilët kanë ngritur lart emrin e Malësisë Madhe, raporton atsh./ KultPlus.com