Një vit nga hapja e Bibliotekës së Manastirit, Emira Selimi: Jam bllokuar disa herë por mrekullisht kam mbijetuar

“Mos më lini vet” është mesazhi që misionarja e hapjes së Biblitotekës në qytetin e Manastirit, Emira Selimi, iu drejton bashkëkombësve të saj dhe institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, në prag të njëvjetorit të hapjes së bibliotekës më të veçantë në hapësirat mbarë shqiptare, Linknest, shkruan KultPlus.

Nesër bëhen 116 vite nga mbajtja e “Kongresit të Manastirit”, në të cilin u vulosën shkronjat e alfabetit shqip, dhe një vit nga hapja e bibliotekës shqipe në po këtë vend, si i vetmi objekt i cili tregon që ky qytet është dhe ka qenë shqiptar. Këto dy ngjarje të kundërta me njëra tjetrën tregojnë historinë dhe fatin e keq të këtij qyteti, i cili kombit shqiptar i dha elementin kryesor të gjuhës, alfabetin.

Gjuha është elementi kryesor identitar i një populli, me të cilin ne në rastin tonë do të duhej të mburreshim, pasi faktet historike e listojnë shqipen ndër gjuhët më unike dhe më të vjetra në Evropë. Por, vetë fakti që Manastiri tanimë ka vetëm një bibliotekë me libra shqip, flet për një histori të dhimbshme asimiluese të qytetit të iluminizmit shqiptar. Megjithatë, një dritë në fund të errësirës shekullore të tunelit është shfaqur.

Emira Selimi, është nismëtarja e hapjes së kësaj biblioteke në këtë qytet kaq domethënës për kulturën dhe historinë tonë, e cila po i jep zë historisë së lavdishme të Manastirit dhe po e orienton atë drejtë rrënjëve të saj. “Linkest” përveçse një bibliotekë e cila është mirëpritur nga shqiptarët e zonës, është shëndrruar edhe në çerdhe “zogjësh” të cilëve iu mësohet të interpretojnë Himnin Kombëtar, iu mësohet historia e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha iu injektohet ideja për të studiuar në shtetin amë, prej nga edhe mund ta fuqizojnë dhe mbrojnë identitetin e tyre, të marrë padrejtësisht nga etni të tjera.

Në prag të një-vjetorit të bibliotekës, është paralajmëruar një festë e veçantë me këngë dhe poezi të bukura të Manastirasve. Pjesë e festës do të jetë po ashtu edhe një ekspozitë me krijimtarinë artistike të pjesëtarëve të bibliotekës, mbi të gjitha me motive kombëtare. Për të treguar sfidat, rezultatet dhe ecurinë e këtij institucioni dritëdhënës, Emira Selimi ka shpalosur detaje përmes një interviste me mediumin KultPlus:

KultPlus: Si do ta përshkruanit vitin e parë të funksionimit të Bibliotekës së Manastirit?

Emira Selimi: Sprovat dhe sfidat nuk janë ndalur as edhe një moment por mrekullia e gjithë këtij suksesi ka qenë ardhja e fëmijëve shqiptarë të Manastirit në bibliotekë. Gjatë gjithë vitit bibliotekën e kanë vizituar shumë njerëz nga gjitha trevat e tona shqipfolse, ato më kanë dhënë motiv se unë këtu në këtë qytet nuk jam vetë. Suksesi kërkon sfida dhe sakrifica andaj unë i shtrëngoj dhëmbët në çdo sprovë pasiqë qëllimi im kryesor është që Manastiri të kthehet siç ishte dikur dhe andaj punoj me kënaqësi, vullnet dhe shpresë.

KultPlus: Cilat kanë qenë arritjet kryesore të Bibliotekës gjatë këtij viti?

Emira Selimi: Arritja më e madhe e bibliotekës është që fëmijët kanë lexuar libra çdo javë. Për t’i nxitur fëmijet të lexojnë unë është dashur të sakrifikoj akoma më shumë dhe plani ka qenë kush lexon ka dhurata. Kjo fëmijët i ka motivuar. Me këtë ata filluan të lexonin pa ndalur që të arrijnë deri te dhurata, kjo metodë ndikoi shumë pozitivisht te fëmijët, pasi librat fëmijët shqiptarë të Manastirit i ndihmuan të kenë mendim kritik dhe të kenë oratori të pastër, fëmijët e bibliotekës po i mbushin me informacione dhe fëmijët po reagojnë, ata po e njohin kulturën dhe Shqipërinë nga faqet e librave shqip, fëmijët bibliotekën e shikojnë si ambasadë shqiptare dhe ata e shprehin këtë me të gjithë, himni kombëtar shqiptar këndohet në bibliotekë nga fëmijët e tanë, ato e shikojnë bibliotekën si shpresë. Ne i nxisim ata që të lidhen me Shqipërinë dhe i orientoj për studime në Tiranë, ua kam ngulitur në kokë dhe fëmijët dhe prindërit këtë ide e duan dhe e kanë pranuar.

KultPlus: Si është pritur nga komuniteti hapja dhe aktivitetet e Bibliotekës?

Emira Selimi: Biblioteka nga Manastirasit është pritur shumë mirë, shqiptarët e Manastirit e duan dhe e mbështesin bibliotekën. Ata janë shumë të lumtur dhe e pohojnë se një gjë e tillë u ka munguar atyre në Manastir. Ata vijnë dhe huazojnë libra dhe më pas i kthejnë, jo vetëm nga qyteti por edhe nga fshatrat vijnë dhe marrin libra. Vlen të potencohet që Manastiri ka 7 fshatra të banuar me shqiptarë.

KultPlus: Çfarë aktivitetesh keni planifikuar për të shënuar njëvjetorin e hapjes së Bibliotekës?

Emira Selimi: Për përvjetorin e bibliotekës kemi planifikuar t’i falenderojmë gjithë shqiptarët anembanë trevave tona për kontributin e tyre për mbledhjen e librave, më pas fëmijët që i dhanë dritë bibliotekës t’i fikin qirinjtë e parë të bibliotekës së tyre, të këndohen këngë dhe poezi nga manastirasit dhe më pas të hapet ekspozita me punimet e fëmijëve të Manastirit që i kanë përgatitur për nder të përvjetorit të bibliotekës Linkest.

KultPlus: Si ka ndikuar Biblioteka në jetën kulturore dhe edukative të Manastirit gjatë këtij viti?

Emira Selimi: Jashtëzakonisht shumë mirë ka ndikuar biblioteka në bashkëpunim me mësueset e qytetit. Të potencojmë që këtu libri shqip ka munguar shumë dhe këtë e shprehin edhe vetë mësueset. Kemi shumë festa që marrim pjesë bashkë si Viti i Ri, dita e librit, festa mësuesit, dita flamurit etj, të gjitha këto i bëjmë bashkë me fëmijët tanë. Ne planifikojmë që fëmijët ti dërgojmë edhe në Prekaz dhe Vlorë. Të gjitha këto aktivitete janë në dobi të fëmijëve që sa më shumë ato të afrohen me shtetin amë Shqipërinë. Fëmijët janë shumë të vegjël dhe ka qenë shumë më e lehtë puna me ta përderisa ata akoma janë të vegjël. Manastiri duhet të kthehet në qendër kulturore siç ishte gjithmonë edhe historikisht dhe ju them fëmijëve se këtë ëndërr mund ta zgjoni vetëm ju. Ne çdo muaj mundohemi të bëjmë diçka të bukur për kombin dhe Manastirin. Aktivitetet na mbajnë të motivuar përballë problemeve që na paraqiten atje.

KultPlus: Cilat kanë qenë reagimet më domethënëse nga vizitorët dhe lexuesit gjatë këtij viti?

Emira Selimi: Zakonisht emocionohen kur vinë, se kur e shëtisin Manastirin asgjë nuk shikon në gjuhën shqipe, kur futen në bibliotekë me mijra libra shqip. Poashtu dhe ne ndodhemi në qendër “Shirok Sokak” Shqiptarët emocionohen menjëherë shumë. Më shumë më prekin fjalët e fëmijëve, kur më japin komplimente me fjalët e tyre rrënqethëse. Këto mbesin në zemrën dhe mendjen time gjithë kohës. Me fëmijët kam kaluar një vit të mrekullueshëm.

KultPlus: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur në vitin e parë të funksionimit?

Emira Selimi: Për ata që nuk e dinë, mua nuk më lejuan ta hapja bibliotekën në katin përdhesë të Muzeut të Alfabetit. Andaj unë mbeta me librat në rrugë dhe u detyrova të marr objekt tjetër në Manastir me qera, qeraja e të cilës është 1500€ në muaj me tatim. Dhe unë 1 vit e mbaj vetë me qindra sakrifica e strese pa fund. Asnjë institucion nuk më ka përkrahur pa asnjë arsye. Sfida më e madhe e imja është kjo, kam kërkuar ndihm shumë herë në shumë shoqata por ka qenë e kotë, askush nuk më ka ndihmuar, doja të filloja me antarsimet online që të mbijetoja as atë nuk më lejuan, gjithë kohës jam bllokuar por sërish mrekullikisht kam mbijetuar.

KultPlus: Çfarë vizioni keni për zhvillimin e Bibliotekës në vitet e ardhshme?

Emira Selimi: Kjo nuk është vetëm bibliotekë është përtej saj. Kati i tretë i bibliotekës është bërë si një shkollë e vogël. Aty dua që cdo javë të mbahen ligjerata historie për Manastirasit, të ftoj studiues, historianë, shkenctarë që Manastiri sërish të kthehet vatër të kulturës për kombin tonë. E them gjithmonë që çdo bibliotekë është e veçantë por kjo është disi më ndryshe, këtë e themeloi kombi shqiptarë dhe askush tjetër por qytetarët tanë nga gjitha trevat shqipfolse.

KultPlus: Çfarë do t’i përcillnit publikut për rëndësinë e një institucioni siç ka Biblioteka për një qytet si Manastiri?

Emira Selimi: Kjo bibliotekë i ka mbi 100 fëmijë shqiptarë të vegjël vetëm brenda 1 viti, kjo bibliotekë shqiptarët e Manastorit i ka bërë të mos ndjehen vetëm, andaj ju lus që ta mbajmë në jetë bibliotekën shqipe në qytetin e Alfabetit. Mjaftë kemi humbur duke i anashkaluar qytetet më të rëndësishme shqiptare, tani është koha të kthjellemi. Biblioteka dhe manastirasit kanë nevojë për shqiptarët, biblioteka është shpresë për rikthimin e këtij qyteti historik. Kjo bibliotekë është qendër kulture për shqiptarët në Manastir. Të gjithë shqiptarët duhet të vinë në bibliotekë dhe ta mbështesin. Biblioteka në Manastir po e mbron gjuhën shqipe dhe historinë e kombit tonë për shqiptarët e Manastirit.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për komunitetin, për ata që e kanë mbështetur Bibliotekën dhe për ata që ende nuk e kanë vizituar?

Emira Selimi: Mesazhi im është mos më lini vetë. Më shumë se kurrë kam nevojë për bashkëkombasit e mi të më mbështesin. Të gjithë ju që e ndihmuat bibliotekën do të mbeteni në histori, ju që nuk e keni vizituar ende Manastirin ejani se është qyteti më i mrekullueshëm i shqiptarëve. Manastiri është qyteti i iluminizmit, ju lutem ejani dhe na vizitoni në Manastir./ KultPlus.com

Konferencë Shkencore Ndërkombëtare për shqipen në Muzeun e Alfabetit në Manastir

Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe i gjuhës shqipe”.

Thirrja bëhet për pjesëmarrje me kontribut shkencor. Propozimet mund të dërgohen drejtpërsëdrejti në adresën e komitetit shkencor-organizues ose në Akademinë e Shkencave, e cila do të mbështesë pjesëmarrësit në konferencën, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor, në mjediset e Muzeut të Alfabetit në Manastir (Maqedoni e Veriut).

Kjo konferencë mbahet në kuadër të veprimtarive nderuese për përvjetorin e Kongresit historik të Manastirit dhe të festës zyrtare të shqipes në Maqedoninë e Veriut.

Viti 2024 në Shqipëri është shpallur “Vit i gjuhës shqipe”: 22 nëntori, dita e fundit e Kongresit të Manastirit, është vendosur të shpallet festë zyrtare e shqipes.

Gjatë ditëve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave do të paraqesë për herë të parë (në Tiranë) publikisht në mënyrë tërësore realizimin e projektit shkencor madhor për “Fjalorin e madh të shqipes”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë është bashkorganizuese e veprimtarisë. Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në MV dhe Agjencia e Zbatimit të Dygjuhësisë, janë në rolin e mikpritësit dhe organizatorë kryesorë të saj, me pjesëmarrjen e disa universiteteve në Shqipëri e MV.

Në Manastir hapet biblioteka e parë shqipe

Sot është hapur Biblioteka e parë shqipe, në qytetin e Alfabetit, në Manastir nga iniciativa e studentes Emira Selimi, përmes donacioneve të shumta shkruan KultPlus.

“Faleminderit Kombi im, ju e themeluat Bibliotekën e parë shqipe në Manastir. Kjo Bibliotekë sot u hap”, ka shkruar Selimi në facebook.

Kjo ceremoni e hapjes së kësaj biblioteke, u përcoll edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili ka thënë se ruajtja e gjuhës është thirrje për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, ka shkruar ai.

Hapja e kësaj Biblioteke u inicua nga studentja Selimi, e cila kohë më parë publikoi iniciativën për ta shpëtuar shqipen nga asimilimi në Manastirin e alfabetit shqip.

“Çfarë vendos Zoti, nuk e ndal dot njeriu. Faleminderit Zot që më mbrojte gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë,” ka shkruar Selimi në facebook./KultPlus.com

Muzeu automobilistik në Manastir, iu dhuron vizitorëve një udhëtim nëpër kohë

Muzeu etnografik dhe automobilistik “Filip” në qytetin e Manastirıt në Maqedoninë e Veriut, i çon vizitorët në një udhëtim në kohë.

I gjendur në fshatin Kërklinë, rreth 10 kilometra nga qendra e qytetit, ajo çka tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në muze, janë automjetet klasike, motorët, biçikletat dhe mjete të ndryshme.

Në mesin e automjeteve që po ekspozohen në këtë muze janë një Simca Ariane e vitit 1953, si dhe automjete klasike Ford Taunus, Plymouth Valiant, Moskviç.

Përveç automobilave, vëmendjen e vizitorëve tërheqin edhe motoçikletat dhe biçikletat e modeleve të vjetra.

Muzeu etnografik dhe automobilistik “Filip” në qytetin e Manastirıt në Maqedoninë e Veriut, i çon vizitorët në një udhëtim në kohë

Në katin e dytë të muzeut gjenden dhoma të veçanta të emëruar si dhoma turke, hebreje dhe fshati. Në këto dhoma, lloje të ndryshme të sendeve dhe veshjeve që u përkasin kulturave të lartëpërmendura mirëpresin vizitorët.

Pronari dhe iniciatori i muzeut Boris Tanevski, për Anadolu Agency rrëfeu karakteristikat e muzeut dhe koleksionin e automjeteve që i ka mbledhur ndër vite.

Këtë vit, muzeun më së shumti e kanë vizituar turistë nga Turqia dhe Holanda./TopChanel/KultPlus.com

Ekspozitë për veshjet e Manastirit në shtëpinë muze të Sterjo Spasses

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Korçë paraqiti ekspozitën “Veshjet e qytetit” Manastir, në shtëpinë Muze të Sterjo Spasse, në Gollomboç.

Ky aktivitet u realizua në zbatim të projektit SMART4YOU2 projekt i implementuar nën Programin Ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ku DRTK Korçë është partner.

Ekspozita “Veshjet e Qytetit – Manastir”, prezanton objekte nga koleksioni i NI “Instituti dhe Muzeu”- Manastir, të cilat sipas DRTK, datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.

Ndonëse, numri i mostrave nuk është i madh, megjithatë pasqyron zhvillimin kulturor dhe historik të Manastirit e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane./ KultPlus.com

Në Manastir gjenden 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore

Autoritetet në Maqedoni kanë zbuluar një lokacion në qytetin e Manastirit me 15.000 granata të Luftës së Parë Botërore, ka bërë të ditur TV Telma, përcjell Kossev të mërkurën.

Municioni është gjetur në afërsi të stadiumit të Manastirit.

Sipas mediave, 5.000 granata të kalibrit 75 milimetra tashmë janë deponuar në një kazermë në Manastir, 5.000 të tjera janë gati të transportohen, kurse po aq janë ende në tokë.

“Janë rreth 15.000 copë. Këto përbëjnë 120 tonë granata, në të cilat ka pesë tonë trotil. Por me kaq nuk ka përfunduar. Të hënën duhet të ndalet qarkullimi, të prishet rruga në mënyrë që të vijmë deri te niveli ku janë fshehur granatat në tokë”, ka thënë drejtuesi i ekipit piroteknik, Eftim Mitrov.

Siç raportohet, pozicioni ishte i braktisur nga një prej palëve në Luftën e Parë Botërore, por ende nuk dihet për cilën bëhet fjalë.

“Kjo sasi municionit në një vend jo që nuk është gjetur kurrë në Maqedoni, por as në Ballkan. Ende nuk dihet se cilës palë i ka takuar, por është fat për ne që ushtarët kur janë larguar i kanë marrë siguresat në mënyrë që kundërshtarët të mos i shfrytëzojnë. Po të ishin me siguresa, nuk do të kishte mënyrë t’i nxjerrim nga toka”, ka thënë Mitrov. / KultPlus.com

Kur shqiptarët dëboheshin nga Manastiri

Në kryeqendrën e qytetit të Manastirit kanë jetuar një numër i madh i shqiptarëve gjatë gjithë periudhave historike.

Me rënien e Perandorisë Osmane ka patur lëvizje dhe dyndje të popullatës shqiptare nga Manastiri, por dhe nga gjithë rrethina e sajë, duke e marrë parasysh si Vilajet në tërësi.

Sidomos gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parës dhe të Dytës, por edhe gjatë luftës së Parë botërore, askush nuk e din numrin e saktë të të dëbuarve dhe të dyndurve shqiptarë që kanë lëvizur për nga Turqia dhe Rumania, por dhe për në Itali, Bullgari, e deri në Ukrainë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pas kësaj periudhe vazhdon spastrimi etnik dhe dyndjet e mëdha të shqiptarëve nga Manastiri dhe rrethina e tij.

Ata, gjatë viteve të pasluftës hasin në shtypje të mëdha duke ua uzurpuar pronat dhe pasuritë e patundshme, por edhe arin, duke ua ndaluar veshjen tradicionale, dhe më pas me planin dhe marrëveshjen e Titos dhe Menderezit nga pala turke, shqiptarët u shpërngulën për në Anadoll, duke i detyruar ata që të deklaroheshin turq.

Që nga viti 1951 e deri vitin 1968, nga Manastiri dhe rrethi i tij janë shpërngulur për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe Evropë, mbi 38 000 shqiptarë. Por nuk mbeti me kaq. Shqiptarët nga këto anë vazhduan të emigronin në vendet e lartpërmendura akoma, përmes martesave, dhe mënyrave të ndryshme.

Nga këto dyndje, pasojat janë të parapara dhe tronditëse. Disa fshatra nuk ekzistojnë më dhe si struktura urbanistike. I ka ngrënë dhëmbi i kohës. Fshatrat Snegovë, Armatush, Drevenik, Zllakuqan nuk kanë më asnjë banorë.

Tani, Manastiri ka një numër të konsiderueshëm të popullatës shqiptare, dhe atë numri më i madh jeton nëpër fshatrat përreth.

Kurse në brendinë e qytetit, ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve, dhe ata janë ardhacak nga shumë treva të tjera, si nga Struga dhe rrethi i sajë, nga rrethi i Krushevës, Prilepit dhe Prespës. Qytetar të vjetër Shqiptar të Manastirit më s’ka. Ata jetojnë tanimë në Stamboll të Turqisë, një numër shumë i madh i tyre.

Në fillim Manastiri ka qenë një qytezë e vogël dhe kështu ka vazhduar deri në vitet 1800 – 1850. Zhvillimi i qytezës në një qytet të zhvilluar me një ekonomi të rëndësishme për Vilajetin e atëhershëm fillon pas kësaj periudhe, dhe shqiptarët këtu japin kontributin e rëndësishëm ekonomik.

Manastiri ishte një udhëkryq ku gërshetoheshin rrugët e tërë Ballkanit, apo Rumelisë si quhej atëherë. Akoma dhe asaj kohe po funksiononte rruga Antike “Via Egnatia”, e cila lidhte të gjitha Vilajetet e Rumelisë me Stambollin, kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Sidomos lidhja me Selanikun dhe bregdetin shqiptar ka qenë një rrugë arterie kryesore që ka shërbyer për tregtinë dhe këmbimin e mallrave të ndryshme.

Atëherë fillon dhe ringjallja e shqiptarëve si në aspektin frymorë, ashtu dhe at ekonomik. Shqiptarët fillojnë të participojnë në ekonominë e qytetit.

Bëhen pronarë të objekteve të ndryshme, si të tregjeve, haneve (hoteleve të asaj kohe), hamameve (banjave publike), zejtarinë e marrin në dorë, merren me tregti, dhe me shumë veprimtari të tjera të kohës. Ndërtohet hani i Dibrës, ai i Kërçovës, hoteli “Liria”, shtypshkronja e Qiriazëve, ngritja e Bezistanit gjithashtu ndihmohet nga shqiptarët, etj.

Janë disa familje të njohura e të ngritura në nivelin aristokrat të kohës si ajo e Gërmenjëve, Qirjazve, familja Topulli, Zavalanët, etj. Shqiptarët në Manastir ishin gati të dytit sipas dominimit ekonomik pas hebrenjëve dhe grekëve.

Shqiptarët ishin të përfshirë edhe në administratën e pushtetit osman këtu në selinë e Vilajetit të Manastirit, e njëri nga valitë e Vilajetit, ishte me prejardhje shqiptare. Por kjo e gjithë shkatërrohet gjatë luftërave Ballkanike, asaj të Parë Botërore, të Dytës dhe pas saj.

Pronat e shqiptarëve bien në duart e okupatorëve dhe dhunuesve sllav dhe u merren gati pa pagesë, pasi shqiptarët iknin për në Anadoll.

Pas luftës së Dytë Botërore, ata që mbetën të jetojnë në Manastirin e Jugosllavisë, ishin vetëm krah pune nëpër fabrikat që hapeshin për ardhacakët nga fshatrat sllave. Asnjë prej tyre nuk ishte në pozitë drejtuese, as nëpër fabrikat e kombinatet, e as nuk ishin të përfaqësuar në administratën shtetërore të atëhershme./KultPlus.com

Dita e Alfabetit, në Shkup apo në Manastir

Kryeqendra e aktiviteteve me rastin e 110 vjetorit të Ditës së Alfabetit do të jetë Shkupi.

Ngjarjet kryesore parashikohen të zhvendosen këtë vit në Shkup, ndërsa në Manastir manifestimet do të zhvillohen gjatë një javë, ditëve kur ka nisur dhe është mbyllur kongresi, shkruan gazeta KOHA. Në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ku prej disa vitesh kujdesen për organizimin e kësaj date, janë duke bërë gati programin për këtë ditë, që duhet të miratohet nga Qeveria.

Gjasat janë që këtë vit, Parlamenti të jetë një prej destinacioneve ku do të zhvillohen një pjesë e aktiviteteve. Disa muaj më parë, nën patronazhin e kreut të Parlamentit, Talat Xhaferi u ngrit një Këshill i posaçëm, i angazhuar për të hartuar kalendarin e aktiviteteve me të cilat Maqedonia i bashkëngjitet ftesës për shënimet mbarëkombëtare. Ndërsa në Manastir shënimet zgjasin një javë. Nga Muzeu i Alfabetit apelojnë që në përvjetorë të tillë qytetit ku u mbajt Kongresi duhet t’i jepet rëndësia që e meriton.

“Ne jemi duke u përgatitur për të shënuar këtë datë me aktivitete që do të zgjasin nga 12-22 nëntor. Përveç Akademisë solemne, konferencave, do të ketë edhe manifestimeve me karakter artistik, si ekspozita, koloni, koncerte. Gjithsesi mendoj se kjo datë duhet që si pikë kryesore duhet të ketë Manastirin. Viteve të kaluara ishte traditë që vëmendja të përqendrohej në Shkup, por është mirë që Manastiri të mos rrijë në hije. Është e drejtë e shqiptarëve të festojnë në çdo qytet, por manifestimi kryesor duhet të mbahet këtu, në Manastir”, thotë për KOHA, drejtori Nuer Arsllani. Edhe Instituti i Trashëgimisë është pjesë e aktiviteteve për 22 nëntorin, por edhe të Vitit të Gjergjit.

Drejtori i ITSHKSH dhe zëvendëskryetar i Këshillit, Skënder Asani, thotë se instituti është bartës i aktiviteteve që janë zhvilluar deri tani dhe do të vijojnë deri në fund të vitit. Sipas Hasanit, krahasuar me Shqipërinë apo Kosovën, shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të kenë aktivitete shumë ambicioze, siç është promovimi i librit për Skënderbeun, Java e Kulturës shqiptare, dokumente të pabotuara për familjet katolike në kuadër të 90 vjetorit të largimit të Nënë Terezës nga Shkupi, e të tjera.

“Në Parlament do të zhvillohet një ceremoni solemne, këtë vit kemi përputhje mes këtij përvjetori, por edhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme për ne shqiptarët, si ligji për gjuhën shqipe. ne si Këshill jemi duke vazhduar me realizimin e programit të parashikuar, që deri në fund të vitit do të ketë edhe shumë ngjarje të tjera interesante”, thotë zëvendëskryetari i Këshillit, Asani.

Edhe pse “Viti i Skënderbeut” u shpall si një vit i aktiviteteve mbarëshqiptare, koordinimi mes tre vendeve për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ka qenë i vogël. Në Maqedoni Viti i Gjergjit nisi më 17 janar, me shënimin e përvjetorit të 550 të vdekjes së Skënderbeut dhe promovimin e pullës postare me imazhin e heroit kombëtar./ KultPlus.com

Sot shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 107 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit:

Rreshti i parë (nga lart, nga e majta: Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina(i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqëri së “Agimi”).

Rreshti i dytë: Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri (i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).

Rreshti i tretë: Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë – Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (i Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (i Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit).

Rreshti i katërt: Refik Toptani (i Tiranës), ÇerçizTopulli, Mihal Grameno (i Korçës). Anash janë dy patriotë jo delegatë.

Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës – por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibr ahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit)./ KultPlus.com

Mar Saba, manastiri historik në Palestinë që ndalon hyrjen e grave

Manastiri 1.500-vjeçar Mar Saba në afërsi të Betlehemit në Palestinë, sot e kësaj dite ruan shumë tradita të veçanta për këtë manastir. Në kuadër të këtyre traditave, grave nuk u lejohet hyrja në këtë manastir.

Manastiri Mar Saba është themeluar në një maje në afërsi të qytezës Ubejdije, e cila gjendet 20 kilometra në jug të Betlehemit.

Thuhet se një nga personalitetet e rëndësishme të botës së krishtere, Juhana el-Dimashki, ka qëndruar kohë të gjatë në këtë manastir dhe se themelet e shumë ritualeve të Kishës Ortodokse janë hedhur për herë të parë në këtë manastir dhe janë përhapur gjetkë në botë.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), murgu Kelaritosh thotë se është ndërtuar nga ana e Shën Mar Sabasë, i cili së bashku me dishepujt e tij, në fund të shekullit të pestë ka ardhur në këtë rajon. / KultPlus.com