Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë, legjenda dhe histori për t’u vizituar

Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë është një objekt kulti unikal për stilin e ndërtimit. Bazilika dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve që ndodhet në majën e kodrës qëndron përballë Kalasë së Lëkurësit.

Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë fton të vizitohet manastiri duke shkruar online: “Mos thuaj që kam qënë në Sarandë nëse nuk ke vizituar Manastirin e 40 Shenjtorëve, i cili i ka dhënë emrin këtij qyteti!”

Manastiri ndodhet rreth 4 kilometra larg qendrës së Sarandës. Manastiri i 40 Shenjtorëve ka një legjendë që lidhet me 40 ushtarë të krishterë, të cilët ishin vënë përballë dy alternativave: o të ndërronin fenë, o të pranonin vdekjen në kushtet e të ftohtit. Por ata refuzuan dhe u dënuan me tortura. I detyruan të qëndronin lakuriq në të ftohtin e dimrit dhe të qelive.

Gojëdhëna e mbetur në Sarandë thotë se 30 ishin të shenjtë dhe 10 demonë, të cilëve u përket nga një dhomë e nëndheshme. Në qelitë janë zbuluar piktura murale, mes të cilave ajo e një dishepulli që vlerësohet si një nga më të vjetrat e periudhës bizantine.

Manastiri i 40 Shenjtorëve duhet të jetë ndërtuar si qendër e rëndësishme pelegrinazhi për të tërhequr besimtarët kristianë nga gjatësia e Adriatikut dhe thellësia e Ballkanit. Mendohet se kisha ka qenë funksionale deri në mesin e shek.19-të, falë kujdesjes së një komuniteti të vogël murgjish. Më past bazilika u braktis. / atsh / KultPlus.com

Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë, një nga monumentet me arkitekturën më unike

Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve, ndodhen në një kodër dominuese në lindje të qytetit të Sarandës, 3.5 km nga qendra e qytetit.

Ky manastir, i konsideruar si një nga monumentet me arkitekturën më unike, është një ndër destinacionet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma ndau në rrjetet sociale pamje nga ky manastir duke ftuar turistët ta vizitojnë atë gjatë qëndrimit të tyre në qytetin bregdetar të Sarandës.

Bazilika e tij shpesh është cilësuar si një ndër kishat më të bukura të antikitetit të tonë në Shqipëri dhe ka qenë qendër e rëndësishme pelegrinazhi kushtuar kultit të 40 Shenjtorëve.
Ambientet e brendshme të saj kanë një plan unik në formë shtatëkëndëshe (për shkak të shtatë apsidave), ku tre ndodhen në nefet anësore dhe një apsidë e dalë në nefin qendror.

Në të ruhen ambientet nëntokësore, si një vend i fshehtë i konceptuar në formën e kriptave. Nëpërmjet një korridori oval kalohet nëpër 9 kriptat, të realizuara me harqe të rëndë e të fuqishëm, muret e të cilëve kanë qenë me afreske.

Manastiri ka pasur dhe ambiente të tjera ndihmëse për pritjen e pelegrinëve dhe vazhdoi të përdorej deri në mesin e shek. XIX nga një komunitet i vogël murgjish. Muret e tij ishin në këmbë deri në vitet 1940, kur u rrëzuan nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.

Rrënojat ekzistuese, por edhe fotografi të viteve ‘30-të, tregojnë se Kisha kishte një strukturë madhështore, gati 40 m e gjatë dhe 24 m e gjerë./ atsh/ KultPlus.com