Manastiri i Deçanit sivjet s’figuron në listën e shtatë monumenteve të rrezikuara

Manastiri i Deçanit sivjet nuk është futur në listën e shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë.

Në listën e sivjetme, figurojnë varrezat përkujtimore partizane në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës, peizazhi kulturor i Sveti Stefan në Mal të zi, mullinjtë me ujë të Bistricës në Petrovac i Mllavës në Serbi, por jo edhe Manastiri i Deçanit që ndodhet në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Programi “7 më të rrezikuarat” është një fushatë e shoqërisë civile për të shpëtuar trashëgiminë e rrezikuar të Evropës.

Përmes këtij programi rritet ndërgjegjësimi, bëhen vlerësime të pavarura teknike, propozohen rekomandime për veprim dhe kërkohet mbështetje për të shpëtuar monumentet e rrezikuara.

Të qenit në listën e “7 më të rrezikuarave” shpesh shërben si një katalizator për veprim dhe si një nxitje për mobilizimin e mbështetjes së nevojshme publike ose private. /klankosova.tv / KultPlus.com

Listuan Manastirin e Deçanit si monument të rrezikuar, Europa Nostra zbarkon vetë në Kosovë

Një delegacion i organizatës evropiane “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore po qëndron në Kosovë. Ata kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar, raporton Gazeta Express.

Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.

“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjic në Twitter.

Futjen e Manastirit të Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë letër, shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e “7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë” ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Misioni i KFOR-it në Kosovë prillin e vitit të kaluar në një një përgjigje për Express, kanë deklaruar se nuk kanë regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në 10 vitet e fundit.

“Ne nuk kemi regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm të sigurisë në dhjetë vitet e fundit kundër Manastirit të Deçanit. KFOR-i do të vazhdojë të operojë me qëllim të garantimit të një bashkekzistence paqësore në atë zonë. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën duhet të respektohen dhe të ruhen. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në përputhje me parimin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express. / KultPlus.com

QUINT’i përsëri me kërkesë ndaj Qeverisë për Manastirin e Deçanit

Shtetet e QUINT’it me një deklaratë të përbashkët i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e Manastirit të Deçanit.

“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar”, thuhet në reagimin e tyre.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës thanë se zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike.

“Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

Ata thanë se janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës.

“Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”./Gazeta Express/ KultPlus.com

Historianët kundër Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, përmes një aksioni ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të mos zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.

Shkodran Imeraj kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës vendimin e Gjykatës Kushtetuese të para 5 vitesh për pronat rreth Manastirit të Deçanit e ka quajtur skandaloz dhe antikushtetues i cili i vë në zbatim ligjet e Serbisë.

Imeraj në këtë konferencë për medie i ka bërë thirrje edhe ambasadorëve të QUINT-it që mos të kërkojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka kërkuar intervenim të shpejt edhe nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Madje kanë paralajmëruar edhe radikalizim të veprimeve të tyre për të kundërshtuar zbatimin e vendimit.

Selim Lokaj historian kërkoi që ta liroj pozitën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Cakaj pasi saç tha ai ajo ka ardhur në këtë pozitë pasi ajo ka qenë pjesë e grupit të gjyqtarëve që kanë marr vendimin.

Ndërkohë që të mërkurën ambasadorët e QUINTI-it kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që zbatojnë vendimin e gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në deklaratën e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe ShBA-së në Kosovë thuhet edhe se respektimi i sundimit të ligjit është detyrimi për të gjitha qeveritë.

Po të mërkurën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe minsitri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku i kanë dërguar një letër presidentit ekzekutiv të “Europa Nostra” në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit” në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.

Në këtë letër është thënë se vendimi i “Europa Nostra” është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht.

“Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të ‘Europa Nostra’”, thuhet në letrën e dy ministrave.

Ministri Çeku të martën i ka dërguar letër edhe organizatës Future for Religious Hertiage (E ardhmja për trashëgimi fetare) e cila kishte nominuar Manastirin e Deçanit për listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë” të “Europa Nostra”.

Në këtë letër, ministri Çeku shtron pyetjet që ka ai dhe i gjithë shteti i Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për ta nominuar njërin prej monumenteve më të sigurta në Evropë në listën më të rrezikuar.

Kujtojmë së kohë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra” nëpërmjet të cilës i kishin shpalosur argumente përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. / Gazeta express/ KultPlus.com

Gërvalla dhe Çeku i dërgojnë letër Presidentit të Europa Nostra për Manastirin e Deçanit

Zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i kanë dërguar letër Presidentit Ekzekutiv të Europa Nostra në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Europë.

Vendimi i Europa Nostra është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht. Gjatë procesit, Europa Nostra nuk e ka vizituar Kosovën e Manastirin, dhe nuk është konsultuar me palët e interesit. Manastiri i Deçanit dhe çdo kishë ortodokse në Kosovë gëzojnë nivelin më të lartë të sigurisë. Me këtë letër, Ministrat ftuan organizatën Europa Nostra në Kosovë për ta parë nga afër monumentin dhe për të biseduar me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët. Dëmi që iu shkaktua reputacionit të Kosovës me këtë vendim të pabazuar duhet të kompensohet pa vonesë.

Më poshtë ju ftojmë të lexoni letrën e plotë në gjuhën shqipe:

I nderuari z. Hermann Parzinger, President Ekzekutiv i Europa Nostra,

Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës shprehim shqetësimin tonë për vendimin e Europa Nostra për të përfshirë Manastirin e Deçanit në listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë”. Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të Europa Nostra.

Ne ju ftojmë të vizitoni Kosovën dhe shihni nga afër gjendjen e Manastirit të Deçanit. Gjatë marrjes së këtij vendimi keni neglizhuar një dimension esencial, konsultimet me palët e interesit, ndërsa keni marrë për bazë një tekst tendencioz dhe joprofesional të organizatës nominuese. Prandaj, ju ftojmë të vini dhe të bisedoni me banorët e zonës, klerikët e Manastirit, organizatat e shoqërisë civile, profesionistët, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, zyrtarët e shtetit dhe të tjerët.

Është vlerësim i pavarur dhe profesional i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara. Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tonë. Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e në veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale, ajo i takon krejt njerëzimit, brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. Në këtë frymë, ju ftojmë për bashkëpunim parimor me synim mbrojtjen sa më efektive të trashëgimisë kulturore. Jemi kundër instrumentalizimit të trashëgimisë kulturore për përfitimet politike të njërit shtet apo tjetrit.

Vizita e delegacionit tuaj në Kosovë propozojmë të realizohet sa më shpejtë. Dëmin që ia keni shkaktuar reputacionit të Kosovës me vendimin tuaj të padrejtë dhe të pabazuar, duhet ta kompensoni pa vonesë. Jemi të prirur të besojmë që rezultati i vizitës dhe vlerësimit tuaj të gjendjes do të rezultojë me rishikimin e listës tuaj duke e larguar Manastirin e Deçanit. / KultPlus.com

“Europa Nostra” i kthen përgjigje Osmanit e Kurtit për Manastirin e Deçanit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë drejtuar një letër organizatës Europe Nostra më datë 18 mars 2021, ku kanë shpalosur argumentet përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”, shkruan KultPlus.

Andaj sot, Europe Nostra i është përgjigjur letrës së Osmanit dhe Kurtit, ku fillimisht i kanë uruar për zgjedhjet e tyre në krye të shtetit të Kosovës, e tutje kanë treguar që janë shqyrtuar me kujdes pikëpamjet e tyre.

KultPlus ju sjell përgjigjen e plotë të Europa Nostra:

E nderuara znj. Presidente,

I nderuari z. Kryeministër,

Së pari na lejoni t’ju urojmë për zgjedhjen tuaj si Presidente, respektivisht Kryeministër i Kosovës. Ju urojmë çdo sukses në ushtrimin e përgjegjësive tuaja të rëndësishme në dobi të ofrimit të një të ardhmeje europiane për vendin tuaj dhe qytetarët e tij.

Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 18 mars, të cilën ju ia keni drejtuar Bordit të Europa Nostra si dhe Panelit Këshillëdhënës të programit tonë 7 Më të Rrezikuarat. Dëshirojmë t’ju sigurojmë se i kemi shqyrtuar me kujdes pikëpamjet tuaja sa i përket Manastirit të Deçanit i cili është pjesë e Listës së Monumenteve Botërore në Rrezik dhe i cili ka hyrë në listën tonë të ngushtë të 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Europë për vitin 2021.

Ju lutemi të keni parasysh se lista jonë e sivjetme e 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Europë do të bëhet publike më 8 prill 2021. Dëshirojmë të kujtojmë se duke bërë publike një listë të tillë vit pas viti, Europa Nostra dhe partneri ynë, Instituti i Bankës së Investimeve Europiane, angazhohemi të veprojmë si katalizatorë për ndryshim pozitiv dhe dialog të kthyer nga e ardhmja i cili është i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Europës.

Në lidhje me sa u tha më lart, e vlerësojmë angazhimin tuaj të fuqishëm për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë, që është pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore e Europës dhe Botës. Ju falënderojmë për ftesën tuaj për të organizuar një takim ku do të diskutonim mënyra për të zhvilluar bashkëpunim në të ardhmen. Shpresojmë fuqishëm që së shpejti do të bëhet e mundur të udhëtojmë sërish dhe të organizojmë një vizitë në Kosovë. Në ndërkohë, ju sugjerojmë të mbajmë një video konferencë virtuale në javët në vijim.

Në kuadër të përkushtimit tonë të fuqishëm për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkanin Perëndimor, si një komponent jetik i rrugëtimit dhe të ardhmes së tyre europiane, mirëpresim bashkëpunimin me organe publike dhe private që janë aktive në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë si dhe në të gjitha vendet e tjera në rajon.

Në emër të Bordit të Europa Nostra,
Sinqerisht
Hermann Parzinger,
President Ekzekutiv. / KultPlus.com

Mediat e huaja: Komuna e Deçanit refuzon t’ia dorëzojë tokën manastirit serb (VIDEO)

“Edhe pse jemi të vetëdijshëm për pasojat që mund të rrjedhin nga moszbatimi i vendimit të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese, ne jemi shumë të vendosur që të mos e zbatojmë atë”, ka shkruar Bashkim Ramosaj në llogarinë e tij në Facebook.

Kanali i lajmeve Channel News Asia, ka shkruar se si kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, refuzon që t’ia dorëzojë një pjesë të konsiderueshme të tokës manastirit ortodoks serb që mbrohet nga organizata UNESCO.

Kjo agjenci e lajmeve tregon se si kisha ortodokse serbe ndodhet në një vend të banuar me një shumicë myslimane, ku 20 vjet më parë kishte luftë në mes serbëve dhe kosovarëve.

Manastiri i Deçanit që daton prej shekullit të 14-të, nga koha e luftës është duke u ruajtur nga forcat e NATO-s dhe ekziston një mosmarrëveshje me autoritetet lokale rreth 24 hektarëve tokë, shkruan Channel News Asia, transmeton Klan Kosova.

“Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që toka t’i takojë manastirit, i cili pretendon që parcelën ta përdorë për bujqësi”.

CNA shkruan se është kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ai i cili e ka bërë të qartë se nuk do ta respektojë vendimin, pavarësisht faktit se Bashkimi Europian ka bërë thirrje që të respektohet vendimi.

“Edhe pse jemi të vetëdijshëm për pasojat që mund të rrjedhin nga moszbatimi i vendimit të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese, ne jemi shumë të vendosur që të mos e zbatojmë atë”, ka shkruar Bashkim Ramosaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërsa përfaqësuesit e manastirit kanë thënë për mediat lokale se kjo mosmarrëveshje “krijon një ndjenjë të pasigurisë dhe të diskriminimit”./KultPlus.com

Këngët serbe dhe ‘Kosova e Metohija’ këndohen në Manastirin e Deçanit

Në territorin e Republikës së Kosovës ende dikush mund ta përdorë termin pezhorativ Kosovë e Metohi.

Sava Janjic nga Manastiri i Deçanit shumë shpesh tregon në rrjetet sociale mbi zhvillimet në këtë objekt të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Dje, Janjic ka treguar për vizitën e Patriarkut të Aleksandrisë në këtë Manastir.

“Bashkë me të ishte edhe Patriarku Irinej i Serbisë dhe anëtarë të Kishës së Aleksandrisë nga Serbia. Mes tjerash këtu është folur edhe për vuajtjen e kristiano-ortodoksëve viteve të fundit” ka shkruar mes tjerash Sava Janjic duke bashkangjitur edhe fotografi nga kjo vizitë, shkruan KultPlus.

Ajo çka shihet në këtë postim është se përdoret termi Kosovë e Metohi. Ky term është përdorur për vite nga Serbia për Kosovën, apo siç e quajnë ata – Provincën Autonome të Kosovës e Metohisë. Ky territor edhe sot njihet si pjesë e Serbisë.

“Gjatë drekës, Kori i Fëmijëve nga Kosova dhe Metohija kënduan këngë serbe. Patriarku Teodor bashkë me Patriarkun Irinej më pas u larguan për në Nish ku do të vazhdojë pelegrinazhi i Kishës Ortodokse Serbe” shkruan Janjic.
Disa herë në të kaluarën Janjiq ka mbështetur politikën serbe kundër Kosovës. Në kohën kur Kosova aplikoi për anëtarësim në UNESCO, Janjiq ishte ndër zërat më të fuqishëm kundër këtij anëtarësimi. Janjic është mjaft aktiv në Facebook, aty ku edhe poston mbi aktivitetet që ndodhin në Manastirin e Deçanit.

Manastiri i Deçanit është një monument i trashëgimisë kulturore në Deçan. Qëndrimin në Deçan mund ta përfundoni me vizitën e Manastirit të Deçanit , i ndërtuar në shekullin XIV dhe pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCOs . / KultPlus.com