Gjykata Kushtetuese ka njoftuar që Aktgjykimi i saj i viti 2016 për Manastirin e Deçanit nuk është zbatuar nga autoritetet përgjegjëse. Kushtetuesja ka rikujtuar se vendimet e saj duhet të zbatohen nga të gjithë.
Kushtetuesja ka ritheksuar se zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Kosovës.
“Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ka kërkuar që vendimi i Kushtetueses të zbatohet.
“E mirëpres deklaratën e sotme të Gjykatës Kushtetuese që kërkon nga autoritetet e Kosovës të ekzekutojnë të gjitha vendimet e mëparshme të Gjykatës, dhe vendimin për moszbatim të dy vendimeve, përfshirë vendimin e vitit 2016 në rastin e pronës së Manastirit e Deçanit. Dështimi në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shkel si Kushtetutën ashtu edhe parimet themelore të sundimit të ligjit. U bëj thirrje autoriteteve të ndërmarrin hapa për të siguruar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë vendimin që lejon regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit, si dhe vendimet e tjera të autoriteteve gjyqësore, të ekzekutohen menjëherë dhe në mënyrë arbitrare. BE -ja është e përkushtuar për zhvillimin e Kosovës. Respektimi i sundimit të ligjit dhe vendimeve gjyqësore është një vlerë themelore evropiane dhe çelësi për çdo përparim. Nga kjo përfitojnë të gjithë në Kosovë. Qëllimi ynë është i qartë. Ne e shohim Kosovën me një perspektivë evropiane, duke ndarë vlera të përbashkëta”, thuhet në deklaratën e Szunyog.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
II. Në rastin e Aktgjykimit të Gjykatës KI 132/15, parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar dy vendime të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përkatësisht Vendimet [nr. AC-I-13-0008] dhe [AC-I-13-0009] të 12 qershorit 2015, duke pretenduar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet: 24 [Barazia Para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata kishte konstatuar që dy Vendimet e kontestuara të 12 qershorit 2015 të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, janë të pavlefshme, ndërsa që dy Vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësinë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të 27 dhjetorit 2012, përkatësisht [nr. SCC-08-0026] dhe [nr. SCC-08-0227], janë përfundimtare, të detyrueshme dhe, si të tilla, janë res judicata. Në pajtim me paragrafin (8) të rregullit 66 të Rregullores së punës, Gjykata ka përcjellë në vazhdimësi zbatimin e këtyre dy Aktgjykimeve nëpërmjet mekanizmave të saj dhe nëpërmjet letërkëmbimeve me palët e përfshira në rastet përkatëse, e të cilat janë të reflektuara në Aktvendimet e publikuara për Mospërmbarim. Pas vlerësimit të informatave të përditësuara lidhur me zbatimin e Aktgjykimeve KI56/09 dhe KI132/15, Gjykata njëzëri (i) konstatoi se të njëjtat nuk janë zbatuar sepse autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për zbatimin e plotë të tyre, siç kërkohet me nenin 116 të Kushtetutës; dhe (ii) vendosi të njoftohet Prokurori i Shtetit përkitazi me dy Aktvendimet për Mospërmbarim. Gjykata riktheson se, zbatimi i vendimeve të saj është detyrim për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës bazuar në nenin 116 të Kushtetutës. Për më tepër, zbatimi i vendimeve përfundimtare është parim themelor i sundimit të ligjit, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është përcaktuar me nenet 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës. / KultPlus.com
Zëvendësimi i pengesave artificiale që janë vendosur në rrugën për në manastirin e Deçanit, në hyrje të zonës, nga njësitë që i përkasin misionit të KFOR-it, ishte një vendim i marrë nga ata në marrëveshje me autoritetet lokale.
Kështu thuhet në një komunikatë të KFOR-it, ku theksohet se e konsiderojnë të nevojshme zëvendësimin e pengesave të vjetra me pengesa të reja, në mënyrë që të sigurojë një nivel të vazhdueshëm dhe efektiv të mbrojtjes dhe sigurisë, transmeton KultPlus.
“Në fakt, dihet mirë se zona përreth manastirit të Deçanit është me interes të lartë artistik e kulturor, dhe ka tërhequr turistë dhe studiues për dekada. Ky hap i fundit do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës, si për popullatën lokale ashtu edhe për turistët që vizitojnë Manastirin dhe zonat përreth tij”, thuhet në komunikatë, transmeton tutje KultPlus.
KFOR tutje thotë se Manastiri i Deçanit është i vetmi objekt fetar që ruhet nga KFOR-i, teksa të gjitha objektet e tjera fetare ruhen nga Policia e Kosovës ose nuk ruhen fare.
Autoritetet lokale të Deçanit ende nuk kanë dhënë ndonjë sqarim lidhur me rastin./ KultPlus.com
Ndonëse për bukuritë natyrore dhe artefaktet në pjesën e Dukagjinit të cilat i krijojë natyra dhe dora e njeriut është shkruar shumë dhe ato mund t’i gjeni në vargje poetësh, në skenarë filmash dhe në rrëfime të çdokujt që ka vizituar këtë pjesë të bukur të Kosovës, për mikpritjen dukagjinase, për vizitën në Manastirin e Deçanit, në bjeshkët Nemuna, në bjeshkët e Prejlepit, në qytetin antik të Gjakovës, zor është të gjenden fjalë të spikatura për t’i përshkruar, meqenëse fjalët janë të pakta karshi historisë, bukurisë dhe mirëpritjes tradicionale që mund ta gjeni në këtë cep të bukur të Kosovës.
Drenoci, fshat historik
Para se të ngjiteni në bjeshkët e Prejlepit, është e pamundur të mos ndaloni në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit, fshat ky me vlera historike, kulturore dhe tradicionale. Ky fshat dita-ditës po bëhet tërheqës edhe për turistët e huaj nga rajoni, Evropa dhe bota e largët.
E veçanta e fshatit Drenoc janë kullat prej guri. Në të dyja anët e sokakut të këtij fshati janë të ndërtuara dhe restauruara kulla prej guri me shumë mjeshtri, art dhe traditë. Ndonëse lufta e shkatërroi çdo gjë, ky fshat u ringrit duke ruajtur vlerat historike dhe kulturore.
Fëmijët që shihen duke shëtitur rrugëve të Drenocit i japin kuptim të ardhmes se jeta vazhdon.
Tradita në fshatin Drenoc nuk u shua. Turizmi çdo ditë e më shumë po zhvillohet duke ruajtur kulturën dhe zakonet shqiptare. “Këtu çdo vit kemi turistë të huaj të cilët vijnë dhe qëndrojnë me net të tëra në kullën tonë. Vijnë edhe shtetas amerikanë të cilët qëndrojnë nga dy javë. Turistët mund të bujnë këtu dhe të ushqehen me ushqime tradicionale”, tregon e zonja e kullës “Bujtina Mazrekaj”.
Artefaktet e nënave, gjysheve, baballarëve dhe gjësendet me të cilat kanë jetuar, qëndrojnë në ballë të çdo kullë në lagjen Mazrekaj. Veshja e katundit, enët antike prej druri, sofra e rrumbullakët dhe djepi ta kujtojnë kohën dhe jetesën e të parëve tanë. Pozita gjeografike, klima, malet, grykat, flora dhe fauna, trashëgimia natyrore dhe kulturore, janë elemente bazë që Deçanin e bëjnë destinacion turistik për turistët e vendit dhe të huajt.
Manastiri i Deçanit
Manastiri i Deçanit është një monument i trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në shekullin XI. Është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO-s.
Manastiri i Deçanit është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të bjeshkëve të Nemuna, dhe është rindërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër ilire.
Ajri i pastër, cicërima zogjsh dhe një qetësi flladitëse që vjen nga Bjeshkët e Nemuna, të shoqërojnë derisa pret ta dorëzosh lejen identifikuese tek ushtarët e KFOR-it për ta vizituar këtë manastir.
Duke hyrë në oborrin e Manastirit të Deçanit takohesh me shumë vizitorë të huaj dhe dëgjon gjuhë të ndryshme të botës. Për Manastirin e Deçanit është thënë shumë dhe vazhdon të thuhet dhe shkruhet në mediat me nam botëror rreth historisë, tokës që rrethon, pozitës gjeografike dhe divirsitetit etik që është treguar prej shekujsh në këtë manastir, por edhe rreth etnicitetit të këtij manastiri.
Një pjesë e hapësirës te Manastiri i Deçanit vazhdon të jetë çështje mospajtimesh në mes të përfaqësuesve të manastirit dhe Komunës së Deçanit për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese e cila i njeh manastirit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë. Drejtuesit e Komunës së Deçanit thonë se këto prona janë të dy ndërmarrjeve publike dhe se gjykata ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka. Edhe tri vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në terren mundësitë për ta zbatuar këtë vendim shihen të pakta. Mospajtimet për këta 23 hektarë tokë vazhdojnë ende.
Afër Manastirit rrjedh edhe burimi i ujit të Gushavcit, i cili është mineral dhe edhe shërues i shumë sëmundjeve. Deçani, që njihet për bukuritë e bjeshkës, tashmë ka edhe këtë burim të ujit, ku çdo ditë e më shumë po rritet interesimi për qytetarët për ta përdorur këtë ujë.
Bjeshkët e Nemuna
Me të kaluar Manastirin e Deçanit, rruga të shpie te Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në juglindje të Malit të Zi.
Ndërkaq, ndërthurje me këto bjeshkë bëjnë dhe bjeshkët e Prejlepit të cilat kanë lartësi mbidetare 2 150.
Lartësia mbidetare (2656 metra) e Bjeshkëve të Nemuna ofron kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit sezonal dimëror dhe turizmit sezonal veror.
Turizmi dimëror zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit duke iu referuar terreneve shumë të përshtatshme natyrore, hapësinore e klimatike për zhvillim.
Këto bjeshkë karakterizohen me bukuri të shumta natyrore, të cilat, të ndërthurura me stanët e ndërtuar nga banorët e kësaj ane, ajrin e pastër, dhe bimët e shumta natyrore, përbëjnë pamje mahnitëse.
Peizazhi i tyre është në të katër anët, madje me t’u ngjitur deri në krye, mund t’i shihni pikat kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Për jetën turistike në bjeshkët e Prejlepit kanë folur dy vendësit e kësaj ane, Hatmone Lokaj dhe Besnik Hulaj. Besnik Hulaj nga fshati Prejlep, që është edhe pronar i bujtinës turistike “Guest House – Hulaj”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në verë dhe dimër ka vizitorë të shumtë.
Ai ka treguar se si filloi të rigjallërohej kjo bjeshkë menjëherë pas luftës, meqenëse në luftë forcat serbe i kishin djegur të gjitha stanet, por ato u rindërtuan sërish. “Diku në vitin 2001 familjarët e mi ishin ndër të parët që erdhën këtu dhe filluan ta ndërtojnë stanin të cilin e kishin djegur serbët. Në atë kohë kishte hezitime, meqenëse kishim drojën mos forcat serbe kanë lënë ndonjë minë dhe mund të eksplodojë. Mirëpo, gradualisht banorët e Deçanit filluan t’i rindërtojnë stanet dhe tani, siç e shihni, është një peizazh i mrekullueshëm që vizitohet nga shumë turistë vendorë dhe të huaj”, ka thënë Hulaj, duke shtuar se, pos ajrit, ujit dhe pamjeve magjepsese, në këtë vend turistët mund të ushqehen me ushqime tradicionale. “Vizitorët mund ta marrin me vete ushqimin, por ka dhe nga ata që duan ushqime tradicionale dhe këtu mund të porosisin çfarë të duan. Çmimet janë të arsyeshme”, ka treguar Hulaj.
Për ushqimet tradicionale ka folur edhe Hatmone Lokaj, e cila gatuan të gjitha llojet e ushqimeve tradicionale me porosi.
“Një vit pas luftës ne kemi dalë në bjeshkë. Unë gatuaj çfarëdo ushqimi tradicional me porosi për vizitorët që vijnë në këtë pjesë”.
Një herë në javë dërgoj ushqim tradicional edhe në Gjakovë. Zakonisht përgatiti nga tri-katër pitë brenda ditës. Gjithashtu, gjatë verës merrem edhe me mbjelljen e frutave, si mjedra dhe boronica”, ka thënë Hatmone Lokaj./epokaere/ KultPlus.com
Presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Hermann Parzinger dhe Presidenti për Trashëgiminë Fetare, Pilar Bahamonde u kanë kthyer letrën Zv. Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.
Në letrën e tyre ata thonë se përfshirja e Manastirit të Deçanit, dosje e përgatitur nga Trashëgimia Fetare ishte bërë me kujdes dhe me standardet më të larta që kërkohen sipas këtij programi.
“Ne do të dëshironim të theksonim se përfshirja e një faqe në 7 Listat më të Rrezikuara nuk është fundi i procesit; përkundrazi shënon fillimin e konsultave të duhura me të gjitha palët e interesuara. Si rezultat, po përgatitet një raport gjithëpërfshirës për gjendjen me rekomandime më adekuate, veprim i cili në fund të fundit duhet të çojë në heqjen e rrezikut me të cilin përballet një vend i caktuar i trashëgimisë dhe rrjedhimisht për heqjen e faqes nga Lista jonë më e Rrezikuar. Kjo metodë ka qenë aplikuar në të gjitha faqet që janë përfshirë në listën tonë.
Që nga fillimi i këtij programi në 2013, ne kemi zgjedhur gjithsej 43 zona të trashëgimisë në rrezik në 26 vende evropiane. Përmes publikimit të listave vjetore të 7 vendeve më të rrezikuara, Evropa Nostra – duke vepruar në partneritet me Institutin EIB – angazhohet në një qasje pozitive duke ofruar zyra të mira për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për vendet e rrezikuara në fjalë. Ne bëjmë që së bashku të lehtësojmë një dialog konstruktiv midis të gjithë aktorëve përkatës, përfshirë autoritetet dhe shoqërinë civile. Misioni ynë është të ruajmë integritetin dhe vërtetësinë e zona të zgjedhura të trashëgimisë së rrezikuar për të mirën e shoqërisë në tërësi. Si i tillë, veprimi ynë është shumica koha e mirëpritur nga autoritetet kombëtare dhe lokale të interesuara pasi ofron mbështetje të vlefshme dhe këshilla të ekspertëve”.
Tutje, ata konfirmojnë ardhjen e një delegacioni ekspertësh nga Europa Nostra për në Kosovë, pas verës.
Po ashtu ata kërkojnë një takim online gjatë muajit qershor, për të diskutuar më shumë detaje.
“Siç tregohet tashmë në letrën dërguar më 19 Prill 2021 Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës, një delegacion i përbërë nga ekspertë të caktuar nga Europa Nostra ka në plan të vizitojë Kosovën për bisedime me të gjithë palët e interesuara. Kjo vizitë do të bëhet sa më shpejt që situata epidemiologjike do të lejojë udhëtime të tilla, ka shumë të ngjarë që pas verës. Ndërkohë, ne kemi filluar organizimin në internet takime me bashkëbisedues vendas dhe ndërkombëtarë. Prandaj, me anë të kësaj dëshirojmë t’i propozojmë gjithashtu organizoni një takim në internet me ju sa më shpejt të jetë e mundur gjatë muajit qershor.
Duke ju falënderuar për sigurimet në lidhje me përkushtimin e qeverisë suaj për ruajtjen e kulturës trashëgimisë dhe duke pritur që të përfshihemi në një dialog të hapur dhe konstruktiv për të mirën tonë qëllimi i përbashkët: mbrojtja e trashëgimisë multikulturore dhe multireligjioze në Evropë”./ KultPlus.com
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kanë kthyer përgjigje kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rreth letrës së dërguar në adresë të Sava Janjiqit për të vizituar Manastirin e Deçanit.
Nga kjo Dioqezë kanë lënë të kuptohoet se përgjigja e tyre për kryeministrin rreth vizitës në Manastirin e Deçanit është negative, meqë thonë se një kërkesë dhe letër e tillë s’ka kuptim derisa nuk respektohen vendimet e mëparshme rreth pronave të Manastrit, përcjell KultPlus.
“Në lidhje me letrën, të cilën z. Albin Kurti e ka dërguar dje manastirit të Deçanit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit vazhdon ta mbajë qëndrimin e saj të qartë se, nëse institucionet shqiptare të Kosovës duan të dëshmojnë minimumin e vullnetit të mirë për të respektuar të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të zbatojnë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, që i njeh pronësinë Manastirit. Ky vendim është injoruar vazhdimisht për 5 vjet, pavarësisht kërkesave për zbatim nga Manastiri dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Pavarësisht kësaj, Ministrit i planifikimit hapësinor i Qeverisë Kurti publikisht ka refuzuar vendimin e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim të nëntorit 2020 në ndërtimin e rrugës tranzitore rreth zonës së mbrojtur të Manastirit. Minimi i këtij vendimi, që është miratuar me ndërmjetësim ndërkombëtar, i bie që po bëhet thirrje për shkelje të ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Në këtë situatë, përgjigjja e letrave të tilla, pa respektim paraprak të vendime ligjore dhe zbatimit të ligjit, është komplet e pakuptimtë”, thuhet në përgjigjen e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.
Më poshtë gjeni letrën e plotë të Kurtit dërguar Sava Janjiqit. / KultPlus.com
Shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vizituar Manastirin e Deçanit dhe ka thënë se pret që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit, përcjell KultPlus.
Në një postim në Twitter të llogarisë së OSBE-së, thuhet se misioni pret që toka të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit.
“Ambasadori Michael Davenport vizitoi Manastirin e bukur të Deçanit me Igumenin Sava Janjic. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë Kishën Ortodokse Serbe për të ruajtur trashëgiminë e saj kulturore dhe fetare në Kosovë ndërsa ne presim që toka ngjitur të regjistrohet si pronë e Manastirit në përputhje me sundimin e ligjit”, thuhet në postim. / KultPlus.com
Amb @DavenportOSCE visited beautiful Dečani Monastery w/ Abbot @SavaJanjic – @OSCEKosovo will support the Serbian Orthodox Church to preserve its cultural & religious heritage in #Kosovo while we expect adjacent land to be registered as Monastery property in line with rule of law pic.twitter.com/Sh7bZCu06z
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë reagojnë ndaj vendimit të “Europa Nostras”.
Pasqyrim i rrejshëm i realitetit në Kosovë, me tendencë për ta paraqitur vendin si të rrezikshëm për sigurinë dhe mirëqenien e Manastirit të Deçanit, është cilësuar përfshirja e tij në listën “7 monumentet më të rrezikuara të Evropës” për vitin 2021. Të premten, “Europa Nostras” i është adresuar reagimi i nënshkruar nga 40 organizata të shoqërisë civile të Kosovës.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, shprehim indinjatën e thellë edhe ndaj organizatës Future for Religious Heritage, ‘një organizatë laike, joprofitabile, e regjistruar në Belgjikë, e cila duke u bazuar në të dhëna të pavërteta dhe të paverifikuara ka nominuar Manastirin e Deçanit për përfshirjen në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”, shkruhet ndër të tjerash në këtë reagim. Është nismuar nga “Trashëgimia kulturore pa kufij”, e para organizatë vendore e cila reagoi qysh në dhjetor të vitit të kaluar, kur “Europa Nostra” publikoi listën preliminare me “12 Monumentet e Rrezikuara të Evropës” dhe paralajmëroi listën përfundimtare me 7 sosh, të publikuar të enjten e kaluar.
Sipas reagimit, të dhënat e prezantuara në dokumentin e nominimit janë nxjerrë kryesisht nga raporte të institucioneve të Serbisë, të cilat për qëllime politike tashmë është dëshmuar se prezantojnë rrejshëm realitetin e Kosovës.
“Është tepër shqetësuese se vlerësimi i këtij nominimi nga Paneli Këshilldhënës i Europa Nostra, i publikuar me datë 10 dhjetor 2020, është i bazuar në këto të dhëna të paverifikuara dhe të rreme. Në dokumentin e publikuar thuhet se Manastiri i Deçanit ka qenë cak ‘i një përpjekjeje të ISIS-it në vitin 2016’, që i referohet një incidenti me grafite të shkruara në përkrahje të ISIS-it, në një mur periferik, por që autorët nuk janë identifikuar asnjëherë. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë deri më tash nuk kanë të dhëna për një prezencë të organizatës ekstremiste ISIS në Kosovë dhe të asnjë aktiviteti të izoluar të kësaj organizate në Manastirin e Deçanit”, shkruhet në reagim.
Se “Europa Nostra” bazohej në dokumente të institucioneve serbe i ishte konfirmuar KOHËS edhe nga vetë përfaqësues të kësaj organizate qysh në fund të vitit të kaluar. Ishte bërë e ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për “Listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara” është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage” dhe se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dorë nga ndërtimi i rrugës Deçan–Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë, në vitin 2018, për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.
E, sipas reagimit të organizatave, të dhënat zyrtare përkundrazi “tregojnë që ambienti rreth Manastirit të Deçanit është i sigurt dhe paqësor dhe për vite me radhë nuk është raportuar për ndonjë incident me motive etnike ose fetare”.
“Më tej, arsyetimi i përzgjedhjes së Manastirit të Deçanit në Listën ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’ bazohet edhe në, siç thuhet, ‘rrezikun që vjen nga plani i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin’ e, siç thuhet, ‘autostradës’ ndërkombëtare që lidh Komunën e Deçanit me Komunën e Plavës (Mali i Zi). Organizata CHwB, Kosova përmes një letre të dërguar më datë 17 dhjetor 2020, e ka informuar Bordin e ‘Europa Nostra’ dhe Panelin Këshilldhënës se Qeveria e Kosovës dhe Autoritetet e Manastirit të Deçanit tashmë kanë arritur një ujdi që rruga ndërkombëtare do të ndërtohet jashtë hapësirës së Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Është për të ardhur keq që ky fakt nuk është marrë parasysh gjatë vlerësimit të nominimit”, shkruhet në reagim. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë i kanë shkruar “Europa Nostras” se janë të shokuara edhe me faktin që në deklaratën e publikuar nga Paneli Këshilldhënës, çështja e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore përmendet në kontekst të, siç thuhet, “bisedimeve për normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.
“Konsiderojmë që kjo fjali forcon tutje bindjen tonë se ‘Europa Nostra’ është duke i shërbyer Qeverisë së Serbisë, e cila ka për qëllim rikthimin e çështjes së trashëgimisë kulturore në tryezë të bisedimeve, me qëllime të hapura për ta ndarë trashëgiminë kulturore me status të ‘eksterritorialitetit’. Ne jemi të bindur se kjo tendencë është në kundërshtim me aspiratat e Kosovës për një shoqëri multi-etnike dhe demokratike”, vijon tutje reagimi. Për organizatat e nënshkruara, trashëgimia kulturore në Kosovë është trashëgimi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe çdo përpjekje për ta ndarë atë është e rrezikshme dhe është në kundërshtim me vlerat evropiane.
“Europa Nostras” i kërkohet ta rishikojë vendimin e vet, duke u bazuar në të dhënat të cilat lehtësisht mund të faktohen në terren. Po ashtu, i bëhet thirrje për një vizitë në Kosovë “për t’u takuar me të gjithë hisedarët dhe për t’i verifikuar të gjitha të dhënat konform kritereve të programit ‘7 monumentet më të rrezikuara të Evropës’”.
“Kjo do ta bënte punën e ‘Europa Nostras’ kredibile dhe të besueshme për të gjithë. Derisa kjo të bëhet, ne, organizatat e shoqërisë civile, mbetemi të shqetësuara dhe të brengosura për efektet negative të vendimit të ‘Europa Nostra’, i cili në vete paraqet potencial për ta minuar procesin për ndërtim të besimit të ndërsjellë në mes të komuniteteve në Kosovë”, thuhet në fund të reagimit. / KultPlus.com
Europa Nostra, javën e kaluar më 8 Prill, ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021 bashkë me 6 monumente tjera në Austri, Kroaci, Greqi, Itali, Maqedoni të Veriut dhe Spanjë (https://www.europanostra.org/europa-nostra-and-eib…/).
Pas shpalljes së listës së ngushtë të 12 lokaliteteve, asokohe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga z. Avdullah Hoti, nga Dhjetori 2020 e deri në Mars të vitit 2021, në periudhën e formimit të Qeverisë së re, nuk pati asnjë reagim publik për të cilën kemi njohuri por edhe ndonjë komunikim potencial me Europa Nostra-n që Manastiri i Deçanit të mos futet në listën finale të 7 lokaliteteve më të rrezikuara.
Kjo tregon papërgjegjësi të madhe për një temë të rëndësishme për vendin duke e ditur potencialin e “dëmit” që do të mund të shkaktonte një shpallje e tillë në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas shpalljes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021, u publikua edhe letra e Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti (https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2468), bashkë edhe me reagimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Hajrulla Çeku (https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2470).
Këto letra dhe reagime kanë argumente të mjaftueshme, profesionale dhe të qarta për pozicionin e shtetit të Kosovës ku shpaloset korniza ligjore dhe statusi i mbrojtjes për manastirin, të drejtat ekskluzive të Kishës Ortodokse Serbe, kontestin e zgjidhur të rrugës për Plavë të Malit të Zi dhe elementet tjera të rëndësishme që janë ngritur në nominim të lokalitetit. Sidoqoftë, EC Ma Ndryshe, reagimet institucionale edhe pse të argumentuara mirë, i konsideron të vonshme dhe të pamjaftueshme për parandalimin potencial të një shpalljeje të tillë për Manastirin e Deçanit.
Për më tepër, letra e presidentes (në detyrë) dhe kryeministrit (në ardhje), e dërguar më 18 Mars nuk ka qenë publike dhe transparente për publikun, dhe fatkeqësisht për këtë reagim të tyre jemi njoftuar pasi që dëmi veçse është krijuar (më 9 Prill 2021).
Europa Nostra, letrës së datës 18 Mars 2020 i kthen përgjigje më 6 Prill duke “vlerësuar angazhimin e fuqishëm (të institucioneve) për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë, që është pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore e Europës dhe Botës” ku në ndërkohë Europa Nostra sugjeron të mban edhe një video konferencë virtuale në javët në vijim (https://www.facebook.com/…/a.23032391…/3623586351087128/).
Europa Nostra është një federatë Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore, që përfaqëson organizatat e qytetarëve që punojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. Kjo organizatë është zëri i kësaj lëvizjeje për organet përkatëse ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe UNESCO-n.
Për mbi 50 vjet, kjo organizatë njihet si organizata më përfaqësuese e trashëgimisë në Evropë me anëtarë nga mbi 40 vende të ndryshme përfshi edhe dy organizata anëtare në Kosovë.
EC Ma Ndryshe rekomandon që Europa Nostra, para se të publikonte një vendim të tillë do të duhej ta ndiqte një qasje më gjithëpërfshirëse, përkatësisht të konsultohej edhe me përfaqësues të shtetit të Kosovës, pasi që politizimi i trashëgimisë kulturore nuk sjell dobi, por veçse krijon ndasi të reja dhe është kundër përkushtimit të vet Europa Nostrës, të cilën e ndajmë edhe ne, për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkanin Perëndimor, si një komponent jetik i rrugëtimit dhe të ardhmes sonë evropiane.
EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet shtetërore, në veçanti tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që të jetë më proaktive dhe të merret me identifikimin dhe parandalimin e problemeve të mundshme të trajtimit të trashëgimisë, në rastin konkret të trashëgimisë së komunitetit serb pasi që pasojat e neglizhimit siç po shihet mund të ofrojnë një imazh të shtrembëruar të realitetit në terren.
Kosova, me institucionet e saja të sapoformuara, duhet të jetë në përgjegjësinë më të lartë të detyrës së saj dhe të krijojë politika të qëndrueshme duke kontrolluar situatën në vend, në vend se t’i përgjigjet “pasojave” pasi ato të kenë ndodhur.
EC rekomandon që institucione përgjegjëse të bashkërendojnë veprimet e ardhshme me akademinë, profesionistë brenda dhe jashtë institucioneve përfshi edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. / KultPlus.com
Është bërë publike sot, letra drejtuar organizatës Europa Nostra nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti e datës 18 mars 2021, ku janë shpalosur argumentet përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.
KultPlus ju sjell letrën e plotë:
I nderuar Z. Hermann Parzinger, President Ekzekutiv i Europa Nostra,
Të nderuar anëtarë të Bordit të Europa Nostra,
Te nderuar anëtarë të Panelit Këshillues të Programit “7 Most Endangered”,
Kemi kënaqësinë e veçantë që në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës t’i drejtohemi organizatës Europa Nostra, e cila në veprimtarinë e saj disadekadëshe ka dhënë shembuj të panumërt të angazhimit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Europës. Puna dhe suksesi juaj në sferën e trashëgimisë kulturore janë motivim i veçantë për të gjithë ne që besojmë në projektin europian si platformë e paqes dhe prosperitetit të gjithëmbarshëm.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës kemi dëshirë t’ju ofrojmë sqarime shtesë në lidhje me nominimin e Manastirit të Deçanit për programin “Europe’s Seven Most Endangered Monuments”. Nga publikimi i organizatës suaj të datës 10 dhjetor 2020, jemi njoftuar se Manastiri i Deçanit është nominuar si një nga monumentet për t’u përfshirë në këtë program. Pas vlerësimit të argumenteve të shpalosura në tekstin e nominimit, kemi identifikuar një numër konstatimesh të paqëndrueshme. Për këtë arsye, kemi dëshirë t’ju pajisim me informacion të bazuar zyrtar për të argumentuar bindjen tonë të thellë që Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kushtet për t’u përzgjedhur si njëri nga monumentet e listës finale “7 Most Endangered”.
Gjykuar nga kriteret e përzgjedhjes për t’u përfshirë në listën tuaj, ne besojmë në vlerat universale, të cilat i ngërthen në vete Manastiri i Deçanit. Brenda sistemit të trashëgimisë kulturore, monumenti ka rëndësi të veçantë dhe vlera kulturore të jashtëzakonshme. Megjithatë, ky nominim nuk e plotëson kriterin më të rëndësishëm të programit tuaj, atë që lidhet me argumentimin e rrezikut serioz që i kanoset monumentit. Më poshtë po i shpalosim argumentet tona, të cilat bazohen në informacion zyrtar të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe raportet relevante ndërkombëtare.
Në sulmet e pretenduara ndaj manastirit, gjuha e përdorur nga nominuesi është e pasaktë, duke qenë edhe tendencioze dhe e papranueshme. Termi “ekstremistët lokalë” është cilësim i ekzagjeruar qëllimshëm, ndërsa sulmi i pretenduar nga organizata terroriste ISIS është totalisht i pabazuar në fakte. Kjo gjuhë na bën të besojmë se teksti i nominimit nuk ka ndjekur linjë profesionale të argumentimit, dhe ka devijuar në përmbajtje me ngarkesa politike dhe propaganduese. Dëshmia më e mirë është mungesa e burimeve të besueshme mbi të cilat bazohen këto konstatime tendencioze.
Për dijeninë tuaj, raportet zyrtare të Policisë së Kosovës flasin për rënie drastike të numrit të incidenteve ndëretnike në dekadën e fundit në shtetin tonë. Në veçanti na gëzon fakti që nuk është raportuar asnjë incident serioz në kishat ortodokse të paktën në dekadën e fundit. Këtë për vite me radhë janë duke e konstatuar edhe raportet kredibile ndërkombëtare, ndërsa vendi ynë vazhdon të kultivojë traditë tepër të veçantë dhe sublime, atë të harmonisë ndërfetare. Institucionet tona të sigurisë në bashkëpunim me forcat paqeruajtëse ndërkombëtare për vite me radhë kanë ofruar mbrojtje dhe siguri për kishat ortodokse në Kosovë. Policia e Kosovës posedon njësit të veçantë që kujdeset për këto monumente. Është vlerësim i pavarur dhe profesional i organeve përkatëse të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha monumenteve të vendit tonë, e ne veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë, komuniteteve joshumicë. Dhe për këtë jemi duke dhënë dëshmi të qëndrueshme për vite me radhë.
Një çështje tjetër që duhet trajtuar me seriozitet dhe që zë vend në tekstin e nominimit është mjedisi. Ne jemi të vetëdijshëm se gjendja e përgjithshme mjedisore në Kosovë nuk është në nivelin e dëshirueshëm. Zonat e mbrojtura të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore përballen me një numër sfidash mjedisore. Megjithatë, institucionet e shtetit janë të angazhuara seriozisht në shtyrjen e agjendës së zhvillimit të qëndrueshëm. Prandaj, nuk ekziston asnjë dëshmi që implikon ndonjë institucion lokal ose qendror të Republikës së Kosovës në praktika diskriminuese ndaj Manastirit të Deçanit ose entiteteve të tjera. Për të ilustruar gjendjen me planifikimin hapësinor dhe zhvillimor, ju informojmë se viteve të fundit Kosova është në proces të funksionalizimit të sistemit të ri hapësinor në nivel komunal. Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, ku hyn edhe Komuna e Deçanit, janë duke i hartuar planet hapësinore dhe zhvillimore. Për informatën tuaj, Komuna e Deçanit është zotuar që brenda këtyre planeve, zonën e veçantë të Manastirit të Deçanit do ta trajtojë me prioritet të veçantë dhe seriozitet të shtuar. Ky trajtim nënkupton respektim të përpiktë të legjislacionit vendor dhe në veçanti të rregullave të mbrojtjes dhe menaxhimit të përcaktuara nga UNESCO.
Në tekstin e nominimit bëhet fjalë edhe për një rrugë lokale, ndërtimi i së cilës ka nisur vite më parë. Cilësimi i kësaj rruge si “autostradë ndërkombëtare” është gabim – ne besojmë i qëllimshëm – për të zmadhuar padrejtësisht potencialin e rrezikut. Kjo situatë është keqpërdorur nga shteti i Serbisë, duke tentuar që një projekt të rëndësisë utilitare për nevojat e komunitetit lokal ta shndërrojë në arsye konflikti ndëretnik. Institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë qeverinë dhe komunën e Deçanit, kanë qenë të hapura për dialog dhe të përkushtuara për zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët. Jemi të inkurajuar nga arritjet e deritanishme të klerit të manastirit, komunës së Deçanit, qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë në vendin tonë në lidhje me çështjen përkatëse. Ne ju sigurojmë që në të gjitha rastet kontestuese që lidhen me trashëgiminë kulturore, institucionet e Republikës së Kosovës do të bëjnë më të mirën për të gjetur zgjidhje në pajtim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar, pa i cënuar asnjëherë interesat e palëve të përfshira dhe ato të komunitetit.
Të nderuar zyrtarë të Europa Nostra,
E kemi pranuar me shqetësim të thellë konstatimin tërësisht të gabuar brenda tekstit të nominimit se statusi i Kosovës është i pazgjidhur. Na lejoni t’ju konfirmojmë se Kosova ka shpallur pavarësinë me datën 17 shkurt 2008. Ky deklarim unanim i vullnetit të popullit të Kosovës përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010. Vendimi i GJND-së ka konstatuar se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka mitaruar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tonë. Këto garanci burojnë nga një proces i gjatë ndërkombëtar i përcaktimit të statusit të Kosovës dhe bazohen në konventat dhe praktikat më të përparuara ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë dhe me dispozita kushtetuese e ligjore që ngërthejnë në vete edhe masa afirmative, shteti i Kosovës ka ndërtuar dhe zbaton kornizën e garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave kulturore të komunitetit serb. Në këtë kuadër, institucionet tona i kanë përfshirë në legjislacionin shtetëror të gjitha dispozitat e Planit të Ahtisaarit që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Më saktësisht, institucioni i Kishës Ortodokse Serbe si dhe manastiret e kishat ortodokse në Kosovë i gëzojnë të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore dhe institucionale që sigurojnë respektim të plotë të të drejtave të tyre. Është me rëndësi të veçantë të rikujtojmë këtu dispozitën e Planit të Ahtisaarit, e cila shprehimisht kërkon që këto të drejta, privilegje dhe imunitete të KOS-it vijnë bashkë me detyrimin dhe përgjegjësinë për të vepruar në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës si dhe pa i cënuar të drejtat e të tjerëve dhe kushtetutën tonë.
Na lejoni t’ju informojmë që Kisha Ortodokse Serbe ka marrë vetëm të drejtat nga Pakoja e Ahtisaarit, duke i refuzuar përgjegjësitë. Pra, ajo i gëzon të gjitha garancitë dhe privilegjet që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit (dhe Kushtetuta e Kosovës), por refuzon ta njohë shtetin e Kosovës që është parakusht për t’i gëzuar të drejtat. Vetë Presidenti Marti Ahtisaari si emisar special dhe ndërmjetës ndërkombëtar pati rekomanduar qysh në mars të vitit 2007 atëbotë te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, z. Kofi Anan, pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Mbikëqyrja ndërkombëtare pati zgjatur katër vjet, deri në vitin 2012. Për më keq, institucionet kosovare të trashëgimisë kulturore vazhdojnë të kenë qasje të kufizuar në kishat ortodokse, pasi kleri ortodoks në Kosovë nuk ka treguar gatishmëri të nevojshme për bashkëpunim dhe integrim. Serbia ka lobuar haptazi kundër pranimit të Kosovës në UNESCO në vitin 2015, vazhdon të mbajë padrejtësisht koleksionin e grabitur arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës, ndërsa goditjen më të rëndë e pati dhënë gjatë luftës së viteve 1998-1999, kur forcat serbe patën dëmtuar dhe shkatërruar me mijëra asete të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Këto shkatërrime të pasurisë kulturore të Kosovës në aktgjykimet dënuese të Tribunalit të Hagës janë cilësuar si krime kundër njerëzimit. Dhe pas të gjitha këtyre, as pranim përgjegjësie, as kërkimfalje, dhe as dëmshpërblim nga ana e Serbisë. Përkundrazi, vetëm ashpërsim i betejës me mjete të tjera në njërën anë dhe instrumentalizim i kishave ortodokse për të mirëmbajtur aspiratat ekspansioniste territoriale në anën tjetër.
Në mesin e shumë pasaktësive që përmban teksti i nominimit, është një paragraf që shpërfaq më së qarti qëllimin e kamufluar politik. Në tekst çuditërisht bëhet përpjekje për të vendosur një ndërlidhje mes nevojës për mbrojtjen e manastirit dhe bisedimeve politike mes Kosovës dhe Serbisë. Programi juaj “7 Most Endangered” nga themelimi në 2013 ka ngritur alarme për rrezikun që i kanosej monumenteve të rëndësishme. Megjithatë, mendojmë se ky është rasti i parë kur programi mund të përdoret si mjet për të shtyrë përpara një agjendë të fshehur dhe aspak parimore, që as nuk ka të bëjë me trashëgiminë kulturore. Nëse kalon, ky do të jetë një precedent shumë i rrezikshëm. Politizimi i skajshëm i trashëgimisë kulturore nuk u shërben kauzave të drejta, por interesave të veçanta të shteteve që keqpërdorin platformat europiane dhe ndërkombëtare të bashkëpunimit kulturor në shërbim të paqes e prosperitetit të përgjithshëm. Manastiri i Deçanit është në gjendje të mirë, me garanca të plota kushtetuese e ligjore, me siguri të plotë e pa asnjë rrezik që i kanoset – është një nga monumentet me të cilat mburren shteti dhe shoqëria e Kosovës dhe, sikurse përgjatë historisë, ne do të vazhdojmë ta mbrojmë me shumë dashuri e përkushtim edhe në të ardhmen. Pra, Manastiri i Deçanit nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë. Përpjekja për të ndërtuar një lidhje mes këtyre të dyjave është artificiale dhe e paqëndrueshme, dhe si e tillë duhet të refuzohet. Për institucionet e Republikës së Kosovës, statusi, garancitë, të drejtat e detyrimet e Kishës Ortodokse Serbe dhe kishave e manastireve ortodokse në Kosovë janë të përcaktuara përfundimisht në Planin e Ahtisaarit, të përfshira në Kushtetutën e Kosovës dhe të normuara në legjislacionin tonë shtetëror. Republika e Kosovës nuk pranon të rihapë këtë proces, ndërsa i vetmi detyrim që mbetet është njohja e shtetit dhe ligjeve të Kosovës nga ana e KOS-it.
Në konkludim të argumenteve të shpalosura më sipër, shprehim bindjen tonë të thellë që Manastiri i Deçanit në Kosovë nuk i plotëson kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në listën “Europe’s Seven Most Endangered Monumets”. Të vetëdijshëm për reputacionin profesional dhe integritetin e organizatës suaj, nuk kemi asnjë dyshim që vendimi përfundimtar i panelit vlerësues do të jetë i bazuar, i paanshëm, profesional dhe i drejtë. Ju bëjmë thirrje që letrën tonë ta lexoni në dritën e një kontributi shtesë për punën e panelit përzgjedhës.
Në fund, kemi dëshirën dhe kënaqësinë që të emër të institucioneve të Republikës së Kosovës t’ju bëjmë thirrje për një takim të përbashkët ku mund të diskutojmë mbi mundësitë e bashkëpunimit për të përparuar agjendën e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore dhe natyrore. Ne jemi të lumtur që dy organizata joqeveritare nga Kosova janë anëtare të Europa Nostra dhe në bashkëpunim me ta jemi të motivuar që të hulumtojmë mundësi të reja bashkëpunimi mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe organizatës Europa Nostra.
Do të jemi në dispozicionin tuaj për sqarime e diskutime shtesë në lidhje me çështjen në fjalë. Ju jemi falënderues për konsideratën tuaj dhe mbesim me shpresë të dëgjojmë nga ju brenda një kohe të arsyeshme. / KultPlus.com
Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan përmes një komunikate për media thotë se me shqetësim të madh është duke e përcjellë situatën rreth çështjes kontestuese në mes ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” dhe Komunës së Deçanit në njërën anë dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër.
Historianët e Deçanit në reagim thonë se “dënojnë ashpër presionet ndërkombëtare për zbatimin e këtij vendimi antikushtetues dhe antiligjor, i cili buron në ligjet e kohës së Millosheviqit”.
Në një komunikatë për media, Lidhja e Historianëve të Kosovës i bën thirrje Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë, që të mos e zbatojë vendimin antikushtetues dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 maj 2016, për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, pasi që si i tillë ai prek gjithë qytetarët e Deçanit dhe është pengese për zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të Kosovës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, është i papranueshëm edhe për Komunën e Deçanit dhe qytetarët e kësaj komune, andaj ne e ripërsërisim edhe një here kërkesën tonë drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë që të mos e zbatojë këtë vendim të dëmshëm dhe të pariparueshëm për Deçanin në veçanti dhe Kosovën në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.
Për më tepër, Kryesia e Lidhjes së Historianëve thekson se zbatimi eventual i vendimit do të sjellë shumë dëme juridike dhe do të sfidojë rëndë sistemin kushtetuese dhe juridik në Kosovë, teksa rikujton se institucionet e Kosovës duhet të deklarohen kundër zbatimeve të vendime të kohës së masave të dhunshme të periudhës 1990-1999, kur dihet se këto vendime i ka shpallur të pa zbatueshme Administrata e Kombeve të Bashkuar në Kosovës – Misioni i UNMIK-ut.
Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës i ri-kërkon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, që me urgjencë të nxjerrë një Ligj të veçantë ose Ligj special, me të cilin do t’i shpallë të pazbatuara dhe të pavlefshme ligjet, vendimet dhe aktet e tjera nën ligjore të Serbisë për Kosovën gjatë periudhës mars 1989 e deri në qershor 1999, duke vendosur që këto prona dhe ndërmarrje t’i kthehen Komunës së Deçanit dhe të mos i falen Manastirit të Deçanit.
Ndryshe, igumeni i Deçanit, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm ,me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.
Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi. / KultPlus.com
Manastiri i Deçanit rrezikon të shpallet në listën e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021.
Lista e plotë do të zbulohet në Mars.
Në dhjetor të vitit 2020, organizata Europa Nostra ka nominuar Manastirin e Deçanit në mesin e 12 vendeve të trashëgimisë më të kërcënuara në Evropë.
Nga kjo listë do të shpallen 7 objektet kulturore më të rrezikuara të vitit 2021.
Në raportin e Europa Nostra, theksohen dy arsye pse Manastiri i Deçanit është ndër objektet e rrezikuara: sulmi ndaj Manastirit të Deçanit në vitin 2016 nga siç thuhet “ISIS” dhe arsyeja e dytë-projekti i ndërtimi të rrugës nga Deçani për në Plavë.
Lidhur me këtë Nora Visoka Weller, avokatja dhe studiuesja e trashegimisë kulturore në Universitetin e Cambridge-it i është drejtuar organizatës Europa Nostra.
Visoka-Weller në shkrimin drejtuar organizatës Europa Nostra ka kërkuar që nominimi i Manastirit të Deçanit të rishikohet.
“Manastiri i Deçanit nuk është një ndër 7 objektet më të rrezikuara në botë. Manastiri i Deçanit mbrohet me ligjin mbi Zonat e Posaqshme të Mbrojtura dhe është nën mbrotjen e përditshme të forcave të KFOR-it. Për më shumë, aludimi se në 2016 ka pasur atak nga grupet terroriste të ISIS nuk qëndron dhe nuk është konfirmuar nga forcat e KFOR-it, sigurimi shtetëror dhe bashkësia ndërkombëtare, ndërsa çështja e zgjerimit të rrugës Deçan-Plavë është zgjedhur me ndërmjetesimin e Ambasadorit Italian në Kosovë. Prandaj, ky nominim duhet të rishikohet”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka theksuar se ky lloj keqinformimi në nivel ndërkombëtarë dhe politizimi i trashëgimisë kulturore në këtë mënyrë i pengon të gjitha tentimet lokale dhe ndërkombëtare për ndërtimin e harmonisë ndër etnike në Kosovë.
Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të./21Media/ KultPlus.com
Organizata Evropiane për Trashëgimi “Europa Nostra” ka listuar Manastirin Ortodoks të Deçanit si një nga vendet më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021.
Në listën e 12 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë është listuar edhe Manastiri i Deçanit.
Në publikimin e kësaj organizate thuhet se Manastiri i Deçanit është nën mbrojtjen e KFOR-it që nga viti 1999 dhe ka qenë cak i katër sulmeve me granata dore nga 1999 deri më 2007.
https://cas.criteo.com/delivery/afr.php?ptv=100&abp=1&zoneid=1409947&cb=52173667806&nodis=1&charset=UTF-8&dc=3&atfr=0&loc=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Forganizata-evropiane-per-trashegimimanastiri-i-decanit-nje-nga-vendet-me-te-rrezikuara-te-trashegimise%2F “Ky është monumenti i vetëm në Evropë nën një mbrojtje kaq të fuqishme ushtarake për një periudhë të vazhdueshme prej 20 vjetësh. Megjithatë, ai përbën një monument me rëndësi të fundit historike dhe kulturore për Evropën dhe botën, siç konfirmohet nga statusi i saj i Trashëgimisë Botërore. Është për të ardhur keq që sot, Manastiri i Deçanit me trashëgiminë e tij, si kulturore dhe natyrore, dhe komuniteti i tij monastik, janë bërë peng i statusit të pazgjidhur të Kosovës. Prandaj është urgjente dhe e domosdoshme të sigurohet respektimi i plotë i sundimit të ligjit dhe t’i kushtohet vëmendje më e madhe mbrojtjes së duhur të këtij vendi të Trashëgimisë Botërore brenda bisedimeve në vazhdim e sipër për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo duhet të vendoset në kornizën më të gjerë të nevojës për të siguruar mbrojtjen dhe interpretimin e duhur të trashëgimisë multikulturore dhe multi-fetare të Kosovës si një parakusht për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajonin e gjerë”, thuhet në publikimin e kësaj organizate.
Aty përmendet edhe ndërtimi i autostradës si një rrezik që kalon afër Manastirit të Deçanit. /GazetaExpress/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se është arritur marrëveshja për përdorimin e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka bërë me dije se marrëveshja është arritur me mbështetjen e Ambasadorit të Italisë, Nicola Orlando, e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi.
“Kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit”, ka shkruar Hoti.
Sipas Hotit, me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj./ KultPlus.com
Manastiri i Deçanit ndodhet rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, në periferi të qytetit të Deçanit. Në fillimet e Grykës së Deçanit, nëpër të cilën rrjedh lumi i Bistricës, manastiri rrethohet nga pyje gështenjash e pishash, që kufizohen nga kreshpat e larta e të zhveshura të Bjeshkëve të Nemuna. Resorti historiko-turistik i këtij manastiri shtrihet ndërmjet Gjakovës dhe Pejës, dy nga qytetet më të njohura të Kosovës.
Kisha e Manastirit të Deçanit është ndërtuar në vitet 1327-1335 nga mbretërit nemanjidë, Stefani dhe Dushani, babai Stefan Uroshi III Deçani dhe i biri. Kjo kishë është realizim arkitektonik romaniko-gotik të shkollës dalmato-arbërore e bregut dalmat. Në arkitraun e portalit jugor të kishës lexohet mbishkrimi i arkitektit arbnor dom Vita Çuçi Françeskani. Dom Vita Çuçi ishte kryemurg i Kishës së Shën Mërisë në Kotorr, funksion që dhe në këto anë e kryenin përgjithësisht priftërinjtë arbërorë. Në ditët tona është ruajtur burimi se dom Vita me 18 shqiptarë gurgdhendës ndërtoi Kishën e Manastirit të Deçanit.
Thuhet se për projektimin e kishës së Deçanit, autori dom fra Vita është influencuar nga tipologjia e Kishës së Shën Serxhite Bakut, në fshatin Shirgj në lumin Buna në Shkodër, e cila është realizuar nga abati Pjetër Doka nga Shkodra. Në ato kohë, në Dalmaci ishin të njohura atelietë e skulptorëve dhe gurëskalitësve arbërorë në Ulqin, Tivar, Kotorr, Zarë e Split. Një skulptor i njohur ishte Miho Tivarasi, autor i punimeve në Kuvendin Françeskan në Raguzë (Dubrovnik), i cili mendohet se ka lënë gjurmë edhe në Kishën e Deçanit. Veç Deçanit, motivet e tij të ngjashme hasen edhe dhe në Raguzë e në Katedralen e Novobërdës. Veç burimeve nga arkiva e Raguzës, edhe mjaft studiues të huaj shprehen për origjinën arbërore të Miho Tivarasit. Manastiri i Deçanit, e larta, u ndërtua si vepër përshpirteshe e Stefan Uroshit III Deçanski.
Në këtë kompleks religjioz, kisha përfaqëson objektin kryesor të tij. Në fillim u ngritën muret rrethues të manastirit, një lloj fortifikimi i kompleksit, i pajisur dhe me kullat tipike mbrojtëse. Vijuan ngrehinat me ambientet e banimit të monarkëve, si dhe trapezaria dhe spitali, i cili funksionoi gjatë gjithë mesjetës. Tërësia e Manastirit të Deçanit përbëhet nga tri njësi funksionale. Kisha, është një vepër mbresëlënëse arkitekture dhe arti. Trapezaria është në anën veriore dhe ndërtimet dykatëshe rreth kishës në qendër ku ndodheshin ambientet e banimit të priftërinjve. Në ballin e konakëve, çardakët transparentë përbënin hapësira relaksi dhe ndërlidhje ndërmjet dhomave.
Fra Vita e realizoi këtë vepër të spikatur arti me shpirtin e arkitekturës perëndimore romano-gotike. Realizimi arkitektonik, teknika fine e mureve dhe pilastrave, skalitjet e portaleve, plastika e dritareve, si dhe pasuria dhe larmia e elementëve të ndryshëm në interier si afresket, ikonostasi, shandanët etj., e vlerësojnë Kishën e Manastirit si një vepër nga më të respektuarat në gjininë e saj.
Nga pikëpamja teknike, kisha qëndron mjaft solide, duke i rezistuar mjaft mirë një periudhe të gjatë pothuaj shtatë shekullore. Për vlerat e veçanta që Manastiri i Deçanit mbart mbi vete si kompleks historiko-religjioz, si vepër arti dhe arkitektonike dhe për vlerat ambientale-natyrore, në vitin 2004 është shpallur Pasuri e Kulturës Botërore, e mbarë njerëzimit, nga ana e UNESKO-s. Ndërtesa më e rëndësishme e manastirit, pas kishës, është trapezaria, mensa ku shërbehej ushqimi për monarkët. Këtu para dhe pas ngrënies lexoheshin lutjet. Sipas burimeve, trapezaria është ndërtuar në një kohë me kishën gjatë shekullit XIV.
Trajta origjinale e saj u ruajt deri në fillimin e shekullit XV. Në atë kohë, ndërtesa ishte më e madhe dhe më e dekoruar artistikisht. Sipas gjurmëve teknike dhe burimeve dokumentare, ajo përfaqësonte një sallë të madhe me afreske me dysheme me pllaka guri të gdhendura dhe me tavolina mermeri. Më se 150 pjesëtarë të komunitetit të manastirit mund të shërbeheshin për drekë në 17 tavolina të mëdha prej mermeri. Për igumenin veçohet një tavolinë me kolltuk mermeri, në qendër të hapësirës absidale në sallën qendrore. Sipas burimeve, veç fratit katolik Vita dhe mjeshtërve të tij që ndërtuan kishën, Stefan Uroshi III për realizimin e objekteve të tjera, si fortifikimi, banesat etj. pat angazhuar një murator ekspert, protomjeshtrin Gjergji me vëllezërit Dobroslav dhe Nikolla, të cilët duhet të jenë dhe autorët e ndërtimit të trapezarisë në gjysmën e parë të shek. XIV. Gjatë shekujve, trapezaria ka pësuar ndryshime të mëdha, kryesisht për arsye të djegieve.
Ndërhyrjet më të mëdha ajo i ka pasur gjatë shekujve XVII–XVIII, kur u prekën muret e saj. Megjithë transformimet historike të detyruara, duhet shprehur se trapezaria në themel ka ruajtur siluetën e saj origjinale. Salla qendrore ka trajtën e një katërkëndëshi kënddrejtë me gjatësi 32.5 centimetra, gjerësi 10.5 centimetra dhe nga ana jugore mbyllet nga një abside gjysmërrethore. Pas zjarrit të shkaktuar në shekullin e kaluar, trapezaria u nda në tri lokale. Në pjesën lindore është salla e madhe ceremoniale, ndërsa nga perëndimi është përshtatur një ambient më i vogël mensë për monarkët.
Salla e madhe lindore e trapezarisë sot është kthyer në ambient muzeal për ekspozimin e ikonave dhe të objekteve të tjera të lëvizshme më përfaqësuese të manastirit si shandanë, kryqe, punime me gdhendje druri e guri etj. Deri më sot, për Manastirin e Deçanit dhe vlerat e tij është shkruar dhe botuar shumë si në aspektin shkencor, edhe në atë të turizmit kulturor. Veç këtyre, në Manastirin e Deçanit ruhet një traditë gojore e transmetuar ndër breza nga arkimandritët që kanë drejtuar këtë objekt religjioz historik.
Dhe, është kjo traditë gojore e transmetuar që shprehet se në sallën e madhe qendrore të trapezarisë ndodhet një relikte shekullore që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ia pati dhuruar këtij manastiri. Në këtë rast bëhet fjalë për shandanin me zinxhir të gjatë rreth tre metra, i varur në harkun mbi hyrjen në hapësirën e absidës gjysmërrethore, që mbyll sallën e madhe nga ana jugore. Në fundin e zinxhirit është montuar një rreth bronzi, nga qendra e të cilit shpërndahen tetë krahë koncentrikë, në mbarimin e të cilëve ngriheshin vertikalisht tetë qirinj. Shandani është trajtuar i tëri si një vepër arti me detaje bronzi të rrahura me forma floreale.
Kjo dhuratë e Skënderbeut, përveçse shpreh marrëdhëniet e mira të tij me këtë manastir, duke u mbështetur në formën kompozicionale të saj, ajo pason dhe një interpretim historik, që dhe ky mbështet faktin se shandani përfaqëson një objekt të familjes së Kastriotëve. Simboli apo stema e familjes së Kastriotëve mbi shqiponjën dykrenare ka yllin me tetë cepa. Kjo shihet qartë në vulën e tij zyrtare, që ruhet në arkivin historik të Dubrovnikut në Kroaci (Raguza e dikurshme). Yllin me tetë cepa e hasim dhe të gdhendur në varrin e djalit të Gjonit, i realizuar nga mjeshtri Jacopo della Pila, në vitin 1503 në portikun-oborr i brendshëm të Kishës Santa Maria la Nova të Napolit.
Këtë vepër në kujtim të nipit të saj e mundësoi gjyshja, Donika Kastrioti, gruaja e Gjergj Kastriotit. Në pllakën epitaf kushtuar nipit shkruhet: “Konstantin Kastrioti i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti dhe perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet kryeprift i Izernias që vdiq para kohe”. Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin e 1500. Nga të dyja anët e varrit të murosur janë gdhendur dy brinjë, ku në gjysmën e lartësisë së tyre, në fushën e dy mburojave, janë dy shqiponjat, mbi kokat e të cilave dallohen yjet me tetë cepa. Në burime të ndryshme vërehet se ylli me tetë cepa apo më shumë cepa në simbolet e dinastive historike përfaqëson diellin.
Kështu, Filipi i Maqedonisë, babai i Aleksandrit, Leka i Madh, ka përdorur si simbol të tijin yllin me 12 dhe 16 cepa zbuluar në reliktet e arta të varrit të tij në Verxhina të Selanikut. Kësisoj, ylli me cepa përfaqëson diellin pa i dhënë rëndësi të veçantë numrit të cepave. Në burimet e ndryshme historike theksohet një lidhje ndoshta e trashëguar në shekuj ndërmjet Lekës së Madh dhe Kastriotëve. Në një epitaf tjetër mbi varrin e vëllait të Konstantinit, Alfonsit, kushtuar edhe ky varr nga gjyshja Donika në vitin 1503 në Real Manastirin San Trinidad në Valenca të Spanjës, ndërmjet të tjerave është gdhendur: “Escandabech krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë”.
Shandani i Deçanit, përkrenarja dhe shpata në Muzeun e Vjenës përfaqësojnë reliktet e rralla nga periudha e Skënderbeut në lëmin e kulturës materiale. Nga historia mësojmë se Gjergj Kastriot Skënderbeu ka pasur marrëdhënie të dendura me dinastitë dhe fisnikët fqinje rreth dhe pranë trojeve arbërore. Sipas rastit ato ishin lidhje krushqie-familjare, aleanca ushtarake apo fetare etj. Ai mbante marrëdhënie të rëndësishme me dinastinë e Aragonëve të Napolit, që mbretëronin dhe në Valencia të Spanjës, ku veç nipit, Alfons, mund të jenë varrosur dhe gruaja Donika me eskortën kalorësiake të saj, gjë që duhet vërtetur me studime arkeologjike dhe historike. Familja e Kastriotëve kishte krijuar marrëdhënie krushqie me princat sllavë si me Stefan Crnojevicin e Malit të Zi, me Stefan Brankoviqin e Serbisë etj. Njihen gjithashtu lidhjet e Kastriotëve me manastiret e Malit të Shenjtë në Selanik, ku në Manastirin e Hilandarit, Gjoni, i ati i Skënderbeut, pat pronësuar kullën e Shën Gjergjit, e quajtur me emrin Pirgu i Shqiptarëve dhe ku u varros dhe i biri, Reposhi, monark në atë manastir. Mirëkuptohet se në kuadrin e këtyre marrëdhënieve normale me fqinjët mund të shpjegohet dhe gjesti i dhuratës – shandan që Gjergj Kastrioti Skënderbeu i pat dërguar Manastirit të Deçanit.
Në objektet fetare të trojeve të Kosovës, gjatë shekujve të sundimit turk ka qenë i njohur institucioni i rojeve (vojvodë) të kishave dhe manastireve. Shpesh, në vazhdim të pesë shekujve të këtij sundimi pashallarët e njohur vendës, Rrotllat në Prizren, Begollët në Pejë, Elez-Pashajt në Gjakovë, Gjinollët në Prishtinë janë konfliktuar me pushtetin qendror turk. Po kështu, edhe fiset vendëse herë pas here rebeloheshin ndaj organeve të pushtetit.
Pronat dhe titujt, edhe ato jo rrallë ngatërronin mes tyre feudalë dhe pasanikë, të cilët në shumë raste përfshinin në sherre fshatarët çifçinj. Këto konflikte pasonin anarki dhe çrregullime në këto troje duke rrezikuar pronat, bagëtitë etj. nga sulmet e ndryshme grabitqare. Në këto rrethana rrezikoheshin dhe kishat e manastiret, veçanërisht ato më të pasurat. Ngjarjet kanë dëshmuar se këto objekte në Kosovë janë mbrojtur jo vetëm nga rojet e ngarkuara, por edhe nga familjarët e tyre si dhe nga banorët e fshatrave pranë. Madje, mbrojtja dhe siguria e kishës, pasurisë së saj dhe famullitarit, me Kanun i ngarkoheshin çdo familje bajraku e fisi. Në Kishën e Deçanit, “Vojvodë”, ka qenë familja e Salih Rrustës, i cili në vitet ‘50 të shekullit XX ka qenë rreth 90 vjeç. Pavarësisht se familja kishte vojvodën, në fakt, kishat i kanë mbrojtur të gjithë fshatarët, fisi ose bajraku, sepse ato nuk mund të ruheshin vetëm nga një familje e caktuar enkas.
Kështu, gjatë shekullit XIX Manastirin e Deçanit e ka shpëtuar fisi i Gashit nga djegiet e plaçkitjet, pasi ky objekt ishte në besën e tyre. Ata thirreshin nga vojvoda i asaj kohe Rrustë Alija (Babai i Salih Rrustës). Vojvodët i kanë pasur ambientet e tyre në konakët e manastirit. Për detyrën që kryenin, manastiri u paguante atyre shpërblimin e caktuar. Kur ruante i vetëm, ai përfitonte 60 grosh në muaj (një dukat) dhe në rastet kur qëndronin dy persona, shpërblimi për të dy ishte 80 grosh. Vojvodat e manastireve janë përplasur shpesh me plaçkitës e dhunues të ndryshëm deri në vetëmohim.
Roje nga fshatrat shqiptare hasen dhe në manastire të tjera në Kosovë. Manastirin e Pejës e ruante familja e Zhuj Rugovës, ndërsa Kisha e Devicit në Drenicë mbrohej nga familja e Behram Vojvodës nga fshati Llaushë i Serbicës. Rojtarët – vojvodët e manastireve në Kosovë qenë logjikë e kushteve shoqërore që kanë dominuar gjatë shekujve në këtë trevë. Megjithë ambientin patriarkal, besëtytnitë dhe nivelin kulturor, morali ka qenë i lartë.
Ai ka përfaqësuar cilësitë themelore të shqiptarit të asaj kohe, të lartësuara në nivelet e kultit të vërtetë, të pasqyruara me besën, nderin, mikpritjen, burrërinë e trimërinë. Ishin këto cilësi të njohura të popullit të thjeshtë që shpëtuan nga shkatërrimi këto momente historike kulturore. Ato gjithashtu reflektojnë aspektin e tolerancës fetare e kombëtare të shqiptarëve të këtyre anëve, një akt shoqëror tipik për komunitetin shqiptar, tashmë i njohur nga të gjithë. / KultPlus.com
Kompleksi i Manastirit të Deçanit i takon periudhës së hershme kristiane, ndërsa shpatet përreth janë të njohura me kisha dhe shpella eremite ose qeli, po nga kjo periudhë. Manastiri gjendet mu në brigjet e Lumbardhit të Deçanit, 7 km në juglindje të Pejës dhe është konsideruar për mauzole të mbretit Stefan Deçani (1322-1331), ktitor i manastirit.
Edhe pse i konvertuar në katolik, pas vdekjës (1331), është varrosur në tempull. Arkitektura, skulptura dekorative dhe afreskat që kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, konsiderohën si vepra të arkitektit, Frat Vita, arbër nga treva e Kotorrit, emri i të cilit ruhet në një mbishkrim të gdhendur mbi arkitraun e portalit jugor. I origjinës abërore ishin dhe skulptori Miho Tivarasi, piktori Sergji, dhe ndonjë tjetër krijuesi të arteve figurative.
Muratura e Deçanit është realizuar në vitet (1327-1335), ndërsa pikturat e afreskave (1343-1348).Manastiri ose kuvendi është ndërtuar kryesisht sipas stilit romanik e gotik të bregdetit, dhe duke u përmbledhur me stilin e arteve figurative të Kosovës. Kompleksi i Manastirit të Deçanit konsiderohet për objekt sakral më grandioz i rindërtuar dhe ndërtuar në shekullin XIV. Monumneti i kultit në fjalë ka trajtën e bazilikës pesëanijatëshe me kube; me disa reminishenca të Kryqit të përshkuar, sidomos në bazë; me narteksin dhe shenjtëroren trenefëshe. Zotëronte gjatësi 36 m, gjerësi 24 m, dhe lartësi 29 m.
Nga viti 2004, Manastiri i Daçanit është në listën e Trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.
Fotodokument bardhezi nga viti 1926: Manastiri i Deçanit, një monument kulti Europian i stilit Romaniko-Gotik! / KultPlus.com