Mangalemi ndër vite, në një ekspozitë në Berat

Berati tërheq interesin jo vetëm të vizitorëve, por edhe të piktorëve. Një rast i tillë është ekspozita Mangalemi me autor piktorin lezhian Pashk Përvathi. Në galerinë e artit të qytetit janë ekspozuar 35 punime, peizazhe të lagjes së vjetër të qytetit historik

“Më mirë se në Berat këto vepra nuk mund të rinë në asnjë vend tjetër. Janë vepra që janë realizuar në vite të ndryshme dhe pastaj ka vazhduar vit pas viti sepse dashuria artistike për Beratin nuk mbaron asnjëherë.”

Gjithçka e ka zanafillën në vitin 1988.

“Kur jam ndeshur me Mangalemin në vitin 1988, jam mahnitur dhe kam kuptuar që Berati dhe Gjirokastra janë një pasuri artistike që për piktorët janë motive të panumërta për veprat e tyre.”

Ekspozita u vlerësua edhe nga kryetari i bashkisë së Beratit Ervin Demo.

“Berati është i magjishëm, por në piktura duket edhe më i magjishëm dhe kjo është pikërisht nga mjeshtria e mjeshtrit tonë të madh.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për 10 ditë./KultPlus.com

Berati dhe banesat e veçanta të Mangalemit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat sjell në vëmendje ish banesën e Llamba Aguridhit, sot e Bedri Merkajt dhe Toli Tumanit, në lagjen Mangalem.

Kjo banesë zë një vend të veçantë në qendër të lagjes Mangalem, si për kompozimin volumor, ashtu edhe për trajtimin arkitektonik të pamjes së jashtme të saj. Është një shembull, i rrallë i një banese tri katëshe me kamerie.

Në katin përdhe, banesa ruan pjesë të konstruksionit origjinal. Sipas mbishkrimit, i cili gjendet në ballë të portës së oborrit, banesa është rindërtuar në vitin 1856. Kjo ndërtesë karakteristike e Beratit gëzon statusin juridik Monument Kulture, Kategoria e parë.

Pak ditë më parë Berati kremtoi 15-vjetorin si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, i shpallur si i tillë më 8 korrik 2008.

Berati spikat për vlerat e tij unikale në arkitekturë, histori dhe art prej vitesh, duke tërhequr vëmendjen dhe interesin e guidave të cilat e sugjerojnë si një nga destinacionet më të bukura në botë. Mediat ndërkombetare e quajnë vendin magjik të mbushur me histori dhe art./ atsh / KultPlus.com