Të jetosh mbi re kushton 170 milionë dollarë

Nëse doni të flini mbi re, dhe të jetoni në një prej apartamenteve më spektakolarë në botë, bëni gati 170 milionë dollarë. Papafingo magjike ndodhet në katin e fundit, të 96-in të një godine 426 metra të lartë në Manhatan.

Banesa, me një sipërfaqe totale prej 743 metrash katrorë, del për herë të parë në shitje prej pesë vitesh dhe për herë të parë publikisht. Brenda saj, orenditë janë të firmave luksoze si Louis Vuitton, Hermes dhe Bentley.

Pronari i saj është manjati saudit i pasurive të patundshme, Fawaz Al Hokair, i cili e ka blerë apartamentin në vitin 2016, për 88 milionë dollarë, për ta shitur tashmë për gati dyfishin e vlerës, sipas një raportimi të “Wall Street Journal”.

Apartamenti gjigant ka 6 dhoma dhe 7 tualete, një tavolinë ngrënieje oniksi për 12 persona, një piano mondane dhe një fasadë madhështore që sheh nga “Central Park”. Gjithashtu ka një bibliotekë private, një oxhak dhe një dhomë gjumi me mermer. Dyshemetë e tualeteve janë me ngrohje, ndërsa kuzhina e mbushur me elektroshtëpiake të fjalës së fundit të teknologjisë.

Godina ku ndodhet edhe papafingo quhet Park Avenue dhe është ndërtuar nga “Macklowe Properties” dhe “CIM Group”, me arkitekturën e Rafael Vinoly. Kur përfundoi në vitin 2015, shumë njujorkezë e kritikuan pasi thanë që stononte me panoramën e qytetit. / KultPlus.com

Ora digjiitale e ‘Metronome’ në Manhattan me mesazh për ngrohjen globale

Për më shumë se 20 vite, Metronome, e cila është një orë elektronike 15-shifrore me gjerësi 62 metra përballë Union Square në Manhattan, ka qenë një nga projektet më të spikatura të artit të qytetit, shkruan The New York Times, përcjell KultPlus.

Shfaqja e tij në formën digjitale dikur tregonte kohën në mënyrën e vet unike, duke numëruar orët, minutat dhe sekondat. Të Shtunën Metronome filloj të shfaqet me një mision të ri të ndjeshëm ekologjikisht.

Ideja e dy artistëve Gan Golan dhe Andrew Boyd, po jetësohet duke u shfaqur publikisht, në mënyrë që të parandalojnë që efektet e ngrohjes globale të bëhen të pakthyeshme.

Të Shtunën në 3:20 pasdite, në ekran filluan të shfaqen mesazhet si “Toka ka një afat”. Pastaj numrat – 7: 103: 15: 40: 07 – u shfaqën, duke përfaqësuar vitet, ditët, orët, minutat dhe sekondat deri në atë afat. Numrat e shfaqur janë të bazuar në llogaritjet nga Instituti i Kërkimeve Mercator në Global Commons dhe Ndryshimet Klimatike në Berlin.

 “Ora e Klimës”, siç e quajnë të dy artistët projektin e tyre, do të shfaqet në ndërtesën e Rrugës së 14-të, One Union Square South, deri në 27 Shtator, në fund të Javës së Klimës.

Krijuesit thonë se qëllimi i tyre është të rregullojnë që ora të shfaqet përgjithmonë, atje ose diku tjetër. Artistët Golan dhe Boyd vendosën që Ora Klimatike do të kishte ndikimin më të madh nëse do të shfaqej në një hapësirë publike të dukshme dhe të paraqitej si një statujë ose një vepër arti.

“Ky është pa dyshim numri më i rëndësishëm në botë. Dhe një monument shpesh është mënyra se si një shoqëri tregon se çfarë është e rëndësishme, çfarë ajo ngre, çfarë është në fazën qendrore”, shprehet artisti dhe kreatori i kësaj ideje, Boyd.

Për të përshkruar projektin, Golan dhe Boyd kanë krijuar një faqe në internet, climateclock.world. Aty përfshihet një shpjegim për numrat e Climate Clock, duke përfshirë një lidhje me një raport nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës, organi i Kombeve të Bashkuara që vlerëson shkencën në lidhje me ndryshimin e klimës. / KultPlus.com