Kanë mbetur vetëm një muaj para hapjes zyrtare të Manifesta 14 Prishtina, e cila do të hapë dyert për publikun me 22 Korrik 2022.
102 pjesëmarrësit e këtij edicioni, 38 përqind e të cilëve prej janë nga Kosova, do të paraqesin veprat e tyre në plot 25 hapësira të ndryshme në Prishtinë.
Duke filluar nga ish-hapësira industriale e Fabrikës së Tullave; Hotelit Grand, Qendra për Praktikë Rrëfyese në ish-Biblotekën “Hivzi Sulejmani” dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet, të cilat kanë një qëllim: rikthimin e hapësirës publike në plan afatgjatë.
Manifesta 14 Prishtina është duke bërë përgatitjet e fundit për të pritur një numër të madh vizitorësh, përfshirë gazetarë të mediave më të mëdha në botë, artistë dhe profesionistë tjerë të rëndësishëm nga fusha e artit, arkitekturës dhe urbanizmit. / KultPlus.com
Këtë tetor, Manifesta 14 Prishtina do të bashkëorganizojë Asemblenë e Përgjithshme të nëntë për Rrjetin Ndërkombëtar të Bienaleve!
Këtë vit Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Ndërkombëtar të Bienaleve do të jetë asembleja e parë që zhvillohet fizikisht prej vitit 2019 dhe kjo ngjarje do të ndodhë në Prishtinë.
“Urojmë të na bashkoheni prej datës 18 deri më 22 tetor, përgjatë javëve të fundit të Manifesta 14 Prishtina”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Manifesta 14 Prishtina ka kënaqësinë të paraqesë listën e plotë të pjesëmarrësve të edicionit të 14-të të Bienales Nomade Evropiane që do të mbahet prej 22 korrikut në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Programi i Manifesta 14 do të zhvillohet në 25 hapësira të ndryshme në Prishtinë, prej Pallatit të Rinisë dhe Sporteve deri tek Hamami i Qytetit si dhe do të sjellë ndërhyrje artistike dhe urbane dhe një ekspozitë tematike në shtatë kate të Hotelit Grand.
Prej pjesëmarrësve, 39% kanë origjinë nga Kosova, e cila përbën shifrën më të lartë të pjesëmarrësve vendas ndonjëherë në edicionet e Manifestës. Vëmendja përqëndrohet gjithashtu në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga ku vijnë edhe 25% e pjesëmarrësve.
Njëri prej synimeve të Manifesta 14 është të themelojë një hapësirë kulturore ndërdisiplinore afatgjate që po realizohet me rinovimin e ish – Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” duke e kthyer atë në Qendër për Praktikë Rrëfyese që do të përfshijë edhe hapësirën për edukim, Oaza.
Kjo qendër do të hapet për publikun më 23 korrik 2022.
Ndërhyrje të rëndësishme urbane përfshijnë Korridorin e Gjelbër dhe Qendrën për Mësim Eko-Urban në ish-Fabrikën e Tullave.
Manifesta 14 Prishtina / Pjesëmarrësit:
Petrit Abazi (1983, RKS), Piers Greville (1972, AU) & Stanislava Pinchuk (1988, UA) * Larry Achiampong (1984, UK/GH) Astronomy Club of Kosova (RKS) Bora Baboçi * (1988, AL) Céline Baumann (1989, FR) Elona Beqiraj (1997, DE) Valentina Bonizzi (1982, IT) Anna Bromley * (1971, DE) Luz Broto * (1982, ES) Lee Bul (1964, KR) Lúa Coderch (1982, PE) Daniel Gustav Cramer & Haris Epaminonda (1975, 1980, DE/CY) Ilir Dalipi * (1981, RKS) Yael Davids * (1968) in collaboration withAndré van Bergen Cevdet Erek * (1974, TR) ETEA * (RKS) Jakup Ferri (1981, RKS) Foundation 17 * (RKS) Lek M. Gjeloshi * (1987, AL) Núria Güell (1981, ES) Driton Hajredini * (1970, RKS) Artan Hajrullahu (1979, RKS) Laureta Hajrullahu (1997, RS/RKS) Petrit Halilaj * (1986, RKS) Flaka Haliti * (1982, RKS) Lawrence Abu Hamdan (1985, LB) Haveit Collective (RKS) Roni Horn (1955, US) Fahrije Hoti and the Women of Krushë e Madhe (RKS) Majlinda Hoxha * (1984, RKS) ICA-Sofia (BG) Astrit Ismaili * (1991, RKS) Fitore Isufi Shukriu – Koja (1982, RKS) Hristina Ivanoska (1974, MK) Emily Jacir (1972, PS) Jelena Jureša (1974, RS/BE) Genc Kadriu * (1974, RKS) Alevtina Kakhidze * (1973, UA) Šejla Kamerić (1976, BA) Antoneta Kastrati & Casey Cooper Johnson (RKS/US) Doruntina Kastrati (1991, RKS) Kino ARMATA (RKS) Genti Korini * (1979, AL) Argjirë Krasniqi (1989, RKS) Edona Kryeziu * (1994, RKS) Katalin Ladik (1942, HU) Luljeta Lleshanaku (1968, AL) Nimon Lokaj (1941, RKS) Jumana Manna (1987, PS/DE) Brilant Milazimi (1994, RKS) Hana Miletić (1982, HR) Ivan Moudov (1975, BG) Alketa Xhafa Mripa (1980, RKS) Alban Muja * (1980, RKS) Sami Mustafa * (1984, RKS/FR) Silvi Naçi (1981, AL) Natasha Nedelkova (1993, MK) New Grand (Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi, Mimoza Sahiti, Ermir Zhinipotoku, Valdrin Thaqi, Blerta Hashani) (RKS) Tuan Andrew Nguyen (1976, VN) Vigan Nimani (1981, RKS) Thao Nguyen Phan (1987, VN) Christian Nyampeta * (1981, NL) O Season Collective (XK, AL, RO, DE) Adrian Paci (1969, AL/IT) Marta Popivoda (1982, RS) Susan Philipsz (UK) and Radio International Collective * (RKS, DE, KR, IT, RU, UA) Marubi National Museum of Photography (AL) PykëPresje * (RKS) Lala Raščić (1977, BA) raumlaborberlin * (DE) re.act.feminism (DE) Alicja Rogalska * (1979, PL/UK) RomaMoMa (DE/RS) with Farija Mehmeti (1978, Roma/RKS)* Ugo Rondinone * (1964, CH) Sahej Rahal * (1988, IN) Nusret Salihamixhiqi (1931, RKS) Secondary Archive * (AL, BY, CZ, HU, PL, RS, SK, UA, RKS) Abi Shehu (1993, AL) Sekhmet Institute * (RKS) Selma Selman (1991, BA) Driton Selmani (1987, RKS) Dineo Seshee Bopape (1981, ZA) Chiharu Shiota * (1972, JP) Igor Simić (1988, RS/US) Uýra Sodoma (1991, BR) Speculative Tourism * (IL) Beth Stephens & Annie Sprinkle (1960, 1954, US) Mette Sterre (1983, NL) StoryLab * (RKS) tamtam * (AT/DE) The name comes last collective * (RKS) Miryana Todorova (1984, BG) Vangjush Vellahu (1987, AL) Alije Vokshi (1945, RKS) Werker Collective * (NL) Sislej Xhafa * (1970, RKS) Yll Xhaferi * (1988, RKS) Miki Yui (1971, JP) Driant Zeneli * (1983, AL) Hana Zeqa (1988, RKS) Lulzim Zeqiri * (1978, RKS) Dardan Zhegrova (1991, RKS) / KultPlus.com
Manifesta 14 Prishtina ka shpalosë programin e këtij edicioni që do të mbahet në Prishtinë, e që pritet të pfrezantohen 77 pjesëmarrës nga 32 shtete, shkruan KultPlus.
Organizatorët kanë njoftuar se ky edicion do të shtrihet në 22 lokacione në gjithë qytetin e Prishtinës, ku pritet të jenë 40 ndërhyrje artistike, 32 vepra të konceptuara enkas për Prishtinën.
Kurse sa i përket përfshirjes së artistëve nga Kosova, pritet të prezantohen 37 artistë, duke përfshirë edhe 16 sosh nga Ballkani Perëndimor.
Ndërkohë, në konferencën e sotme ku ka marr pjesë ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Çeku e kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, institucione direkte me këtë festival, është thënë se edicioni do të nisë më 22 korrik të këtij viti, dhe përgjatë festivalit pritet që Prishtina të vizitohet nga 100 mijë vizitorë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se ky është viti më i rëndësishëm kulturor ndërkombëtar në Kosovë, kurse Përparim Rama e quajti mundësi fantastike për kryeqytetin.
“Mundësi fantastike për Prishtinën, pasi programi është i pasur dhe do të ngërthejë gjithë kryeqytetin. Do të jetë një edicion i pasur programor i Manifestës, i cili do të konceptojë 22 pika”, tha ai.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Manifesta-s, Hedwing Fijen, tha se këtë vit do të ketë shumë risi, derisa prezantoi disa nga shtyllat të programit të sivjetmë.
“Katër shtyllat qendrore të programit të Manifesta 14 në Prishtinë janë: ish hapësira industriale e fabrikës se tullave, Hotel Grand i ndërtuar gjatë periudhës jugosllave, qendra e re për praktikë rrëfyese në ish biblotekën ‘Hivzi Sylejmani’ dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet”, tha ajo./ KultPlus.com
Më 15 shkurt me fillim nga ora 18:00 në një forum të hapur do të prezantohen gjetjet e Manifesta 14 pas Konsultimeve me Qytetarë dhe Anketës Publike, shkruan KultPlus.
Konsultimet me Qytetarë janë pjesë e programit para-bienal të Manifesta 14 dhe i drejtohen përhapjes së perspektivës në kulturën bashkëkohore, zhvillimin urban, politikat socio-kulturore të Prishtinës duke përfshirë pikëvështrime nga komunitete të ndryshme dhe shoqërinë.
Konsultimet me Qytetarët u zhvilluan në bashkëpunim me Studio L A (Holandë) dhe u facilituan nga Applicative Research Solution (ARS), NGO Aktiv dhe Termokiss.
Gjetjet do të informojnë programin e Manifesta 14 duke lejuar të krijojmë një program që pasqyron nevojat e Prishtinës dhe gjithë komuniteteve të saj.
Pas prezantimit hyrës nga Drejtorja e Manifestës Hedwig Fijen dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama, gjetjet e Konsultimeve me Qytetarë dhe Anketës Publike do të prezantohen nga hulumtuesi Aliriza Arenliu.
Së fundmi, përfaqësues të Manifesta do të moderojnë një diskutim të hapur me publikun. Kjo është një mundësi për të hulumtuar dhe reflektuar mbi gjendjen kulturore të Prishtinës me komunitetin dhe stafin e Manifestës. /KultPlus.com
Së shpejti nikoqir i parë i Manifesta në Ballkanin Perëndimor, Prishtina po kalon një transformim emocionues, andaj edhe po kërkohet një filmbërës për të dokumentuar këtë vrull, ndërtimin deri në hapjen, vetë bienalen dhe ndikimin e saj në qytet, përcjell KultPlus.
“Ky është shansi juaj për t’i treguar botës skenën kulturore të lulëzuar në Kosovë”, ka shkruar Manifesta.
Manifesta 14 Prishtina po hap një thirrje për propozime për të prodhuar një dokumentar të shkurtër (deri në 30 minuta) duke ndjekur procesin dhe njerëzit që qëndrojnë pas Bienales Evropiane Nomadike dhe duke shfaqur programin e pasur dhe të larmishëm 100-ditor që do të zhvillohet në vitin 2022.
Ftohen kompanitë vendase të prodhimit, agjencitë e filmit ose krijuesit e filmave të aplikojnë dhe të tregojnë se si do t’i jepnin audiencës sonë një vështrim prapa skenave të edicionit të parë të Manifesta që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor.
Ekipi i përzgjedhur do të ndjekë ekipin e Manifesta 14 Prishtina në procesin e tyre të punës në Prishtinë dhe përmes aktiviteteve të shumta që kulmojnë në edicionin do të mbahet nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022.
Filmi dokumentar final do të ketë premierën në mbylljen e Manifesta 14 në Prishtinë si dhe turne potencialisht nëpër festivale. Manifesta synon gjithashtu të shfaqë filmin në mediat ndërkombëtare.
Ata janë në kërkim të një ekipi që dëshiron të tregojë historinë e Manifesta në Prishtinë, të nxjerrë në pah qasjen inovative dhe dalluese që merr bienalja dhe të zbulojë energjinë dinamike dhe të gjallë të qytetit të Prishtinës.
Për të aplikuar, dërgoni një CV dhe një letër motivuese, duke përfshirë qasjen që ju ose organizata juaj dëshironi të bëni. Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen në anglisht.
Aplikimet duhet të adresohen në [email protected] me temën “Manifesta 14 Prishtina Documentary” deri më 10 shkurt 2022.
Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane, me nikoqir Komunën e Prishtinës si bashkë-organizatore e Manifesta 14 Prishtina, një program 100 ditor i ngjarjeve dhe punëtorive artistike dhe ndërhyrjeve urbane nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022.
Për edicionin e saj të parë në Ballkanin Perëndimor, Manifesta 14 Prishtina po zhvillon një program të qëndrueshëm që përmban jo vetëm një numër të madh ndërhyrjesh dhe ekspozitash të kuruara, por gjithashtu funksionon si një forum ndërdisiplinor evropian që heton dhe katalizon ndryshimet pozitive shoqërore përmes kulturës bashkëkohore.
Në çdo qytet, ekipi i Manifesta punon me një ekip ndërdisiplinor të planifikuesve urbanë, arkitektëve, ndërmjetësuesve kulturorë dhe kreativ për të krijuar një program shumë-shtresor të bazuar veçanërisht në identifikimin e kontekstit lokal të qytetit nikoqir dhe shumëllojshmërisë së komuniteteve të tij. Kjo metodologji pjesëmarrëse përdoret kryesisht për të integruar sa më shumë që të jetë e mundur artistë, institucione, organizata, producentë dhe projekte kulturore nga qyteti nikoqir në programin 100-ditor të bienales.
Prishtina është kryeqyteti më i ri i Evropës, me një dinamikë mbresëlënëse dhe skenë artistike në rritje që është gjithnjë e më e pranishme në nivel ndërkombëtar. Prishtina ka kushtet optimale për të qenë një vend ku transformimet e frytshme të iniciuara nga Manifesta 14 bëhen një realitet i qëndrueshëm si në aspektin e zhvillimit të përmbajtjes artistike në lokacione specifike ashtu edhe në rimendimin dhe riformësimin e strukturës së të ardhmes së bienaleve në përgjithësi.
Si shihen, si kallxohen, si ndjehen: rrëfimet nga Kosova në qendër të programit të Manifesta 14 Prishtina
Edicioni i 14-të i Manifesta, i titulluar “Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe”, merr sfidën e eksplorimit dhe gjenerimit të praktikave dhe mënyrave të reja të rrëfimit kolektiv. Sfida është të kuptojmë se si të bashkëprodhojmë, bashkë-zhvillojmë, tregime të rikuperimit ende të mundshëm, që mbajnë rrëfimet e gjalla për ata që vijnë më pas.
Nën drejtimin artistik të Ndërmjetësueses Kreative Catherine Nichols, koncepti kuratorial e pozicionon rrëfimin e tregimeve si një strategji vendimtare të mbijetesës. Përmes rrëfimit të tregimeve të ndryshme, bienalja synon të bëhet një platformë gjithëpërfshirëse dhe e larmishme ku hierarkitë dhe kufijtë zhduken. Manifesta 14 Prishtina do të përzgjedhë tregime/projekte që trajtojnë dhe vijnë nga kultura e Kosovës dhe qytetarët e saj. Në kuadër të programit të Manifesta 14 Prishtina, nuk do të ketë dallim ndërmjet pjesëmarrësve ndërkombëtarë dhe vendorë, por tregime që eksplorojnë lokacione, vende dhe histori të ndryshme të qytetit të Prishtinës dhe që do të jenë pjesë e integruar e programit të kuruar. Ndryshe nga edicionet e mëparshme të Manifesta, të gjitha projektet lokale do të financohen, si dhe do të marrin mbështetje komunikimi dhe logjistike nga ekipi i Manifesta. Përmes kësaj qasjeje, Manifesta 14 po merr formë dhe po mëson nga qyteti i Prishtinës, duke i dhënë zë qytetarëve të saj.
Në janar 2022, një juri do të përzgjedhë maksimum 15 projekte nga propozimet e paraqitura. Projektet e përzgjedhura do të zhvillohen nën drejtimin kuratorial të Ndërmjetësueses Kreative.
Manifesta do të ofroj një buxhet fillestar nga 5000 € për secilin projekt të zgjedhur, si dhe mbështetje logjistike dhe kuratoriale.
KRITERET E PËRZGJEDHJES
– Propozimet mund të bëhen nga artistë kosovarë, kuratorë, profesionistë, organizata të pavarura kulturore ose të shoqërisë civile, institucione private dhe publike në Kosovë. Duhet të jeni rezident nga Kosova që të aplikoni.
– Projektet duhet t’i përgjigjen të paktën një prej temave të propozuara nga Ndërmjetësusja Kreative Catherine Nichols dhe të lidhen me konceptin kuratorial ‘Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe’ (shih linkun) ose me vizionin urban të quajtur Commons Sense nga CRA-Carlo Ratti Associati (shih linkun).
– Të gjitha projektet e përzgjedhura do të zhvillohen në Prishtinë dhe dotë integrohen në një nga lokacionet kryesore të Manifesta 14; si Hotel Grand, Fabrika e Tullave ose Bibloteka Hivzi Sylejmani. Gjithashtu, do të merren në konsideratë edhe projektet rreth intervenimeve specifike në/për hapësirë me bazë në Prishtinë.
UDHËZIMET E APLIKIMIT
Materialet e nevojshme për paraqitjen e propozimit:
– Përshkrimi i projektit, maksimumi 500 fjalë
– Formati i projektit (performancë/video/ngjarje/ekspozitë/etj.)
– CV dhe Portofoli (ose web faqe) e aplikantit/ve
– Buxheti i detajuar, duke përfshirë një plan për projektin që do të financohet në rast të tejkalimit të buxhetit paraprak të ofruar nga Manifesta14
– Aplikimet duhet të dorëzohen në adresën [email protected] me titullin “Aplikimi për thirrjen e hapur”
AFATI KOHOR
– Afati i fundit për të aplikuar – 19 janar 2022
– Publikimi i propozimeve të suksesshme – shkurt 2022
– Fillimi i produksionit – shkurt/mars 2022./ KultPlus.com
Lulet boshtra, farat e palmës, luleqershia, luleftoi dhe karafili, janë këto lulet gjigande të krijuara nga pëlhura për instalacionin e titulluar ‘’Lule Mosmëharro’’ të artistit bashkëkohor Petrit Halilaj, i cili së bashku me Alvaro Urbano, përmes edicionit të tretë të Autostradës Biennale, kanë sjell këtë instalacion në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ e që në vete ngërthen një thirrje unike, një thirrje për diversitet, ndryshim dhe guxim për të shpresuar e ëndërruar, shkruan KultPlus.
Biblioteka Kombëtare dje ishte shndërruar në një fole madhështore ku kupolat e saj tashmë nuk të kapnin syrin, për arsye se pikërisht nën kupolën kryesore, të vendosura ishin lulet shumëngjyrëshe e llojllojshme të cilat kishin zënë vendin e tyre në ajër. Instalacioni u plasarit para publikut si një kopsht përrallor, një strofull ku dashuria zë vend dhe nuk lë hapësirë për asnjë lloj ndjesie tjetër. Ndërsa, ishte pikërisht kjo dashuri për artin e njeriun që dje mblodhi afër vetes, artistë të shumtë e artdashës të këtyre krijimeve unike.
Fillimisht, pasi që të pranishmit ishin mbledhur jashtë Bibliotekës dhe ishin furnizuar me nga një libër që përmbante informacione rreth edicionit të tretë të Autostradës Biennale, padurimi i tyre për të hyrë brenda vërehej jo vetëm në fytyrë por edhe në lëvizjet e luhatjet e vogla që trupi i tyre krijonte. Pas 10 minuta pritje, dyert e Bibliotekës u hapën e së bashku me vështrimin e syve të të pranishmëve që direkt u cungua drejt hapësirës ku lulet ishin prezente, u zgjerua edhe hapësira brenda nesh, aty ku lumturia, gëzimi, habia, kureshtja dhe trazirat e ëmbla krijojnë një rrokullisje skalitëse brenda stomakut të njeriut.
Ajo se çka çuditi dhe shtangu të gjithë, ishin dy persona të veshur me kostume kafshësh duke shoqëruar të pranishmit e sidomos fëmijët deri sa ata ngjiteshin në shkalla. Kjo e papritur ishte një befasi që futi të gjithë në një humor tejet të duhur e specifik dhe njëkohësisht gjallëroi atmosferën deri në një masë të paparashikuar.
Kokat e gjithsecilit ishin gdhendur në një pozitë përpjetë dhe njëlloj si ky instalacion, nuk po mund të dilnin nga hipnotizimin që lulet krijonin. Ulërima e tyre erdhi në formën e heshtjes dhe në gërshetimin e ngjyrave nga më të ndryshmet, një gërshetim ky që portretizonte edhe mesazhin e instalacionit. Ndërsa, entuziazmi i të pranishmëve nuk po mbaronte dot, ata lëviznin herë në një qosh e herë në këndin tjetër për të vëzhguar e admiruar këto lule të veçanta që publikun kosovar e lanë pa mend e pa frymë.
Ndërkohë, për të shënuar nisjen e kësaj ngjarje, sopranoja Urta Haziraj, e vendosur në një nivel paralel me lulet gjigande në një kat më lart dhe pianisti Melos Buza, që ishte vendosur poshtë e i cili me një shikim të vetëm me sopranon, filluan të pushtojnë ambientin me një harmoni të dalluar. Tingujt e instrumentit bardh e zi dhe timbri dramatik i zërit të sopranos, kapluan atmosferën në një harmoni ku fuqia e pasur artistike dhe melodike ndërlidhej në një rënkim sensual e pasionant të një agonie të dëshiruar.
Pastaj, pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve të sinqerta të publikut, radhën për të interpretuar këngën ‘Shingjergjat po sillen’, në një version admirues, doli artisti Plator Gashi, i cili ishte vendosur në një pllakë rrethore që jepte ndjesinë se çdo hapësirë mund të kthehet në një vend performimi. Zëri i tij verbues e i papërsëritshëm përqafoi meloditë e tingujt me një talent karakteristik që vetëm ai mund të posedoj, kurse interpretimi në kitarë tashmë për të është shndërruar në një epilog jetësor e ekzistencial e që publikun e trazoi duke i futur ata brenda një ngatërrese emocionale e tejet ndikuese.
Kështu, pas këtyre aktivitete kulturore e të domosdoshme në një kohë të tillë ku nevoja e dëshira për to nuk ka qenë asnjëherë më e madhe, nisën edhe fjalimet pasuese. Në fillim, fjalën e morri Vatra Abrashi, bashëkthemeluesja e Autotradës Biennale, e cila hapi këtë ngjarje me një fjalim.
“Jemi shumë të lumtur që së bashku po fillojmë rrugëtimin tonë të edicionit të tretë të Autostrada Biennale, këtu me ju nën veprën e mrekullueshme të Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano. Si bashkëthemeleues të Autostrada Biennale, së bashku me Leutrimin dhe Barisin, kemi fillua rrugëtimin tonë në Prizren në vitin 2014 dhe edicionin e parë e kemi mbajtur në vitin 2017 bazuar në nevojën për më shumë shkëmbime kulturore”, thotë Abrashi.
Sipas saj, gjithmonë është menduar që Autostrada Biennale të jetë si një pikë ndërlidhëse dhe një rrugë në hartën e Ballkanit perëndimor. Mirëpo, pandemia ka bërë që Austrada ta rimendojë modelin e Biennales duke shtrirë aktivitetet e tyre edhe në Prishtinë e Pejë.
“Jemi të gëzuar që edicionin e tretë ‘What if…’, e kanë kuruar dy kuratore të dashura për ne e që i falenderojmë përzemërsisht për një edicion magjik me artistë dhe vepra të mrekullueshme”, ka thënë Abrashi.
Pastaj, fjalën e morri edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.
“Me qenë në këtë hapësirë është e jashtëzakonshme. Biblioteka sot po duket si asnjëherë më parë. Lulet magjepse të Petritit dhe Alvaros, u sollën në Prishtinë për të na rikujtuar disi se si nuk ka kufi për kujtimet e përbashkëta. Ky instalacion sikur është një ftesë për të na rikthyer në memoriet tona por edhe shpresat për ndryshim e guxim e moskonformizëm me preokupime të përbashkëta që kemi si komunitet”, thotë Berisha.
Sipas tij, ai ndjehet shumë i lumtur që në emër të Komunës së Prishtinës, ata kanë arritur të përkrahin ardhjen e luleve të Petritit në Prishtinë në bashkëpunim me ekipin e Autostradës Biennale.
“Ne do të mundohemi për të gjetur një vend apo hapësirë publike që lulet e Petritit, të kanë një vend të përhershëm në Prishtinë”, përfundon Berisha.
Ndërsa, Tatiana Tarago nga Manifesta, në emër të të gjithë ekipit të Manifestës, përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për prezencën e tyre.
“Unë vetëm doja të shprehja se sa të nderuar jemi që të bashkëpunojmë dhe mbështesim Autostradën Biennale e njëkohësisht për të vërtetuar se sa e rëndësishme është puna që ata po bëjnë. I uroj artistët për këtë punë të jashtëzakonshme dhe shpresoj që të vazhdojmë të bashkëpunojmë tutje”, ka thënë Tarago.
Fjalimi i Leutrim Fishekqiut nga Autostrada Biennale, ishte ai i radhës ku ai është shprehur se për të është një kënaqësi e jashtëzakonshme që po punon me një ekip të jashtëzakonshëm.
“Pas një kohe të gjatë të pandemisë, kishim me të vërtetë nevojë për të parë këto fytyra të bukura që jeni ju këtu ndër këto lule kaq të bukura”, ka thënë Fishekqiu.
Pastaj, radhën e kishin kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’, si: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza.
“Është një thashethem që kjo ndërtesë ka 99 kupola dhe kjo është në të mirë të objektit i cili gjithmonë mund të zhvillohet tutje e të rritet. Kjo ide është ajo që ne po e zhvillojmë edhe në këtë edicion, pra idenë e e paplotësisë”, ka thënë Warsza.
Në ndërkohë këto kuratore lexuan edhe një pjesë të tekstit nga libri informues që përmban fakte rreth edicionit të Autostradës Biennale dhe konceptit të tij.
Kështu krejt në fund, pritjes së çdo kujt i dha fund prezenca e artistëve Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, të cilët po ashtu dolën përpara për të folur.
“Lulet vinë si një gjest i vogël i një relacioni, gjeste dashamirëse, lule të cilat i dhurojmë njëri-tjetrit dhe familjeve. Ne dëshiruam që këto gjeste t’i shndërrojmë në madhësi shumë më të mëdha”, ka thënë Urbano.
Ndërsa, artisti bashkëkohor, Petrit Halilaj, është shprehur se po ndjehet tejet i lumtur që ai ndan këto momente me të pranishmit.
“Faleminderit që keni ardhur sepse është gëzim i veçantë për të ndarë këtë moment me juve, për të pasur Alvaron afër, kuratoret, Autostradën Biennale, Komunën e Prishtinës, të gjithë qytetarët e familjen time”, ka thënë Halilaj.
Sipas tij, ai është rritur çdo herë me fjalët: liri, barazi e demokraci, dhe çdo gjeneratë ka pasur sfidat e kërkesat e tyre për barazi.
“Këto lule janë goxha të mëdha, por janë lule që i kemi dhuruar njëri-tjetrit me Alvaron. Ne jemi bashkë që 10 vjet dhe pa ato lulet e vogla që ia kemi dhuruar njëri-tjetrit, s’do të kishin pasur kuptim këto lule të mëdha. Por këto lule kanë kuptim sepse ia kemi dhuruar shoqërisë tonë”, përfundon Halilaj.
Kështu krejt në fund, njëra nga kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, Ovul O.Durmusoglu, shënoi fundin e kësaj ngjarje me një këngë turke që fliste për dashuri, behar e zogj.
Autostrada Biennale në edicionin e saj të tretë, së bashku me edicionin e pestë të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘’Pjetër Bogdani’’, kanë prezantuar dje këtë instalacion artistik. / KultPlus.com
Projekti i Manifesta 14 është eksperiment i provuar për herë të parë me një metodologji të re për urbanizëm me burim të hapur. Është vështirë të gjendet një laborator jetese më i mirë se Prishtinë, një kryeqytet i ri me energji të fuqishme nga baza e hierarkisë që po ndryshon marrëdhënien me hapësirën publike, shkruan KultPlus.
Projekti për Manifesta 14 në Prishtinë shtyn para hulumtimet e CRA-së për metodologjitë me burim të hapur për procesin e dizajnimit, gjë që vazhdon tash e një dekadë. Qëllimi përfundimtar i qasjes me burim të hapur është të transformohet arkitektura “nga një mekanizëm i pandryshueshëm mbarimi prej lart poshtë në një sistem gjithëpërfshirës, transparent dhe ekologjik me qasje prej poshtë lart – edhe nëse prapëseprapë përfshin mekanizma prej lart poshtë”. Me kalimin e kohës, kjo qasje është përkthyer në një varg projektesh dhe ekspozitash të shumanshme të zhvilluara ndërkombëtarisht nga CRA.
Manifesta është themeluar në fillim të viteve të 90-ta si përgjigje ndaj ndryshimeve politike, ekonomike dhe shoqërore si pasojë e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Perdes së Hekurt. Nga etablimi i saj Bienale Nomade Evropiane – një rrjet gjithevropian për artet bashkëkohore që ndryshon lokacionin çdo dy vjet – kjo ngjarje gjithnjë e më shume po e forcon qasjen e saj ndërdisiplinore. Duke filluar nga edicioni i vitit 2018, Fondacioni Manifesta ka ftuar praktika ballore të dizajnit për zhvilluar edhe hulumtime para bienales, edhe plane afatgjate për identifikimin e strategjive, lokacioneve, komuniteteve dhe temave kyçe të mundshme për qytetet e përzgjedhura. Studimi urban i Manifesta 12 (2018), i zhvilluar nga OMA, është përqendruar në Palermon dhe rolin e tij si integrues kulturor. Studimi urban i Manifesta 13 (2020), i zhvilluar nga MVRDV, ka eksploruar qytetin e Marsejës. Për Manifesta 14 në Prishtinë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtorja e Manifestës Hedwig Fijen, kanë emëruar Carlo Ratti Associati për të zhvilluar studimin urban për kryeqytetin e Kosovës.
Përbrenda edicionit të 14 të Manifestës që do të mbahet në Prishtinë, Manifesta po përpiqet të sjell ndryshime të mëdha në politikat e bienales; një nga to është mbështetja dhe bashkëkrijimi i zgjidhjeve të qëndrueshme dhe relevante artistike në mënyrë që të rritet kapaciteti kreativ. Kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e Prishtinës dhe komunitetet artistike e qytetare për të ushqyer lidhshmërinë me natyrën dhe për ta rinuar marrëdhënien e tyre me të, ndërkohë që do të bëhet ndërgjegjësim më i madh për realitetet aktuale. Metodologjia e Carlo Ratti Associati, e cila përqendrohet në urbanizmin pjesëmarrës, do ta forcojë misionin e Manifesta 14 për të punuar me komunitetet me qëllim të krijimit të zgjidhjeve të qëndrueshme urbane.
Për të folur rreth prezantimit të ndërhyrjeve të para urbane në Prishtinë dhe ardhjen e Manifestës në Prishtinë, të pranishëm ishin panelistët si: drejtori i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, drejtoresha e Manfiesta Hedwig Fijen, zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Daulina Osmani dhe themeluesi i firmës për dizajn dhe inovacion të CRA-së, Carlo Ratti.
Kjo ngjarje nisi me fjalën e drejtoreshës themeluese të Manifesta, Hedwig Fijen, e cila foli rreth ndërhyrjeve të para që tashmë kanë filluar në Prishtinë.
“Tanimë janë zbuluar ndërhyrjet e para simbolike në Prishtinë që do të bëhen nga zyra e dizajnit dhe novacionit CRA-Carlo Ratti Associati. Në mars 2021, CRA-ja është përzgjedhur të zbatojë vizionin urban të Manifesta 14 për Prishtinën. Vizioni urban informon mënyrën se si Manifesta 14 do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal, por edhe të hulumtoj se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet duke rimarrë hapësirën publike nga qytetarët e tij”, ka thënë Fijen.
Sipas saj, Carlo Ratti ka folur për gjetjet fillestare nga hulumtimet e CRA-së që janë kryer gjatë tre muajve të fundit, si dhe ka dhënë vizionin për mënyrën se si do të mund të zhvillohej Qyteti i Prishtinës në të ardhmen sipas një skeme me burim të hapur duke propozuar një metodologji të re që përqendrohet në urbanizmin pjesëmarrës, gjë që do të provohet në Prishtinë për herë të parë.
“Metodologjia përbëhet nga tri faza të ndryshme. Faza fillestare, e cila ka ndodhur në fillim të marsit 2021, është sjellë rreth shqyrtimit të një numri të madh hartash të Prishtinës, kryesisht për t’i parë hapësirat publike të qytetit. Kjo ka ndihmuar për ndriçimin e modeleve të ndryshme hapësinore dhe shoqërore, si dhe për të shquar vende kyçe – sheshe dhe rrugë, parqe dhe hapësira të gjelbra – që tani për tani nuk përdoren mjaft ose që keqpërdoren. Gjatë verës 2021, si pjesë e fazës së dytë të projektit, këto vende do të bëhen lokacione të një vargu ndërhyrjesh të përkohshme urbane, duke sugjeruar mënyra alternative për atë se si mund të rimerret hapësira publike”, thotë Fijen.
Për Fijen, në fazën e tretë, njerëzit do të kenë mundësinë të “votojnë me këmbë”: pra, të japin komente të drejtpërdrejta mbi veprimet e dizajnit. Ky mekanizëm i reagim-vlerësimit do të kontribuojë për të kuptuar se cili intervenim duhet të ruhet dhe të konsolidohet për të ardhmen e kryeqytetit të Kosovës, kështu duke nxitur evoluimin e vazhdueshëm të qytetit.
“Është çast unik për jetën urbane. Emergjenca shëndetësore e vitit të shkuar jo vetëm që i ka bërë qytetet të panevojshme, por në fakt ka vepruar si katalizator për novacion. Kjo na mundëson të ri mendojmë hamendësimet për atë se si i duam qytetet – si interpretim urban i asaj që ekonomisti Joseph Schumpeter ka quajtur “shkatërrim kreativ”. Ç’ është e vërteta, nuk është e mundur të dihet se cili transformim është më i miri pa e provuar fillimisht, andaj kjo është çfarë do të fillojmë të shqyrtojmë këtë verë. Ftojmë të gjithë njerëzit të ndajnë vlerësimet e tyre me ne për ndërhyrjet urbane dhe të kontribuojnë në evoluimin gjithnjë e më të hovshëm të Prishtinës’’, përfundon Fijen.
Tutje, për të folur rreth buxhetit dhe problemit mes hapësirave publike dhe privatizimit, foli kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Tashmë janë bërë më shumë se 2 vjet që Prishtina e fitoj të drejtën që të jetë nikoqire e Manifestës dhe që atëherë ne kemi pritur që të kemi shumë vizitorë. Ideja e Manifestës nuk është vetëm numri i vizitorëve që ta shohim se si ta përdorim këtë mbledhje të urbanistëve, disajnerëve, arkitektëve dhe artistëve që të bëjnë diçka për Prishtinën’’, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, në qoftë se ekziston një betejë që bëhet në Prishtinë që një kohë të gjatë është ajo mes privates dhe publikes ku që nga viti 1999 nuk ka pasur ndonjë betejë më të vështirë.
“Pas diskutimeve të gjata, ne si Komunë kemi kërkuar nga Manifesta që tema kryesore të jetë si ti ruajmë hapësirat publike dhe çfarë efekti do të kenë ato. Si Komunë kemi shpenzuar rreth 5 milionë euro nga buxheti jonë që ta blejmë hapësirën e Fabrikës së Tullave dhe Shtëpinë e Mallrave apo Ish-Gërminë, të cilën po ashtu e kemi blerë me një vlerë rreth 2 milionë euro”, shpalos Ahmeti.
Për Ahmetin, ideja që këto objekte të mbrohen nga privatizimi është kryesore sepse hapësirat publike duhet të mbrohen, ndërsa edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe Hotel Grandi, duhet të mbrohen me patjetër nga deformimet potenciale që mund të vijnë.
Kurse, tutje ka folur edhe zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
“Manifesta, një prej bienaleve më të veçanta të Evropës që prej viteve të 90-ta, kërkon të decentralizojë qasjen e qendrave artistike. Manifestën e shohim si një mundësi që vetë shoqëria jonë të bëhet pjesë integrale e këtij laboratori socio-kulturor. Andaj, Manifesta vjen në Prishtinë në një periudhë shumë të veçantë kulturore ku Kosova tashmë numëron 103 festivale kulturore me kapacitete të reja edukativo-arsimore’’, ka thënë Osmani.
Sipas saj, ky është një moment i veçantë ku Kosova po e pret një platformë e leximit, eksperimentimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja, gjithmonë në shërbimin e një niveli të lartë ku Manifesta të organizohet si një ngjarje shumë e rëndësishme në një vend të Ballkanit.
“Kosova që nga shekulli XX, ka kaluar në etapa të ndryshme socio-kulturore dhe politike, duke e formësuar shoqërinë tonë të larmishme duke e gdhendur opinionin e tyre se si organizohet kultura në hapësira publike për arsye se ka kaluar nëpër sisteme që i kanë formësuar vetë për të krijuar një qasje ndaj objekteve arkitektonike”, përfundon Osmani.
Po ashtu, vetë partneri themelues i zyrës për dizajn dhe novacion të CRA-së dhe profesori në Massachusetts Institute of Technology, Carlo Ratti ka folur rreth ndërhyrjeve të para urbane të Carlo Ratti Associati në Prishtinë.
“Ndërhyrja e parë simbolike do të ndodhë në një hapësirë që më parë ka qenë e lënë pas dore, në Fabrikën e Tullave – i cili është lokacioni më i rëndësishëm pasindustrial i qytetit – dhe do të shndërrohet përkohësisht në një hapësirë të komunitetit. Përmes krijimit të një “dhome urbane të ndejës”, ndërhyrja ka për qëllim të nxisë debat për mënyrat se si hapësira mund të përdoret nga qytetarët e Prishtinës, si mund të bëhet e qasshme për komunitetet dhe si mund të bëhet pjesë e infrastrukturës së qytetit”, thotë Ratti.
Sipas tij, krahas ndërhyrjes urbane në Fabrikën e Tullave, një lokacionin i dytë po ashtu do t’i nënshtrohet metodologjisë së CRA-së. Kjo do të ndodhë në ish-Librarinë Hivzi Sylejmani, një ndërtesë e fillimit të shekullit të 20-të që ka një oborr të vogël e të këndshëm, por që aktualisht është i paqasshëm, edhe pse gjendet në qendër të qytetit.
“Bashkë me komunitetet lokale dhe studentët nga Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës , Manifesta 14 synon t’i jep trajtë një hapësire alternative komunitare për lagjen dhe përmes këtij veprimi shpreson të tregojë se si hapësirat e braktisura publike mund të shndërrohen në vende ku mund të ndërveprojë komuniteti. Edhe Fabrika e Tullave, edhe ish-Biblioteka do të përdoren si vendngjarje për edicionin e ardhshëm të Manifestës në vitin 2022 dhe janë pjesë e vizionit të saj për riaktivizimin dhe rimarrjen e hapësirës publike në Prishtinë’’, përfundon Ratti.
Kështu krejt në fund, të pranishmit patën mundësinë të shtrojnë pyetje rreth gjithë asaj se çka është prezantuar sot.
Manifesta është themeluar dhe drejtohet nga historiania holandeze e artit Hedwig Fijen. Çdo edicion i ri financohet individualisht dhe menaxhohet nga një ekip i përhershëm i specialistëve ndërkombëtarë.
Qytetet e ardhshme nikoqire të Manifesta:
Manifesta 14, Prishtinë (Kosovë, 2022)
Manifesta 15, Barcelona (Spanjë, 2024)
Manifesta 16, Ruhr Area (Gjermani, 2026) / KultPlus.com
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka bërë të ditur se në vjeshtën e vitit 2022, njëra nga ngjarjet më të mëdha artistike në Evropë, do të zë vend në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Berisha përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, ka theksuar se gjatë këtyre ditëve ka mikëpritur drejtoreshën e ”Manifesta 14”’, Hedwing Fijen dhe ekipin, ku siç ka theksuar ai, janë dakorduar për hapat e radhës në lidhje me këtë ngjarje.
”Gjithashtu për rrjedhën e projekteve, zhvilluam takime edhe me aktere të ndryshëm që ndërlidhen me ‘Manifesta 14′ në përgjithësi, si në fushat e kulturës, edukimit, urbanizmit e për bashkëpunimet e ndryshme ndërkombëtare që do t’i kemi’‘, ka shkruar tutje Berisha. / KultPlus.com
“Jeta sot duket tejet e paparashikueshme dhe diskursi i tanishëm i mediave shfaq një të ardhme të pasigurt e cila rrezikohet nga polarizimi, çintegrimi, kaosi klimatik dhe pabarazitë e shtuara ekonomike, si dhe nga ndikimi i pandemisë së koronavirusit. Këto beteja për barazi dhe lëvizjet e reja aktiviste e kanë nxitur Manifestën të transformojë mënyrën e saj të punës duke u përqendruar në rezultatet e programit tonë bienal, të cilat ngërthejnë përfshirje më të madhe dhe më të qëndrueshme shoqërore. Kjo do të thotë se ne punojmë me urbanistë, arkitektë, ekologë dhe dizajnerë socialë krahas artistëve dhe punëtorëve kreativë për t’u siguruar se jemi në gjendje ta transformojmë Manifestën në një angazhim më të larmishëm, më përfshirës, më demokratik të zërave dhe komuniteteve lokale me qasje nga poshtë lart, që sinjalet i shndërron në substancë dhe më pas në veprime konkrete”, thotë Hedwig Fijen, Drejtore e Manifesta.
Bienalja Nomade Evropiane Manifesta lindi në fillim të viteve 1990 si përgjigje për ndryshimet politike, ekonomike e shoqërore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave vijues drejt integrimit evropian. Manifesta është shndërruar në një platformë dialogu mes artit dhe shoqërisë duke ftuar komunitetin kulturor, artistik dhe urban të prodhojë përvoja të reja kreative me kontekstin në të cilin zë fill dhe për të. Manifesta rimendon marrëdhëniet midis kulturës dhe shoqërisë duke hulumtuar dhe katalizuar ndryshimet pozitive sociale në Evropë përmes kulturës bashkëkohore në një dialog të vazhdueshëm me sferën sociale të një vendi të caktuar.
Përgatitjet për edicionin 14-të të Manifestës janë në zhvillim e sipër në Kosovë. Përkundër kufizimeve aktuale për shkak të pandemisë COVID-19, bienalja ka filluar të punojë edhe si think tank edhe si lehtësues lokal për të krijuar modele alternative për eksplorime qenësore urbanistike, sociale dhe kulturore në shtetin më të ri evropian. Përgjatë historisë së vet 25-vjeçare, bienalja ka bërë kërkime të bujshme të përbërjes së Qyteteve Nikoqire për të krijuar projekte të qëndrueshme dhe relevante ndërdisiplinore. Hulumtimi shumështresor nga poshtë lart merr formë të një vizioni urban, konsultimeve qytetare, të një hartëzimi të komuniteteve lokale si dhe të një vargu punëtorish me opinionistë vendorë për të kuptuar se si Qyteti Nikoqir mund të shërbejë si prototip i një bote në ardhje e sipër. Andaj, qëllimi i Manifestës 14 është të prodhojë projekte të qëndrueshme me qëndrueshmëri më afatgjatë së bashku me infrastrukturën vendore krahas intervenimeve të artit bashkëkohor anembanë qytetit.
Në këtë drejtim, juria e kryesuar nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe Drejtorja e Manifestës, Hedwig Fijen, ka përzgjedhur zyrën arkitekturale në Torino – Carlo Ratti Associati – në bashkëpunim me MIT Senseable City Lab për të zhvilluar vizionin urban të Qytetit të Prishtinës për edicionin e radhës të Manifestës. Vizioni urban funksionon edhe si hulumtim parabienal edhe si vizion afatgjatë për të identifikuar strategji, lokacione dhe tema qenësore për qytetin. Vizioni urban tregon se si do të marrë formë Manifesta 14 Prishtina përbrenda kontekstit lokal, por aspekti më i rëndësishëm është se kërkon të rikrijojë mënyrën se si qyteti i Prishtinës mund të tranformohet ku qytetarët rikërkojnë hapësirat e tyre publike.
“Si nikoqir i Manifestës, ne si Komunë e Prishtinës jemi të lumtur që tashmë kemi nisur të lëvizim për realizimin sa më të mirë të Manifesta 14 në qytetin tonë ku, përveç përzgjedhjes së ekipit të mrekullueshëm të koordinatorëve lokalë të cilët kanë filluar të punojnë tash e disa muaj, kemi zgjedhur edhe arkitektin dhe aktivistin e shquar italian, Carlo Ratti, për të punuar për realizimin e një studimi urban të qytetit tonë me fokus special te Fabrika e Tullave. Komuna e Prishtinës mirëpret ambiciet e Manifestës 14 Prishtinë për krijimin e një pilot modeli të një institucioni të përhershëm ndërdisiplinor në qytetin tonë, dhe jemi të lumtur t’ju njoftojmë se për këtë qëllim kemi përzgjedhur Bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’”, thotë Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës.
“Jo që nuk i ka bërë qytetet të dala mode, por pandemia Covid-19 ka hapur potencial edhe më të madh për rilindje – atë që ekonomisti Joseph Schumpeter e quan “shkatërrim kreativ” në shkallë urbane. Kriza nuk u ka lënë qeverive opsione të tjera përveç përvetësimit të një qasjeje të shpejtë duke mësuar nga gabimet. Inovacionet e jashtëzakonshme për zona pedonale, hapësira publike, banim të përballueshëm, dhe zonim dinamik të cilat kanë dalë në pah flasin për fuqinë e reagimit pozitiv të qytetarëve. Jemi në fillim të një epoke të re të inovacionit urban pjesëmarrës – i cili qëndron në thelbin e asaj që ne duam të eksplorojmë në Prishtinë me Manifestën 14″, shprehet Carlo Ratti, drejtor i MIT Senseable City Lab në Boston dhe themelues i firmës së projektimit dhe inovacionit CRA-Carlo Ratti Associati.
Duke u përputhur me vizionin urban të realizuar nga Carlo Ratti Associati, dhe duke siguruar metodologji nga poshtë lart, pas suksesit të kësaj qasjeje në Manifesta 13 Marseille, Manifesta 14 ka vendosur të zhvillojë punëtori konsultimi me qytetarë nga komunitete të ndryshme në Prishtinë të cilat do të udhëhiqen nga Studio LA, themeluar nga arkitektja boshnjako-holandeze Arna Mačkić dhe arkitekti holandez Lorien Beijaert. Këto punëtori fokusohen te mënyra se si kultura(t) kuptohet dhe praktikohet nga komunitete të ndryshme artistike dhe qytetare. Përveç kësaj, punëtoritë do të identifikojnë agjendën e banorëve në relacion me zhvillimin urban, si dhe politikat socio-kulturore dhe arsimore të qytetit të tyre.
“Dialogu është themeli i një shoqërie përfshirëse. Shoqëria e barabartë, demokratike, nxjerr dobi nga takimet midis njerëzve të ndryshëm me vizione të ndryshme për botën. Ndërveprimi midis qytetarësh të ndryshëm është qenësor në një mjedis të rehatshëm dhe me njëri-tjetrin për të shmagur që qytetarët të përjashtohen nga projekte të zhvillimit urban. Ne besojmë se projektimi i një hapësire publike ka ndikim. Projektimi dhe organizimi i hapësirës për dialog është pjesë e praktikës sonë. Kemi nderin, veçanërisht për shkak të lidhjes sonë me Ballkanin, t’i kontribuojmë realizimit të punëtorive konsultuese me qytetarë në Prishtinë së bashku me Manifesta 14”, potencon Arna Mačkić dhe Lorien Beijaert, bashkëthemelues të Studio L A
Në periudhën e fundit të krizës shëndetësore globale dhe të mbylljes aktuale, për Manifestën ka qenë tejet e rëndësishme t’i rimendojë parimet e saj themelore dhe metodologjinë për t’i dhënë një theks tjetër praktikave më të qëndrueshme artistike si dhe për të demokratizuar modelin kuratorial të prodhimit të njohurive, bashkëkrijimit dhe lidhjes së disiplinave të ndryshme me projekte afatgjata, përmirësime të hapësirave publike dhe ndërtim të komunitetit.
Në fazën e parë të pranisë sonë në Prishtinë – që u shty për shkak të mbylljes – Manifesta 14 në Prishtinë do të hapë zyrat e saj të përkohshme në zemër të kryeqytetit të Kosovës, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve – monument i periudhës së ish-Jugosllavisë. Pallati i Rinisë si projekt arkitektonik dhe si kontributdhënës kulturor i asaj kohe zë vend të veçantë në kujtesën kolektive të qytetarëve të Prishtinës duke ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të kryeqytetit.
Përveç Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës ia ka dhënë Manifesta 14 ndërtesën e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” për t’u shfrytëzuar si seli e ardhshme e Manifestës 14 Prishtinë dhe si hapësirë e përhershme institucionale. Ndërtesa e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” është monument i trashëgimisë kulturore i kryeqytetit ndërtuar në vitin 1930 që fillimisht ishte ndërtuar si shtëpi banimi. Më vonë ajo u shndërrua në bibliotekë publike ku shumë breza kujtojnë me nostalgji kohën kur aty huazonin libra.
Përveç projekteve hulumtuese, Manifesta 14 Prishtina po zhvillon një program publik parabienal me një varg partnerësh kulturorë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit i cili do të nisë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në pranverën e vitit 2021. / KultPlus.com
Ngjarja e rëndësishme e bienales evropiane të artit bashkëkohor, “Manifesta 2022” nikoqir i të cilit do të jetë Prishtina, është në kërkim të koordinatorit të përgjithshëm, njëherit pozitës më të lartë në këtë ngjarje, përcjellë KultPlus.
Afati për t’u bërë pjesë e ekipit të kësaj ngjarjeje me rëndësi për kulturën është deri më 30 gusht. Koordinatori i përgjithshëm do të ketë përgjegjësinë e organizimit dhe menaxhimin e “Manifesta 14 Prishtina”. Gjithashtu detyrë e koordinatorit do të jetë edhe administrimi i organizatës, monitorimi i procedurave të tenderimit dhe respektimin e rregulloreve të punës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli ka njoftuar se “Manifesta 14 Prishtina” është në kërkim të një personaliteti fleksibël me prapavijë të fortë organizative si dhe dikë që është në gjendje të punojë në mënyrë efektive në një mjedis dinamik. Basholli ka njoftuar se afati për aplikim do te jetë i hapur deri ne 30 gusht të këtij viti.