Kryeministri Kurti për Nënë Terezën: Fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në hapjen solemne të edicionit të tretë të manifestimit tradicional kulturor – shkencor “Drita e Gonxhes”, e njëkohësisht ka bërë homazhe te shtatorja e “Nënë Terezës”, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

26 gushti i sivjetëm na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin Nënë Tereza, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezës, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”, e nisi fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti, i cili më pas foli për biografinë e Nënë Terezës.

Kryeministri Kurti tha se 26 gushti është data e saj e lindjes, kurse 27 gushti është data e pagëzimit të saj nga Don Zef Ramaj.

“Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ka lindur sikur sot, plot 113 vite më parë, më 1910 në Shkup, atë botë kryeqendra e Vilajetit të Kosovës. Ishte vajza e Nikollë Bojaxhiut, i lindur në Prizren në një familje të ardhur nga Fani i Mirditës dhe i nënës Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës. Vajzë shqiptare e një patrioti, e cila lindi në periudhën osmane dhe që ishte fëmijë kur vendi i saj u pushtua nga fqinjët, gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Pas vdekjes së babës Kolë kur ajo ishte pothuajse 9 vjeçare, Anjeze Bojaxhiun e rriti nana Drane, sikur edhe vëllaun dhe motrën e saj, Lazërin dhe Agen.”

Pasi foli për biografinë dhe rrugëtimin e saj, kryeministri tha se personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, kryeministri u shpreh me shpresë që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne./rtv21/KultPlus.com

U mbajt manifestimi kulturor “Ditët e Augustin Ukaj”

Artdashës të folklorit dhe melosit shqip u mblodhën në fshatin Doblibare për të shënuar manifestimin kulturor “Ditët e Augustin Ukaj”, i cili u mbajt në nderë të personalitetit dhe veprës së rapsodit i cili për një jetë të tërë i këndoi artdashësve të tij shqiptar, përcjellë KultPlus.

Augustin Ukaj është vlerësuar si rapsod i shkëlqyer në Kosovë, Shqipëri, Trojet Shqiptare, e Mërgatë. Sipas këshillit organizativ qëllimi i këtij manifestimi ishte promovimi i vlerave dhe kulturës shqiptare.

Në këtë manifestim kulturor të pranishëm ishin edhe personalitete të larta nga jeta akademike, kulturore, artistike dhe politike e vendit. Përveç këngës folklorike dhe valles popullore, në këtë manifestim u interpretuan edhe poezi shqiptare nga aktori Çun Lajqi, pastaj pati edhe pika humori nga artistët Sevdai Radogoshi si dhe Rasim Thaqi.

Falënderues për gjithë këtë organizim u shpreh djali i Augustinit, Leonardi.

Augustin Ukaj ka lindur në vitin 1939 në fshatin Dol të Gjakovës. Gjatë tërë jetës si mblodhi me pasion dhe koleksionoi tregimet për luftën dhe vdekjen, bukën dhe kripën. Melodia e tij ishte zëri autentik, një zë që drodhi Dukagjinin dhe Kosovën, diasporën dhe viset shqiptare. Ndër të tjera në këtë manifestim u tha se Augustin Ukaj u bë me kohën zëri më i veçantë, artikulues i pashoq, ai e dinte dhembjen e gurit, iu foli trimave në zë, betejave dhe historive. Ai ishte këngëtar i dhembjes dhe vajit me zërin autentik që dridhej bashkë me telat e çiftelisë. Rapsodi Augustin Ukaj ka vdekur në gusht të vitit 2004 duke lënë pas vetes këngë të cilat kanë pasuruar folklorin dhe melosin shqiptar. / KultPlus.com