Etno Fest “Tradita vazhdon” vjen me edicionin e shtatë

Etno Fest “Tradita vazhdon” vjen me edicionin e shtatë me radhë, ku edhe kësaj radhe pritet të ketë pjesëmarrës të shumtë dhe nga vende të ndryshme, përcjellë KultPlus.

Ky manifestimin ndërkombëtar kulturoro-sportiv në mundje tradicionale i cili organizohet nga Shoqata qytetare për arsim, kulturë, sport dhe ekologji “AKSI”, vjen më datë 17 shtator në Qendrën rekreative – sportive në Studeniçan.

Në këtë manifestim, pritet të marrin pjesë mbi dyqind mundës (pehlivanë) nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Turqia dhe Maqedonia, ku garuesit do të ndahen në pesë kategori.

Meqenëse manifestimi ka edhe karakter kulturor, AKV Emin Duraku, SH.K.A Yeni Yol dhe SH.K.A Kitka do të prezantohen me valle të ndryshme. Të gjithë ata që duan për së afërmi të shohin dhe të ndjejnë traditën e vjetër shqiptare të Karshiakës së Shkupit, do të jenë të mirëseardhur në këtë manifestim ndërkombëtar që është pjesë specifike e etnologjisë së kësaj treve.

Manifestimin financiarisht e mbështet Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, TIKA-Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Konfederata Botërore e Etnosporteve si dhe Federata Botërore e Organizatave Ballkanike.

Studeniçan mirëpret mundësit nga Ballkani. / KultPlus.com