Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka organizuar edicionin e 13-të me radhë të manifestimit tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”.
Ky manifestim mbahet në shenjë përkujtimi dhe nderimi për shkrimtarin dhe reporterin e shquar të luftës së UÇK-së, Tahir Deskun.
Të pranishëm ishin kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, nënkryetarja e komunës, znj. Marqe Tanushi–Selmanaj, familjarë të Tahir Deskut, mixha Halil Krasniqi, profesorë, poetë, artistë e krijues të ndryshëm vendas e mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare.
Orën letrare e shpalli të hapur kryetari Elezaj, i cili para të pranishmëve me një fjalë rasti nderoi lart figurën e shkrimtarit dhe të atdhetarit Tahir Desku. “Tahir Desku ishte motivues e frymëzues i madh i popullit shqiptar, veçanërisht gjatë periudhës së luftës së lavdishme të UÇK-së.
Ne e nderojmë sot veprimtarinë, guximin e sakrificën e tij e cila la gjurmë në historinë e vendit. Ai la pas vetës krijimtarinë e tij të pasur letrare që ne ta kujtojmë e mos të harrojmë kurrë”- ka thënë Elezaj.
Fjalë përkujtimi në foltore u shpalosën edhe nga miqtë dhe bashkëpunëtorët që kishin fatin të njohin nga afër Tahirin.
Për çmimin kryesor, juria profesionale këtij manifestimi e përbërë prej tre anëtaresh, vendosën për veprën më të mirë letrare në mes të dy manifestimeve, me titull “Ti”, nga autori, z. Ilir Muharremi.
Në fund juria ndau edhe tre çmime të tjera për poezinë më të mirë të lexuar si dhe çmimin stimulues për krijuesin e ri. /KultPlus.com