Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tetovë

Veprat e kompozitorëve botërorë dhe shqiptar si: Benjamin Britten, Jean Sibelius, Karl Jenkins, Valton Beqiri si dhe Drinor Zymberi do të gjallërohen nën dirigjimin e Agona Cupit, me rastin e realizimit të koncertit nga Orkestra Harmonike së Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti realizohet në kuadër të sezonit 2020/2021 dhe do të mbahet të premten duke filluar nga ora 19:00 në Qendrën e Kulturës “Ilo Anteski Smok‘’ në Tetovë, Maqedoni e Veriut.

Koncerti organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Komunën e Tetovës dhe KTV-së. / KultPlus.com



Anglia zë vendin e dytë si vendi më i mirë turistik, Maqedonia Veriore e treta

Kompania këshilluese për turizëm, “Lonely Planet”, e ka publikuar listën e dhjetë vendeve më të mira për t’u vizituar në vitin 2020. Në krye të listës është shteti i vogël aziatik, Butani, ndërsa pas tij renditen Anglia dhe fqinja e Kosovës, Maqedonia Veriore.

Në përshkrimin e kësaj kompanie për Anglinë thuhet: “Paqartësitë për Brexit-in kanë mbizotëruar në kryetitujt e gazetave viteve të fundit, por diçka e qëndrueshme në tërë këtë konfuzion janë thesaret e çmuara për të cilat Anglia është e famshme, përfshirë kështjellat dhe katedralet historike, fshatrat tërheqëse me stil të vjetër dhe natyrisht, bregdetin”.

Kjo kompani theksoi se Anglia është duke krijuar shtigje dhe rrugë të reja përgjatë bregdetit të saj dhe kjo do ta bëjë më të lehtë shëtitjen e turistëve nëpër këto zona.

Në anën tjetër, shteti i vogël aziatik, Butani, i cili shtrihet në Himalaje, mes Kinës dhe Indisë, e zuri vendin e parë për shkak të bukurive natyrore që ka. Ky vend pritet të bëhet shteti i parë që shfrytëzon vetëm materiale organike.

Shtetet tjera që janë përfshirë në mesin e dhjetë vendeve më të mira për t’i vizituar vitin e ardhshëm janë: Maqedonia Veriore, Aruba, Svazilandi, Kosta Rika, Holanda, Liberia, Maroku dhe Uruguai, shkruan “The Guardian”. / Gazeta Express / KultPlus.com