Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se sot është takuar me arkitektin e mirënjohur botëror, Marco Casamonti, ku kanë diskutuar për investimet në kryeqytet.
Ai ka bërë të ditur se në takim kanë qenë edhe përfaqësuesit e Lika Group AG, një kompani e suksesshme që operon në Zvicër, themeluar dhe menaxhuar nga z. Esat Likaj.
“Pas organizimit të Konferencës së Investitorëve në janar të këtij viti, shumë investitorë kanë shprehur gatishmëri të investojnë dhe të bëjnë projekte zhvillimore në Kryeqytet. Në këtë kontekst, me Marcon dhe përfaqësuesit e Lika Group AG diskutuam mundësitë e investimit dhe zhvillimit të projekteve në Kryeqytet”, ka shkruar Rama.
Tutje, ai është shprehur se iniciativat sikur kjo, synojnë avancimin e bashkëpunimit me diasporën dhe krijimit të kushteve për investim të kapitalit të diasporës në Kosovë./KultPlus