Margarita Xhepa feston ditëlindjen në spital, ja kush i çon lule

Si për ironi të fatit, sot aktorja e madhe e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, mbush plot 85 vjeç, por është e detyruar të festojë në spital për arsye shëndetësore.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka vizituar në spital artisten e merituar, ku i ka dhuruar dhe një buqetë me lule dhe i ka uruar shërim të shpejtë.

“Shumë pranvera të tjera të lumtura për yllin e kinematografisë shqiptare, të papërsëritshmen, Margarita Xhepa.

I uroj shërim të shpejtë, besimplotë se do ta shohim sërish në skenë me të tjera role, që do t’i shtojnë freskinë buqetës së saj të jashtëzakonshme artistike”, shprehet Meta.

Aktorja e madhe Margarita Xhepa del nga operimi

Aktorja e madhe shqiptare, Nderi i Kombit Margarita Xhepa, të martën kreu një operacion të vështirë në një spital privat, i cili përfundoi me sukses. 

Falë mbështetjes së kryebashkiakut Veliaj,  është arritur mbulimi i kostos së operacionit duke bërë të mundur përmirësimin e shëndetit të artistes së madhe.

Pas operacionit të suksesshëm, vetë artisja e njohur Margarita Xhepa ka shprehur mirënjohjen për kryebashkiakun Veliaj për këtë gjest mjaft human.

“Ndjehem e prekur nga ky lajm dhe nga zemra përcjell mirënjohje të thellë për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit z.. Erion Veliaj. Sapo të dal nga spitali, ku falë kujdesit dhe aftësive të mjekëve, gjithçka vajti mirë, do të dëshiroja kafen e parë ta pi me z. Veliaj. Unë nuk jam kursyer edhe në kushte të rënda shëndetësore këto vitet e fundit, pasi ndaja çdo gjë me skenën, me artdashësin, dhe largimin e konsideroj vdekje. Unë do të festoj largimin e dhimbjeve, që më kanë lodhur prej vitesh, suksesin e operacionit dhe të gjitha bashkë, do ti mbledhim në festën e 85-vjetorit të lindjes, që nuk është larg”, tha Xhepa për mediat .

“Bolero në vilën e pleqve” nis xhirimet në Tiranë, në role Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa

Xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur në Tiranë. Skenari Linda Fejzaj dhe Spartak Pecani, regjia nga Spartak Pecani, ngjarjet e filmit “Bolero në vilën e pleqve” sjellin në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të tjerë që publiku i njeh me aktivitetin e tyre.

Filmi sjell në role aktorët Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa, kasti vijon dhe me Gentiana Ramadani, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledion Zoi, etj. Skenaristja Linda Fejzaj shprehet se regjisori Spartak Pecani është një profesionist. “Gjithçka e mendon e rimendon e përpunon dhe më pas vendos dhe zgjedhjet dhe zgjidhjet janë vërtetë mbresëlënëse”, pohon skenaristja Fejzaj.

Filmi një prodhim i shtëpisë kinematografike Eclipse SA Film Production është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ngjarjet vendosen në Tiranë dhe skenaristja Linda Fejzaj tregon se në qendër të këtij skenari është jetesa e një çifti në moshë superiore (pleq), që në vitet e fundit të jetës të tyre edhe pse kanë tre fëmijë ju duhet të jetojnë vetëm.

“Djali i tyre ju siguron një punëtore shtëpie që është infermiere. Ajo çka ka të veçantë, është një marrëdhënie unike e çiftit, një dashuri që vazhdon të egzistojë jo vetëm e fortë, por edhe disi ndryshe. Një letërkëmbim i tyre plot pasion, mënyrë e zgjedhur për të mbajtur gjallë atë çka ka në vetvete martesa”, zbulon skenaristja Linda Fejzaj për filmin artistik që ka nisur xhirimet në Tiranë.

Në film, sipas skenaristes gjatë gjithë kohës këtë marrëdhënie të tyre e shoqërojnë tingujt e magjishëm të pianos “Bolero” e Ravelit.

“Ngjarjet alternohen dhe sjellin në dukje ngjarje me gjendje dhe emocione të forta. Infermierja, që është punëtore shtëpie nuk është ajo që ata mendojnë, këtë do e zbulojë vajza e pleqve që është gjykatëse. E kaluara e saj ka qenë përtej asaj që mund të mendohet”, vijon të tregojë Fejzaj.

Bashkëpunimi me regjisorin për filmin

Filmi “Bolero në vilën e pleqve” nisi xhirimet këtë të hënë dhe sipas skenaristes Linda Fejzaj është më shumë se normale, se përveç ankthit të pritjes, është edhe kënaqësia dhe krenaria e të paturit fat të punoje për një projekt të tillë. “Edhe pse kam pasur bashkëpunime me shtëpi filmi të huaja, ky mendoj se është ndër projektet që për mua merr rëndësinë e veçantë, jo vetëm se është një subjekt shumë i mirë, por edhe për faktin se të punoje me Spartak Pecanin është një shkollë e madhe”, pohon ajo.

Për këtë projekt filmi që tashmë ka marrë vëmendje për zhvillimin e tij, skenaristja tregon se mjaftoi një telefonatë nga ana e regjisorit dhe pyetja nëse e kishte lexuar romanin e Fatos Kongolit për të nisur puna për skenarin. “Një mëngjes dhe ashtu prerë shumë pak fjalë më pyeti nëse e kisha lexuar “Bolero në vilën e pleqve” të Fatos Kongolit. Ju përgjigja jo, dhe nuk e dija arsyen e pyetjes.

Atëherë merre dhe lexoje, ke dhjetë ditë në dispozicion për të lexuar me vëmendje. E mora thuajse brenda orës, duke shëtitur në të gjitha libraritë dhe falë zotit e gjeta. Nuk bëra asgjë tjetër veç u ula ta lexoj nga ora 12 e mesditës dhe e mbylla diku pas mesnate. Në ditën e nesërme e telefonoj dhe i them se romanin e lexova. I fola mbi të gjithë elementët që më pëlqenin, padyshim theksova se edhe pse nuk ka dialog të rrëmben, të bënte ta dashuroje ngjarjen. Ai më dëgjoi dhe vazhdoi duke më surprizuar e dua veprën skenar, e di që e bën”, tregon skenaristja Linda Fejzaj, që ka shkruar skenarin e filmit. Sipas saj, filmi ka nisur të realizohet si projekt pas një pune tre vjeçare. /KultPlus.com

“Kodi i nderit” së shpejti nis xhirimet në Kosovë, Margarita Xhepa në kastën e aktorëve

“Kodi i nderit”, filmi i metrazhit të gjatë me skenar nga Valton Jakupi dhe Lirie Sahiti, e regji të Valton Jakupit, në muajin tetor nis xhirimet edhe në Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas disa ditë xhirimeve në Shqipëri tashmë ky film do të xhirohet edhe në Kosovë, me një kastë aktorësh të njohur për publikun shqipfolës.

Filmi flet për fëmijët jetim binjak, për jetën dhe vështirësitë e tyre në familje të papërgjegjshme.

Në rolet kryesore janë Dijart Sylejmani dhe Lorena Jakupi, ndërsa në rolet e tjera vijnë Margarita Xhepa, Xhevdet Doda, Adem Zhitopotoku, Anita Muriqi, Selam Jusufi, Sulejman Lokaj (i ndjerë) Blerim Hasani, Dafina Restelica, Leonit Maloku, Osman Tahiri, Rei Guri e shumë aktorë të tjerë.

“Skenat me aktorin e madhe Sylejman Lokaj janë kryer para disa muajve shkaku i gjendjes se tij shëndetësore, por për fat të keq që nuk është tashmë në mesin tonë starti i fillimit të filmit do të jetë pak më ndryshe. Por jemi krenar që është në filmin tonë ashtu siç do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, ka thënë për KultPlus regjisori Valton Jakupi.

Filmi është prodhim i kompanisë filmike International Film Europe në bashkëpunim me Movi Design dhe Theater Antika. Ass. Regjie do të jetë Anita Muriqi ndërsa xhirimet në Kosovë i janë besuar produksionit filmik Evolution Production nga Bujanoci me drejtor Jeton Ismailin. Filmi nis xhirimet më 3 tetor në fshatin Hodonoc të Komunës së Kamenicës./ KultPlus.com

Kinemaja ABC shënon 18-vjetorin me premierën e filmit “Yjet e së ardhmes”

Të enjten më 24 maj Kinemaja ABC në kryeqytet feston 18-vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

Kësisoj ky përvjetor shënohet me premierën e filmit të metrazhit të gjatë “Yjet e së ardhmes” të regjisorit Edmond Topi. Të pranishëm do të jenë edhe yjet e kinematografisë shqiptare si: Tinka Kurti, Reshat Arbana dhe Margarita Xhepa.

Filmi është i zhanrit komedi, muzikë sjellë në ekran Robin (40 vjeç) që është një artist i “pashpërthyer” akoma. Prej vitesh bën muzikë por ende nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor „Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “ Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Gazmend Paja, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Karafil Shena, Sadush Ylli… nga dita e premte 25 maj, filmi “Yjet e së Ardhmes” shfaqet çdo natë në ora 20:00.

Më poshtë gjeni programin e pritjes së mysafirëve me këtë rast:

19:00 – 19:20 – Pritja e mysafirëve
19:20 – 19:30 – Ceremonia e hapjes
19:30 – Shfaqja e filmit
21:00 – Koktej

Presidenti Thaçi dekoron Margarita Xhepën, Tinka Kurtin dhe Zenepe Lukën (FOTO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com

Margarita Xhepa: Nënat tona shqiptare janë nëna fisnike

Aktorja Margarita Xhepa është ndër aktoret shqiptare të cilat i kanë dhënë shumë teatrit e filmit shqiptar.

Aktorja edhe sot vazhdon të luajë në role të ndryshme, dhe thotë se nuk ndihet e lodhur sepse dashuria për profesionin e mban të re, i jep energji e forcë.

Një pjesë e roleve të saj janë gjithmonë nënat, ajo luan shpesh këtë rol dhe thotë se në gati 30 vite që luan në skenë, këto nëna nuk janë njësoj.

Ky fakt aktoren e kthen në Lushnjë, në mëhallën e fëmijërisë së saj, te ato nëna të mrekullueshme, që i ka në kujtesën e saj, si të veçanta, të cilat ishin model në kuptimin e mirësisë, “pa shkollë”, por që kishin atë fisnikërinë, atë anën njerëzore, për të bërë mirë, për të punuar, ato nëna që jetonin në atë varfëri, po plot bukuri…

“Të rritesh në atë mjedis, do të thotë të ushqehesh dhe shpirtërisht, t`i marrësh ato ndjesi, do të thosha, të holla, të bukura dhe këto, them unë, janë një pasuri që më kanë ndihmuar shumë në profesionin tim”, tregon aktorja Margarita Xhepa kur bashkëbisedon me Sanije Gashin në librin – “Ecje nëpër kujtesë”.
Në libër madje përshkruhet një rol që Margarita e mishëroi shpejt.

Kur regjisorët grekë Kristo Vuporos dhe Jorgo Kores i ofrojnë assaj ta luajë rolin e nënës në filmin “Mirupashim”, Margarita tregon se nuk e pati aspak të vështirë një aktrim të tillë.
“Nuk e pata të vështirë sepse po luaja në njëfarë dore, vetveten. Gjatë xhirimit, aktori frek Sakelariu më tha – ti derdhe lot në tri sekuenca! Si mundët? – Po, sigurisht që derdha lot, ia kthen Margarita, sepse unë përfaqësoja nënat shqiptare që i kanë djemtë në mërgim”.

Në Festivalin e 38-të të Selanikut, Margarita dhe Kadri Roshi nderohen me Çmimin e Nderit.

Margarita Xhepa ka lindur në prill të vitit 1932. Ka krijuar mbi 150 role në teatër. / KultPlus.com