Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, teksa shkroi në rrjete sociale, se “për tingullin e magjishëm, për mjeshtërinë e realizimit dhe traditën që trashëgohet brez pas brezi, fyejt e Gramshit shpallen pasuri kombëtare”.
Margariti tha se, “Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale shqyrtoi kërkesën e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, dhe vendosi shpalljen e “Fyejve të Gramshit” “Kryevlerë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Kavalli ose fyelli i Gramshit është një ndër instrumentet më tërheqës e më të lashtë në fondin e artë të trashëgimisë muzikorë shqiptare, si dhe një ndër dokumentet më të rëndësishëm të muzikës instrumentale polifonike shqiptare.
Ky instrument konsiderohet si pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore tradicionale shqiptare dhe paraqet një ndër format më të hershme të polifonisë instrumentale/atsh/KultPlus.com
“Meteori”, një vepër e mjeshtrit Kristaq Krisiko, është një nga projektet fituese të programit “Art në Hapësira Publike”.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti përcolli në rrjete sociale foto nga kjo vepër teksa shkroi se “ajo është tashmë një vlerë e shtuar dhe një atraksion kulturor për Golemin”.
Ministrja u shpreh se “Meteori” është 1 nga 7 veprat fituese që ridimensionojnë hapësirat publike përmes artit.
Margariti e vlerësoi programin “Art në Hapësira Publike”, si një nga nismat e qeverisë shqiptare dhe një nga punët e mira të vitit 2023./atsh/KultPlus.com
Këtë fundjavë Korça do të jetë sërish në qendër të vëmendjes. Më datë 23 dhjetor në qytetin e serenatave dhe turizmit gjithëvjetor, do të çelet një nga ekspozitat më të veçanta në vend.
“Prekni nga afër engjëj e shenjtorë! Për herë të parë pasuria ikonografike e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar vjen e “gjallë” përmes teknologjisë në Muzeun e Arteve Digjitale në Korçë”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale.
Galeria e Arteve Digjitale (GAD) do të ofrojë përmes kësaj ekspozite unike, një eksperiencë të pazakontë, në prag festash.
Vetë GAD ftoi artdashësit përmes rrjeteve sociale, duke shkruar: “Përjetoni shkëlqimin e trashëgimisë tonë kulturore si kurrë më parë! Kjo nuk është thjesht një ekspozitë; është një udhëtim nëpër kohë.”
Ekspozita e parë imersive e artit digjital “Ikonografia Shqiptare; Mjeshtrat e mëdhenj”, pas 23 dhjetorit do të jetë e hapur për publikun, nga e marta në të diel, në orarin 12:00-20:00. Siç shkruhet në faqen e Galerisë së Artit Digjital Korçë, duhet të përgatiteni të përjetoni një udhëtim pamor mahnitës që përshkon shekujt e ikonografisë shqiptare, nëpërmjet punëve të jashtëzakonshme të mjeshtrave të mëdhenj të artit mesjetar.
Kjo ekspozitë është mundësuar falë mbështetjes dhe fondit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar./KultPlus.com
Gjatë Tetorit të Librit rreth 600 nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare publike dhe jo-publike të Tiranës kanë vizituar Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Qendrën e Librit “Sotir Kolea”.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “nxënësit janë kureshtarë për të njohur dhe mësuar më shumë se si funksionojnë bibliotekat, si ruhen librat dhe si mund të shfrytëzohet informacioni”.
Margariti theksoi se “nxënësit e shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Ismail Qemali”, shkollat e ciklit 9-vjeçar “Pjetër Budi”, “Ibrahim Hima”, shkollat jopublike “Turgut Ozal”, “Woodrow Wilson”, “Aristotel”, “Ylber, “New York”, etj., kanë ndjekur me interes programet “Aftësim në Media dhe Informacion” dhe “Miqtë e librit”, të cilat zhvillohen nga specialistët e bibliotekës”.
Nxënësit bashkëbiseduan me specialistët, duke zbuluar se bibliotekat janë mjedisi më i sigurt për marrjen e informacionit të saktë dhe të kontrolluar.
Këto programe, zhvillohen prej vitesh në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë kthyer në një traditë të mirë për të afruar fëmijët dhe të rinjtë me bibliotekën dhe librin./atsh/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe presidenti i Panairit të Librit të Frankfurtit, Juergen Boss vizituan sot qendrën më të re të librit që i është dhuruar lexuesit, “Sotir Kolea”.
Gjatë kësaj vizite, ministrja informoi mbi pasurinë e paçmueshme të kësaj biblioteke, por edhe shkëmbeu ide se si mund të prezantohet krijimtaria e autorëve shqiptarë në hapësira ndërkombëtare.
Po ashtu, në fokus të takimit ishte përfshirja në programe që krijojnë mundësi për botuesit, përkthyesit dhe autorët, për të shkuar drejt një përfaqësimi zyrtar të Shqipërisë në këtë ngjarje të madhe të librit botëror./KultPlus.com
Kalatë e shumta anembanë Shqipërisë me historinë dhe arkitekturën e tyre po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau sot në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të regjistruar në periudhën janar-korrik në kalatë e vendit.
“Kalatë vazhdojnë të jenë pikat më të vizituara nga turistët. Këtë vit numri i vizitorëve është shumë më i lartë se vitet e mëparshme. Në periudhën janar-korrik kalatë u vizituan nga 111 573 vizitorë vendas e të huaj”, theksoi Margariti.
Margariti ndau gjithashtu shifrat e rritjes së ndjeshme të vizitorëve në kalatë historike gjatëtë njëjtës periudhë në vitet e fundit.
“Në janar- korrik 2022 kalatë u vizituan nga 63 731 , në 2021 nga 69 674 vizitorë dhe në 2020 nga 24 015 vizitorë vendas e të huaj”, tha Margariti.
Në Shqipëri ndodhen një sërë kalash si : kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.
Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë nga institucionet përkatëse.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar momente pune gjatë restaurimit të veprave të artit në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Berat ku specialistët po kryejnë procesin e pastrimit dhe restaurimit të dy ikonave; “Krishti kryejerark mbi fron”, me autor Gjergj Joan Çetitin (Grabova) dhe “Krishti kryeprift”.
“Mjeshtrit e Laboratorit të Restaurimit të Veprave të Artit në Qendrën Kombëtare të Muzeumeve në Berat vazhdojnë çdo ditë punën për të nxjerrë në dritë shenjtorët, që presin dekadash të çlirohen nga pluhuri dhe shtresëzimet që u ka veshur koha”, tha Margariti.
Ministrja Margariti bëri të ditur se pas restaurimit ikonat do të ekspozohen në Muzeun “Onufri”.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore./KultPlus.com
Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.
Kësaj i shërben edhe nisma e Ministrisë së Kulturës që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ftoi sërish sot vizitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin këtë të dielë, për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.
“Kudo ku jeni duke pushuar, mos e humbisni mundësinë të vizitoni falas muzetë dhe parqet tona arkeologjike. Vizitoni me familjet Butrintin, Apoloninë, Bylisin, por edhe Muzeun ABC apo atë Mesjetar në Korçë, “Marubin” e Muzeun e Krujës. Shijoni trashëgiminë”, ishte apeli i Margaritit në rrjetet sociale.
Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.
Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, MuzetveArkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj./atsh/KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas e Baletit organizoi një konferencë për shtyp për vënien në skenë të operës “Aida” të Giuseppe Verdi-t. E pranishme, së bashku me drejtoren Abigeila Voshtina e dirigjentin Jacopo Sipari di Pescasseroli, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ministrja shprehu mirënjohje për gjithë trupën e TKOBAP, që nga orkestra, kori, solistët, balerinët dhe prapavijën teknike që po përballon me sukses një kalendar sfidues.
“Sa herë që “Aida” vihet në skenë është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm sepse është një nga veprat më madhështore të repertorit operistik botëror, por për impenjimin që kërkon realizimi i një vepre të tillë”, është shprehur Margariti.
Hera e fundit kur “Aida” është ngjitur në skenën e TKOBAP ka qenë viti 2007.
“Jam e kënaqur që na rijepet mundësia të shohim një opera të këtyre përmasave, me regji, skenografi dhe kostumografi nga mjeshtri Franco Zeffirelli dhe që kërkon angazhimin e rreth 200 artistëve”, është shprehur në rrjetet sociale ministrja Margariti.
Opera e famshme e Giuseppe Verdi-t, vjen si premierë nga 23-27 qershor, në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Trekëndëshi i një dashurie pasiononte të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radames, dhe të bijës së Faraonit, Amneris. Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radames urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak./atsh/KultPlus.com
Skenës së Festivalit Folklorik Kombëtar po i vendosen elementët e fundit për të pritur grupet folklorike dhe artistët në mbrëmjet nga 24 qershori deri më 1 korrik 2023.
Rikthimi i Festivalit Folklorik Kombëtar do ta shndërrojë Gjirokastrën në kryeqendrën e kulturës dhe turizmit për më shumë se një javë.
Kur na ndajnë pak ditë nga nisja zyrtare e Festivalit, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi inspektuan ecurinë e përgatitjeve për zhvillimin jo vetëm të Festivalit por edhe një mori aktivitetesh të tjera që do të zhvillohen gjatë ditëve dhe që kanë për qëllim promovimin e etnografisë, produkteve artizanale, kulinarisë etj.
“Sot kemi një ditë të veçantë sepse kemi ardhur në Gjirokastër për të parë ato elementit e fundit të Festivalit. Jam shumë e kënaqur me grupin që kemi punuar, kur shohim finalizimin e përpjekjeve. Nuk ka periudhë më të mirë, për t’u organizuar. Në Kala do festojmë të gjithë bukurinë shqiptare. Me Flamurin kemi bërë një punë të madhe këto ditë”, u shpreh për mediet ministrja Margariti.
Në skenën e Festivalit Folklorik në Gjirokastër do të interpretojnë 1200 artistë nga 12 qarqet e vendit përzgjedhur nga komisioni artistik. Do të ngjitet në skenë gjithashtu grupi nga Kosova me 60 pjesëmarrës. Interpretim fantastik pritet të ketë edhe ansambli “Shota”, nga Kosova me 50 pjesemarrës. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Arbereshët e Italisë, grupi i Shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, asambli me shqiptarët e Zvicrës, si dhe asamblet nga Londra dhe grupet shqiptare nga Athina pritet të jenë një tjetër suprizë për publikun shqiptarë dhe turistët.
Përveç skenës në qendër të kalasë së Gjirokastës, pasuri e mbrojtur nga UNESCO, do të ketë edhe skena të tjera me 90 të ftuar special të muzikës popullore moderne, shqiptare dhe të huaj duke i bërë netët të paharrueshme për të gjitha grupmoshat.
Përveç performancave muzikore, një ‘guidë’ e veçantë për Gjirokastrën dhe Shqipërinë turistike do të jenë një serë aktivitetesh promovuese të etnografisë, zejtarisë, kulinarisë etj./atsh/ KultPlus.com
Sot në mbledhjen e Qeverisë kaloi edhe një vendim për aderimin e Shqipërisë në Konventën për Veprat penale për Trafikimin e Pasurive Kulturore.
Ministria e Kulturës prej vitesh ka ndërmarrë një kuadër masash që nuk lidhen vetëm me projektakte por edhe me aktivitete konkrete në terren.
“Së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Institutin e Regjistrim të Pasurive Kulturore, janë marrë masat për ndalimin e trafikimit të pasurive kulturore në territorin shqiptar. Prej kohësh është bërë një marrëveshje bashkëpunimi me Kongresin Amerikan për luftën kundër trafikimit, me marrëveshje konkrete si ajo me Maqedoninë e Veriut për rikthimin e artefakteve të gjetura në territorin shqiptar”, u shpreh ministrja Margariti në përfundim të mbledhjes së Qeverisë.
Pjesë e kësaj konvente të Këshillit të Europës janë një sërë masash jo vetëm për parandalimin por edhe për një bashkëpunim më të gjerë. Aderimi në këtë konventë i krijon Shqipërisë mundësinë e futjes në një rrjet më të gjerë për këtë trafikim.
Ky proces kërkon një bashkëpunim më të gjerë me shumë institucione, ku pikërisht Ministria e Kulturës ka filluar të ketë rolin e liderit, duke pasur bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, Interpolit e organeve të tjera.
“Do të vazhdojmë në këtë drejtim. Nëpërmjet kësaj konvente do të kemi një bashkëpunim shumë më të mirë me një sërë muzesh për identifikimin e artefakteve shqiptare që mund të kenë përfunduar në muze jo të nivelit kombëtar”, tha ministrja e Kulturës.
Konventa detyron koleksionistët apo muzetë e vendeve të tjera t’i përgjigjen kërkesave të Shqipërisë për kthimin e artefakteve të saj./atsh/KultPlus.com
Në afërsi të sezonit turistik, punonjësit e DRTK Gjirokastër, po punojnë për sistemimin e infrasrukturës që qon te monumentet e kulturës, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Elva Margariti përmes një potimi në facebook ka thënë se këto punime po bëhen në bashkëpunim me Bashkinë e Qytetit.
“Kështu, punonjësit e DRTK Gjirokastër, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit kanë ndërhyrë për hapjen, sistemimin dhe pastrimin e rrugës që të çon në “Manastirin e Spilesë”, si dhe vendosjen e tabelave orientuese që të çojnë pranë këtij monumenti.”, ka thënë Margariti./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se, pas suksesit që në thirrjen e parë, këtë vit Bonusi i Rijetësimit ka tërhequr edhe më shumë besimin e shqiptarëve.
Ministrja informoi se, “nga rreth 100 aplikime një vit më parë, këtë edicion janë regjistruar 173 aplikime dhe gjeografia e tyre është zgjeruar në të gjithë Shqipërinë”.
Teksa publikoi në rrjetet sociale dhe shpërndarjen e përfituesve në vende të ndryshme të vendit, Margariti tha se, “shumë shpejt do të dalë edhe lista fituese e këtij viti”.
Margariti theksoi se, “falë kësaj skeme mbështetëse, të gjithë ata që kanë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike, lagje kala etj., kanë mundësi t’i restaurojnë dhe rijetësojnë ato”.
Mbështetja financiare varion deri në 1 milion lekë për mirëmbajtje dhe konsolidim dhe deri në 6 milionë lekë për restaurim dhe rijetësim.
Përpos ruajtjes dhe evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të objektit apo kompleksit ku ai bën pjesë, edhe këtë vit do të përkrahen ato projekte me ndikim në zhvillimin ekonomiko-social të komunitetit të zonës; do të përkrahen të rinjtë, gratë e vajzat, individët me aftësi ndryshe dhe emigrantët që zgjedhin të investojnë në vendin e tyre./atsh/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënshkroi sot, së bashku me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe prokurorin e përgjithshëm, Olsian Çela , marrëveshjen e bashkëpunimit “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.
Ky nënshkrim vjen një ditë pas marrëveshjes së Shkupit, “Për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës” mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.
Ministrja Margariti ka falenderuar ministrin Çuçi dhe prokurorin e përgjithshëm, për punën e deritanishme, dhe u shpreh se është e bindur se kjo marrëveshje do të rrisë ndërveprimin mes institucioneve, duke e bërë atë më eficent dhe profesional, duke siguruar ruajtjen e specializuar të veprave të dyshuara si objekte të trashëgimisë kulturore dhe shmangien e çdo lloj dëmtimi të tyre përgjatë të gjitha proceseve që nisin që me sekuestrimin, me hetimin dhe identifikimin e këtyre objekteve.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja ka falenderuar edhe Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe stafin e Ministrisë së Kulturës për angazhimin në ruajtjen dhe identifikimin e objekteve të sekuestruara, të dyshuara si trashëgimi kulturore, një pjesë të të cilave u ekspozuan edhe sot. / atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënshkroi sot, së bashku me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe prokurorin e përgjithshëm, Olsian Çela , marrëveshjen e bashkëpunimit “Për ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku në rend dite ka qenë edhe ratifikimi i marrëveshjes me qeverinë e Japonisë për restaurimin dhe konservimin e Muzeut Historik Kombëtar, ka qenë e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Duke replikuar me deputetët e opozitës, Margariti tha se “kultura bashkon sfumatura politike, në të gjithë botën, përveç se në Shqipëri”.
Ministrja tha se po kryhen restaurime me fondet e BE-së dhe sot, jemi duke bërë bashkë këta donatorë, si nga Europa ashtu edhe Japonia, sepse po u tregojmë se po ecim me të njëjtin vizion si vendet e tjera të Europës.
Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja është ndalur tek mozaikët, duke veçuar Mozaikun e Tiranës, i cili do të kthehet në pikë atraksioni.
“Jo për të parë kërthizën ku lindi qyteti ynë, por ky mozaik do të jetë pikë promovimi edhe për gjithë mozaikët e tjerë të Shqipërisë. Kjo pikë atraksioni do të pajiset me teknologji të kohës e gjithashtu do të ketë dhe një hapësirë didaktike, për fëmijët, të cilët do të mund të mësojnë se si formohet një mozaik”. Një hapësirë tjetër e kërkuar nga ministria dhe komuniteti, do të jetë ngritja e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët, një program prioritar i qeverisë Rama”, deklaroi ministrja.
Margariti është ndalur tek Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, i cili u dëmtua pas tërmetit të vitit 2019, por që do t’i kthehet publikut e studiuesve të Tiranës, me përfundimin e restaurimit dhe dixhitalizimin e restaurimin e librave.
Gjithashtu do të vazhdohet të punohet me donatorët në plot hapësira të tjera, siç po punohet me EU4Culture.
“Nuk është e turpshme të kërkosh donatorë për të mëkëmbur pasuritë dhe artefaktet. Të mohosh atë që ka bërë qeveria Rama, në sektorin e artit dhe kulturës, është të mos ndahesh dot nga politika”, tha ministrja Margariti.
Në 8 vjet qeverisje janë investuar 1,8 miliardë lekë, për kulturën. Shumë shpejt Tirana e gjithë Shqipëria, do të kthehen në destinacione të turizmit akademik. / atsh / KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se, “sot, të gjitha objektet e kultit-monument kulture, dedikuar Shën Marisë u kthyen në qendra pelegrinazhi”.
“Një ditë lutjeje për paqe dhe pastrim, atje ku trashëgimia shpirtërore dhe kulturore shkrihen në një!”, theksoi Margariti, e cila uroi besimtarët e krishterë për këtë ditë të shënuar.
“Gëzuar këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë! Veç mirësi e shëndet për këdo që beson te paqja dhe dashuria!”, shkroi Margariti në një postim në rrjetet sociale.
15 gushti është kulmi i festimeve të ditës së Shën Marisë. Ajo kremtohet nga besimtarët e krishterë si dita kur Shën Maria iu bashkua të birit të saj.
Festa e Shën Marisë është një prej datave më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, pas Krishtlindjes dhe Pashkëve./ KultPlus.com
Numri i vizitorëve në muzetë e vendit këtë vit ka shënuar një rritje domethënëse duke arritur në rreth 90 mijë vizitorë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau statistikat e gjashtëmujorit të parë, të cilat sipas saj, “janë optimiste sa i takon numrit të vizitorëve në muze”.
“Krahasuar me një vit më parë, shumë më shumë vizitorë kanë shijuar pasuritë e muzeve tanë”, tha ministrja Margariti.
Sipas statistikave të publikuara nga ministrja, në 6-mujorin e parë të këtij viti, muzetë e vendit u vizituan nga 89 218 vizitorë. Ndërkohë për të njëjtën periudhë të një viti më parë regjistrohen 31 387 vizitorë.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2020, u regjistruan 11 840 vizitorë.
Këto atraksione janë më të preferuarit gjatë kësaj periudhe për turistë e huaj pasi ata shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë. / atsh/KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti apeloi sot të rinjtë e Lezhës, por dhe të gjithë Shqipërisë, të respektojnë dhe ruajnë trashëgiminë kulturore, nisur nga ngjarja e ditës së djeshme kur biletaria e Kalasë së Lezhës u dhunua me gurë, të shkulur nga muret e Kalasë.
“Dje, në një të diel kur familjarët zgjedhin të shkojnë me fëmijët e tyre në parqe e monumente kulture, u përballëm me një lajm indinjues. Një dëmtim i rëndë i trashëgimisë sonë kulturore, një akt vandal, pas të cilit fshihet një arsye banale: një video në rrjetet sociale”, u shpreh Margariti.
Duke falënderuar punonjësit e Parkut Arkeologjik të Lezhës dhe të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Shkodër, që raportuan ngjarjen, si dhe Policinë e Shtetit për përgjigjen e menjëhershme në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti, Margariti u bëri thirrje jo vetëm të rinjve të Lezhës, por gjithë Shqipërisë, të respektojnë dhe ruajnë trashëgiminë tonë kulturore, këtë pasuri që na kanë lënë në breza.
“Le t’i përdorim hapësirat dhe mundësitë që na jep teknologjia për të promovuar trashëgiminë dhe jo për ta rrënuar atë”, tha Margariti. / KultPlus.com