Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, deklaroi sot se prioriteti kryesor në fushën e artit dhe kulturës mbetet intensifikimi i përpjekjeve për zbatimin dhe realizimin e objektivave të parashikuara në “Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2019-2025”.
Në fjalën e saj gjatë diskutimit të projektligjit “Për Buxhetin e Vitit 2024”, Margariti tha se “pas një viti të suksesshëm si ky që po lëmë pas, një tjetër vit sfidues kemi përpara, me projekte të reja dhe nisma madhore. Buxheti i vitit 2024 pritet të jetë 14% më i lartë krahasuar me vitin 2023”.
“Rritja e buxhetit është më e madhe në zërin e pagave me +29% krahasuar me 2023, ndërsa investimet 30% më shumë”, tha Margariti.
Ministrja Margariti u shpreh se “do të çojmë përpara projekte tepër ambicioze që nga restaurimi dhe rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar, te Muzeu “Besa”, gërmimi i amfiteatrit të Durrësit dhe rehabilitimi i zonës arkeologjike përreth, restaurimi i Teatrit “Aleksandër Moisiu”, rehabilitimi i objekteve dhe ambienteve të Burgut të Spaçit e shumë të tjera. Pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e skenës së pavarur përmes mbështetjes financiare”.
“Prioritet mbetet përmirësimi dhe zgjerimi i tregut kulturor nëpërmjet një legjislacioni në dobi të krijuesve, krijimtarisë artistike e kulturore dhe trashëgimisë kulturore, si dhe hartimi i paketës së re të skemës se mbështetjes së projekteve të Ministrisë të Kulturës; Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale–pasuri kombëtare e popullit shqiptar në breza; Mbështetja e krijimtarisë dhe aktivitetit krijues të artistëve shqiptarë përmes rritjes së aktiviteteve kulturore dhe përfshirjes së artistëve; Promovimi dhe përfaqësimi i vlerave të artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, materiale dhe shpirtërore në evenimentet e rëndësishme ndërkombëtare”, tha Margariti./atsh/KultPlus.com