98 vite nga lindja e yllit të Hollivudit Marilyn Monroe-s

Sot janë bërë 98 vite nga lindja e yllit Hollivudian, Marilyn Monroe.

Për publikun, ajo konsiderohej si gruaja më e bukur e Hollivudit, por përbrenda, modelja e shndërruar në aktore përballej dita-ditës me demonët që e çuan në vdekjen e saj të parakohshme në moshën 36-vjeçare. Në njëfarë mënyre, dukej se në gusht të vitit 1962, Marilyn Monroe po e sistemonte disi jetën e saj. Ajo sapo kishte blerë shtëpinë e parë në lagjen Brentwood të Kalifornisë për 75,000 dollarë, ishte në kopertinën e revistës “Life” dhe sapo ishte ripunësuar në filmin “Something’s Got to Give”.

Por nga ana tjetër, pas shumë pak kohësh, gjithçka dukej se po shkonte keq për aktoren. Ajo u divorcua nga bashkëshorti i saj i tretë, dramaturgu Arthur Miller, ndërkohë që një vit përpara divorcit, qarkullonin zëra për një lidhje të supozuar mes saj dhe presidentit John F. Kennedy. Daljet e saj në publik, të cilat normalisht ishin perfekte më parë, u zëvendësuan me një gjendje jo të mirë të Monroe. Filloi madje të dilte në skenë me thonj që kishin nevojë për manikyr dhe pedikyr, pa makiazh. Pra, filloi ta linte shumë veten pas dore.

Më 5 gusht 1962, Monroe u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në 12305 Fifth Helena Drive. Ajo mbante një aparat telefoni në dorë dhe u gjet e shtrirë përtokë dhe lakuriq. Pranë saj u gjet edhe një shishe bosh pilulash që mbante një sasi maksimale prej 50 tabletash Nembutal (Pentobarbital), një ilaç që përdoret shpesh si pilulë gjumi, ama kur merret në doza të larta, shkakton vdekje për shkak të frenimit të sistemit nervor qendror.

Jeta e Marilyn Monroe, që nga shkëlqimi i saj pas braktisjes nga prindërit që fëmijë e deri tek fundi i saj tragjik, ngjan paksa me historinë e Hirushes. Ndërkohë që vdekja e saj në moshën 36-vjeçare, u cilësua si një vetëvrasje, megjithëse teoritë mbi shkakun e vdekjes së saj mbeten ende të shumta./ KultPlus.com

SHPËRNDAJE ARTIKULLIN

Kur Arthur Miller i shkruante Marilyn Monroes: E dashura ime përfekte

“Nëse të kam bërë të qash, ose të kam mërzitur qoftë edhe për një sekondë, më fal, e dashura ime perfekte”, kështu i shkruante në një nga letrat e pafund dramaturgu Arthur Miller, aktores së njohur Marilyn Monroe. Dhjetëra letra dashurie janë gjetur në arkivin personal të shkrimtarit, pjesa më e madhe dedikuar bjondes me të cilën pati historinë më të gjatë të dashurisë.

Në një letër që mban datën 30 prill 1956 kur Miller ishte duke i dhënë fund divorcit me Mary Slattery, tregohet pasioni i madh që i kishte rrëmbyer.

“Do të puth e do të mbaj në krahë deri sa bashkë të shkrihemi në ndodhi të papritura, e jashtëzakonisht të bukura, deri sa të dëgjosh psherëtimat e mia. E kur koka jote të prehet mbi shpatullën time, atëherë do të jem burri më i lumtur më botë…”, shkruan Miller.

Nga gjithë historitë e dashurisë, ajo me Miller do të ishte më e veçanta për aktoren, e cila pavarësisht kontraditave në fund të kësaj lidhjeje do ta ruante gjithnjë me dashuri në kujtesë. Ata u martuan më 29 korrik 1956. Çifti u takua në Lee Strasberg dhe miqtë janë shprehur se ajo e “magjepsi” Arthur Miller me një shikim. Pasi ata u martuan, Arthur shkroi një pjesë të Roslyn Taber në vitn 1961, “The Misfits” (Mospërshtatjet) posaçërisht për Marilyn Monroe. Fatkeqësisht martesa e Monroe dhe Arthur Miller mori fund në 20 janar 1961, kështu që filmi “The Misfits” (Mospërshtatjet) u duk sikur t’i përshtatej plotësisht situatës të krijuar mes çiftit.

Miller do të shprehej më vonë se “Unë nuk e kam kuptuar, se si Marilyn u bë një simbol i autenticitetit. Ndoshta kjo kish të bënte me faktin, se prej shikimit të saj burrat tradhëtonin dhe gratë indinjoheshin nga smira…”.

Pas vdekjes së saj, Miller do të ishte njeriu që do të përkufizonte më mirë karakterin e jetën e saj.

“Merlin vinte nga vitet dyzetë dhe pesëdhjetë. Ajo ishte dëshmia, se në psikikën amerikane seksualiteti dhe serioziteti nuk mund të ekzistonin bashkë, madje ato ishin në armiqësi e dy kontradikta përjashtuese mes tyre. Por më në fund Marilyn hapi rrugë dhe sërish asaj iu desh të pozojë nudo në një pishinë, që të mund të xhirohej një film”, shprehej ai. /KultPlus.com