“Prokurori”, sot premiera e filmit në kinematë e Tiranës

Marin Hoxha është një prej aktorëve që luan në filmin serial “Prokurori”, i cili prej sot do të shfaqet në kinematë e Tiranës.

Aktori ka rrëfyer për mediat se si u bë pjesë e filmit “Prokurori” pa u paragjykuar nëse kishte apo jo formim të mëparshëm si aktor. Për regjisorin e këtij filmi Fatmir Doga, Marin Hoxha tregon se mjaftonte forma organike me të cilën interpreton për të shkuar sa më thjeshtë pranë publikut.

“Nuk kemi pse shtiremi dhe të bëjmë gjëra komplekse, kur mund të aktrojmë thjesht dhe të jemi sa më realë. Fatmiri këtë gjë kërkoi. Për fat të mirë u pranova. Pas disa kohësh mora një përgjigje pozitive dhe jam te episodi i parë i Prokurorit”, thotë ai.

Në filmin “Prokurori”, përveç aktorëve të talentuar shqiptarë, Marin Hoxha ka pasur mundësinë të interpretojë edhe përkrah aktorit me famë botërore, Danny Glover.

Seriali “Prokurori” me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, përqendrohet te lufta e një prokurori të ndershëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit politik.

Për adhuruesit e kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, biletat kanë dalë tashmë në shitje, në Shqipëri dhe Kosovë. Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë në Tiranë dhe më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit dhe më gjerë./atsh/KultPlus.com