Lufta me Uma Turman dhe dashuria për Shqipërinë, Llosa që njohu vendin e shqiponjave prej romaneve të Kadaresë

Për Shqipërinë, vend ku nuk kam shkelur ndonjëherë por që e njoh nga romanet e mira të Ismail Kadaresë, kam pasur një nga diskutimet më të nxehta që mbaj mend. Kundërshtari im ishte një djallushkë femër, në dukje, që quhej Uma Thurman, suedeze me origjinë dhe artiste me profesion, me një siluetë si shufër dhe me flokë të rimtë, me të cilën, për kënaqësi të syve të mi dhe tmerr të shijeve e bindjeve të mia, para dy vjetësh u bëmë bashkë në jurinë e Festivalit të Kinemasë të Venecias.

Duke përdorur mjetet e pafundme bindëse (inteligjencën, lotët, joshjen, shantazhin, frikën, lutjen) dhe një aftësi për intrigë të denjë, si ajo e Makiavelit dhe Rastinjakut bashkë, ajo ia arriti që t’i jepte çmimin special të konkursit filmit të tmerrshëm Natural born Killers (Vrasës të lindur) të demagogut Oliver Stone, dhe të futë në listën e fitimtarëve filmin L’America, të italianit Amelio, film që e tregon Shqipërinë si një vend makthesh, i populluar nga turma njerëzish të pazhvilluar, që lypin ose vjedhin, grumbuj njerëzish- larva të shushatur nga uria dhe kotësia. Jam i sigurt se ata që nuk e njohin Shqipërinë, si dhe unë, dhe që shohin këtë film, kanë për të besuar se është një film profetik, sepse në një vend të ngjashëm dhe me njerëz të tillë, tmerret që po ndodhin këto ditë, në një farë mënyre duhet të ndodhnin, shpejt apo vonë. Si ato që ndodhën në Ruandë, Burundi apo Haiti.

Megjithatë, e vërteta është se shpërbërja e përgjithësuar dhe kaosi shoqëror e politik që ka pushtuar Shqipërinë, për të merituar ato keqardhje të këndshme ose befasi të frikshme që dëgjojmë dhe lexojmë përditë në mediat e vendeve të civilizuara, në vend të flitet për tragjedinë shqiptare sikur të flasësh nga hëna, do të ishte mirë ta na e ilustronin për shkak të mosnjohjes tonë, dhe të na hapnin sytë në lidhje me filmin tepër të dobët, mbi të cilin mbështetet moderniteti, progresi, kultura demokratike në shoqëritë e zhvilluara. Ashtu si edhe në ish-Jugosllavi, kriza e Shqipërisë tregon se, ndërkohë që hyrja në civilizim është e gjatë dhe e vështirë, rënia në barbari është mjaft e lehtë, një rrezik kundër të cilit nuk ka ilaç përfundimtar.

Gjysmë shekulli despotizëm stalinist që vuajti shoqëria shqiptare, e sterilizoi në atë mënyrë jetën shoqërore dhe ekonomike – aty funksionoi vetëm jeta e dhunshme dhe policore – sa asnjë institucion nuk mund të hidhte dot rrënjët paskëtaj, kur diktatura u shemb. Ajo u shemb por, atje lart, nuk u zhduk: si unazat e gjarprit që i pret kokën, vazhdoi të godasë me metodat e zakonet e saj dhe një numër i mirë korifenjsh e përfituesish, me një makijazh të lehtë reformisti, ruajtën pushtetin e tyre edhe në demokracinë e brishtë që erdhi për ta zëvendësuar atë diktaturë.

Në të vërtetë, bëhej fjalë për një farsë të pastër. Njësoj si në Rusi dhe për të njëjtat arsye, dobësia apo pazotësia absolute e institucioneve civile – veçanërisht ajo e drejtësisë dhe e gjykatave – u la fushë të lirë veprimi perandorisë së mafiozëve, bandave të kriminelëve të kryesuar nga ish-sigurimsat dhe burokratët e regjimit komunist, të cilët morën në dorë administrimin e ndërmarrjeve (ose më mirë për t’i asgjësuar ato), për t’i shitur apo privatizuar, madje ata u pajisën me pasaporta dhe viza për të qarkulluar mall lirshëm. Po bën, pak a shumë, një vit që pati një dokumentar të mrekullueshëm mbi këtë temë nga BBC, i cili me dëshmitarë interesantë tregonte se si industria e narkotrafikut kishte krijuar filialet e veta në Shqipëri me siguri të plotë mosdënimi. Dhuna e ashpër u bë e vetmja formë e ligjshme, dhe korrupsioni u shtri në të gjitha nivelet e shoqërisë, si skena kryesore e mbijetesës.

Në këto kushte, në Amerikën Latine, Ushtria nxjerr tanket në rrugë dhe merr pushtetin. Por, në vende si Shqipëria (ose Rusia, për rastin), anoreksia ekonomike që rezulton për disa dekada centralizmi, estatizmi dhe planifikimi, është aq e thellë sa edhe institucionet e privilegjuara, si Forcat e Armatosura, nuk ngrihen dot në këmbë nga rraskapitja dhe rrënimi i plotë ku janë katandisur, madje nuk kanë më as shpirtin dhe as reflekset e domosdoshme për të bërë një Grusht Shteti. Lehtësia me të cilën turma e dalldisur sulmoi kazermat dhe komisariatet në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër e vende të tjera dhe rrëmbeu të paktën 300.000 pushkë, është tepër kuptimplote për moralin që sundonte në shtresën ushtarake. Prandaj, është e mundur të pohohet se, në disa qendra, vetë oficerët e nxitën bastisjen, për të fshehur trafikun me armë dhe municione, i cili kishte kohë që ishte bërë burim kryesor jetese për ushtarakët.

Në këtë kontekst varfërie ekonomike, pavendosmërie politike, zbrazëtie institucionale dhe pasigurie kolektive, rezulton shumë e lehtë që njeriu të besojë në mrekullinë, siç ishin “firmat piramidale”. Është interesante se ky lloj mashtrimi përsëritet herë pas here në vendet e varfra ose në kohë krizash dhe, megjithatë, jo vetëm që askush nuk vë mend, por mijëra apo miliona të pafajshëm bien përsëri në kurth. Kjo është vërtet absurde, deri qesharake. Një bankë ose një financier ofron interesa tepër të larta dhe me një afat të shkurtër për kursimet e klientëve të vet, dhe investitorët e parë, në fakt, vazhdojnë të përfitojnë, sajim që qëndron në këmbë vetëm po të vazhdojnë depozitimet e klientëve të rinj. Në momentin që numri i tyre bie apo rritet alarmi dhe fillon tërheqja e klientëve, atëherë skema shembet: mashtruesit zhduken dhe viktimat ngelen me gisht në gojë. Ky lloj mashtrimi është shumë i hershëm, por, me sa duket, e reja në këtë rast është se një vend i tërë pati aq shpresa sa e la veten të mashtrohet me një mendjelehtësi të padëgjuar më, duke bërë që të pasurohen mashtruesit me kursimet e tyre të varfra pa kurrfarë mundimi. Por nuk duhet kështu, dhe as nuk është mirë të jetë kështu. Në qoftë se pasuria bie nga qielli dhe nuk vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme, krijon zakone të liga dhe nuk të përgatit për të përballuar vështirësitë dhe fatkeqësitë. Kështu për shembull, ari i zi që ka mbytur nëntokën e Venezuelës, i ka sjellë asaj më shumë fatkeqësi se sa mirëqenie. Mirëqenia që vjen nga aftësia dhe përpjekja është një mijë herë më e mirë nga mirëqenia që vjen aksidentalisht – nga lotaria apo mrekullia -, sepse vetëm e para ka mundësi të zgjasë dhe të shtohet, siç e kërkojnë rrethanat.

Ndoshta duhet thënë e njëjta gjë edhe për demokracinë, këtë sistem që, me gjithë defektet e veta, është sistemi që na mbron më mirë kundër brutalitetit dhe që u reziston më shumë kohë tentativave të herëpashershme të kthimit të barbarisë prej të cilave ankohen të gjithë kombet. Ajo që ndodhi në Rusi në ditët tona dhe në një pjesë të madhe të ish-perandorisë sovjetike, katastrofa mizore ku është zhytur Shqipëria, peripecitë e tmerrshme që kanë pllakosur vendet e Amerikës Latine në përpjekjet për të arritur progresin dhe modernizimin e vërtetë, po ashtu gjakrrjedhja dhe zia e madhe që vuajnë sa e sa kombe afrikane nuk tregojnë se ka popuj të aftë dhe popuj jo të aftë për të qenë të lirë dhe të begatë. Por, tregon se liria dhe prosperiteti nuk vijnë nga mbrëmja në mëngjes. Ato fitohen dhe meritohen, pak nga pak, përmes disa praktikave, gjatë adaptimit të disa ideve dhe praktikave, me anën e të cilave bën të funksionojnë institucionet (dhe jo e kundërta). Diktaturat gjithmonë dobësojnë dhe dëmtojnë këtë proces: të gjitha diktaturat, por, më shumë se askush tjetër, diktaturat si ajo që vuajti Shqipëria – ose që po vuan tani Koreja e Veriut apo Kuba dhe Kina -. Diktatura që kanë marrë përsipër gjithë përgjegjësinë e jetës së qytetarëve të tyre, duke i kthyer këta në automatë të thjeshtë, veprimet e të cilëve, të rëndësishme apo të parëndësishme, të vendosen nga vetë pushteti gjithëpërfshirës, i cili i edukon, i ushqen, i ndihmon, i informon dhe u jep punë. A do të jenë në gjendje të veprojnë me përgjegjësinë e tyre këta qytetarë të cilët gjatë brezash kanë qenë të kushtëzuar e të komanduar për të qenë të bindur, për të qenë thjesht instrumente? A do t’i respektojnë institucionet këta njerëz, të cilët lindën dhe vdiqën midis institucioneve që kurrë nuk e merituan respektin e tyre si qytetarë? Si mundet që këta, nga mbrëmja në mëngjes, do të bëhen qytetarë që duhet t’u besojnë ligjeve dhe të jenë të përgjegjshëm për lirinë e tyre, liri që ishin mësuar ta shikonin si një perde të thjeshtë tymi pas së cilës fshihej arbitrariteti, liri që ishte vetëm një fjalë boshe dhe që shërbente vetëm për të ndritur fjalimet e diktatorëve?

Tragjedia e Shqipërisë, këtij “vendi të lashtë të shqiponjave”, nuk filloi me mashtrimin e firmave piramidale. Ajo që shohim tani nuk është veçse plasja e qelbit të një lunge të krijuar gjatë dekadave të despotizmit dhe shtypjes së egër.

El Pais, 1997

Përktheu: Bajram Karabolli/ KultPlus.com

Mario Vargas Llosa: Letërsia si burim shqetësimesh

Letërsia është një gënjeshtër që fsheh një të vërtetë të thellë: është jeta ashtu siç nuk ka qenë, jeta siç donin ta jetonin burrat dhe gratë e një epoke të caktuar, por që nuk e jetuan dot, kështu që u është dashur ta shpikin nga mendja. Ajo nuk është fytyra e Historisë, përkundrazi, është ana e kundërt ose ana tjetër e saj: është ajo që nuk ka ndodhur dhe, si pasojë, duhej të fabrikohej me mendje dhe fjalë, për të realizuar ambiciet që jeta e vërtetë nuk mundi t’i plotësonte, për të mbushur boshllëqet që gratë dhe burrat shihnin përreth tyre, të cilat ata u përpoqën t’i mbushnin me fantazma të vetëkrijuara.

Natyrisht, ky rebelim është relativ. Shumë shkrimtarë nuk janë aspak të vetëdijshëm për këtë dhe, në rast se do të ndërgjegjësoheshin për rrënjët kryengritëse të thirrjes së tyre të brendshme për të shkruar, ka të ngjarë të habiteshin dhe të frikësoheshin, pasi në jetën e tyre publike, sigurisht, nuk u ka shkuar ndonjëherë ndër mend se po komplotojnë fshehurazi për të hedhur në erë botën ku jetojnë. Nga ana tjetër, rebelimi i tyre është mjaft paqësor. Fundja, ç’të keqe ka t’i kundërvësh jetën imagjinare jetës reale? Ku qëndron rreziku në një garë të tillë? Në vështrim të parë, nuk ka asnjë rrezik. Është thjesht një lojë, apo jo? Dhe lojërat nuk mendohen se janë të rrezikshme për sa kohë që nuk kanë të ngjarë t’i kapërcejnë kufijtë për t’u përzier me jetën e vërtetë.

Natyrisht, kur dikush, Don Kishoti apo Zonja Bovari, këmbëngul të përziejë letërsinë me jetën dhe rreket ta bëjë jetën të ngjashme me letërsinë, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Kësisoj, loja e letërsisë nuk është e pafajshme. Fryt i pakënaqësisë së thellë me jetën e vërtetë, letërsia është vetë burim pakënaqësish dhe shqetësimesh. Ata që me anë të leximit jetojnë një histori të madhe – si dy historitë që përmenda më sipër, të shkruara nga Cervantes-i dhe Flaubert-i – vijnë në jetën e vërtetë me një ndjeshmëri më të madhe ndaj kufizimeve dhe papërsosmërive të saj, të ndërgjegjësuar prej krijimeve të mrekullueshme të fantazisë së tyre për faktin se bota e vërtetë dhe jeta siç e jetojmë, janë mjaft më mediokre se jeta e shpikur prej romancierëve. Kur lexuesi përballet me jetën e vërtetë, turbullimi i ngjizur nga një letërsi e mirë, në rrethana të caktuar, mund të kthehet në akte rebelimi kundër autoriteteve, institucioneve apo bindjeve të rrënjosura./Hejza/ KultPlus.com

A e di pse njerëzit nuk ta dinë për nder kur ti bën shumë për ta?

Mario Venuti

Sepse herën e parë që bën diçka për dikë, ti krijon mirënjohje tek ai. Herën e dytë që i bën ose i jep dikujt ti krijon një pritje. Personi pret të marrë përsëri. Herën e tretë ti ke krijuar tashmë një pritshmëri. Personi pret të marrë përsëri atë që i ke dhënë. Herën e katërt gjeneron një meritë.

Personi mendon se e meriton atë që po i jep dhe dëshiron të vazhdojë që ta marrë. Herën e pestë tashmë ke krijuar një varësi. Ai person ndjen se nuk mund të jetojë dot më rehat pa atë që po i jep. Ai tashmë është i llastuar. Herën e gjashtë ti kupton se nuk ka reciprocitet, nuk merr asgjë në këmbim dhe kështu ndalon së dhëni.

Dhe atëherë personi i llastuar që krijove është inatosur me ty sepse po ia mohon atë për të cilën ka aq shumë nevojë dhe më pas ai përfundon duke të të urryer, sepse ti nuk po ia jep më atë gjë për të cilën e ke bërë të besojë se e meritonte. Për këtë arsye, duhet të dimë se cili është kufiri në dhënie. Sepse ai tjetri nuk njeh kufi në marrje./ KultPlus.com

Mario Vargas Llosa: Erotizmi

Nuk është abuzive të thuash se erotizmi përfaqëson një hop të lartë të civilizimit dhe është një nga përbërësit vendimtar të tij. Për të ditur sesa primitiv është një komunitet apo sa ka përparuar ai në procesin e vet civilizues, asgjë nuk është më e dobishme sesa të kapërcesh të fshehtat e dhomës së gjumit e të vësh re si bëhet dashuria.

Megjithatë, erotizmi nuk ka vetëm këtë funksion pozitiv dhe fisnikërues për të zbukuruar kënaqësinë fizike dhe për të hapur një spektër të gjerë ndikimesh e mundësish që i lejojnë qeniet njerëzore të kënaqin dëshirat dhe fantazitë e tyre të veçanta. Erotizmi është gjithashtu ai që nxjerr mbi ujë ato fantazma të fshehura në irracionalitet, të cilat janë të natyrës destruktive dhe vdekjeprurëse.

Frojdi e ka quajtur prirje fanatike, e cila lufton me instinktin jetik dhe krijues – Erosin – kondicionin human (kushtin e të qenit njeri). Të çliruar nga vetvetja, pa kurrfarë freri, ato monstra të pavetëdijes, që ngrihen dhe kërkojnë të drejtën qytetare në jetën seksuale, në qoftë se nuk do të ishin të frenuara në një farë mënyre, mund të shkaktonin zhdukjen e species. Prandaj erotizmi jo vetëm gjen te ndalimi një nxitje voluptuoze, por gjithashtu edhe një kufi të dhunuar, i cili sjell vuajtje dhe vdekje./Hejza/ KultPlus.com

35 vite nga debutimi i Super Mario

Në Shtator të 1985 Mario dhe vëllai i tij bënë debutimin e parë në “Super Mario Bros.”

Askush nuk imagjinonte dot se 35 vite më vonë, dy burrat me mustaqe do të shisnin 373 milionë lojëra në mbarë botën.

Por si ka mundësi që 3 dekada më pas Mario është kaq popullor? Për të festuar datëlindjen e 35, Nintendo do të debutojë tre avantura klasike të Super Mario: Supe Mario 64, Super Mario Sunshine dhe Super Mario Galaxy.

Super Mario ndryshoi mënyrën sesi luajmë video lojëra. Çdo lojë e re Mario është bërë më e sofistikuar me avancimet teknologjike.

Për shembull në 1996 Super Mario 64 u ndërtua në 3D për herë të parë duke sfiduar lojtarët të mundin armiqtë në hapësirë tre dimensionale.

Përgjatë 35 viteve Mario ka evoluar nga një marangoz 8-bit në një hidraulik të rezolucionit të lartë i aftë të drejtojë motoçikleta.

Nintendo të debutojë më 1 Tetor deri më 31 Mars “Super Mario Bross 35.”

Suksesi i Nintendo do të kishte qenë i pamundur pa rënin e Atari në mesin e viteve 80 pasi dështoi të qëndronte mbi suksesin e Pong dhe Pac-Man. / KultPlus.com

‘Ku janë shqipet e mia?’ Mario Dedivanoviç dhe Bebe Rexha u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve

Makeup artisti me origjinë shqiptare Mario Dedivanoviç është takuar ditën e djeshme me këngëtaren shqiptare Bebe Rexha dhe kanë postuar një foto së bashku.

Dyshja i ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë dashuri.

Mario Dedivanoviç është një nga makeup artistët më të njohur në botë. Ai është me origjinë nga Shqipëria dhe prej vitesh punon përkrah ikonës së bukurisë, Kim Kardashian, të cilën e bëri edhe të fliste shqip.

Mirëpo ditën e djeshme ka pasur një takim me këngëtaren shqiptare Bebe Rexha. Dyshja kanë postuar një foto së bashku ku u kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve.

“Ku janë shqipet e mia. Tregoni pak dashuri,”- shkruan Mario krahas fotos, ku ka vendosur edhe simbolin kombëtar me shqiponjën dykrenare.