Joakina Telez-Zhiron (Joaquina Téllez-Girón), vajza e dytë e dukës së Osunës, ishte një hyjneshë e vërtetë, një nga ato femra që formojnë Yllin Polar të një epoke. E bukur, e hijshme, mikpriste artistët më të rëndësishëm të kohës së saj në sallonin e Madridit, shpërblyer me komisione dhe dhurata. Martesa me José Gabriel de Silva-Bazán y Waldstein, në vitin 1802, e shndërroi në Markezën e Santa Cruz-it: tre vjet më vonë Francisko Goja e pikturoi të veshur me fustanin e Euterpës, muza e lirikës. Piktori gjenial e kishte pikturuar edhe shumë vite më parë, në 1788, kur ishte fëmijë katër vjeçare, në pikturën e familjes – të gjithë duken si kukulla engjëllorë – “Los duques de Osuna y sus hijos” (“Dukët e Osunas dhe fëmijët e tyre”). “Markeza e Santa Cruz”-it është rehatuar në divan, fustani i saj i gjatë e bardhë ia lë krahët dhe një pjesë të gjoksit të zbuluar, pak a shumë si Paolina Bonaparti.
Njërën dorë mbështetur mbi një lirë, me tjetrën shtrëngon një shami të bardhë, fytyra, si një kukull, ka një pamje të vendosur, të pamëshirshme, të dikujt që mund të korrë një mori të dashurish dhe admiruesish. Piktura e Gojas, prej bronzi klasik, gjendej zakonisht në Prado, për të cilën markeza, në kohën e saj, ishte përgjegjëse, aktualisht ndodhet në “Museo de Bellas Artes” në Bilbao dhe është zemra e një intrige. Ekspozita paraqet veprat, që ishin në pronësi të Félix Fernández-Valdés (1895-1976), një biznesmen bask, i cili në rrugëtimin e jetës së tij kishte seleksionuar më shumë se 400 kryevepra, nga El Greko te Ribera, nga Zurbaran te Murijo, Van Dyck dhe Goja.
Në esencë, vepra, e prezantuar në Prado në 1928, për një antologji kushtuar Gojës, u soll në Zvicër gjatë trazirave të Luftës Civile. Piktura u kthye në Spanjë në 1940 dhe Francisko Franko, Il Caudillo, porositi që ajo të blihej nga pronarët, familja Silva, për një milion peseta. Strategjia e Frankos ishte vdekjeprurëse: të joshte Hitlerin me bukurinë, gjatë takimit të Hendaye, i cili u zhvillua më 23 tetor 1940. “Gjatë shekujve, njerëz të fuqishëm arritën të joshen përmes stomakut. Hitleri ishte i prirur për një dietë vegjetariane dhe kishte frikë nga helmimi. Si rrjedhojë, ai duhej joshur me mjete të tjera. Arti – siç dihet, ai ishte një piktor fatkeq dhe i zhgënjyer në rininë e tij – ishte një nga dobësitë e tij. Kur Franko kuptoi se lideri nazist mund të pushtonte botën, ai u përpoq t’i afrohej. Filloi duke i dhuruar tri punë nga Ignacio Zuloaga, një artist që Hitleri e admironte. Ngjarja kryesore, sidoqoftë, do të kishte qenë “Markeza e Santa Cruz”-it e Gojas… Nga ana e tij, gjermani do të kishte këmbyer me një model të fundit Mercedes (Jesús Ruiz Mantilla: “El ‘goya’ con el que Franco quiso conquistar a Hitler”).
Zgjedhja pikërisht e kësaj pikture të Gojas, nuk ishte thjesht estetike: në lirën e përdorur nga markeza dallohet e gdhendur simboli i lauburu, kryqi bask, një shenjë me origjinë keltike, ndoshta shumë e ngjashme me svastikën. Gjithsesi, takimi shkoi keq: piktura mbeti në zyrën doganore të Hendaye, ngjarjet e luftës e detyruan Hitlerin në të tjera mrekulli. Në vitin 1944, piktura u raportua në Prado; tre vjet më vonë, ajo u ble nga Félix Fernández-Valdés për 1.5 milionë peseta, paguar Francisco Franco Salgado, kushëriri i Frankos. Pas vdekjes së koleksionistit, koleksioni i tij i çmuar u nda midis trashëgimtarëve, nganjëherë edhe u zhdukën. Në të vërtetë, piktura e Gojas u shit në Angli në vitin 1983; tre vjet më vonë ajo u shfaq në një shtëpi ankandi, në pronësi të njëfarë Lordi Wimborne. Qeveria spanjolle, pasi denoncoi që piktura kishte dalë në mënyrë të paligjshme, bllokoi ankandin dhe konfiskoi pronën. Megjithatë, me detyrimin për të kompensuar lordin anglez: veprimi kushtoi gjashtë milionë dollarë. Normale… e bukura nuk ka çmim./konica/KultPlus.com