Rilindi madhështore shkaba dykrenore! Rozullitmin çuditi! Në shkëlqim Orizonti shqiptar është’ dhe n’lulzim Fara e kopshtit të vjetër, madhështore Triumfoj prej zgjedhjes s’madhe e shekullore… Engjëlli jetprurës, me mundim Flet, përpiqet e, m’von në mbarin, Liri thërret q’andej prej Vlore!… Agoj… Shkaba u shkund dhe mal mi mal Me mall prej Vlore vallen zuri. U tund Arbnia, zgjohet me nga dal, Rrezët e dritë shikon që i pruri, I kombësis fatos Ismail Qemal. Rroft, emri i Tij, dhe lart, oh, lart Flamuri!
Dashuria për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar: Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën.
Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhafer Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë, kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhé. Ka vuajtur shumë me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. /KultPlus.com
“Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët.
U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur!
Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit…
Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:
Gjunjëzohuni!
Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.
– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!
Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës.”
(Pjesë e shkëputur nga “Intervistë me vetveten”) / KultPlus.com