Pronari restorantit “Evropa 93”, Ramdan Sadiku ishte personi i vetëm shqiptar i cili pa nga afër procesin e arritjes së Marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet delegacionit të NATOS dhe forcave serbe.
Kjo pasi, ky pajtim mes palëve u arrit në restorantin e shqiptarit nga Maqedonia e Veriut.
22 vjet pas kësaj marrëveshje, Sadiku ka thënë se është detyruar që restorantin ta qesë në shitje për arsye që nuk ka kushte ekonomike për ta rinovuar ate.
Ai gjithashtu ka treguar se pavarësisht historisë që ka ai restorant, nuk ka marrë asnjëherë ndihmë nga shteti.
““Evropa 93” tani është i mbyllur pasi është vjetruar. Nuk kom pas ndihmë as nga Qeveria e Kosovës si dhe nga Qeveria e Maqedonisë për renovimin e këtij lokali”, ka thënë Sadiku per inFokus.
Edhe pse restoranti vazhdon të jetë i mbyllur, muret e tij janë të mbushura me fotografi dhe kujtime historike gjatë marrëveshjes dhe qindra familjeve kosovare që vërshuan kampet në Maqedoninë. / KultPlus.com