Teatri i Gjilanit me marrëveshje unike në Kosovë, zhvendos shfaqjet teatrale në lokal të shërbimit gastronomik


Teatri  i Qytetit të Gjilanit dhe  “Tabu Lounge Bar” për herë të parë në Kosovë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e  shfaqjeve teatrale në lokal të shërbimit gastronomik.

Menaxhmenti i “Tabu Lounge Bar’’ janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi sipas tyre e ka shëndrruar Gjilanin në një qytet unik.

“Sigurisht që kjo ka qenë kërkesë e jona që përvec performancave muzikore të kemi dicka më ndryshe nga ajo se cfarë ofrohet në lokalet të shërbimit gastronomik, dhe patjetër që jemi shumë të lumtur që Teatri i Qytetit të Gjilanit, menaxhmenti dhe trupa artistike janë bashkëpunues të nivelit të tillë, duke bërë që jeta kulturore të mos mbetet vetëm në ambientet e dedikuara për to, por të shpërfaqet edhe në lokalet e gastronomisë, duke bërë Gjilanin ndryshe nga qytetet tjera”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një bashkëpunim të ri dhe inovativ në qytetin e Gjilanit, duke sjellë për herë të parë shfaqje teatrore dhe artistike në ambientet e Tabu Lounge Bar.

“Bashkëpunimi do të fokusohet në organizimin e shfaqjeve të ndryshme teatrale, përfshirë stand-up komedi dhe ngjarje të tjera kulturore në këtë ambient unik të cilat do të shfaqen gjate gjithë vitit. Kjo dorë bashkëpunimi e ofruar nga Teatri i Qytetit në Gjilan është lehtësim i madh jo vetëm për Tabu Lounge Bar, por besojmë dhe shpresojmë që aktivitete të tilla të shtrihen edhe tek të tjerët”, thuhet në shkrim.

Stafi i “Tabu Lounge Bar” ka falënderuar  Teatrin e Qytetit të Gjilanit, drejtorin Erson Zymberi, dhe gjithë trupën e teatrit./ KultPlus.com

Termokos dhe UNI – Universum International College nënshkruajnë marrëveshjen për ofrimin e punës praktike për studentë

UNI – Universum International College, i njohur për edukim inovativ dhe të orientuar drejt karrierës, ka bashkuar forcat me Termokos, kompaninë lidere të ngrohjes qendrore në Prishtinë, Kosovë. Ky bashkëpunim i arritur përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit (MOU) të nënshkruar së fundmi, do të krijojë mundësi për punë praktike për studentët e UNI, duke kapërcyer hendekun në mes njohurive akademike dhe përvojës së industrisë.

Synimi kryesor i këtij memorandumi është të mundësoj punë praktike 3-6 mujore në Termokos për studentët e UNI-t të programeve të ndryshme. Kjo përvojë do t’i pajisë studentët me aftësi dhe njohuri që lidhen drejtpërdrejt me fushat e tyre të studimit. Praktikantët do të ekspozohen ndaj operacioneve ditore të punës të një kompanie lider, duke fituar njohuri praktike në fusha të tilla si, administrim biznesi, komunikim dhe media, shkenca mjedisore dhe shumë fusha tjera që janë të aplikueshme në Termokos.

Z. Fisnik Osmani, Kryeshefi ekzekutiv i Termokos, theksoi përfitimet reciproke të partneritetit, duke thënë: “Ne jemi të ngazëllyer që mirëpresim studentët e UNI në ekipin tonë. Perspektivat dhe njohuritë  e tyre do të kontribuojnënë operacionet tona, ndërsa ata fitojnë përvojë direkte në industri. Ky bashkëpunim forcon përkushtimin tonë për të nxitur talentet e ardhshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e fuqisë punëtore të Kosovës.”

Kjo nismë përputhet me misionin e UNI-t për të ofruar një edukim të klasit botëror që fuqizon studentët për sukses në karrierën e tyre të zgjedhur. Partneriteti me Termokos nënkupton një kapitull të ri në mësimin praktik në UNI, duke u ofruar studentëve një mundësi të përkryer për të përkthyer njohuritë e tyre në aftësi dhe ekspertizë reale. Me ofrimin e këtyre mundësive, UNI – Universum International College përgatit studentët për tregun e Kosovës dhe më gjerë.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth aktiviteteve të tilla,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram./KultPlus.com

Mediumi KultPlus dhe platforma Shqip.ai nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Mediumi KultPlus dhe platforma Shqip.ai sot kanë arritur të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi nga sot, mediumi KultPlus, do të integrojë platformën Shqip.ai në të gjitha proceset për transkriptim, krijim dhe pikësim, që pritet të ndikojë në efikasitetin e punës në mënyrë më të shpejtë dhe më të thjeshtë.

Të dyja palët kontraktuese janë shprehur të kënaqura me bashkëpunimin në fjalë, nga ku pritet plasim më i shpejtë i informacioneve me plotë vlera para audiencës së mediumit KultPlus.

Drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, bashkëpunimin në fjalë e ka cilësuar si një arritje të madhe, përfitues më i madh i së cilës do të jetë audienca e mediumit KultPlus.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm, sidomos në afrimin edhe më të mëtejshëm të stafit tonë dhe audiencës, duke transmetuar informacione me vlerë të paçmuar nga sektori i artit dhe kulturës mbarë shqiptare dhe asaj botërore”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Bashkëpunim të rëndësishëm e ka cilësuar edhe platforma Shqip.ai.

“Një hap i madh drejt inovacionit në punën e përbashkët”, është shprehur Astrit Pira nga platforma Shqip. ai. / KultPlus.com