Nesër më 14 Prill do të organizohet një marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pas vendimit të djeshëm që kjo datë të zyrtarizohet si “Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka njoftuar se marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi Ibrahim Rugova, për të vazhduar deri tek monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instalacioni “14 Prilli.”
Vasfije Krasniqi Goodman, si një e mbijetuar e dhunës, ka mirëpritur zyrtarizimin e kësaj date duke shprehur se shënimi i kësaj dite do të jetë moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës dhe thirrjes së memories kolektive.
“Përmes zyrtarizimit të kësaj dite, dhimbja dhe vuajtjet e të mbijetuarve po njihen si nga institucionet njëashtu edhe nga mbarë shoqëria. Prandaj edhe shënimi i 14 Prillit si Ditë e të mbijetuarve, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është tejet e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Në anën tjetër, Presidentja Osmani ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke e nënvizuar edhe rastin e Vasfije Krasniqit.
“Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. /Express / KultPlus.com