Me këngën ‘Behari i Lirisë’ nesër protesohet kundër patriarkatit që vret

Kolektivi ‘Marshojmë S’festojmë’ një ditë para marshit të përvitshëm të 8 marsit kanë publikuar edhe këngën që do të këndohet në ditën e nesërme, shkruan KultPlus.

Në videon e publikuar është përdorur kënga e vjeteër shqipe ‘Behari i Lirisë’, teksti i së cilës është përshtatur nga Eli Krasniqi, posaqërisht për marshin.

Marshojmë s’festojmë këtë vit do të mbahet në 14 komuna të Kosovës nën sloganin ‘Patriarkati Vret’, me marshin kryesor në Prishtinë, kurse në komunat e tjera do të vendosen çarçafët në ndërtesat private dhe publike duke bërë thirrje kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave

‘Shoqe dhe shokë, bashkë-aktiviste/ë, gra e vajza ju ftojmë që nesër, prej orës 12:00, të marshojmë krahas njëra-tjetrës e njëri-tjetrit, nën jehonën e këngës “Behari i lirisë”. Kjo këngë e vjetër shqipe, me tekst të përshtatur nga Eli Krasniqi, le të jetë zëri ynë i shpresës, përbashkimit e rezistencës tonë kolektive.’, thuhet në njoftim.

Behari i lirisë

Dalngadalë po vjen behari,
dalëngadalë po na vjen
Po përmbyset patriarkati,
Liria vjen, liria vjen.
Ref:
Po na vjen po na vjen
Bota zien bota zien
S’ka pushtet që prapa ne na kthen
Ref:
Po na vjen po na vjen
Bota zien bota zien
Shtypjes suaj, fundi po i vjen

Çdo ditë t’lume, mëngjes herët
Qielli ngryset seç u nxi
Nuk durojmë ma padrejtësinë
Nuk durojmë, nuk durojmë.
Ref:
Nuk durojmë, do t’kërkojmë
Drejtësi dhe liri
Eni shoqe, në rrugë tani
Ref:
Nuk durojmë, do t’kërkojmë
Barazi dhe liri
Eni motra, në rrugë tani

Çonu t’gjitha na pret marshi
Po na pret, po na pret
Revolta jonë sot po jehon
Po jehon po jehon
Ref:
Eni shoqe dhe ju shokë
Tok e tok të marshojmë
Barazinë ne sot po e kërkojmë
Ref:
Eni shoqe dhe ju shokë
Të marshojmë tok e tok
Poshtë shtypja për jetë e mot. / KultPlus.com

“MARShojmë S’festojmë” këtë vit me përmasa më të mëdha

Suada Qorraj

Tashmë janë bërë më shumë se pesë vite prej kur ‘MARShojmë S’festojmë’, çdo tetë mars, bëjnë thirrje për të drejtat e grave dhe vajzave, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndonëse në kohë pandemie, ‘MARShojmë S’festojmë’, këtë vit do të jehojë zërin e vet në të gjitha komunat e Kosovës, kurse marshin kryesor do ta ketë në sheshet e kryeqytetit, shkruan KultPlus.

‘MARShojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret’, është një nga thirrjet kryesore të marshit të sivjetmë. E një ndër arsyet më të mëdha që nxiti një thirrje të tillë ishte rritja e rasteve të dhunës dhe grave të vrara që nga fillimi i pandemisë, duke e bërë kështu edhe shtëpinë një vend të pasigurtë. Por, thirrja e këtij marshi nuk kufizohet vetëm në dhunën e vitit të fundit, ngase revolta, pakënaqësia kundrejt sistemit familjar, e atij të drejtësisë ka filluar që në kohën kur gratë vriteshin veç pse ishin gra.

Në një intervistë për KultPlus aktivistja e kolektivit të ‘MARShojmë S’festojmë’, Fjolla Muçaj ka thënë se pikërisht pandemia ishte ajo që zgjoi dhe një herë frikën dhe pasigurinë e grave në shtëpinë e tyre, prandaj dhe fokusi i këtij marshi do të jetë pikërisht mendësia e patriarkatit që vret.

“Këtë vit do të jetë temë vetëm kundër patriarkatit, sepse që nga fillimi i pandemisë në Kosovës është rritur numri i vrasjeve. Dhe me rritjen e numrit të vrasjeve krijohet një situatë e atillë ku dhe shtëpia ngjallë një frikë dhe pasiguri për jetën. Pikërisht për këtë marshi do të zgjerohet edhe në komunat e tjera”, pohoi Muçaj.

Tutje ajo ka shtuar se organizimi edhe në komunat e tjera është i rëndësishëm pikërisht për faktin që të shihet edhe nga njerëzit e tjerë, e të përjetohet edhe në vendet e tjera, njëlloj sikurse në kryeqytetin e vendit.

Madje Muçaj thotë se kësaj nisme është e rëndësishme ti bashkohen të gjithë qytetarët, burra, gra e të rijnë në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se sa e rëndësishme është jeta e tjetrit.

‘Patriarkati vret’, ‘Poshtë patriarkati’, ‘Vrasja e grave është politike’, ’ Edhe sa jetë të humbura?’, janë vetëm disa nga thirrjet e shumta që do të marrin zë marsin e këtij viti, pikërisht me vendosjen e çarçafëve në ballkonet e shtëpive e zyreve tona.

Krejt në fund aktivistja nga Deçani ndonëse në një komunë të vogël siç është edhe vendi prej nga ajo vjen, shpreson se një nismë e tillë, do të mirëpritet, e përkrahet nga njerëz të shumtë, edhe pse ende ekziston një mendësi e atillë kolektive ku lufta kundrejt patriarkatit, dhunës ndaj grave, por edhe të drejtave të barabarta duhet të heshtet.

Marshi do mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në kryeqytetin e vendit me fillim ne orën 12:00. Ndërkaq po në të njëjtën orë thirrja ‘Patriarkati vret’, do te jetë e pranishme në tërë Kosovën./ KultPlus.com