Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas vdekjes së Martti Ahtisaarit ka thënë se ai ishte një figurë madhështore e skenës globale politike, i cili ka skalitur kornizën e shtetit të Kosovës, dhe si i tillë do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani përmes një postimi në facebook tha se vizionari dhe paqebërësi Martti Ahtisaari, do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës .
“Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.
Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë!
Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.
Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, thuhet në postimin e presidentes Osmani/KultPlus.com