Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpia Muze e Ukshin Hotit sot janë vizituar nga Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe profesorë e studentë të programit të Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024.
Sipas një njoftimi thuhet se pjesë e kësaj vizite ishin studentë nga 41 vende të ndryshme të botës, ku nga afër kanë parë dëshmi origjinale dhe janë njoftuar mbi nga masakrën e 25- 27 marsit 1999, nga e cila në Krushë të Madhe mbetën të vrarë 243 persona.
“Kënaqësi e jona të kemi vizitë nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren me programin e Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024. Të pranishëm ishin Rektori Mentor Alishani, profesorë dhe studentë nga 4 kontinente prej 41 shteteve të ndryshme. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.
Muzeu i krimeve të luftës në Krushë të Madhe është inauguruar me rastin e 25 vjetorit të masakrës. Ky muze ka përjetësuar dëshmi mbi atë që ka ndodhur në luftën e vitit 1999, duke shënuar një hap të rëndësishëm në aspektin e memorizimit në kujtesën kolektive./ KultPlus.com
Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.
Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.
Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.
Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka përkujtuar masakrat e Studenicës dhe të Llashticës.
25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofansivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut.
Të njëjtën ditë, më 13 prill 1999 makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar.
Presidentja Osmani në 25 vjetorin e masakrave ka thënë së barbaria e regjimit kriminal serb nuk ka njohur moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojnë asnjëherë në kërkim të saj.
“Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni.
Qoftë i perhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, është shprehur Presidentja Osmani./KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrat e fshatrave Polac dhe Abri e Poshtme. 25 vite më parë në Polac u vranë 78 martirë të fshatit dhe vendeve të tjera përreth, ndërsa në Abri u vranë 10 civilë nga Qabiqi.
Presidentja Osmani ka thënë se duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, nderohet e kaluara, mbahet gjallë e vërteta dhe se bëhen përpjekje që autorët të sillen para drejtësisë.
Më poshtë gjeni komunikatën e plotë për media të Presidentes Osmani:
Polaci dhe Kosova sot kujtojnë prillin e vitit 1999, kur regjimi gjenocidal i Serbisë në një ofansivë njëjavore, vrau 78 martirë të këtij fshati dhe atyre përreth. Sot i kujtojmë dhe përulemi me respekt edhe për 8 dëshmorët e UÇK-së, të cilët ranë në altarin e lirisë.
Makineria e regjimit gjenocidal të Serbisë afro dy muaj para kapitullimit të saj, intensifikoi përpjekjet për shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik anembanë Kosovës.
Më 7 prill makineria vrastare njësoj veproi edhe në Abri të Poshtme, ku u vranë 10 civilë nga Qabiqi.
Duke përkujtuar martirët dhe dëshmorët e UÇK-së, ne nderojmë të kaluarën tonë, mbajmë gjallë të vërtetën dhe se ndalim përkushtimin për sjelljen e autorëve para drejtësisë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!/KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani është shprehur se “përmes kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.
“Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, thuhet në njoftim.
“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil”.
Në 25- vjetorin e masakrës nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Muliqi, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të jetës së tyre.
Kurti theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilët i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.
Teksa kujtoi edhe vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat oserbe, në të njëjtin fshat, në masakrën më 26 shtator 1998, deklaroi se as për këtë masakër, e as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar. Kryeministri ftoi Prokurorinë e Shtetit që me krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen e të dënohen.
Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani, njofton ZKM./arbresh.info/KultPlus.com
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, ka kujtuar Masakrën e Reçakut në 25-vjetorin e saj.
Përmes një postimi në facebook thënë se misioni i saj është i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti në Kosovë.
“Sot shënohet 25 vjetori i Masakrës së Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe u shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve të tyre në pikëllimin e tyre të pangushëllueshëm”, ka shkruar organizata në facebook.
Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti”./KultPlus.com
Sot janë bërë 24 vite nga rivarrosja e 82 martirëve të Krushës së Madhe të cilët u vranë më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, shkruan KultPlus.
Masakra e Krushës së Madhe llogaritet të jetë ndër më të mëdhatë, të kryer nga forcat serbe në Luftën e Kosovës së vitit 1999, nga e cila mbetën të vrarë 243 qytetarë të vendit. Prej tyre, 60 persona ende figurojnë të zhdukur, ndër të cilët është edhe patrioti dhe intelektuali, Ukshin Hoti.
Përveç dëmeve të mëdha në njerëz, forcat serbe dogjën edhe 893 shtëpi, duke e shkatërruar në tërësi çdo gjë tjetër të ndërtuar nga qytetarët punëtorë të këtij vendi. Në diegien e shtëpive, u dogjën edhe fotografi dhe gjëra të tjera me vlerë, me synimin për të humbur identitetin e vendit./KultPlus.com
Në 24 dhe 25 vjetorin e masakrave të Paklekut të ri të Drenasit dhe Studimes së Vushtrrisë, Kryeministri i Kosvës Albin Kurti, ka përkujtuar martirët e këtyre dy fashtrave, duke thënë se plagët e hapura nga këto masakra, për t’u shëruar kanë nevojë për drejtësi.
Kryeminstri Kurti ka thënë se masakrat e kryera në Paklek dhe Studime, sikurse edhe të gjitha masakrat tjera, janë dëshmi e pamohueshme e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
25 vjet më parë, forcat e armatosura të Serbisë, vranë dhe zhdukën me forcë dhjetë civilë shqiptarë në Paklek të ri, e për fatin dhe vendodhjen e nëntë prej tyre nuk dihet ende.
Një vit me vonë, më 31 maj 1999, në Studime, forcat serbe masakruan 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu. Në mesin e tyre, shtatë ishin fëmijë.
“Këto masakra, vrasje e zhdukje me forcë, sikurse edhe të gjitha masakrat tjera në Kosovë, janë dëshmi e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Trupi i Kosovës i gjithi është i mbushur me plagë, të cilat për t´u shëruar kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia është i vetmi ilaç. Është themeli i qëndrueshëm për paqe.
U prehshin në paqe martirët dhe dëshmorët e Paklekut të Ri dhe Studimes!
Lavdi!”, ka thënë Kryeministri Kurti/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e masakrës së 116 martirëve në Studime të Vushtrrisë, ka thënë se kjo masakër ishte e organizuar paraprakisht nga mekanizmat e politikë të regjimit serb, prandaj edhe duhet thënë prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe se paqe të qëndrueshme në Kosovë mund të ketë vetëm kur autorët e krimeve të dalin para drejtësisë.
Presidentja Osmani po ashtu tha se plagët e mizorisë së serbëve të kryera në Studime kanë mbetur të skalitura në kujtesën kolektive, e të cilat e tregojnë çmimin e lartë të lirisë.
“Prandaj, sot si asnjëherë më parë duhet ta themi qartë dhe prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se paqja e qëndrueshme e afatgjate është e mundshme vetëm kur autorët të dalin para drejtësisë dhe kur të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve me dhunë e kur të gjithë ata që kryen këto krime monstruoze të paguajnë për krimet që i kryen.”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani, gjithashtu ka thënë se fshati Studime është simbol i mbijetesës, krenarisë dhe simbol i ringritjes së kombit.
‘’Studimja është simbol i barbarisë së krimeve serbe, i policëve që ndanin fëmijët nga prehrit e nënave e që masakronin gratë shtatzëna, por Studimja është po ashtu simbol i mbijetesës, simbol i krenarisë për ata që ranë për këtë tokë, është simbol i ringritjes sonë si komb.’’, ka thënë Osmani.
Në fshatin Studime, ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha të vendit, ku pë dy orë u vranë 116 martirë, në mesin e të cilëve pati edhe fëmijë dhe gra shtatzëna/KultPlus.com
Sot, Rrezalla e Skënderajt shënon 24 vjetorin e masakrës, në të cilën forcat serbe vranë 98 shqiptarë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera përreth, shkruan KultPlus.
Prej 98 qytetarëve të ekzekutuar, serbët u munduan që 44 prej tyre t’i zhduknin me qëllim të fshehjes së gjurmëve, një pjesë e të cilëve u gjetën më pas në Rudnicë të Rashkës.
Nga kjo masakër, nga e cila mbetën të vrarë 98 shqiptarë, vetëm tre persona kanë arritur të shpëtojnë gjallë.
Fundi i marsit dhe fillimi i prillit shënon përvjetorët e masakrave më të mëdha të vendit si ajo në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Masakra e Familjes Berisha në Suharekë, Izbicës, Qyshkut, Pastasellës, Burimit etj./KultPlus.com
Mijëra njerëz pritet të ndjekin sot ceremonitë përkujtimore të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës.
Eshtrat e 50 viktimave, të gjetura së voni, do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.
Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.
Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.
Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”.
Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.
Ligji ka shkaktuar zemërim te serbët e Bosnjës, që udhëhiqen nga Millorad Dodik, njëherësh anëtar i Presidencës trepalëshe tw kwtij vendi.
Dodik ka nisur procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri.
Në prag të shënimit të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se në Srebrenicë, “Evropa ka dështuar”.
“Është më shumë se kurrë detyra jonë që të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës… të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale”, kanë thënë ata.
“Ende sot, ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, kanë thënë Borrell dhe Varhelyi, duke përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë, sjellin kujtime të gjalla të atyre që kanë ndodhur në luftërat e Ballkanit Perëndimor në vitet 1990”, kanë thënë dy diplomatët e lartë evropianë.
Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. /REL / KultPlus.com
Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit. Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.
Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.
Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat l286, në Gumenicë l92, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.
Si pasojë e këtij gjenocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpërnguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve . Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944. / KultPlus.com
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com
22 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit serb Sllobodan Millosheviq.
Me ç’rast Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur” thonë se edhe pas 22 vjetësh askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo edhe nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale. Kjo qendër kërkon që të vihet drejtësi për gjitha viktimat e masakrës në Burgun e Dubravës.
“Sot mbushen 22 vjet nga fillimi i këtij krimi monstruoz dhe askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale! Në dallim nga koha kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i propagandës gjenocidare të Serbisë, sot në cilësinë e presidentit të shtetit, vazhdon të mohojë përgjegjësinë për përgatitjen dhe zbatimin e këtij akti gjenocidar dhe për këtë fajëson forcat e NATO-s. Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit në Burgun e Dubravës”, thuhet në komunikatën për media nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”.
Shkrimi i plotë:
GJENOCIDI NË KOSOVË – PLAGË E HAPUR
Masakra në Burgun e Dubravës – Akt i gjenocidit!
Gjatë javës së fundit të muajt prill 1999 dhe dy javëve të para të muajit maj 1999, në Burgun e Dubravës u bë grumbullimi i pengjeve shqiptare nga disa burgje serbe ku ishin mbajtur deri atëherë.
Përzgjedhja, transferimi dhe sistematizimi i tyre në pavijonet e Burgut të Dubravës u bë në funksion të kryerjes së një nga krimet më të shëmtuara në kuadër të zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë: vrasjen masive të pengjeve të luftës!
Më datë 19 maj 1999 aeroplanët e NATO-s bombarduan caqet ushtarako-policore serbe që ndodheshin jashtë mureve të burgut të Dubravës. Pas tërheqjes së tyre, aviacioni jugosllav sulmoi pavijonet e stërmbushura me shqiptarë, me ç’rast u vranë Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, ndërsa u plagosën 19 të tjerë.
Në përputhje me strategjinë për fshehjen e gjurmëve të krimit të gjenocidit, propaganda gebelsiane në krye me ministrin e atëhershëm të informatave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, krimet e aviacionit jugosllav ia atribuoi NATO-s.
Përkundër asaj se në konferencat për shtyp të datës 21 maj 1999, Pentagoni dhe NATO hodhën poshtë propagandën serbe dhe me prova të pakontestueshme të mbështetura në incizimet e aksioneve të bombardimeve të caqeve ushtarako-policore, dëshmuan se asnjë bombë e tyre nuk kishte rënë brenda mureve të burgut, propaganda e Aleksandar Vuçiqit vazhdoi me të njëjtin avaz.
Kjo propagandë serbe e fajësimit të NATO-s për krimet që kishte planifikuar t’i kryente vetë, vazhdoi me intensitetit të shtuar deri më 24 maj, kur përfundoi njëri nga krimet më makabre të gjenocidit në Kosovë. Gjatë gjenocidit në Burgun e Dubravës, forcat serbe vranë 117 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 400 të tjerë, 100 prej të cilëve ishin në gjendje tejet të rëndë.
Sot mbushen 22 vjet nga fillimi i këtij krimi monstruoz dhe askush nga zinxhiri komandues i forcave të armatosura serbe apo nga ata që ekzekutuan planin e vrasjes së pengjeve në Burgun e Dubravës nuk është përgjigjur për këto akte kriminale!
Në dallim nga koha kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i propagandës gjenocidare të Serbisë, sot në cilësinë e presidentit të shtetit, vazhdon të mohojë përgjegjësinë për përgatitjen dhe zbatimin e këtij akti gjenocidar dhe për këtë fajëson forcat e NATO-s.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit në Burgun e Dubravës. / KultPlus.com
Sot bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.
Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.
Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca do të bëjnë homazhe për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre. / KultPlus.com
Sot bëhen 22 vjet që kur dora e kriminelëve serbë mori jetën e 23 civilëve të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.
Forcat serbe më 15 prill të vitit 1999, pasi kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit, kishin nisur torturimin e tyre dhe vranë 23 shqiptarë në gjithë lagjen.
Shtëpia në të cilën ndodhi masakra tashmë është shndërruar në Muze. / KultPlus.com
Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, pas homazheve që ka bërë së bashku me kryeministrin Albin Kurti në Krushë të Vogël, ka thënë se Serbia po kryen krim të dyfishtë, duke i fshehur krimet.
Ajo tha mosdënimi i atyre që kanë kryer krime e fshehja e trupave të pagjetur janë krime në vete.
“Ky është gjenocid i dyfishtë, sepse edhe fshehja e krimit është krim në vetvete. Duke mos lejuar hapjen e varrezave masive, duke mohuar krimet, gjenocidin, mos kërkuar falje dhe duke mos vënë kryesit e veprave para drejtësisë, Serbia po kryen këtë krim të dyfishtë”, tha ajo. / KultPlus.com
Vjollca Berisha është një qytetare e Suharekës, e cila i mbijetoj masakrës së marsit të vitit 1999 në këtë qytet. Nga vendi ku po vraheshin pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica e të cilëve gra e fëmijë, ajo shpëtoi duke kërcyer nga kamioni që po bartte pesëdhjetë kufomat e asaj masakre drejt Serbisë, ku autoritetet serbe i patën fshehur kufomat. Këtë e bëri bashkë me të birin Gramozin dhe kunatën Shyhreten, shkruan KultPlus.
Profesori universitar Milazim Krasniqi këtë përballje me vdekje të Vjollcës e ka kthyer në varg poetik, duke e sjellur për publikun një shkrim tejet të ndjeshëm, e që më shumë se emocion ka realitet përbrenda saj.
KultPlus ju sjell poezinë e Krasniqit me emrin ‘’Udhëtimi i Vjollca Berishës’’:
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.
Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.
Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.
19 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.
Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj./ KultPlus.com