Kryeministri Kurti kujton Masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu si dhe Masakrën e Izbicës

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës ndaj 16 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Selman Gashit në Podujevë si dhe Masakrës afro 150 personave në Izbicë të Skënderajt.

“Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja”, thotë Kurti.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:

7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.

Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.

Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. / KultPlus.com

Osmani përkujton Masakrën e Izbicës: Drejtësi për Dafinën 6-muajshe

Në 22-vjetorin e masakrës së Izbicës, kandidatja për presidente Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për vajzën 6-muajshe Dafinën, e vrarë nga forcat serbe.

“Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës”, shkruan Osmani.

Postimi i saj i plotë:

Drejtësi për Dafinën 6-muajshe!

Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, kur forcat ushtarake e policore të regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë një vajzë gjashtë muajshe dhe 146 djem e burra.

Eshtrat e Dafina Qelajt janë gjetur në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi më 2017. Në po të njëjtin vit, ajo është rivarrosur në varrezat e Izbicës.

Historia e Dafinës nuk është vetëm e saj. Është edhe e mbi njëmijë fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, nga të cilët 109 ende rezultojnë të zhdukur.

Kjo histori është dhimbja jonë. Në çdo 28 mars, kujtimi për këta njerëz që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë është rikujtim për adresim të përgjegjësisë së kryerësve, është thirrje për drejtësi, është kujtesë historike dhe personifikim i mbijetesës!

Në dekadën e dytë që prej se jemi të lirë, duhet të reflektojmë për rrugën që kemi kaluar, sepse Masakra e Izbicës është dëshmia para së cilës duhet të përkulemi të gjithë dhe para së cilës duhet marrim forcën për të thënë dhe kërkuar të drejtësinë.

E mbi të gjitha drejtësi për Dafinën!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët në Masakrën e Izbicës! / KultPlus.com

22 vjet nga masakra në Izbicë

Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 22 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të organizojë sot homazhe për nder të 22 vjetorit të masakrës së Izbicës. / KultPlus.com