Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, në 22 vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, ka thënë se përveç se kjo ngjarje është dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë, mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati.
Ajo ka shtuar se janë shumë të pagjetur, fati i të cilëve ende mbetet peng, brengë dhe ankth jo vetëm për familjarët, por edhe për shtetin e Kosovës.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të saj në Facebook:
Sot u bënë 22-vjet nga masakra e Krushës së Madhe, e cila përveç se dëshmi autentike e veprimit të regjimit gjenocidal të Serbisë, mbetet ende plagë e hapur për një pjesë të familjarëve të këtij fshati.
Janë shumë të pagjetur, fati i të cilëve ende mbetet peng, brengë dhe ankth jo vetëm për familjarët, por edhe për shtetin e Kosovës.
Në një aksion dyditor, regjimi serb manifestoi egërsi të paparë, duke ndarë burra e djem nga gratë e nënat e tyre dhe duke ekzekutuar 243 persona.
Dy dekada më pas, masakra e Krushës së Madhe është zëri i ndërgjegjes që thërret për drejtësi dhe zbardhje të fatit të të pagjeturve.
Duke kujtuar këtë ditë, ne sot e kuptojmë peshën dhe çmimin që paguam për lirinë e vendit!
Liria nuk ka kuptim pa adresimin e përgjegjësisë për ekzekutorët e kësaj masakre, siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon!
Ne nuk do ndalemi duke e thënë të vërtetën për Masakrën e Krushës, kudo dhe kurdo. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë që t’i rrimë afër familjeve dhe t’u themi se dhimbja e tyre është edhe e jona dhe që si institucione shtetërore nuk do zmbrapsemi në përpjekjen për të kërkuar drejtësi!
I përjetshëm qoftë kujtimi për 243 të vrarët e Krushës së Madhe! / KultPlus.com