Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka kujtuar masakrën e Mejës.
“Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:
Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe. Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave. Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë. Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi. Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës. / KultPlus.com
Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.
24 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.
Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi. Reklama
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.
Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë./ Express / KultPlus.com
Sot shënohet përvjetori i 23-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.
Në përvjetorin e kësaj masakre ka reaguar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke u shprehur se nuk duhet të ketë më asnjë vonesë dhe asnjë harresë. Sepse, përndryshe, ne vëmë mbi baza të dyshimta çdo të ardhme.
Ky është shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Në përvjetorin e masakrës së Mejës, në ditën e të zhdukurve me dhunë në Kosovë
Asnjë vonesë dhe asnjë harresë. Sepse, përndryshe, ne vëmë mbi baza të dyshimta çdo të ardhme.
Krimi nuk duhet liberalizuar, as viktima, as i pagjeturi, as i përdhunuari. Sepse, përndryshe, do të relativizohet vetë jeta dhe do të na bëhet e durueshme vrasja, rrëmbimi, përdhunimi.
Andaj raportet edhe marrëveshjet tona kanë dhe duhet të vijojnë të kenë në prioritet temën e të zhdukurve me dhunë. I pagjeturi vendos në shoqërinë tonë dhe në familjarët e tij nga një anë dhimbjen, dhe, nga ana tjetër, shpresën. Do të bëjmë gjithë ç’mundemi për ta kthyer shpresën në besim e në realitet.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ka tema të patejkalueshme. Së pari, njeriu dhe jeta nuk mund të jenë temë negociatash. Së dyti, shpëtimi i ndërgjegjes kryhet vetëm nëse vështrojmë dhe vlerësojmë nga këndi i dhimbjes dhe mungesës – vetëm atëherë mund t’i garantojmë vetes dhe të tjerëve një ekzistencë të emancipuar. Nuk mund të anashkalohet plani njerëzor në asnjë prej marrëveshjeve mes shteteve. Nëse shtetet ekzistojnë, ata janë të themeluara prej njerëzve dhe për hir të njerëzve. Tema e të zhdukurve me dhunë është çështja parimore dhe konkrete. Me këtë natyrë të dyfishtë, ajo është tema më e ngutshme mbi të cilën mund të ndërtohet politika e fqinjësive të mira e të sigurta.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se rikthimi i të pagjeturve të mbetur do të jetë akt gjithnjë e më i vështirë. Prandaj kjo çështje ka marrë prioritet në kuadrin e marrëdhënieve dhe bisedimeve me Serbinë. Asnjë vështirësi në zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk mund të krahasohet me ankthin dhe dhimbjen e familjeve. Dhe asnjë vështirësi lidhur me këtë temë nuk mund të anashkalohet për hir të realizimit të marrëveshjeve. Marrëveshjet që fshijnë historinë, nuk janë jetëgjata. Fshirja e historisë, revizionizmi i historisë, e bën të mundshme ripërsëritjen, dhe jo vetëm të mundshme, por edhe më të dhunshme. Po u lejua një gjë e tillë, numri i pengjeve të agresioneve prej shteteve shoviniste, të shndërruar në aparate ushtarake dhe paraushtarake, do të rëndojë edhe më shumë shpirtrat e njerëzve. Pengjet mbi shpirtrat nuk do të lejojnë kurrë të lulëzojë paqja.
Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se i pagjeturi nuk është brengë subjektive, por mungesë objektive. Sipas të dhënave që disponojmë në bazë të një pune për më shumë se dy dekada, na mungojnë ende 1617 persona. Pra, ne na mungojnë ende 1617 prej njerëzve tanë, të familjeve e të vendit tonë. Komisioni ynë dhe organizatat po punojnë. Në fillim të rrëmbyerit ishin pothuaj katër herë më shumë. Gjetja e të pagjeturve të mbetur vështirësohet prej vonesës sonë, por edhe më shumë nga fakti se shoqëria e shtetit fqinj nuk është ende e vetëdijshme për peshën e krimit që është kryer shtetërisht në emër dhe nga anëtarë të saj.
Ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se, në kuadrin e sotëm, me agresionin e invazionin rus mbi popullin ukrainas dhe krimet e shumta e të përditshme atje, çdo rezultat pozitiv nga ana jonë në kthimin e të pagjeturve, është rritje e pjekurisë dhe ndërgjegjes së organizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë demokratike mbi tmerrin e agresioneve të pajustifikueshme ushtarake, në emër të fuqisë dhe diktatit. Gjetja është edhe kërcënim për të gjithë dhunuesit e kriminelët, sepse ekziston skena për viktimën. Sepse, falë përvojës së Bosnjës dhe Kosovës, kombet e shtetet e sotme demokratike e dinë mirë se agresionet e paprovokuara kryejnë krime të tmerrshme. Ata e dinë mirë se ç’masë krimi pritet të zbulohet ditë pas dite në territorin e Ukrainës.
Ne jemi të vetëdijshëm se dëshmia e saktë nga ana jonë e tmerreve të luftës, e krimeve kundër njerëzimit, e krimeve të luftës dhe krimit të gjenocidit, është paraqitja e një tjetër horizonti, më i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore, për paqen pozitive. Në një mori ditësh të vitit ne përkujtojmë viktimat e masakrave. Sot është dita e përkujtimit të masakrës së Mejës, në të cilën u vranë 376 civilë. Ata u rrethuan që të shfaroseshin, si shqiptarë që ishin në tokën e tyre ku jetonin. Duke e nxjerrë në dritë krimin ndaj popullit tonë, ne mund të shtyjmë ndërgjegjen ndërkombëtare të kërkojë pastrimin e ndërgjegjes dhe trupit të shteteve agresorë dhe gjenocidalë. Trupi i territorit të Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer. Shumë janë zbuluar e nxjerrur prej atje. Dhe kështu duhet të vijohet.
Sepse nuk kemi për detyrë vetëm qetësimin dhe ngushëllimin e familjeve, popullit e shtetit e kombit tonë, por edhe shërbimin ndaj shoqërisë njerëzore në tërësi. Dëshmia jonë mund ta ndalë sado pak krimin e mundshëm në treva të tjera të rruzullit tonë.
Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe jo vetëm sot, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës! / KultPlus.com
Sot ka vdekur nëna e pesë djemve të vrarë nga forcat serbe në masakrën e Mejës, përcjell KultPlus.
Zoje Prendit, serbët më 27 prill 1999 ia vranë pesë djem,Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin.
Fotoja e nënës Zoje Prendi është e vendosur në Muzeun e Kujtesës në Prishtinë.
“Sot qenka shuar Zoje Prendi, nëna që ia fali Kosovës pesë djem të vrarë në masakrën e Mejës,Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin, qenka shuar portreti i poezisë sime ‘Rrëfimi për një nënë’, i botuar në antologjinë ‘Dritë mbi plagë’. Kjo kroniste e rënies tragjike të Gjakovës. Fotoja e nënës Zoje Prendi është në Muzeun e Kujtesës në Prishtinë, kujtimi për të nuk vdes sot dhe këtu!”, ka shkruar Eduard Frrokaj në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com