Kori Siparantum krenar që mori pjesë në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut: Nëpërmjet këndimit nderojmë kujtimin e tyre

Sot në Shtime është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të viktimave të 15 janarit të vitit 1999, nga Masakra e Reçakut, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, pjesëmarrësit e kësaj akademie përkujtimore, Kori Siparantum, u shprehen të lumtur që morën pjesë këtu.

Postimi i plotë:

“Sa nder dhe ndjesi e pabesueshme për Korin Siparantum të performojë në Ceremoninë Përkujtimore të 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut, në prani të Zyrës së Kryeministrit, ambasadorit William G. Walker dhe të ftuarve të tjerë të shquar!
Ndjenja bëhet edhe më e fortë kur shumica e anëtarëve të Korit janë fëmijë të lindur në kohë lufte, të cilët tani këndojnë për PAQE!
Nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun, nuk do t’i harrojmë kurrë viktimat e luftës në Kosovë!
Nëpërmjet këndimit, ne lavdërojmë me përulësi kujtimin e tyre!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

BE përkujton masakrën e Reçakut: E kaluara nuk mund të zhbëhet

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përkujtuar masakrën e Reçakut në 24-vjetorin e saj.

Në një postim në Facebook, BE ka thënë se kujtojnë dhe nderojnë viktimat, duke shtuar se e kaluara nuk mund të zhbëhet por që e ardhmja do të sjellë drejtësi e lehtësim.

 “Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës së Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë viktimat dhe ndajmë dhimbjen dhe vajtimin të pangushëllueshëm. E kaluara nuk mund të zhbëhet, por e ardhmja do të sjellë drejtësi, mbyllje dhe lehtësim. Sot vajtojmë me Kosovën.”/ KultPlus.com

23 vjet nga masakra e Reçakut

Sot, 15 janar 2022, janë bërë 23 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. / KultPlus.com

Ambasadori i ri amerikan me Osmanin e Kurtin nesër përkujtojnë Masakrën e Reçakut

Kryeministria ka njoftuar se krerët shtetërorë do të vizitojnë Kompleksin Memorial të Reçakut në përkujtim të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Siç ka bërë të ditur kryeministria, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca do realizojnë homazhet në Reçak nga ora 10:00.

Pjesë e homazheve do të jetë edhe ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sipas kryeministrisë.

Më tej, në ora 11:00 krerët shtetërorë do të kryejnë ceremoni përkujtimore në nder të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Në ora 13:00 udhëheqësit institucional do jenë prezent në një ekspozitë kolektive me fotografi të Masakrës së Reçakut tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Më 15 janar të 1999-ës, 45 shqiptarë nga Kosova në fshatin Reçak u masakruan nga forcat serbe. / KultPlus.com

Walker që eci vetë mes kufomash të masakruara nga forcat serbe i kundërpërgjigjet Vulinit: Masakrën e Reçakut nuk mund ta mohojë askush

Ish-diplomati amerikan, William Walker, thotë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.

Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, e cilësoi të premten sërish si “trillim” masakrën e Reçakut.

Pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vullin tha se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë, e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, u citua të ketë thënë Vullin, sipas Ministrisë së Brendshme serbe.

Sipas tij, serbët “nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.

“Nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shpikin të vërteta për ne, sepse e vërteta është në anën e popullit serb”, tha Vullin.

Duke e komentuar këtë deklaratë të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Walker thotë se Serbia mundohet që, përmes deklaratave të tilla, të ndërtojë një narracion të rrejshëm për krimet që ka kryer gjatë luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë.

“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, thotë Walker.

Kjo nuk është hera e parë që Vullin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.

Duke komentuar deklaratat e Vullinit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vend për mohimin e masakrës së Reçakut.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999, janë të dokumentuara mirë”, thotë Stano.

Sipas tij, modifikimi i ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Komunës së Shtimes, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, thotë Stano.

Ai shton se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi, sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Kandiq: Strategjia e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, thotë se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish jep një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.

“Ajo, për të cilën flet ministri Vullin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.

Kandiq thekson se hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe organizatave ndërkombëtare, kanë konstatuar se këto pretendime nuk janë të vërteta

“Human Rights Watch ka biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe të gjeturat janë mjaft precize. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, thekson Kandiq.

Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka biseduar me dëshmitarët dhe gjetjet e këtij fondi tregojnë për pasaktësinë e pretendimit se të gjitha viktimat në Reçak kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë e dhënë, as nga Human Rights Watch dhe as nga Fondi për të Drejtën Humanitare, se aksioni në Reçak ishte planifikuar, nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje”, thotë Kandiq.

Masakra e Reçakut ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë.

Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak. / KultPlus.com

Meta: Masakra e Reçakut shokoi botën, është dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar 22 vjetorin e masakrës së Reçakut.

Sipas tij kjo masakër që u krye në zemër të Evropës e ka shokuar botën

“Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave” shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

Më tutje ai tha se do bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i plotë:

Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit.

Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftrave.

Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane.

Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit! / KultPlus.com

‘Ishim të sigurtë se të gjithë do të vdisnim’, rrëfimi për masakrën e Reçakut në gazetën franceze

“Kujdes nënë, ata do të vrasin”, ishin fjalët e fundit e Halim Beqirit, 12 vjeçar. Një plumb e goditi pas qafe. Kishte gjak në gojë. Isha dy metra larg. Serbët shtinin nga të gjitha anët. Nuk mund të afrohesha. Ata vranë edhe burrin tim. Ai ishte pranë djalit tonë”, ka rrëfyer nëna e tij Ema për të dërguarin special të gazetës “Liberation”, në Kosovë, gazetari Pier Azan.

Kështu Azan në atë kohë nisi artikullin kushtuar masakrës së Reçakut me titull “Ishim të sigurt se të gjithë do të vdesim”, kishte sjell edhe rrëfimin e Azemit, një burrë rreth të dyzetave për masakrën që ndodhi në Reçak.

“Burrat u ndanë në disa grupe. Nja 29 veta u dërguan mbi fshat. Na thanë se do na çonin në stacionin policor. Por dëgjoheshin krisma në të katër anët. Pjesa tjetër e grupit u dërgua në përrua. Policët serb i prisnin që t’i vrisnin. Të shtunën, trupat e këtyre 20 burrave ishin ende njëri mbi tjetrin, në pozicionin që ishin vrarë. Ishin ekzekutuar nga afër. Një vdekje e përgatitur dhe e ekzekutuar me gjakftohtësi. Në orën 17:00 serbët u tërhoqën. Të mbijetuarit filluan të lëvizin. Një nga shtëpitë e para të fshatit, afër xhamisë, ishte ajo e Banush Azem Kamberit, 62 vjeçar. Kufoma e tij pa kokë ishte pran shtëpisë së tij. Vëllai i tij, Bedriu, 55 vjeçar, kërkonte kokën. Fshatarët e gjetën më vonë”, vazhdonte rrëfimin Azemi.

Kurse, në artikullin tjetër me titull “Masakra e Reçakut, rrëfimi i një dëshmitari kryesor”, gazetari Pier Azan, sjell dëshminë e një vëzhguesi të OSBE-së, që gazetari e paraqiti në atë kohë me emrin Mike.

“Rreth orës 15:45, forcat serbe u larguan nga fshati dhe ne vendosëm të hynim në Reçak. Një duzinë civilësh ishin aty në një gjendje tronditëse. Njëri nga ta na zgjati diçka, njëri nga njerëzit e mi e mori. Papritmas konstatuam se ishte pjesë kafke. Përkthyesi ynë na shpjegoi se ky njeri sapo kishte gjetur kufomën e vëllait të vet, me kokë të copëtuar. Ne pamë një trup. Plumbi i kishte krisur mbi kokë dhe tërë kafka ishte copëtuar. Fshatarët na thanë se nja 20 burra ishin arrestuar. Një grua na tha se burrat ishin dërguar për ekzekutim”, rrëfente në atë kohë vëzhguesi i OSBE-së.

Gazetari vazhdonte rrëfimin duke thënë se ata janë kthyer në Reçak edhe të nesërmen në mëngjes, kurse pasdite aty ka arritur gjenerali William Walker, shef i Misionit të OSBE-së, i cili me t’u kthyer në Prishtinë në një konferencë për media tha se “unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për këtë masakër. Para disa ditësh, UÇK-ja liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër. Duhet të dalin para drejtësisë. Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, ka thënë Walker.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Qeveria e Serbisë në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme, më 17 janar 1999, shpalli Walker-in “person nongrata”, dhe i dha një afat prej 48 orëve për t’u larguar nga Jugosllavia.

Kjo masakër ngjalli reagimet e njëpasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtare që propozuan një konferencë për Kosovën dhe që përfunduan me ndërhyrjen e NATO-së. / KultPlus.com

‘S’kem çka me ba o bab’, video emocionuese e fëmijës që sheh familjarët e vrarë në masakrën e Reçakut

Masakra e 15 janarit e vitit 1999, njihet si ngjarja e cila ishte ngjarja që ndryshoi fatin e Kosovës gjatë luftës së fundit.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999,fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Në atë ditë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Të nesërmën me 16 janar, kishin arritur edhe mediat ndërkombëtare të cilat përcollën pamjet që tmerruan gjithë botën, ndërsa një nga pamjet më të dhimbshme ishte ajo e një fëmiju i cili shihet duke qarë tek sa sheh familjarët e tij të vrarë.

“S’kem çka me ba o bab” dëgjohet duke thënë disa herë me dhimbje fëmija i filmuar nga mediat e huaja, ashtu sic shihet edhe në këto pamje më poshtë. / KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/19-vite-nga-masakra-ne-recak-kjo-video-do-t-iu-coptoje-zemren

Masakra e Reçakut, turpi i madh i Serbisë

Sot shënohet përvjetori i Masakrës së Reçakut.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. 

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.

Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra e Reçakut

Sot, 15 janar 2020, janë bërë 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Më 15 Janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.

Policia dhe ushtria serbe në Kosovë kanë kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe.

Pasi e pa me sytë e tij këtë skenë, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker, kishte alarmuar se në Kosovë po ndodh krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë misionin ushtarak, pas të cilit forcat serbe u tërhoqën nga Kosova. / KultPlus.com