Sot shënohet 23 vjetori i masakrës së Rezallës

Sot bëhen 23 vjet nga masakra e Rezallës, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj.

Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë konfliktit në Kosovë.

Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. / KultPlus.com

Rivarrosen shtatë viktimat e masakrës së Rezallës

Në Rezallë të Skenderajt, të shtunën më 9 tetor u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99.

Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.

Rivarrimi i shtatë viktimave u bë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri ekzaminimet e nevojshme. Ceremonia e varrimit u organizua nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe nga Komuna e Skenderajt.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave civile shqiptare u kthyen në Kosovë më 30 shtator dhe ato iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Merdare.

Në ditën kur u kthyen mbetjet mortore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi nga Merdarja se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Viktimat ishin nga fshati Rezallë, ku më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në këtë fshat u vranë 98 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët ishin bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri tash nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave. Rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur./ KultPlus.com

Kthehen 7 trupa të të vrarëve në Masakrën e Rezallës, presidentja Osmani: Ata përfundimisht do të kenë një vendprehje

Presidentja e Republikës së Kosovës përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se janë kthyer trupat e shtatë qytetarëve të Kosovës, të vrarë nga regjimi serb në Masakrën e Rezallës, përcjell KultPlus.

”Sot, trupat e shtatë qytetarëve tanë të vrarë nga regjimi gjenocidal serb në Masakrën e Rezallës dhe eshtrat e dy trupave që ribashkohen, u kthyen në atdheun e tyre nga Kizhevaku.

Ata përfundimisht do ta kenë një vendprehje ku familjarët dhe ne mund të vendosim lule në kujtim të tyre.

Sot, i bashkohem dhimbjes së familjeve të tyre dhe rikujtoj se zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është angazhim i yni i përditshëm, derisa ta zbardhim fatin e secilit. Siç nuk do të ndalemi as në adresimin e përgjegjësisë për akterët e krimit.

Drejtësia për viktimat është synim i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme, ndërkaq Serbia ka përgjegjësi shtetërore për mbajtjen peng të fatit të edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë dhe fshehjes së fakteve mbi ta.

U prehshin në paqe të masakruarit e Rezallës dhe i përhershëm qoftë kujtimi për ta!’‘, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com

Foto: Erkin Keçi

Ishte 12 vjeç kur ia vranë babain e familjarët tjerë në masakrën e Rezallës: Drejtësia po vonon

Gjatë ditës së hënë janë përkujtuar të vrarët e masakrës së Rezallës.

Familjarët kanë treguar për humbjen që kanë pasur në atë periudhë duke u shprehur të pakënaqur që drejtësia po vonon.

Rrëfime në kuadër të përvjetorit të kësaj masakre pati edhe nga familjari Liridon Hoti i cili kishte humbur babain dhe disa familjarë tjerë.

“Këtu unë kam humbur babain, djalin e axhës që ishte 16 vjeç, axhën tim dhe shumë familjarë të tjerë, unë kam qenë prezent dhe më kujtohet mirë ajo periudhë, kemi dëgjuar krisma kemi parë vrasje”, theksoi ai.

Ai ishte vetëm 12 vjeçar dhe e kujton mirë atë periudhë.

Në anën tjetër Florije Beka rrëfeu për humbjen e babait e gjyshit duke thënë se drejtësia për ta nuk po vjen.

“Në këtë masakër kam të vrarë babën, gjyshin dhe shumë familjarë të tjerë. Unë në atë kohë kam qenë mbi 30 vjeç, nuk di çfarë të them drejtësia nuk po vjen, as nga shteti as nga askush. Drejtësia nuk do vije kurrë vetëm Zoti na ndihmoftë”, tha ajo./ KultPlus.com

Kurti njofton për dy identifikime të reja nga Kizhevaku, në përvjetorët e Kralanit dhe Rezallës

Ditën e djeshme u shënua 22 vjetori i masakrës së Rezallës, një masakër e tmerrshme që la pas 98 viktima të fshatit Rezallë, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot përmes një statusi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se janë bërë dy identifikime të reja nga Kizhevaku. ”Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar”, ka theksuar Kurti në njoftim.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit:

Për çdo ditë përkujtojmë masakrat e para 22 viteve. Dje u mbushën 22 vjet nga masakra e Kralanit, kurse sot 22 vjet nga masakra e Rezallës. Në masakrën e Kralanit u vranë 87 shqiptarë që ishin qytetarë të komunës së Klinës, Malishevës, Gjakovës dhe Skënderajt. Nga kjo masakër janë më shumë se 40 të zhdukur, vendndodhja e të cilëve ende nuk dihet. Ndërkaq, nga masakra e Rezallës kemi 98 viktima, shqiptarë të ekzekutuar, banorë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Rezalla nga lufta e fundit kishte 44 të zhdukur, nga të cilët 2 viktima janë gjetur në ditët e para të pasluftës në Rezallë dhe 29 viktima tjera janë gjetur në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës. Rezallës i mungojnë edhe 10 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

Andaj sot, krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve. Duhet të kujtojmë edhe Bacën Misin Deliu, të mbijetuarin e masakrës, i cili nga viti 2019 nuk është më në mesin tonë, por ‘ai mbijetoi dhe rrnoi për të tregu’. Baca Misin në çdo përvjetor dhe mundësi që i është dhënë, ka rrëfyer historinë tragjike të një prej masakrave më mizore të kryera nga ushtria e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ai rrëfente dhe fliste, sepse donte drejtësi. Prandaj drejtësia duhet të vendoset, krimet duhet të ndëshkohen.

Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar.

Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak. Megjithatë kjo do të dihet pasi të përfundojnë gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion, si dhe të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore.

Andaj, është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive.

Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 22 vjetorin e masakrës së Rezallës, duke shprehur dhimbjen e saj për të gjithë ata që u privuan nga jeta vetëm pse ishin shqiptarë, shkruan KultPlus.

Osmani është shprehur se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për njerëzit e vrarë dhe se liria dhe paqja do të kenë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Drejtësi për Rezallën!

Në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë rrethuan shtëpitë e fshatit, ndanë nga gratë, nënat e motrat, 98 djem e burra dhe i ekzekutuan mizorisht.

44 nga këta civilë të vrarë ishin të pagjetur. Disa vite më pas një pjesë e trupave u gjetën në Rudnicë të Rashkës.

Tre të mbijetuarit dhe trupat e të vrarëve të gjetur në varreza masive në Serbi ishin dëshmi e fuqishme e krimeve makabre të kryera nga regjimi serb.

22-vjet pas, nevoja për drejtësi riaktualizohet, duke u bërë përpjekje e vazhdueshme e institucioneve të vendit. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari vendosjen e drejtësisë për njerëzit tanë sepse ata u privuan nga jeta, vetëm pse ishin shqiptarë. Liria dhe paqja kanë kuptim vetëm kur përgjegjësit dhe ekzekutuesit të vihen para drejtësisë!

Masakra e Rezallës është dhimbje e jona e vazhdueshme, kujtesë historike dhe sakrifica për lirinë e vendit!

Qoftë i përhershëm kujtimi për 98 të vrarët në Masakrën e Rezallës! / KultPlus.com