Më 30 prill të vitit 1999, regjimi serb vuri nën rrethim Shtuticën, Vërbocin dhe fshatrat përreth, duke vrarë mizorisht 300 civil shqiptarë, shkruan KultPlus.
Sot, në 22 vjetorin e kësaj ngjarje të rëndë historike për popullin e Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani vizitoi Kompleksin Memorial në Marinë dhe kujtoi veprën heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe të dëshmorëve të rënë të kësaj zone.
Ky është postimi i plotë i Osmanit:
Tridhjetë prilli i vitit 1999 është ndër ditët më të rënda në historinë e re të Kosovës. Në këtë ditë, forca ushtarake, policore e paramilitare të regjimit serb vunë nën rrethim Shtuticën, Vërbocin dhe fshatrat përreth duke vrarë mizorisht afër 300 civilë shqiptarë.
Heroi Ilaz Kodra me bashkëluftëtarët e UÇK-së, qenë shndërruar në mburojë të popullatës civile në Vërboc e Shtuticë, kur forcat serbe me makineri luftarake mësynë kundër tyre.
Sot, në 22-vjetorin e rënies, e kujtuam veprën heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe të dëshmorëve e të rënëve të kësaj zone.
Ilazi ishte ushtar i hershëm i lirisë, pjesëmarrës i shumë betejave në Drenicë dhe bashkëveprimtar i komandant Adem Jasharit. Ai e dha jetën e tij duke i mbrojtur jetët e të tjerëve, njerëzve të pambrojtur, që ishin bërë cak i vazhdueshëm i forcave serbe.
Duke vendosur lule pranë bustit të tij, ne e nderuam atdhetarizmin, heroizmin dhe përkushtimin e tij për lirinë, si dhe sakrificën e tij për mbrojtjen e popullatës së pambrojtur.
Në kullën e tij, e cila ruan dëshmitë e qëndresës së brezave të familjes Kodra, e rikujtuam qëndresën tonë historike.
Në Kompleksin Memorial në Marinë, ku komandant Ilazi prehet së bashku me shumë heronj të tjerë, u përkulëm në nderim të veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve, pa të cilët liria do të mbetej vetëm synim.
I përjetshëm kujtimi për të rënët! / KultPlus.com