Organizata Admovere dhe Integra, janë në përgatitje të librit për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Por, në disa raste ato po hasin në mungesë informacioni, andaj po kërkojnë ndihmë nga të gjithë ata që mund të kenë njohuri apo informacione për disa nga masakrat në Kosovë.
Kësaj radhe, bëhet fjalë për masakrën në Shtuticë, e cila ka ndodhur më 2 gusht ’98 dhe 30 prill ’99.
Ky është postimi i plotë i Admovere:
NDIHMË PËR INFORMATA PËR MASAKRAT NË SHTUTICË, 2 GUSHT ’98 dhe 30 prill ’99
Së shpejti, ADMOVERE dhe INTEGRA do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999. Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.
Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Dy nga to janë Masakrat në Shtuticë, ku më 2 gusht 1998 janë vrarë 7 civilë, kurse më 30 prill 1999 janë vrarë 44 civilë. I lusim banorët e fshatit Shtuticë dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.
Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj! / KultPlus.com