Masat anti-Covid që do të jenë në fuqi gjatë natës së Vitit të Ri

Natën e fundit të këtij viti, kosovarët do ta presin nën masat kufizuese kundër COVID-19. Pas ndërrimit të motmoteve, ata do të duhet të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, për shkak të kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Se nuk do të ketë lehtësim të masave anti-COVID më 31 dhjetor dhe 1 janar, e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk pritet të ketë ndryshim të masave që janë në fuqi. Ato duhet të respektohen. Përderisa nuk ka ndonjë vendim që i ndryshon masat në fuqi, vlejnë ato që janë ndërmarrë më parë”, kanë deklaruar nga MSh-ja.

MSh-ja gjatë ditëve të fundit ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë festave të fundvitit.

Përmes postimeve në llogarinë e MSh-së në Facebook, apelohet që qytetarët t’i planifikojnë më herë blerjet për festa, për të shmangur grumbullimet e panevojshme.

“Edhe nëse jeni plotësisht të vaksinuar praktikoni respektimin e masave kundër COVID-19 gjatë sezonës festive dhe gjatë tërë pandemisë. Planifikoni më herët blerjet me qëllim që të shmangni turmat dhe grumbullimet e panevojshme. Mbrohu nga COVID-19 dhe festo shëndetshëm”, thuhet në apelin e MSh-së.

Ndryshe, sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.

Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër  (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

Ndërkaq nga data 3 janar e vitit 2020, për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës, do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit me dy doza të vaksinës. / KultPlus.com

Javën tjetër shqyrtohen masat anti-COVID, këto mund të jenë ndryshimet

Me përmirësimin e gjendjes me pandeminë COVID-19, Ministria e Shëndetësisë nga java e ardhshme do të bëj rishqyrtimin e masave. Me këtë rast kërkohet që të hiqet ora policore, të zgjatet orari i gastronomisë, të mos përdoret maska kur një person ecën vetëm e të lejohen ahengjet.

Vetëm një rast të infektuar me COVID-19 ka regjistruar Kosova dje nga testimi i mbi 1 mijë mostrave. Shifër e ulët e rasteve të reja të infektuara me virus është regjistruar edhe sot e ditëve të kaluara, krahasuar me muajt që lamë pas.

Andaj, me përmirësimin e gjendjes me pandeminë COVID-19 në vend, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që gjatë javës së ardhshme t’i rishqyrtojë masat Anti-COVID.

Zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se çfarëdo mase që do të merret do të bazohet në vlerësimin e situatës dhe rekomandimet nga institucionet relevante.

“Pas përmirësimit të situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe analizës së rregullt të kësaj situate, pritet që javën tjetër të bëhet rishqyrtimi i masave Anti-COVID-19. Çfarëdo mase që do të merret do të bazohet në vlerësimin e situatës dhe rekomandimeve që vijnë nga institucionet relevante”, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva po kërkon që me përmirësimin e gjendjes me pandeminë të hiqet ora policore, të zgjatet orari i punës për gastronominë-hotelierinë dhe të filloj mbajtja e ahengjeve, përfshirë këtu edhe dasmeve.

Ai ka deklaruar se ahengjet duhet të fillojnë të mbahen, por që duhet të ketë kontrolle e të mos lejohen të pavaksinuarit.

“Kërkesat primare tani janë që ne do të kërkojmë zgjatjen e orarit për gastronomi-hotelieri dhe heqjen e orës policore. Këto dyja nuk kanë më kuptim. E treta është edhe fillimi i mbajtjes së ahengjeve, për mos të thënë dasmave nëse ka tek këtu ndonjë, por normalisht me kontroll, klientët e pavaksinum e me rezultate negative mos me qenë(hy brenda)”, ka thënë ai.

Sogojeva është shprehur se kërkesat e tyre i kanë drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë para dy ditëve, por që ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ai ka thënë se nëse nuk marrin përgjigje edhe më tej, do të gjejnë forma tjera për t’i adresuar ato.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Express se pasi që situata me pandeminë është përmirësuar janë plotësuar kushtet që të hiqet ora policore e që personat që ecin vetëm të mos bartin më maskë.

Megjithëse, ai ka ftuar qytetarët që të imunizohen në mënyrë që sa më shpejt të lirohemi nga masat në tërësi dhe t’i kthehemi jetës normale.

“Ne mendojmë që gjatë kësaj jave duhet të zhvillohet takimi me nivelin qendror ku kërkesat janë që pasi që situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm, janë plotësuar kushtet që ora policore të hiqet, e sidomos personat që ecin vetëm mos ta bartin maskën se edhe në rajon po shohim që na ambiente të jashtme bartja e maskës nuk është e obligueshme”, ka thënë ai.

Ibrahimi është shprehur se në takimet e fundit që kanë mbajtur me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë, u është thënë se do të shqyrtohen seriozisht kërkesat e tyre, përfshirë edhe heqja e orës policore.

“Ne në baza dy javore e kemi takimin. Shpresojmë që situata do të jetë kështu. Në takimin e fundit që e kemi pasur me ushtruesen e detyrës së ministres së Shëndetësisë na ka premtuar që kërkesat e komunave do të shqyrtohen seriozisht dhe besojmë që ka ardhur koha për ndërmarrjen e këtyre hapave. Shkolla s’ka trend të rritjes të infektimeve që është pozitive e po shihet edhe pse kemi pas fushatë parazgjedhore numri i të infektuarve nuk po rritet”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që së fundmi ka rënë numri i rasteve të infektuara me COVID-19. Derisa vendi regjistronte qindra e edhe mijëra raste të reja me këtë virus, dje pas një kohe të gjatë në vend ka rezultuar pozitiv me koronavirus vetëm një rast.

Me rënien e rasteve të infektuara me COVID-19 ka rënë edhe numri i pacientëve të hospitalizuar.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur sot se 68 pacientë janë të shtrirë në klinikat COVID dhe spitalet rajonale, 3 prej të cilëve në kujdesin intensiv dhe 34 me oksigjeno-terapi.

Ndërsa, tashmë disa klinika janë liruar nga pacientët me COVID e janë bërë gati për trajtimin e pacientëve me sëmundje tjera./KultPlus.com