Vendoset data për provimin e Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka caktuar datën 26 qershor për mbajtjen e Maturës Shtetërore.

MASHTI ka njoftuar se si do të organizohet mbajtja e provimit për maturantët.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftim.

Tutje, MASHTI ka kërkuar të raportohen parregullsitë gjatë provimit të maturës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit. Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, bën të ditur MASHTI.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik. / Gazeta Express / KultPlus.com

Merret vendimi, me këtë datë përfundon viti shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndryshuar datat e përfundimit të vitit shkollor për këtë vit.

Sipas një vendimi të MASHT-it, që e ka nënshkruar sot ministrja Arbërie Nagavci, parashkollorët, klasat e para dhe të teta do të përfundojnë mësimin më 2 korrik.

Ndërsa klasat e 9,10,11 e përfundojnë mësimin me 21 qershor.

Në ndërkohë sipas vendimit paraprak, pushimi veror për nxënësit maturantë pushimi do të fillonte me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi  me 08.07.2021.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ, “Kalendari Shkollor 2020-2021” dhe vendimin 01B/02 të datës 31.03.2021, “Për ndryshimin e Kalendarit të vitit Shkollor 2020-2021 në Arsimin Parauniversitar”, pushimi veror për nxënësit maturantë ka filluar me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 pushimi fillon me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi fillon me 08.07.2021”, thuhet për përgjigjen e MASh-it./Express / KultPlus.com

Vendimi i plotë:

Ky është vendimi i Ministrisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor

MASh, DKA-të dhe akterë të tjerë biseduan për fillimin e vitit shkollor 2020/2021, shkruan KultPlus.com

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka marrë pjesë sot në një takim virtual me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, udhëheqës të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe të IKShPK-së, ku është diskutuar për përgatitjet përfundimtare që janë bërë nga ana e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal për fillimin e vitit shkollor 2020/2021.

MASh ka propozuar që me datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore. Ndërsa, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online/në distancë.

Ministri Likaj, me këtë rast, kërkoi nga të gjithë akterët bashkëpunim të vazhdueshëm dhe mobilizim për t’iu përgjigjur çdo situate, bazuar në master planin e miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe dokumente të tjera për organizimin e mësimit në kushte pandemie. Ndërkaq, Inspektorati i Arsimit, së bashku me Inspektoratin Sanitar, janë vazhdimisht në terren duke bërë certifikimin e shkollave që kanë kushte për fillimin e vitit të ri shkollor në rrethana pandemie.

Vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do të merret në bashkëpunim të plotë me MSh-në dhe IKShPK-në, DKA-të, Këshillin e Prindërve dhe SBAShK-un, në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë. Vlerësimi i situatës epidemiologjike do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe në këtë mënyrë do vlerësohen me kujdes rrethanat dhe mundësitë e vazhdimit të mësimit sipas skenarëve të paraparë.” / KultPlus.com

MASh-i tre nxënësve me koronavirus ua mundëson Testin e Maturës pas shërimit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), do t’u mundësojë tre maturantëve që të hyjnë në test pas shërimit nga koronavirusi, pasi ditën kur është mbajtur testimi ata ishin paraqitur se janë të infektuar.

Gëzim Berisha, kryetar i Këshillit Shtetëror të Maturës, ka sqaruar se tre maturantë nga Gjakova, Deçani dhe Gjilani janë paraqitur se janë të infektuar me COVID-19.

“Ndërsa sipas informatave i kemi 3 raste me Coronavirus nxënës që janë paraqitur një në Gjakovë, një në Deçan dhe një në Gjilan, ku për këta nxënës ne po planifikojmë se në rast se shërohen deri në afatin e dytë të marrjes së vendimit nga Komisioni Shtetëror i maturës do të caktohet data për mbajtjen e testit të dytë të maturës shtetërore”.

“Nëse shërohen këta tre nxënës hyjnë në afat të dytë mirëpo nëse nuk shërohen atëherë për këta nxënës do ta bëjmë një organizim të veçantë dhe nuk do t’ia humbim të drejtën në test këtyre nxënësve”.

Ai shtoi se asnjë nxënës nuk do ta humbas të drejtën e hyrjes në testin e maturës.

“Për të gjithë nxënësit të cilët e arsyetojnë në një formë apo tjetër që s’kanë mundur të hyjnë në testin e parë organizohet testi i dytë i maturës shtetërore çdo herë në përputhshmëri me afatet e regjistrimit që janë në universitete. Asnjë nxënësi nuk do t’i humbet e drejta e hyrjes në test”.

“Më herët kemi mbajtur edhe një test të maturës shtetërore për kandidatët të cilët janë regjistruar në universitetet jashtë vendit dhe për shkak të gjendjes me Coronavirus është dashur të udhëtohet më herët. Është kërkuar që të kenë një certifikatë të testit të maturës shtetërore. Ne e kemi organizuar atë test dhe 103 nxënës e kanë kaluar këtë test dhe kanë ndjekur rrugën e tyre”.

26 699 maturantë, në të gjithë vendin i janë nënshtruar testit të maturës më 29 gusht, përderisa rezultatet do të publikohen të hënën.

“Gjithsej nxënës të cilët e kanë bërë paraqitjen e testit të maturës shtetërore kanë qenë 26 mijë e 699 nxënës. Të gjithë këta nxënës e kanë bërë paraqitjen në kohë për testin e maturës si kandidat për hyrjen në test. Ndërsa se sa kanë hyrë në testin e maturës ne do të dalim me të dhëna pasditen e së hënës me rezultatet, statistikat dhe përqindjet më të plota për arsye se janë duke ardhur nga qendra të gjitha rezultatet të cilët e kanë bërë të mundur realizimin e maturë shtetërore, kur Divizioni për Vlerësim dhe Standarde është duke kryer punën e tij dhe diku në 64 qendra ende nuk është bërë kontrollimi i tyre”.

Ai bëri të ditur se me përfundimit e testit të maturës, nëse nxënësit nuk janë të kënaqur me rezultatet, kanë të drejtë ankese.

“Pas përfundimit të testit të maturës, rezultatet përfundimtare pritet të dalin me 7 shtator, ndërsa pas kësaj date kemi kohën e ankesave prej 8, 9 dhe 10 shtator dhe pas shqyrtimit të këtyre ankesave do të dalin edhe këto rezultate me 14 shtator kur ne realisht e dimë se sa nxënës në total e kanë kaluar testin e maturës shtetërore dhe sa nuk kanë mundur që të kalojnë në pjesën e dytë të testit të maturës shtetërore”.

Berisha tha se për 24 nxënësve do të anulohet testi i maturës shtetërore.

“Ditën e mbajtjes së testimit kemi qenë si një grup i task-forcës sepse jemi marrë tërë ditën me monitorimin e tyre. Në dallim prej viteve të tjera që është bërë publikimi këtë vit i kemi 24 persona ku kemi marrë masa dhe i kemi thirrur të gjithë koordinatorët komunal, komisioner nëpër qendra të caktuara dhe kemi gjetur se prej cilës qendër ka kryer monitorimin, dhe janë marrë masa dhe për ata nxënës do të anulohet testi i maturës shtetërore dhe do të merren masa”, ka thënë Berisha . Klan Kosova / KultPlus.com

MASHT ndan 40 bursa për femrat që regjistrohen në drejtime teknike

Ministri i Arsimit, Shkences dhe Teknologjisë Ramë Likaj, ka marrë vendim për ndarje të bursave për femra që regjistrohen në drejtime teknike në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional (IAAP) për vitin 2020-2021.

“Vendimi synon stimulimin e femrave për regjistrim në drejtime teknike të IAAP, ndërsa bursat për këtë vit shkollor do të jenë bashkëfinancim i MASh dhe projektit LuxDev, i cili për këtë qëllim ka ofruar donacion në vlerë 10 mijë euro”.

Në vendimin e ministrit Likaj janë përcaktuar edhe profilet, kushtet dhe kriteret e përfitimit të 40 bursave që do të ndahen për vitin e ri shkollor.

Hapet konkursi për ndarjen e bursave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se kanë hapur konkurs për ndarjen e bursave për studentët elitarë të Universiteteve Publike, në nivelet baçelor, master.

MASHTI ka bërë të ditur se përshkak të rrethanave të shkaktuara nga pandemia COVID-19, kanë vendosur që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve Publike.

Komunikata e plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 14/2017 për ndarjen e bursave, Vendimin nr. 41/01B, datë 22.05.2020 dhe duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 shpall:.

KONKURS

PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT ELITARË TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË NIVELEVE: BAÇELOR DHE MASTER PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020

Kushtet dhe kriteret:

1. Për fitimin e bursës së MAShTI-t, kandidatët duhet t’i plotësojnë këto kushte dhe kritere bazë:
1.1. Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;
1.2. Të kenë përfunduar vitin e parë në studimet BA dhe vitin e parë për studimet MA;
1.3. Të kenë të përfunduar vitet akademike paraprake, pa përsëritje të vitit;
1.4. Të drejtë aplikimi kanë studentët e të gjitha fushave të studimit;
1.5. Të drejtë aplikimi kanë studentët që kanë notën mesatare të studimeve së paku 9.0 të arritur në afatin e provimeve të shtatorit të vitit 2019.
Mënyra e aplikimit:

Duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, MAShTI vendos që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve Publike. Studentët duhet të aplikojnë në institucionet ku ata studiojnë. Universitetet Publike krijojnë kushtet e nevojshme për të mundësuar aplikimin e studentëve në këto platforma sipas kushteve të këtij konkursi dhe lansojnë konkursin brenda platformave të tyre.

– Aplikimi eletronik do të jetë i hapur nga data 08.06.2020 deri më datë 29.06.2020. Lista përfundimtare e studentëve të cilët përmbushin kushtet dhe kriteret për të qenë përfitues të MAShTI-t dorëzohen nga Universitetet Publike në MAShTI.
– Lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në uebfaqen e MAShTI-t.
Këshilla juridike:

Kandidatët që kanë aplikuar për përfitim të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh, pas shpalljes së rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e MAShTI-t, kati përdhesë, zyra nr. 4 dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i MAShTI-t.

Ministria e Arsimit vendos për hapjen e konkursit për bursa për studentët

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për hapjen e konkursit për ndarjen e bursave për vitin akademik 2019/2020 për studentët e Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, gati tre muaj pas dorëzimit të peticionit me rreth tetë mijë nënshkrime.

Në një njoftim në Facebook, ministrja Hykmete Bajrami, ka thënë se “këto bursa ofrojnë një përkrahje të nevojshme financiare për studentët elitarë, prandaj edhe janë në shërbim të avancimit të cilësisë së arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”.

“Shpallja e këtij konkursi do të ofrojë përgjigje lidhur me interesimet e shumta të studentëve lidhur me konkursin për bursa të shpallur nga MAShTI në vitin 2019 i cili konkurs ishte përcjellë me polemika dhe protesta dhe i cili ishte anuluar përmes vendimit të datës 08.11.2019. Duke pasur parasysh situatën e krijuar me pandeminë COVID-19, Ministrja ka vendosur që të drejtë aplikimi për bursë kanë studentët e të gjitha fushave të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara përmes udhëzimit administrativ 14/2017 për ndarjen e bursave”, thuhet në njoftim.

Hapja e konkursit do të bëhet ditëve në vijim dhe studentët do të informohen për afatet dhe kriteret e aplikimit, ka thënë MASHTI.

Shuma e bursës që e ndan MASHTI, sipas një vendimi të nxjerrë në vitin 2018, është 880 euro.

Nesër protestohet para Ministrisë së Arsimit

Organizata Studentore, Studim Kritikë Veprim përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nesër në ora 11:00 do të protestohet para Ministrisë së Arsimit.

Nga kjo organizatë studentore kanë kërkuar që t’i bashkohen në protestë edhe studentë tjerë të UP’së teksa kanë sqaruar se po protestojnë si kundërshtim për emërimet e fundit në Këshill Drejtues.

“Nesër prej orës 11:00 duke respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe duke ruajtur distancën sociale, ftojmë studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të na bashkohen në protestë kundër vendimit të padrejtë të Ministrisë së Arsimit për emërimin e tre personave në Këshillin Drejtues, dy prej të cilëve janë shërbyes të kolegjeve private. Si organizata studentore para disa ditësh kemi bërë thirrje që ky vendim të zhbëhet por sot ministrja ka refuzuar një gjë të tillë. Andaj ne jemi të detyruar të protestojmë kundër këtij vendimi e kësaj qasje. MAShT fokus parësor duhet të ketë ngritjen e Universitetit të Prishtinës dhe jo minimin e brendshëm të tij nga influencat e kolegjeve private”, thuhet në njoftim.

“Vendimi për emërimin e punonjësve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të UP-së, është cënim i autonomisë së UP-së, është i papranueshëm dhe e vë në rrezik cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë. Për neve si e tillë do të jetë një çështje që do t’i shkojmë deri në fund, siç i kemi shkuar rastit të ish rektorit Ibrahim Gashi, ish prorektores Teuta Pustina dhe rasteve të tjera të profesorëve që janë shkarkuar për arsye të ndryshme. Universiteti është yni, ne nuk do të heqim dorë nga ai, siç nuk kanë hequr dorë as prindërit e gjyshërit tanë që nga viti 1968 e deri më sot. Shihemi nesër në aksionin protestues”, thuhet në njoftim./Express/

MASHTI përfiton grant në vlerë të 7 milionë eurove nga KfW-ja

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, kanë nënshkruar marrëveshje ndërmjet MAShTI-t dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për realizimin e projektit “Fondi i Sfidave të Kosovës – Arsimi Profesional dhe Trajnimi” në shumë prej 7 milionë euro.

Me ketë rast ministrja Bajrami tha se përmes kësaj marrëveshje implementini i të cilës është gjashtë vjeçar do ndikohen në uljen në papunësisë tek të rinjtë, raporton KP.

Bajrami tutje tha se Kosova vazhdon të ketë qalime në ndërlidhjet e arsimit dhe nevojat e treguar prandaj këtë marrëveshje ajo e sheh të një rëndësie të madhe për arsimin në Kosovës.

Ministria e Arsimit tha se implementimi i këtij granti prej 7 milionë eurosh do të bëhet përmes një marrëveshje të bizneseve private dhe shkollave profesionale në Kosovë. / KultPlus.com

1 Maj, MASHTI: Nuk është e domosdoshme të përcillen video-ligjëratat

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bën të ditur se nxënësit dhe mësimdhënësit të premten nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave për shkak se është festa zyrtare e Ditës Ndërkombëtare të Punës.

“Meqë dita e premte (01 maj 2020) është ditë pushimi për arsye të Ditës Ndërkombëtare të Punës, dhe për faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditët e festave zyrtare, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në RTK gjatë ditës së premte (01 maj 2020), do të ri-transmetohen edhe ditën e shtunë (më 02 maj 2020) sipas orarit të njëjtë”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

SBASHK kërkesë Kurtit: Mos të pensionohen mësimdhënësit derisa vazhdon mësimi nga distanca

Sindikata e Bashkuara e Arsmimit dhe Shkencës së Kosovës ia ka drejtuar një kërkesë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

SBASHK-u kërkon nga Kurti që të mos pensionohen mësimdhënësit derisa vazhdon mësimi nga distanca, njofton Klan Kosova

“Nëse pensionohen kuadrot arsimore që kanë plotësuar moshën do të vështirësohej rrjedha e mësimit nga larg ngase në këto rrethana procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë. Po ashtu do kujtuar faktin se kuadrot e reja do ta kishin tepër të vështirë të angazhoheshin suksesshëm në procesin mësimor nga larg ngase do të ishin të panjohur për kolegët në atë shkollë e aq më shumë për nxënësit me të cilët do të duhej ta zhvillonin procesin mësimor. Po ashtu ata do ta kishin tepër të vështirë të krijojnë mundësi për komunikim me prindërit” thuhet në komunikatë.

Kjo është komunikata e plotë e SBASHK-ut:

SBASHK-u është duke vazhduar të mbaj takime nga larg me punëtorët arsimor që nga çerdhet e deri edhe të Universitetet e Kosovës me qëllimin e vetëm që të inkurajojë e përkrah ata në angazhimet maksimale që po bëjnë në realizimin sa më të mirë të procesit mësimor në distancë. Duke analizuar bashkë me ta rrjedhën e mësimit nga larg, SBASHK-u ka marrë obligim nga anëtarësia, që edhe një herë, t’i drejtohet Kryeministrit, z. Albin Kurti me kërkesën konkrete që Qeveria të marr një vendim për t’u lejuar punëtorëve të arsimit që kanë arritur moshën e pensionimit të vazhdojnë angazhimin deri në përfundim të procesit mësimor nga larg.

Duke e argumentuar këtë kërkesë, SBASHK-u cek se procesi mësimor nga larg është duke u zhvilluar dhe se punëtorët e arsimit kanë krijuar një përvojë të mirë të realizimit të procesit mësimor me platformat gjegjëse dhe po mbajnë edhe komunikim të vazhdueshëm me nxënës e prindër duke u angazhuar bashkërisht për rrjedhën e mbarë të mësimit në distancë. Nëse pensionohen kuadrot arsimore që kanë plotësuar moshën do të vështirësohej rrjedha e mësimit nga larg ngase në këto rrethana procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë. Po ashtu do kujtuar faktin se kuadrot e reja do ta kishin tepër të vështirë të angazhoheshin suksesshëm në procesin mësimor nga larg ngase do të ishin të panjohur për kolegët në atë shkollë e aq më shumë për nxënësit me të cilët do të duhej ta zhvillonin procesin mësimor. Po ashtu ata do ta kishin tepër të vështirë të krijojnë mundësi për komunikim me prindërit.

SBASHK-u në kërkesën drejtuar Kryeministrit Kurti ka kujtuar Qeverinë se të gjithë ata që janë pensionuar nga 1 prilli 2020 deri mw sot janë duke mbajtur procesin mësimor me nxënësit e tyre dhe këta mësimdhënës kanë kontribuar mbi 40 vite në sistemin arsimor të Kosovës dhe këtë muaj rrezikojnë të mbesin edhe pa paga edhe pa pensione për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, pasi që në këto rrethana as nuk kanë marrë vendime të pensionit e as nuk kanë aplikuar për pensione, por janë duke vazhduar punën e mësimdhënësit nga largësia si të gjithë mësimdhënësit tjerë.

SBASHK-u beson se Kryeministri Kurti dhe Qeveria do të marrin një vendim të tillë, i cili kontribuon që të largohen shqetësimet e kolegëve tanë që kanë arritur moshën e pensionimit dhe kështu do të vazhdohej me rrjedhën e mbarë të mësimit nga larg me kuadrot arsimore që edhe e kanë nisur këtë formë të procesit arsimor.

Prindërit thonë se Kosova duhet të marrë shembull Shqipërinë për përmbylljen e vitit shkollor

Derisa ka mbetur edhe rreth 1 muaj deri në përfundimin e vitit shkollor 2019/2020, ende nuk ka një vendim të Ministrisë së Arsimit se si do të përmbyllet ky vit.

MASHTI ka bërë të ditur për KOHËN se brenda pak ditëve do ta publikojë një vendim që e rregullon aspektin ligjor të përfundimit të vitit shkollor, si dhe do të nxjerrë udhëzim për vlerësimin e nxënësve.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, MASHTI ka njoftuar se është krijuar një grup i gjerë profesional i përbërë nga ekspertët e Kosovës dhe rajonit. Vendimi për këtë çështje pritet të merret nga MASHTI në bashkëpunim me drejtoritë komunale të Arsimit, raporton KOHA.

“Zgjidhja e MASHTI-t merr parasysh zgjidhjet që janë bërë në vende të rajonit (Kroaci) dhe në vendet e avancuara (si për shembull Kanada), që karakterizohen nga një qasje njerëzore dhe profesionale. Sipas kësaj, nxënësi nuk mund të vlerësohet më pak se nota e fundit më 11 mars 2020, kur është ndërprerë mësimi për shkak të COVID-19. Po ashtu, zgjidhja jonë merr parasysh dispozitat ligjore të Kosovës, si për shembull gjetjen e zgjidhjeve konkrete në rastet kur një nxënës nuk është i kënaqur më notën përfundimtare. Pos kësaj, udhëzuesi parasheh një qasje e cila rregullon saktë raportet mësimdhënës – prindër – nxënës duke shmangur tejngarkimin dhe presionin në këtë relacion”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Ministrisë së Arsimit.

Ministria e Arsimit në Shqipëri ua ka lënë prindërve dhe nxënësve të vendosin vetë nëse duan përsëritje të vitit pa u penalizuar në dëftesat e tyre apo nëse duan ta përmbyllin vitin duke kaluar në klasën tjetër.

Sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, një ide të tillë duhet ta praktikojë edhe Ministria e Arsimit në Kosovë.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, vlerëson se procesi mësimor në distancë është duke u realizuar me sukses dhe nuk duhet të mendohet përsëritja e vitit.

Në Kosovë, mësimi në shkolla është pezulluar më 11 mars për shkak të pandemisë Covid-19. Nga 23 marsi mësimi ka nisur të zhvillohet në distancë fillimisht për nivelin e ulët dhe arsimin e lartë e më pas edhe për shkollat e mesme. Koha.net / KultPlus.com

MASHT: Pasi të hënën është ditë pushimi, video-ligjëratat e kësaj dite do ritransmetohen edhe të shtunën

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se meqë se dita e hënë është ditë pushimi për shkak të festës së Pashkëve Ortodokse, video-ligjëratat që do të transmetohen këtë ditë, do të ritransmetohen edhe të shtunën më 25 prill, sipas orarit të njëjtë.

Nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditët e festave zyrtare, theksohet në njoftim.

Video-ligjëratat për mësimin në distancë transmetohen në RTK.

Mësim në distancë nga sot edhe për parashkollorët

Nga sot mësimit në distancë në Kosovë i shtohet edhe ai parashkollor.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lansuar platformën, kësaj radhe për edukimin e hershëm që do të në dispozicion për fëmijët, prindërit dhe kujdestarët, përmes E-mësimit.

Që nga 23 marsi MAShTI, filloi emetimin e video-xhirimeve për klasat 1 deri 9, e gjithashtu nisi edhe mësimi në distancë për shkollat e mesme dhe universitetet, por mundoi ai për fëmijët parashkollorë.

MASHT informon shtëpitë botuese rreth lëvizjes

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton shtëpitë botuese të cilat kanë aplikuar në konkursin e MAShTI-t për dorëzimin e dorëshkrimeve për tekste shkollore, se afati për dorëzimin e tyre është data 17 prill 2020.

“Duke marrë parasysh vendimin e fundit të institucioneve të Kosovës për kufizimin e lëvizjes me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID – 19, MAShTI njofton shtëpitë botuese se do t’i asistojë ato në marrjen e lejeve njëditore të qarkullimit me qëllim që ta bëjë të mundur pranim-dorëzimin zyrtar të dorëshkrimeve në përputhje me konditat e konkursit” thuhet në komunikatën e MASHT, njofton Klan Kosova

Me këtë rast, MAShTI kërkon nga shtëpitë botuese që t’i dërgojnë në MAShTI emrat e personave të autorizuar (1 deri në 3 persona për secilën shtëpi botuese) në mënyrë Ministria të kërkojë leje qarkullimi një ditore për këta persona nga MPBAP.

MASHTI: Mësimi i të hënës do të ritransmetohet të shtunën, shkaku i Pashkëve

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se ditën e hënë më 13 prill, me rastin e festës së Pashkëve Katolike, nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave.

MASHTI njofton se këto video-ligjërata të mësimit në distancë do të transmetohen në Radio Televizionit të Kosovës gjatë ditës së hënë dhe do të ritransmetohen të shtunën, më 18 prill.

Bajrami: Qendra e Studentëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së COVID-19

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka treguar për menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID-19 në objektet e Qendrës së Studentëve, shkruan KultPlus.

Bajrami, ka treguar specifikisht me numra se sa qytetarë kanë qëndruar aty si dhe njëherit ka shprehur mirënjohjen për punën e stafit.

“Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre”, thuhet ndër të tjera në postimin e saj në Facebook.

Këtu keni stausin e saj të plotë:

“Qendra e Studentëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së COVID-19

Në muajin e kaluar, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qendra e Studentëve, është vënë në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë për të shërbyer si karantinë për qytetarët tanë të kthyer nga vendet tjera. Si ministre e MAShTI-t e kam përkrahur këtë vendim duke ditur që kjo qendër plotëson kushtet e nevojshme për për t’u vënë në dispozicion të institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjet për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID- 19.

Gjatë kësaj kohe, në objektet e Qendrës së Studentëve, kanë qëndruar rreth 500 qytetarë, shumica dërmuese e të cilëve, për fat të mirë, pas testimeve të bëra për COVID-19, kanë rezultuar negativ. Një pjesë e madhe e tyre tashmë u janë kthyer familjeve të tyre dhe po vazhdojnë izolimin 14 ditor në shtëpitë e tyre. Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre.

Si ministre në detyrë e MAShTI-t, falënderoj përzemërsisht menaxhmentin e Qendrës së Studentëve, secilin punonjës, vullnetar dhe staf profesional mjeksor të angazhuar në këtë qendër për të ofruar përkujdesje dhe trajtim shumë njerëzor për të gjithë personat e vendosur në karantinë.

Për fund, u bëj thirrje të gjithëve që të respektoni rekomandimet e IKShPK dhe të qëndroni sa më shumë në shtëpitë tuaja. Në këtë mënyrë, ne i ndihmojmë mjekëve tanë që sa më lehtë të përballen me numrin e të infektuarëve me COVID-19″.

MASHTI: Video-ligjeratat që transmetohen nesër nxënësit nuk e kanë për obligim t’i përcjellin

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton nxënësit dhe mësimdhënësit se nuk e kanë të obliguar t’i përcjellin video-ligjeratat që do të tranmetohen nesër me datë 09 prill, për faktin se është festë zyrtare.

MAShTI njofton nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në Radio Televizionin e Kosovës gjatë ditës së enjte më 09 prill 2020), do të ri-transmetohet edhe ditën e shtunë më 11 prill 2020 sipas orarit të njëjtë.

Nesër më 09 prill shënohet Dita e Kushtetutës së Kosovës.

MASHTI: Video-ligjëratat do të transmetohen edhe gjatë festave zyrtare

Ministria e Arsimit ka njoftuar se video-ligjëratat për mësim në distancë, që po transmetohen në televizionin publik, do të transmetohen sipas orarit që është publikuar edhe në ditët kur në Kosovë ka festa zyrtare.

“Duke marrë parasysh faktin se transmetimi i video-ligjëratave sipas këtij orari mund të përkojë me ndonjë ditë që është e përcaktuar si festë zyrtare në Republikën e Kosovës, MAShTI sqaron se pavarësisht kësaj, video-ligjëratat do të transmetohen sipas orarit të fiksuar, pra edhe gjatë ditës së festës zyrtare”.

Kjo ministri ka njoftuar se video-ligjëratat e transmetuara gjatë ditës së festës do të ritransmetohetn gjatë ditës së shtunë në javën kur ka qenë festë, njofton Klan Kosova.

“Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditën e festave, MAShTI ju bën me dije se video-ligjëratat e transmetuara gjatë ditës së festës do të ri-transmetohen në RTK 4 ditën e shtunë të po asaj jave kur është festa”.

Transmetimi i video-ligjëratave për mësimin në distancë, në Radio Televizionin e Kosovës, është duke u realizuar çdo ditë pune (nga e hëna deri të premten) përmes orarit të fiksuar i cili është i publikuar në ueb faqen e MASHTI-it. / KultPlus.com

Zgjerohet përmbajtja e mësimit online në gjuhën turke e boshnjake

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI) ka njoftuar se nga e hëna (06 prill 2020), përmbajtja e mësimit në distancë për gjuhën turke dhe boshnjake do të zgjerohet me më shumë lëndë mësimore.

Ҫdo ditë pune, nga e hëna deri të premten – prej orës 12:30, në RTK 2, do të ketë video-ligjërata për lëndët gjuhë turke dhe atematikë për klasat 1 – 5, njofton Klan Kosova

Për klasat 6-9, nga e hëna deri të premten, në RTK 2, do të ketë video-ligjërata për lëndët Gjuhë Turke dhe Matematikë. Ndërsa nga e hëna deri të mërkurën transmetohen video-ligjëratat për lëndët mësimore Fizikë dhe Kimi për klasat 6-9.

Ndërsa prej orës 15:30 në RTK 2 mbahen video-ligjëratat për lëndët Gjuhë Boshnjake dhe Matematikë për klasat 1 – 5.  Ndërkaq për klasat 6-9 transmetimi i video-ligjeratave në gjuhën boshnjake fillon sapo të ketë përfunduar përgatitja e materialeve mësimore.

Këto materiale mësimore do të transmetohen edhe përmes ueb faqes zyrtare https://emesimi.rks-gov.net, përmes së cilës shkohet në kanalin e MAShTI-t në Youtube edhe në gjuhën turke dhe gjuhën boshnjake.

MAShTI nëpërmjet komunikatës iu uron të gjithë nxënësve mësim të këndshëm dhe shumë shëndet, dhe kërkon nga prindërit dhe mësuesit bashkëpunim në realizimin me sukses të mësimit nga distanca!

Ky është orari i mësimit në distancë për javën e ardhshme

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur orarin e mësimit online për javën e ardhshme.

Këtë ajo e bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ku deklaroi se duke filluar nga java tjetër, MASHTI do të ofrojë video-ligjërata për shumicën e lëndëve për klasat 1 – 9, për orarin ju njoftojmë me kohë.

Postimi i plotë:

Të dashur nxënës, prindër e mësimdhënës,

Orari i mësimit në distancë për 30 mars – 3 prill 2020 (e hënë – e premte) do të jetë si vijon:

Shqip:

Prej orës 11:15 në RTK 1 dhe në RTK 4 do të ketë video-ligjërata për lëndët gjuhë shqipe dhe matematikë për të gjitha klasat 1 – 9.

Turqisht:

Prej orës 12:30 në RTK 2 do të ketë video-ligjërata për lëndët gjuhë turke dhe matematikë për klasat 1 – 5.

Boshnjakisht:

Prej orës 15:30 në RTK 2 do të ketë video-ligjërata për lëndët gjuhë boshnjake dhe matematikë për klasat 1 – 5.

Të gjitha këto video-ligjërata që transmetohen në RTK do të bëhen publike edhe në kanalin e MASHTI-t në Youtube. Për të shkuar te kanali ynë në YouTube duhet të shkoni të platforma jonë: https://emesimi.rks-gov.net.

Duke filluar nga java tjetër, MASHTI do të ofrojë video-ligjërata për shumicën e lëndëve për klasat 1 – 9, për orarin ju njoftojmë me kohë. / Klan Kosova / KultPlus.com

MASHTI: Vendimi i Qeverisë nuk po respektohet në disa komuna me shumicë serbe

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në disa komuna me shumicë serbe nuk po respektohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e procesit edukativ–arsimor për shkak të masave parandaluese rreth koronavirusit (COVID – 19).

MASHTI iu bën thirrje drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa të menjëhershme që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë.

“MAShTI u bën thirrje të gjitha drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa të menjëhershme që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë. MAShTI thekson se vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës është masë adekuate parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik, dhe në këtë drejtim, çdo tentativë për politizim të çështjes apo mos-zbatim të këtij vendimi, i cili ka karakter obligativ, është i papranueshëm dhe në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, përkatësisht nenit 250 “- njofton Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. / Klan Kosova / KultPlus.com

MAShT-i shpenzoi për libra 1.9 milionë euro më shumë sesa parashihte ligji

Edhe pse në Ligjin për buxhet të vitit 2018 ishte paraparë që për projektin “Blerja e librave” të shpenzoheshin 5.6 milionë euro, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në fund të vitit 2018 për këtë projekt ka shpenzuar 7.5 milionë euro, apo 1.9 milionë euro më shumë sesa parashihte ligji.

Këtë e ka evidencuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit të performancës “Korniza afatmesme e shpenzimeve 2018-2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”, të publikuar ditë më parë, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas raportit, në kërkesën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) që e ka përgatitur MASHT-i, për këtë objektivë strategjike ishte planifikuar buxhet nga kategoria investime kapitale në vlerë prej 3.6 milionë eurosh, si dhe është bërë kërkesë shtesë në KASH për hartimin e teksteve të reja në vlerë prej 7.5 milionë eurosh.

“Në fund të vitit 2018, shpenzimet për këtë projekt ishin në vlerë prej 7.5 milionë eurosh, afërsisht 1.9 milionë euro më shumë sesa buxheti i aprovuar në ligj. Buxheti shtesë është aprovuar përmes vendimeve të Qeverisë. Nuk janë shpjeguar arsyet e mosaprovimit me kohë të kërkesës për buxhet shtesë në kërkesën fillestare të KASH nga MASHT-i, dhe nuk kemi dëshmi të mjaftueshme mbi analizat të cilat kanë bërë që të aprovohet buxhet prej 5.6 milionë eurosh në Ligjin për buxhet 2018 për këtë prioritet”, thuhet në raport. /KultPlus.com

Vendimi i MAShT për konkursin e bursave – studentët paralajmërojnë bojkotim të mësimit

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve, që udhëhiqet nga Organizata studentore “Reforma”, ka protestuar sot kundër vendimit të MAShT-it për konkursin e bursave, për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Kryetari i këtij këshilli, Edison Bibaj, ka kërkuar nga ministria e Arsimit që ta anulojë vendimin për bursa, përndryshe do të vazhdohet me bojkotimin e mësimit deri në rishqyrtimin e këtij vendimi.

“Sot para ministrisë së Arsimit po fillojmë një protestë për të vetmen arsye që është keqtrajtimi i studentëve në aspektin e bursave studentore. Bursa e ministrisë nuk është e përfshirë në të gjitha njësitë akademike”.

“Në jemi të dëshpëruar dhe për këtë arsye kemi vendosur që të fillojmë me këtë protestë. Të enjten kemi bërë këtë kërkesë pranë ministrisë së Arsimit që të kemi një sqarim se për çfarë arsye fakulteti i Arteve nuk është i përfshirë në radhët e fakulteteve ku merren bursa për studentë; mirëpo nuk kemi marrë asnjë arsyetim apo sqarim”.

“Kërkesa jonë është që ky vendim të rishqyrtohet sepse nuk do të pranohet në asnjë mënyre. I vetmi kompromis është që ky vendim të anulohet. Në asnjë mënyrë nuk pranojmë që me këtë vendim të ecet përpara”.

“Kjo është protestë që paralajmëron se nga nesër do të vazhdojmë edhe me bojkotimin e mësimit deri në rishqyrtimin e vendimit për bursa. Ne do t’i bllokojmë njësitë akademike dhe nuk do të mbajmë ligjërata qoftë edhe një vit. Ky është vendim i pakompromis i yni”. Klan Kosova/ KultPlus.com