MASHT reagon për foton me flamurin turk në Prizren, me rastin sot merren inspektorët


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë reagoi ashpër ndaj rastit, i cili është paraqitur në media, ku shihet një person i rritur, që besohet të jetë mësimdhënës, dhe disa fëmijë në një shkollë në Prizren, me flamurin e shtetit turk dhe duke bërë përshëndetje ushtarake.

“Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e asnjë lloj ideologjie dhe abuzimi në këtë formë me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, thuhet në njoftim.

MAShT paralajmëroi se gjatë ditës së sotme do të dërgojë inspektorët e arsimit në shkollën në fjalë për të marrë informacione zyrtare rreth këtij rasti, në mënyrë që të kenë informata të sakta për ta adresuar këtë rast dhe për të marrë masa ndaj përgjegjësve.

MAShT fton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë komunitetin, që të reagojnë dhe ta paraqesin çdo rast të abuzimit me fëmijët, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbrojmë fëmijët tanë nga çdo lloj rreziku që iu kanoset. / KultPlus.com

MASHT: Largimin nga ENQA e kuptuam përmes mediave, kërkuam informacion zyrtar

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se e ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.

Megjithatë, MAShT thotë se për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar, transmeton kp.

“Sot Ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, përfundon deklarata e MASHT-it. / Koha.net / KultPlus.com

MASHT-i thotë se gabimet në tekstet shkollore rishikohen tek vitin tjetër

Tekstet e reja shkollore të botuara me gabime teknike e përmbajtjesore, do të rishikohen vetëm pas një viti.

Pavarësisht reagimeve të mësimdhënësve, ky vit i ri shkollor do të zhvillohet me këto tekste.

Nga Ministria e Arsimit kanë thënë për KTV-në se janë të vetëdijshëm për gabimet, por theksojnë se periudha njëvjeçare është fazë e pilotimit.

Këshilli i ekspertëve të teksteve shkollore javën e ardhshme pritet të zhvillojë një punëtori, ku sipas MASHT-it, do të nxirret edhe një udhëzues.

Drejtues të shkollave, në anën tjetër, thonë se janë të detyruar të zhvillojnë procesin mësimor me këto tekste.

Sipas tyre, kjo do të kërkojë angazhim më të madh të mësimdhënësve.

Përveç gabimeve në librin e lëndës Gjuhë Shqipe të klasës së gjashtë, vërejtje u dhanë edhe për librat e lëndëve Fizikë dhe Kimi.

Mësimdhënësit kanë vlerësuar se përmbajtja tyre është e komplikuar dhe jo e përshtatshme për klasat e gjashta dhe të shtata.

Tekstet e reja u botuan pas fillimit të zbatimit të kurrikulës së re./koha.net/ KultPlus.com

Nxënësit blejnë tekste, të cilat MASHT-i “i shpërndan” falas

Kanë kaluar 2 muaj që kur ka nisur viti i ri shkollor, por shumica e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta ende vuajnë nga mungesa e teksteve shkollore, të cilat Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është zotuar t’i ndajë falas.

Gazeta ka mësuar se MASHT-i këtë vit i ka pasur në dispozicion 9 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore. Kjo ministri nuk ka dhënë sqarime se çfarë ka ndodhur me këto mjete dhe përse në shkolla nuk kanë mbërritur një pjesë e madhe e librave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prindërit janë detyruar t’ua blejnë fëmijëve disa nga librat për të cilat një herë janë ndarë mjetet nga buxheti.

N. N. nga Prishtina ka treguar sesi i ka shpenzuar afro 30 euro për t’ia blerë vajzës së tij shtatë tekste të klasës së gjashtë, meqë sipas tij ato nuk i janë kanë dhënë në shkollë./ KultPlus.com

MASHT bën dallime etnike në PISA, nuk do t’i nënshtrohen testit nxënësit e komuniteteve pakicë

Në një konferencë të Ministrisë së Arsimit për lansimin e fushatës në lidhje me Testin PISA 2018 që po organizohet bashkë me GIZ-in gjerman, ministri Shyqiri Bytyqi tregoi kur do të nisë dhe kur do të përfundojë ky test sivjet.

“PISA do të fillojë me 11 prill dhe do të përfundojë më 5 maj”, tha Bytyqi.

Ai konstatoi se Kosova këtë herë do të jetë shembull në Testin PISA.

“Ne do të jemi shembull këtë radhë në Testin Pisa 2018. Nuk ka shkollë në Kosovë që nuk flitet për PISA 2018”, tha ministri Bytyqi.

Ruben Faller nga GIZ-i gjerman përgëzoi ministrinë për vazhdimin e pjesëmarrjes në Testin PISA edhe pas rezultatit shumë të dobët të treguar në këtë test.

“Më lejoni të uroj ministrinë për gatishmërinë për të vazhduar pjesëmarrjen në PISA. Ne duhet ta vendosim edukimin dhe studentët në frontin e reformës për edukim”, tha Faller.

Ndërsa ministri Bytyqi tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Janë mbledhur 25 mijë nënshkrime me kërkesë që arsimi vërtet të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Edhe Skender Susuri, kryesues i Komisionit për Testin PISA tha se sivjet rezultati do të jetë më i mirë se në 2015-ën.
“Hapi i parë që e ka bo komisioni është që ta krijojmë një plan dhe udhëzim administrativ që përcakton përgjegjësitë për PISA”, tha Susuri

Ai tregoi se në Testin PISA 2018 do të marrin pjesë 5375 nxënës nga 211 shkolla.

Sipas Susurit, komuniteti serb nuk ishte bashkëpunues, ndërsa në Testin PISA nuk do të marrin pjesë komuniteti boshnjak dhe turk.

Në Testin PISA 2015 nxënësit kosovarë kaluan shumë keq./ KultPlus.com

Studentët i vendosin notën 1-sh Ministrisë së Arsimit për komunikatën me plot gabime

Ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lëshoi një komunikatë lidhur me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR-i.

Mirëpo ajo se çfarë kishte rënë në sy nga kjo komunikatë ishin gabimet e shumta drejtshkrimore, pikërisht nga Ministria e Arsimit.

E sot një organizatë studentore e quajtur “Lëvizja Studentore për barazi, studim, kritikë dhe veprim” ka mbajtur një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku i kanë vendosur notë të dobët Ministrisë së Arsimit dhe komunikatës me plot gabime drejtshkrimore të lëshuar ditë më parë.

“Një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore e historike për shqiptarët është hapja e shkollës së parë shqipe, në Korçë, me mësues Pandeli Sotirin, pikërisht me këtë datë- 7 mars, të vitit 1887.

Kujtojmë se siç kemi mësuar nga historia, deri atëherë mësimi shqip ishte tejet i vështirë ngaqë ajo kryesisht bëhej në kushte ilegale përmes mësimeve në shtëpitë private. Përkundër shtypjes dhe presionit të regjimeve kolonialiste, përpjekja dhe sakrifica për arsimim të popullit shqiptar nuk u ndal kurrë. Së voni në vitet e ’90 shqiptarët nga Kosova u detyruan që mësimin e tyre ta ndiqnin përmes shkollave private sikurse një shekull më parë, ngase Regjimi i atëhershëm mbylli dyert e Universitetit për shqiptarët. Gjuha jonë e lashtë dhe e gjerë ishte gjuhë e papranueshme për regjimet fashiste të cilët donin ta zhduknin atë. Megjithatë rrënjët kjo gjuhë i kishte aq të thella sa i mbijetoi çdo regjimi ndër shekuj, për tu pasuruar edhe më shumë. Në 20 vitet e fundit kemi një përmbysje të rëndë e të papranueshme të përpjekjeve për ngritje të vlerave tona kombëtare. Gjuha shqipe bastardohet nga institucionet tona. Injorantë e analfabetë vihen në majat e institucioneve të cilat qëllim duhet ta kishin arsimimin, emancipimin kulturor dhe mirëqenien e shoqërisë dhe jo denigrimin deri në këtë nivel të dhimbshëm për shoqërinë tonë. Për shkak të paditurisë dhe papërgjegjësisë së qeverive të njëpasnjëshme, në administratën tonë shtetërore kemi njerëz që drejtojnë sektorë të rëndësishëm në institucione të cilët përveçse janë anëtarë të partive të pushtetit, shumë nga ata nuk plotësojnë kriteret bazë për të qëndruar në pozita të tilla. Pasojat për këtë gjendje po i bartë shoqëria jonë.

Ditëve të fundit Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, paraprakisht për shkak që bordi ishte edhe i papërgjegjshëm edhe i korruptuar dhe po ashtu për shkak të paaftësisë dhe inateve partiake të Ministrit dhe Kryeministrit për ta zgjidhur në kohë këtë çështje.

Së fundmi, siç kemi mësuar nga mediat, Ministri i është drejtuar Programit për Vlerësim të Studentëve Ndërkombëtar, (PISA-s) që testi i paraparë për këtë vit të mos mbahet. Kjo siç vlerësojmë ne është për shkak të rezultateve tmerrësisht të dobëta që priten të nxirren nga nxënësit e shkollave të Republikës të Kosovës. Zgjidhja nuk është fshehja e rezultateve, zgjidhja bëhet duke i njohur e duke i përmirësuar ato. Kjo nuk do të ndodhë përderisa në një komunikatë për media kjo Ministri bënë dhjetëra gabime drejtshkrimore në rreth 4 paragrafë tekst.

Sot përmes këtij aktiviteti po i korrigjojmë gabimet e kësaj Ministrie, por gabimet e njëpasnjëshme që po ndodhin do ti përgjigjemi me rezistencë. SKV siç ka vepruar në të kaluarën, siç po vepron në kohët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen do të përgjigjet edhe më furishëm ndaj cilitdo institucion të korruptuar, apo përgjegjës të tij, çoftë Ministër, rektor, apo profesor që dëmton integritetin arsimor” thuhet në Komunikatën e lëshuar nga kjo lëvizje.” thuhet më tej në komunikatën e kësaj organizate lidhur me këtë aktivitet./ KultPlus.com

Zyrtari i MASHT-it që lëshoi komunikatën me dhjetëra gabime drejtshkrimore, kërkon falje

Zyrtari për komunikim publik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ismet Osdautaj, i cili ditë më parë lëshoi një komunikatë në emër të institucionit që përfaqëson me disa dhjetëra gabime në drejtshkrim, ka kërkuar falje për lëshimet e bëra.

Ai ka thënë se me të drejtë i janë potencuar në media gabimet, por thotë se “kam qenë duke punuar në kushte të jashtëzakonshme, në një kompjuter personal me defekte teknike”.

“Me anë të kësaj letre, dëshiroj të sqaroj edhe njëherë publikisht se komunikata e lartpërmendur, e cila doli me gabimet e përfolura në media (me të drejtë), për shkaqe teknike është dërguar me e-mail privat. Komunikata është përgatitur me kërkesën e Kabinetit të Ministrit, me qëllimin e ofrimit të sigurisë për studentët, lidhur me shqetësimet që ata kanë për njohjen apo jo të diplomave pas largimit (pezullimit ) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga EQAR dhe si e tillë mendoj se ka përcjellë mesazh të qartë dhe kuptimplotë”, ka thënë Osdautaj.

Në pritje të PISA-s, MASHT-i dërgon një komunikatë me një mal gabimesh drejtshkrimore

Kur Kosova u rendit në pozitën e tretë për nga fundi në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), ministri i Arsimit i asaj kohe, Arsim Bajrami, pati thënë se rezultatet ishin të papritura dhe se janë duke punuar në përmirësimin e kësaj gjendjeje në arsim.

“Kemi shumë nevojë për të përmirësuar në shumë segmente arsimin, fillimisht për të zënë hapin që të jemi të krahasueshëm me shtetet e rajonit. Por, unë jam i sigurt që në vitin 2018, kur t’i kemi rezultatet e para të punës tonë dy vjeçare, ne do të krahasohemi me shtetet e Bashkimit Evropian”, pati thënë ministri Bajrami.

Mirëpo, ministria që ai dikur udhëhiqte, dje ka lëshuar një komunikatë me një mori gabimesh në drejtshkrim, që ndoshta tregon më së miri se rezultatet edhe këtë vit do të jenë po aq dëshpëruese.

“Komunikat – MAShT : Asnjë studentë nuk do të ketë problem me njohjen e diplomave ndëkombëtarisht”.

Është ky titulli me të cilin MASHT u drejtohet mediave për të treguar se përjashtimi i Kosovës, gjegjësisht Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), nuk do të ndikojë në njohjen e diplomave ndërkombëtarisht, raporton Koha.net.

Mirëpo, vetëm në titull, MASHT-i ka bërë 3 gabime në drejtshkrim dhe një gabim në shenjë pikësimi.

“Komunikat” në vend të “Komunikatë”, “Asnjë studentë” në vend të “Asnjë student” dhe “ndëkombëtarisht” në vend të “ndërkombëtarisht”, ndërsa, para vendosjes së dy pikave kanë lënë një hapësirë.

“Ministria e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë , garanton se asnjë studentë nuk do të këtë problem me njohjen e diplomave ndërkombëtarisht apo pranim për regjistrim në Universitetet Evropiane dhe se ato do të trajtohen ashtu siq janë trajtuar deri më tash”, thotë MASHT në këtë komunikatë që sërish lëshon gabime në drejtshkrim.

“Ministria e Arsimi…” në vend të “Ministria e Arsimit”, pastaj e kemi një hapësirë para shenjës së pikësimit (presjes), që rregullat e gjuhës shqipe nuk e lejojnë një gjë të tillë. Dhe në fund të kësaj fjalie është fjala “siq” që duhet të jetë “siç”.

“Tendenca për të thënë se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në Evropë, janë manipulime të ulëta,dashakeqe dhe dëmtojnë imazhin e Universiteteve tona dhe diploamve tona”.

Në fjalinë e dytë të komunikatës së MASHT-it e gjejmë sërish një gabim në shenjat e pikësimit, pasi nuk lihet hapësirë pas presjes, dhe fjalën “diplomave” e shkruan “diploamve”.

“MAShT do të angazhohet fuqishëm që edhe programet e reja të cilat do të akreditohen,të garantojnë cilësi dhe do të kenë të njëjtën rëndësi dhe vlershmëri”, shkruan më tej Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Në këtë paragraf, MASHT përsërit gabimin në shenjë të pikësimit duke mos lënë hapësirë pas presjes, si dhe fjalën “vlefshmëri” e shkruan “vlershmëri”.

“Shqipëria,Mali i Zi dhe Maçedonia nuk janë pjesë e EQAR dhe studentët e tyre nuk e kanë asnjë problem me njohje të diplomave”, shkruan në fjalinë e radhës nga MASHT-i.

E kuptuam tash që zyrtari për informim në MASHT nuk e di rregullin e shenjave të pikësimit, por jo vetëm. “Maqedoninë” e bën “Maçedoni”.

“Ky është edhe një fakt i fuqishëm që demanton manipulimet se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në EU. Por në asnjë mënyrë ky fakt nuk përmendet për të relativizuar apo zvogëluar rëndësinë që ka EQAR për njohjen vlershmërisë së diplomave tona”, thotë në paragrafin e fundit MASHT-i.

“EU”, nëse nuk e dini është shkurtesa e “European Union”, që në shqip është “Bashkimi Evropian” dhe shkurtesa për të është “BE”. Edhe njëherë fjala “vlefshmëri” kthehet në “vlershmëri”.

“Njëkohësisht MAShT mbetet e përkushtuar që Agjecia e Kosovës për Akreditim të kthehet në EQAR brenda afatit të ankimimit prej 90 ditësh”, përfundon MASHT-i “komunikatin” e saj me një mal gabimesh.

Në këtë paragraf, zyrtari për informim i MASHT-it lë nga dy hapësira pas fjalës, e madje nuk përdor shenjë pikësimi (presje) në fillim të fjalisë, pra pas “Njëkohësisht”. Po ashtu, fjalën “Agjenci” e shkruan “Agjeci”

Kujtojmë se ekspertët e arsimit në vend, patën thënë se ky vlerësim ndërkombëtar që i është bërë nivelit të arsimit në Kosovë, tregon se Kosova nuk ka mundësi të ketë një perspektivë të mirë.

Më 2016, programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi./ KultPlus.com