MASHTI: Nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit për edukimin seksual në shkolla, duke theksuar se nuk ekziston një kurrikulë e veçantë për këtë temë, as tekste shkollore që e trajtojnë atë siç është raportuar.

Në një njoftim për media, MASHTI sqaroi se edukimi seksual trajtohet si një çështje ndërkurrikulare në kurrikulën arsimore të Kosovës dhe përfshihet në lëndë të ndryshme mësimore nga perspektiva shkencore, shëndetësore dhe shoqëroro-kulturore, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre.

MASHTI theksoi gjithashtu se, në vitin 2016, është formuar një grup punues që ka hartuar disa doracakë për mësimdhënës dhe broshura për prindër, të cilat janë miratuar nga MASHTI më 2020. Këto materiale janë opsionale dhe nuk janë pjesë e kurrikulës së detyrueshme për nxënësit. Për më tepër, MASHTI siguroi se do të vazhdojë rishikimin e këtyre dokumenteve dhe teksteve shkollore për të siguruar përmbajtje të përshtatshme dhe të saktë.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit për studime albanologjike ndërmjet MAShTI-t dhe UP-së

Në datën e 21 shkurtit e cila shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nën praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Universitetit të Prishtinës, për zhvillimin dhe promovimin e Albanologjisë, me theks të veçantë në programet e gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe.

Kurti gjatë fjalës së tij në ceremoni bëri të ditur se qëllimi i këtij memorandumi është përkrahja financiare e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës për publikime në revistat që botohen nga Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Veçanërisht, Ministria do të përkrahë stafin akademik të Fakultetit Filologjik për artikujt shkencor në fushën e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Gjithashtu, do të mbulojë edhe shpenzimet për pjesëmarrje në Seminare Ndërkombëtare. Do të ndajnë bursa vjetore në vlerë prej 1000 euro për studentët që studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe”, shtoi tutje ai.

“Ndër të tjera, do të ofrohet mbështetje vjetore për tri projektet shkencore të realizuara nga stafi akademik i Fakultetit të Filologjisë në kuadër të studimeve albanologjike. Përkrahje të tillë ky memorandum i ofron edhe dy projekteve hulumtuese më të suksesshme të studentëve në nivelin master, si dhe garave në nivel parauniversitar për mendim kritik, argumentim dhe drejtshkrim”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.

Me këtë rast Kurti uroi që zbatimi i këtij Memorandum Bashkëpunimi të sjell përfitime për stafin akademik e studentët, dhe njëkohësisht të prodhoj rezultate origjinale e të vyera për studimet albanologjike.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit ishte Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Qerim Qerimi, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prorektorë të UP-së, Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë dhe staf akademikë e studentë të Universitet të Prishtinës./Arbresh.info/KultPlus.com

MASHTI nderon profesorin Moshe Landsman për kontributin e tij në fushën e arsimit

Profesori Moshe Landsman është nderuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe zhvillimin e fushës së psikologjisë në Kosovë.

Në ceremoninë e nderimit të kontributit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi se Dr. Landsman themeloi Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2001.

“Themelimi i Departamentit të Psikologjisë në periudhën pas luftës në Kosovë ishte ngjarje tepër e rëndësishme sa i përket adresimit të shëndetit mendor të popullatës së gjerë dhe burim jetik për zhvillimin e kapitalit njerëzor për ofrimin e shërbimeve këshilluese dhe terapeutike”, tha ajo.

Ministrja theksoi se profesori Landsman, në Kosovë, ka vazhduar punën e tij jetësore, me ngritjen e qendrave që ofrojnë programe për shëndetin mendor, si dhe mbështetje kognitive, psikologjike dhe psikiatrike për të gjithë ata që kanë nevojë, përfshirë fëmijët, studentët dhe të rriturit.

“Puna e tij shtrihet për dekada të tëra, duke nisur në vitet ’70 në Izrael, e duke vazhduar deri para dy vitesh, me daljen në pension. Megjithatë, prania e tij sot këtu tregon se përkushtimi i tij për të ndihmuar njerëzit nuk ka të ndalur”, tha ministrja.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit kanë filluar shumë më herët se njohja zyrtare dhe që ne kemi një histori të gjatë të mieqësisë.

“Kjo ngjarje sot ku po e nderojmë punën mrekullueshme të profesor Landsman është po ashtu një provë e kësaj”, theksoi ajo.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna, duke qenë edhe një nga studentet e para të profesorit Moshe, tha se për të, profesori përfaqëson mishërimin e një individi që beson në fuqinë e lirisë së tij të zgjedhjes.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi e ka falenderuar profesorin Moshe për kontributin e tij në Kosovë.

Dr. Moshe Landsman, ndërkaq, tha se janë shumë njerëz që duhet t’i falenderojë.

“Ka qenë një bekim të jem me juve dhe të marr një sasi të madhe të fuqisë dhe inspirimit prej juve. Jam i lumtur që këtu ka shumë studentë të gjeneratës së parë të Psikologjisë”, tha ndër të tjera profesori Landsman./ KultPlus.com

MAShTI ndan çmime dhe mirënjohje për 45 nxënës fitues në gara ndërkombëtare dhe vendore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndarë çmime dhe mirënjohje për 45 nxënës të cilët kanë marrë çmime në gara ndërkombëtare dhe vendore gjatë vitit 2022, si nismë e re me qëllimin që të shërbejë si motiv për punë të mëtutjeshme.

Shuma totale që Ministria e Arsimit e ka ndarë për këtë mbështetje për këta nxënës është 28.300 euro.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast kanë përgëzuar nxënësit, prindërit dhe të gjithë mësimdhënësit për çmimet e fituara dhe talentin e tyre jashtëzakonshëm.

Kryeministri Kurti theksoi se, një nga shtyllat kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës është arsimi cilësor, prandaj Qeveria e Kosovës me qëllim që të ofrojë mundësi sa më të mira për nxënësit dhe studentët tanë ka ndarë buxhet në vlerë 3.5 milionë euro për praktikë profesionale, bursa për vajza, kuponë për kurse të IT, bursa STEM, si dhe ka ofruar përkrahje në forma të ndryshme.

Ndërsa, ministrja Nagavci tha se ndjehet e emocionuar në mesin e këtyre nxënësve të veçantë, që na përfaqësuan dinjitetshëm nëpër gara vendore dhe ndërkombëtare, duke marrë çmime të rëndësishme gjatë vitit 2022.

Ajo theksoi se, Ministria e Arsimit në vazhdimësi harton dhe monitoron zbatimin e politikave për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fusha akademike, kreative dhe artistike, duke punuar me përkushtim në sigurimin e kushteve më të mira në shkolla, me hapësira ku nxënësit mund të shprehin dhe të zhvillojnë talentin e tyre.

Ministrja Nagavci falënderoi organizuesit e këtyre garave, të cilët kanë vendosur që në fushëveprimin e organizatave të tyre, të kenë pikërisht talentet nga shkollat tona, duke premtuar se MAShTI do të kërkrahë secilin talent në çdo fushë dhe do të krijojë mundësi të reja që ta shprehin talentin.

Ndryshe, disa nga garat të cilat organizohen nga OJQ të specializuara dhe janë një mundësi e mirë për identifikimin e talenteve të fushave të ndryshme janë:Olimpiada Kombëtare e Matematikës, Garat Republikane të Fizikanëve të Rinj, Olimpiada e Matematikës Kosovë-Shqipëri, Olimpiada Matematike Ndërkombëtare, Kupa Matematike Evropiane, Math Kangoroo./ KultPlus.com

MAShT: Orët e humbura do të kompensohen sipas kalendarit të ri

Ministria e Arsimit, ka bërë të ditur për Radio  Kosovën se kompensimi i orëve të humbura si pasojë e grevës, do të bëhet  sipas kalendarit të përmirësuar.

Ndërkohë, Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve janë shprehur kundër kompensimit të orëve sipas kalendarit të ri, pasi kjo është e rregulluar me Kontratë Kolektive.

Orët e humbura si pasojë e grevës në arsim do të kompensohen sipas kalendarit të ri, i cili është publikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën. Në përgjigje thuhet se ministria gjatë rishikimit të kalendarit shkollor, ka analizuar me kujdes të gjithë faktorët, përfshirë përmbajtjen mësimore për gjysmëvjetorin e parë dhe të dytë, balancimin e periudhave mësimore dhe shmangien e mbingarkesës. Si rezultat i këtyre analizave ka ardhur deri te vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit shkollor. Për sa i përket propozimeve që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë brenda javës për çdo nxënës, kjo praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik.

Ndërkohë, kundër këtij vendimi të ministrisë është Sindikata e Arsimit. Ymer Ymer, nga kjo sindikatë, i tha Radio Kosovës se orët e humbura gjatë kohës së grevës në këtë sektor nuk kompensohen, për arsye se kështu është e rregulluar me Kontratë Kolektive.

“Këtë çështje e kemi të rregulluar me Kontratë Kolektive e e cila është e nënshkruar ndërmjet MASHT-it dhe SBASHK-ut. Një nën i cili thotë se orët e humbura gjatë kohës së grevës në këtë sektor nuk mbahen ose kompensohen përveç nëse ka një marrëveshje të veçantë ndërmjet të dyja palëve. Ministria e Arsimit as nuk ka biseduar dhe nuk e ka ftuar SBASHK-un për ndonjë konsultim për arritjen e ndonjë marrëveshje. Përderisa nuk ka një marrëveshje të tillë, ne, mendojmë, se ai vendim për zëvendësimin e orëve është i pavlefshëm”, tha Ymeri.

Po ashtu, edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës është shprehur kundër kompensimit të orëve ditëve të shtuna. Kryetari i Këshilli, Jeton Demi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se prindërit në mënyrë unanime janë deklaruar kundër kompensimit të orëve pasi kjo po shkakton çrregullim të planifikimit familjar dhe aktiviteteve të tjera.

“Të shtunat ligjërisht janë ditë pushimi, mbajtja e mësimit ditëve të shtuna e pengojnë procesin mësimor gjatë ditëve të tjera të javës. Po ashtu pengojnë aktivitetin jashtë shkollor të fëmijëve. Dhe po ashtu shumica dërrmuese e prindërve kanë qenë kundër kompensimit të orëve gjatë të shtunave dhe vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim”, tha Demi

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor./ KultPlus.com

Nesër fillon procesi mësimor, MASHTI kërkon bashkëpunim për kompensimin e orëve

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër, (e hënë, 3 tetor 2022), fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

“MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK”, thuhet në njoftim.

MAShTI ka bërë të ditur se do të formojë grupin punues për Kalendarin e vitit shkollor, njofton Klankosova.tv.

“Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla”.

“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor”.

“Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës”.

Gjithashtu, MAShTI njofton se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla./ KultPlus.com

Mbahet afati i dytë i provimit të maturës, në këtë ditë dalin rezultatet

Është mbajtur sot afati i dytë i Provimit të Maturës Shtetërore i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).

Në këtë afat kanë marrë pjesë rreth 5 mijë maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.

“Provimi është organizuar në 59 qendra të Testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues, si dhe 600 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas ministrisë, “provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës”.

“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në këtë proces për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më së largu më 7 shtator”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

MASHTI ndan 170 mijë euro për nxënësit me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti

Ministria e Arsimit do të ndajë 170 mijë euro për OJQ-të që merren me provimin e nxënësve me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në Facebook, duke thënë se MASHTI do të vazhdojë të financojë projektet që kanë në fokus talentët.

Postimi i plotë:

Angazhimi ynë për nxënësit do të jetë i vazhdueshëm dhe nuk do të ndalet.

Me qëllim të përkrahjes dhe promovimit të nxënësve me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti, kemi marrë vendim për përkrahje financiare për projektet e OJQ-ve që punojnë në këto fusha.

E lumtur që edhe këtë vit po ofrojmë mbështetje për organizatat të cilat merren me përkrahjen e këtyre talentëve.

Si Ministri do të vazhdojmë të financojmë projektet që kanë në fokus talentët tanë sepse përgatitja e tyre është hap i rëndësishëm edhe për fuqizimin e shtetit tonë.

Vlera totale e kësaj përkrahjeje të MASHTI është rreth 170 mijë euro ndërkaq, përfituese të kësaj thirrjeje janë këto organizata.

OJQ-të që merren me këta fëmijë i përgëzoj për punën dhe i inkurajoj që të vazhdojnë edhe më tutje në përkrahjen dhe promovimin e talentëve./ KultPlus.com

MAShTI publikon rezultatet e Testit të Maturës – mesatarja 78.4 për qind

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar sot rezultatet e Testit të Maturës, sipas të cilave arritshmëria mesatare është 78.43 për qind.

Sipas njoftimit, këtë vit testit i janë nënshtruar rreth 22 mijë nxënës në gjithë vendin.

Prej këtij rezultati, kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe është 78.23 për qind, në gjuhën boshnjake 82.26 për qind dhe në gjuhën turke 93.94 për qind.

Ndërkaq, sipas lëndëve, arritshmëria në përqindje është:

-Gjuhë Shqipe – 63.8

-Gjuhë Angleze – 59.3

-Matematikë – 42.6

-Fizikë – 52.1

-Kimi – 52.3

-Biologji – 55.1

-Informatikë – 56.3

-Gjeografi – 47.4

-Histori – 42.2

-Sociologji – 39.8

-Psikologji – 39.6

-Ekonomi me ndërmarrësi – 36.8

-Edukatë qytetarë – 42.4

-Histori e artit – 37.4

-Teori e muzikës dhe harmoni – 58.2

-Gjuhë Boshnjake – 59.8

-Gjuhë turke – 48.2

Në ditën e testit ministria njofton se janë larguar 132 nxënës, prej të cilëve 115 nxënësve iu është anuluar testi për shkak të përdorimit të telefonave, kurse për 17 nxënës, të cilët nuk kanë pasur dokument identifikimi në ditën e testit, iu është përsëritur testi.

“Për rreth 4700 nxënësit, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në këtë afat, si dhe për ata që nuk kanë hyrë fare në provim për arsye të ndryshme, do të kenë mundësi t’i nënshtrohen Provimit të Maturës në afatin e gushtit, i cili është planifikuar të organizohet më 27 gusht 2022”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com

Nesër mbahet pjesa e dytë e testit të arritshmërisë

Nesër do të mbahet pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta, në 176 qendra të testimit. Të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Siç njofton Ministria e Arsimit, në pjesën e dytë, nxënësit do t’iu nënshtrohen pyetjeve nga matematika, informatika, shkencat natyrore, fizika dhe kimia.

Ndërsa, sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, MASHTI thotë se ka nxjerrë një raport në të cilin janë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, e të cilat janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.

“Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, MASHTI ka marrë të gjitha informatat nga terreni dhe ka marrë masat adekuate në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të eliminohen të gjitha papërgjegjësitë që janë evidentuar në pjesën e parë. MASHTI njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi, janë ndërmarrë masa ndaj gjashtë administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, MASHTI kërkon nga drejtoritë komunale të Arsimit që të marrin të gjitha masat e nevojshme, të cilat do të sigurojnë që pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë të organizohet sipas standardeve dhe rregullave të përcaktuara.

“Në mënyrë që pjesa së dytë e testimit të shkojë mirë, MASHTI ka krijuar një Grup Punues i cili do të bëjë monitorimin e procesit, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë nga krimet kibernetike, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe DKA-ve”.

MASHTI, gjithashtu kërkon nga DKA-të që në pjesën e dytë të Testit të sigurohen që: administruesit të arrijnë më kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete Udhëzuesin me rregullat për administrimin e Testit, të respektojnë rregullat e administrimit të Testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM-MASHTI, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit, të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit, të njoftojnë administruesit se do të përjashtohen nga procesi në rast të mos respektimit të përgjegjësive dhe se ndaj tyre do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi. / KultPlus.com

Mbi 24 mijë nxënës i nënshtrohen sot pjesës së parë të testit të arritshmërisë

Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta sot do t’i nënshtrohen pjesës së parë të testit të arritshmërisë i cili do të mbahet në 176 qendra të testimit, ku të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Pjesa e dytë e testit do të mbahet më 14 qershor dhe nxënësit do të kenë mundësi që gjatë dy ditëve të përgjigjen në 200 pyetje, 4 lëndë në ditën e parë dhe 5 lëndë në ditën e dytë të testimit.

Nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë për t’u përgjigjur në pyetjet e parashtruara, për të cilat MAShTI shpreh bindjen se do të jenë në përputhje me atë çfarë nxënësit kanë mësuar gjatë shkollimit.

Duke qenë se i tërë procesi organizohet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët e përfshirë në proces, si dhe respektim të plotë të rregullave të caktuara.

Sa i përket uljes së përqindjes së pikëve për regjistrim në shkolla të mesme të larta, nga 60 në 40 përqind, Nagavci është shprehur se qëllimi i vetëm ka qenë që nxënësit të mos penalizohen për punën që kanë bërë për nëntë vite, vetëm sepse gjatë ditës së testimit kanë mund të mos japin maksimumin./kp/ KultPlus.com

Qeveria e Kosovës miraton nismën e MAShTI për bashkëfinancim të bursave për Master me Ambasadën e Francës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për lidhjen e marrëveshjes me Ambasadën e Francës në Kosovë për bashkëfinancim të bursave të arsimit të lartë në nivelin Master.

Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë dhe përforcimin e bashkëpunimit në këtë fushë, duke hapur kështu rrugë për financimin e disa bursave për studentët tanë që të ngrisin kapacitetet profesionale në fushat me interes për zhvillimin e vendit. / KultPlus.com

MASHTI po punon për avancimin e arsimit të nxënësve me dëmtime në dëgjim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në kuadër të angazhimeve për krijimin e kushteve për nxënësit me dëmtime në dëgjim, ka lansuar dy iniciativa për personat me nevoja të veçanta.

Punësimi i tre asistenteve të gjuhës së shenjave në Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren dhe i instruktorëve të gjuhës së shenjave, ka hapë mundësinë që gjuha e shenjave të marrë vendin e merituar për komunitetin që nuk dëgjojnë, por edhe për të gjithë qytetarët që duan të mësojnë gjuhën e shenjave kosovare.

Gjuha shenjave është gjuha më e re e standardizuar në Kosovë dhe pas një rruge të gjatë, tashmë po institucionalizohet përmes programeve të akredituara.

MASHTI në bashkëpunim me Shoqatën Kosovare të Shurdhërve dhe ekspertë nga Finlanda po punojnë në ketë nismë, e cila për herë të parë do të krijojë kushte të mësohet dhe të promovohet gjuha standarde e shenjave, e cila ju mundëson personave që nuk dëgjojnë arsimim bilingual./ KultPlus.com

MASHTI: Pushimi dimëror në shkollat e Kosovës fillon me 31 dhjetor

Pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës do të nis në fund të këtij muaji.

Sipas zëdhënëses së MASHTI, Iliriana Pylla procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi do të nis nga data 31 dhjetor.

“Sipas vendimit të fundit të MASHTI, procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi dimëror do të zgjasë deri më 10 janar në rast se nuk ndryshon ky vendim gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë Pylla.

Kujtojmë se viti shkollor kishte nisur me një muaj vonesë shkaku i situatës me pandeminë COVID-19.

MASHTI në konsultim me gjithë akterët e tjerë të arsimit kishin marrë vendim për kompensimin e ditëve të humbura për vitin shkollor 2021-2022. Kompensimi i ditëve të humbura është vendosur të mbahet të shtunave, dhe ka nisur që nga data 9 tetor 2021, kur edhe do të përfundoj më 24 qershor 2022.

Më poshtë mund të njoftoheni për oraret e orëve mësimore të cilat do të zëvendësohen:

– Në muajin dhjetor, 2021 me datat: 4.12.2021, 18.12.2021, 28.12.2021, 29.12.2021 dhe 30.12.2021 (ditë të pushimit dimëror);

– Në muajin janar, 2022 zëvendësimi të bëhet me datat: 15.01.2022 dhe 29.01.2022;

– Në muajin shkurt, 2022 me datat: 12.02.2022 dhe 26.02.2022.

– Në fund të periudhës së tretë, për nxënësit të cilët e përfundojnë shkollën e mesme të lartë klasën e 12-të (maturantët), zëvendësimi të bëhet me datat: 16.05.2022, 17.05.2022, 18.05.2022, 19.05.2022, 20.05.2022.

Për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11-të, zëvendësimi bëhet me datat: 06.06.2022, 07.06.2022, 08.06.2022, 09.06.2022, 10.06.2022.Për nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parafillor, zëvendësimi do të bëhet me datat: 20.06.2022, 21.06.2022, 22.06.2022, 23.06.2022 dhe 24.06.2022. / KultPlus.com

MAShTI: Mësimi në distancë nuk do të mbahet për shkak të efektit të ulët

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, tha se mësimi në distancë nuk do të mbahet për shkak të efektit të ulët në mësimnxënie.

“Bazuar nga Organizatat Botërore po konstatojnë që kthimi më së miri duhet të jetë në mënyrë fizike, pasi dëmet nga pandemia janë të mëdha, dhe duhet që rikthimi të jetë i sigurt në mënyrë fizike”, tha zëvendësministrja e Arsimit në konferencë për media.

Maloku-Bërdyna, tha se janë përgatitur të gjitha masat e duhura për fillim vitin shkollor, dhe se 80% e stafit arsimor janë vaksinuar.

“Pjesa më e madhe e mësimdhënësve janë të vaksinuar, ku 80% të personelit arsimor janë vaksinuar, shifër kjo e cila po përditësohet dita-ditës. Aktiviteti mësimor para-universitar e ai parashkollor pezullohet nga data 26 shtator, dhe masa tjera që e përfshijnë ministrinë e Arsimit”, shtoi ajo. / KultPlus.com

MASHTI dhe DKA-të diskutuan për përgatitjet për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/21

Për të diskutuar gjendjen aktuale në arsim dhe hapat që do të ndërmerren, është mbajtur sot një takim virtual, ku kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zyrtarë të Ministrisë dhe drejtorët komunal të arsimit, përcjellë KultPlus.

Ministrja Nagavci i ka njoftuar drejtorët e arsimit për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të procesit mësimor, referuar vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reja anti COVID-19, sipas të cilit prej datës 12-16 prill 2021, mësimi me praninë fizike të fëmijëve në institucionet edukative arsimore do të organizohet për edukimin e hershëm dhe arsimin fillor, që përfshinë:

Niveli zero (çerdhet dhe kopshtet), klasa përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore, si dhe klasat 1 deri 5, duke respektuar rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen nga COVID-19.

Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021.

Komunat kërkuan që të shqyrtohet mundësia e organizimit të mësimit sipas specifikave dhe rekomandimeve të Task Forcave Komunale.

Komunat shprehën edhe shqetësimin për tërheqjen e mjeteve nga buxheti i komunave prej përmbaruesve privat, duke u thirr në obligime të Kontratës Kolektive.

Shqetësim tjetër është që DKA-të, nuk po arrijnë të kryejnë obligimet e parapara sipas Master Planit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku ndër të tjera përfshihet edhe mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia, pasi buxhetin prej 5 milion euro, qeveria e kaluar e ka shfrytëzuar për pagesën shtesë të mësimdhënësve. / KultPlus.com

MAShTI: Ora e parë e mësimit t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se kërkon nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës që  nesër ora e parë e mësimit t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

Kjo kërkesë erdhi edhe bazuar në programin e Qeverisë së Kosovës për shënimin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së. / KultPlus.com